Takimi i liderëve të partive politike në pushtet dhe në opozitë në Kosovë, i cili është organizuar me ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përfunduar pa ndonjë rezultat që do të shënonte përparim në drejtim të daljes nga kriza politike në vend.
Në takim me presidenten Jahjaga kanë marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe lideri i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ftesës së presidentes Jahjaga nuk i janë përgjigjur kryetarët e dy partive tjera opozitare, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është përqendruar më shumë në çështjet e tjera, sesa ato që kanë të bëjnë me gjetjen e ndonjë zgjidhje politike.
Ai ka ftuar opozitën që ta ndalë dhunën, në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara me zbatimin e rekomandimeve evropiane, në lidhje me liberalizimin e vizave dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Në asnjë rast, Mustafa nuk ka folur për ndonjë ofertë që mund t’i bëhet opozitës në lidhje me tejkalimin e gjendjes së krijuar.
“Kërkuam që të hiqet dorë nga dhuna, sepse me dhunë nuk mund të zgjidhen problemet në Republikën e Kosovës, as me gaz lotsjellës në Kuvend dhe as me shishe të molotovit dhe me përdorim të mjeteve të tjera të dhunshme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Kemi nevojë të punojmë bashkërisht për zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asoocim”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë pas takimit që forcat politike në pushtet dhe opozitë duhet t’i tejkalojnë dallimet që i kanë, për hir të interesit shtetëror të Kosovës.
Sipas Thaçit, përfaqësuesi i opozitës në këtë takim, Ramush Haradinaj, nuk i ka ngritur fare si shqetësim temat që më së shumti përplasën skenën politike muajt e fundit, siç është çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Thaçi ka thënë se Haradinaj më shumë ishte i përqendruar në çështjen e marrjes së pushtetit.
“Ne kemi propozuar që, së paku, Aleanca (për Ardhmërinë e Kosovës) të marrë pjesë në komisionet e përbashkëta për shkruarjen e statutit të këtij Asociacioni, bashkërisht, që do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
“Në të njëjtën kohë, të marrë pjesë edhe në një komision kombëtardhe ndërkombëtar, që do të formohet nga presidentja e vendit, për demarkacionin, në mënyrë që ta japë kontributin e vet. Ndërsa, çështjet tjera le të diskutohen në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit,Thaçi ka ripërsëritur se do të respektohet afati ligjor dhe procedurat kushtetuese. Kjo ka lënë të nënkuptohet që koalicioni qeverisës ka mbetur tek qëndrimi i mëhershëm që për këtë post, kandidat i vetëm të mbetet vet Hashim Thaçi, përkundër kundërshtimeve nga opozita.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili doli i pari nga takimi, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet, dhe rrjedhimisht të shpallet edhe data e zgjedhjeve.
Gjithashtu, ai është zotuar se opozita do të mbetet e bashkuar, duke thënë se nuk ka ndryshime, si dhe duke nënvizuar se me 17 shkurt do të protestohet nga opozita, me kërkesën që qeveria aktuale të japë dorëheqje.
“Kam kërkuar që menjëherë të shpërndahet parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza. Po ashtu, kam kërkuar që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.
“Me këtë ardhje në takim, unë e kam shprehur vullnetin tonë të mirë, për të ndihmuar për të dalë nga kriza aktuale. U kam dhënë edhe propozimin. Shpresoj që këta që ishin vendim marrës ose që ishin prezent, do të reflektojnë. Opozita mbetet e bashkuar. Shihemi me 17 shkurt. Aleanca është e vendosur që ta ndihmojë kundërshtimin e mëtejmë të degradimit të shtetit”, ka thënë Haradinaj.
Takimi i thirrur nga presidentja Jahjagaështë thëne se ka si qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike, në mënyrë që Kuvendi t’i kthehet normalitetit, pas bllokimit të punës nga ana e opozitës.
Po ashtu, funksionalizimi i plotë i Kuvendit në këtë fazë, shihet si jetik për Kosovën, ngaqë brenda një muaji, ky institucion duhet të zgjedh presidentin e ri të Kosovës. Në të kundërtën, vendi do të zhytej në një krizë të thellë institucionale e politike.
Në takimin e së hënës, në Zyrën e Presidentes, ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.
Roli i faktorit ndërkombëtar, sidomos atij amerikan, ishte përcaktues edhe në momentin e lidhjes së koalicionit aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.(Kortezi:Bekim Bislimi- Europa e Lire)