U promovua vëllimi poetik i Gjekë Marinajt ne Bukuresht/
Shkruan: Mira Skënderaj,Bukuresht/
Më 12 gusht në Bukuresht, në një mjedis elegant, në qendër të kryeqytetit rumun, u zhvillua promovimi i librit me poezi “I burgosuri i mungesës” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan Gjekë Marinaj. Në këtë eveniment ishte i pranueshëm autori i librit, të përkthyer nga përkthyesi dhe shkrimtari Marius Dobresku, i mirënjohur si përkthyesi i veprës pothuaj komplete të Ismail Kadaresë në rumanisht.
Gjekë Marinaj, poet, profesor në Dallas (Teksas) dhe banor i SHBA-ve qysh nga viti 1991, i pranishëm në këtë ngjarje, dha autografe për miqtë dhe lexuesit e librit të tij në Bukuresht. Vëllimi i Marinajt është shoqëruar me një parathënie nga kritiku i mirënjohur rumun i letërsisë Radu Voinesku, gjithashtu i pranishëm në këtë promovim. Në veprimtari morën pjesë studiuesi i letërsisë Luan Topçiu, shkrimtar dhe diplomat, autor, ndër të tjera, i një antologjie të poezisë shqiptare të djeshme dhe bashkëkohore, dramaturgu dhe eseisti i shquar rumun Vlad Zografi (me prejardhje shqiptare nga Korça), gazetarja Maria Dobrescu, lexues dhe admirues të shkrimtarit shqiptar, gazetarë nga mediat kryesore të vendit, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë.
Në vlerësimin e tij për poezitë e Gjekë Marinajt, Marius Dobrescu tha, ndër të tjera, se poezia e tij sjell një frymë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe se është “kontaminuar” nga formimi filozofik i autorit, gjë që i jep poezisë së tij një atmosferë të veçantë, latuar me sqimë të madhe, gjë që e rendit në nivelet më të larta të mendimit europian poetik. I njohur si një njohës i mirë i poezisë rumune dhe shqiptare, Luan Topçiu vuri re një element të përbashkët që gjendet në të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit e Diasporës Shqiptare: një lidhje të pashmangshme me vendlindjen, me trevat ku ka kaluar fëmininë, nënshtresa këto burimore të krijimit, të cilat e bëjnë autorin autentik si profil letrar dhe u japin lirikave të tij origjinalitet. Kritiku i mirënjohur rumun, Radu Voinesku, autor i parathënies së vëllimit, duke përsëritur disa nga vëzhgimet e bëra në “parathënien” u shpreh se: “Imazhet e Shqipërisë janë gjithmonë të pranishme në mendjen e poetit, i cili jeton në mes të dy botëve: njëra e kujtesës, identitetit dhe e origjinës, tjetra e atdheut të ri, ku ky identitet i parë i pafrenueshëm shfaqet në momentet më të befta. Midis ortekut të fotografive, natyrisht të mbeten në mendje ato të prindërve, të cilat mbizotërojnë dhe që mund të gjenden nga lëçitësi që do të lexojë faqet e këtij poeti.” Sepse Gjekë Marinaj, si çdo racë e pastër e Ballkanit, ka një ndjenjë të fortë të komunitetit nga i cili vjen, familja, ky univers parësor dhe i pashkatërrueshëm.
Promovimi i vëllimit me poezi “I burgosuri i mungesës” në Bukuresht, me praninë e autorit, ishte një mundësi e shkëlqyer për krijuesit shqiptarë, pavarësisht nga kontinenti në të cilin jeton, për të treguar potencialin e tyre krijues dhe, në veçanti, për të demonstruar se fjala shqipe mund të japë fryte kudo që ata ndodhen.
Bukuresht, gusht 2013