-Hetimi i përmbajtjes së përgjimeve/
PRISHTINË, 5 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeprokuroi i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pasi pranoi raportin e kërkuar nga prokurori ndërkombëtar i EULEX-it, i cili është i ngarkuar me rastin e MTPT-së (Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit) , mori sot vendim për formimin e komisionit-ekipës të prokurorëve vendës në përbërje të një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe dy prokurorëve nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Njoftimi i dërguar sot thekson se, ky komision do të ketë objekt të analizimit dhe vlerësimit të gjitha ato materiale-transkripte origjinale të përgjimeve të telekomunikimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e ngritur, kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, nga ana e prokurorit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i fillojë hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer, thuhet në njoftim.
Dje, Kryeprokuroi i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti në një takim pune Kryeprokurorin e EULEX-it, Claudio Pala./b.j/