• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kristo Dako, një ndër shqiptarët e ditur të Amerikës

February 22, 2024 by s p

A ishte Dako, Kryetari i parë i “Vatrës”?

Dr. Gjovalin Gjeloshi

Pedagog në Kolegjin Universitar “Qiriazi”

Tiranë

Kristo Anastas Dako, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1876. Mësimet e para i përfundoi

në qytetin e Korçës dhe më pas kur familja emigroi në Rumani, Bukuresht, (Kristo ishte vetëm

11 vjeç) ai vazhdoi dhe përfundoi mësimet në shkollën e mesme. Studimet e larta universitare i

kreu në Universitetin e Bukureshtit, Dega Matematikë. Në Bukuresht është anëtar aktiv i shoqërive të shqiptarëve që ishin formuar aty dhe aktiviteti i tij zgjerohet edhe në qytete të tjera

të Rumanisë, veçanërisht në Braila, ku u themelua shoqëria “Djalëria shqiptare” dhe Kristo Dako

zinte vendin e nderit. Më vonë, emigroi në SHBA dhe në vjeshtën e vitit 1906, ai regjistrohet në

degën e filizofisë në universitetin e Oberlindit, Ohajo.

Për arsye të kushteve të vështira që u krijuan në Shqipëri, ai i ndërpreu studimet dhe më

1908 u kthye në atdhe.Më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit dhe shërbeu nëvijimësi si drejtor e mësues i shkollës amerikane, të themeluar nga misionari Charles Telford Ericksonnë Elbasan si dhe në Normalen e Elbasanit.Më pas, pas shumë peripecive që kaloi nën regjimin xhonturk, në gusht 1912, së bashku meParashqevi Qiriazin, u rikthye përsëri në SHBA, pët të vijuar studimet e lëna përgjysëm.

Nëpërmjet mikut të tij amerikan, Charles Crane, Dako ka pasur mundësinë t’ibëjë me dije Presidentit tëShteteve të Bashkuara WoodrowWilson,  interesat kombëtare të Shqipërisë.Miqtë amerikanë të Dakos qenë të shumtë. “Kumbara” i miqësisë me Crane qe profesori i Kristos në Kolegjin e Oberlinit, E. L. Bosworth, i cili ia rekomandoi Crane-it, si shoqërues për të vizituar Shqipërinë e viteve 1911-1912. Edhe pse Crane mbetet “kryemiku”, sipas shënimeve që ka lënë vetë Dako, miqësia e Dakos me misionet amerikane që filluan të vepronin në Shqipëri,  është e hershme, qysh në vitin 1908, kur erdhi në Korçë çifti amerikan Violeta e Fines Kenedi. Madje zonja Kenedi kishte qenë shoqe shkolle e Sevasti Qiriazit (Dako), qysh në shkollën fillore amerikane të Manastirit. Ndërsa për Frederic Howe, një avokat i shquar dhe profesor në disa universitete të SHBA, Dako shkruante: “Zoti Frederic, me të cilin patmë nderin të piqemi e tënjihemi për së afërmi, ka një mendim shumë të mirë për shqiptarët”. Të tjerë miq qenë edhe zonja Louisa Byington, zonja dhe zoti Artur Baldwin, Mis.Carolina Borden e të tjerë. Mike e çiftit Dako qe edhe anglezja e madhe për ne shqiptarët Miss. Edith Durham.

Pas Kenedëve, që ishin amerikanët e parë që shkelën tokën shqiptare, gjashtë muaj më vonë erdhi Ericksoni, bashkë me familjen e tij.Dako edhe me këtë të fundit pati një miqësi të ngushtë dhe marrëdhënie të vrullshme pune, edhe në shërbim të kombit.

Po kush janë marrëdhëniet e Kristo Dakos me Federatën Panshqiptare “Vatra”? Po t’u referohemi shënimeve e botimeve të ndryshme për atë kohë, Vatra u themelua si bashkim i disa shoqërive të ndryshme të shqiptarëve, në mars të vitit 1912 dhe në korrik të atij viti “Vatra” zhvilloi kongresin e parë. Në këtë kongres u vendos që Vatra të mos kishte kryetar, por një sekretar të përgjithshëm.Me shumicë votash u zgjodh sekretar Faik Konica, i cili ishte në garë me Kristo Floqin. Sekretari i përgjithshëm do të ishte edhe redaktori i Diellit1). Ilir Ikonomi në librin e tij, ardhjen e Kristo Dakos në SHBA, e cilëson si “ardhjen e një shqiptari tjetër tëditur”2)… Atij, i mësuar me drejtimin e shoqërive të emigrantëve shqiptarë në Europë, nuk iu desh shumë kohë për t’u ingranuar në detyrat që e prisnin. Një orator i lindur, një korçar i zgjuar (në mes të shumë korçarëve të ishin vendosur në Amerikë) dhe një burrë i palodhur, ai zhvilloi shumë biseda e takime me shqiptarëte Amerikës në të gjitha qytetet ku ishin vendosur, duke iu hapur sytë e ndriçuar mendjen se, nëse nuk arrijmëtë kemi dashuri në mesin tonë, do të vijojmë të mbesim përsëri mbrapa popujve të tjerë. Kristo Dako luftoi shumë për të nxitur integrimin e shqiptarëve në vendin ku kishin ardhur, dhe kjo do të bëhej pikë së pari nëpërmjet mësimit të gjuhës. Dakoja hapi kurse falas në Natik, për t’u mësuar shqiptarëve anglishten, për të gjetur punë më lehtë dhe premtonte t’u mësonte shqipen atyre që nuk dinin ta shkruanin.3).

Në qershor 1913, zgjidhet në kryesinë e drejtimit të “Vatrës” dhe njëkohësisht i besojnë drejtimin editorial të “Diellit”, organit zyrtar të Federatës4).Nuk kaloi shumë kohë, thotë Ikonomi dhe Kristo Dakoja u zgjodh redaktor dhe menaxher i Diellit.Më 20 korrik 1913 Vatra mbajti një kuvend të jashtëzakonshëm dhe e zgjodhi Dakon president5).

Historinë ne duhet ta shkruajmë ashtu siç është: me ulje-ngritjet e saj, me polemikat, me kthesat, me personazhet, me ndodhitë e me ngjarjet, sido që të jenë. Persona që kanë vizituar ambjentet e Federatës Panshqiptare “Vatra” nëShteteve e Bashkuara të Amerikës (unë nuk kam qenë në Boston), kanë vërejtur se emri i Kristo Dakos nuk figuron si një ndër presidentët e saj në kohë, le më pastaj të artikulohet edhe si presidenti i parë. Është e vërtet se Dakoja nuk është një ndër themeluesit e parë të“Vatrës”.Emri i tij nuk është krahas Faik Konicës, Fan Nolit apo Kristo Floqit.Por nuk duhet të mohojmë se në këtë kohë (20 korrik 1913), Kristo Dako zgjidhet presidenti i kësaj Federate.Ne nuk duhet të analizojmë sot konjukturat e atëhershme të shqiptarëve të zgjuar të Amerikës, të cilët edhe pse me këtë status, nuk kapërcyen dot grindjet dhe polemikat që kishin mes vedi. Edhe pse “të mëdhenj”, Noli, Konica, Floqi, Dako, Çekrezi, Sotir Peci etj, që ishin në Amerikë, apo edhe Grameno më vonë e deri te Aleksandër Xhuvani në Kajro, patën mosmarrëveshjet apo grindjet e momentit mes njëri tjetrit, që edhe herë afroheshin e herë largoheshin. Ishte koha që mbarteshin koncepte e mentalitete të ndryshme, se si do të zgjohej shqiptari nga gjumi letargjik, si do të mbrohej Shqipëria e porsaformuar, prej ku do të bëhej lufta për Shqipërinë, prej Brenda vendit apo prej emighracionit apo edhe në cilat Fuqi tëMëdha duhej të mbështeteshim më parë e më fort. Nuk ishte e lehtë të dilej në njëmendje të përbashkët.Aq më tepër që “kjo mendje” ka munguar historikisht tek shqiptarët.

Nisur nga këto realitete, ne të sotmit nuk duhet të biem pre e veprimeve nganjëherë tënxituara të paradhësve tanë, në rastin konkret të atyre që kanë themeluar apo kanë drejtuar Konfederatën “Vatra”, ndër vite.Vërtet në themelim, Vatra nuk pati kryetar, por vetëm sekretar të përgjithshëm.Noli në një moment e shpjegon edhe arsyen se pse u vendos kështu. Por në kohën kur në krye të Vatrës, figuron posti i kryetarit dhe jo sekretari i përgjithshëm, kryetari i parë i saj është Kristo Dako. Dakoja qëndroi vetëm një muaj si president6), por kjo nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk e zhbën faktin se ai ka qenë presidentii parëi saj.Ai u largua për në Shqipëri, sepse e prisnin detyrime të tjera, ashtu si para tij ishte larguar nga SHBA edhe vetë Noli apo Faik Konica.

Jo i qetë për krizën që po kalonte Shqipëria, në periudhën pas shpalljes së pavarësisë,kryesisht krahina e Korçës, e cila ishte aneksuar nga grekët, ai kthehet në Atdhe për të dhënëkontributin e vet. Pas mbylljes së shkollës së vajzave, në korrik 1914, bashkë me familjen aishkon përsëri në Bukuresht e prej andej në Bullgari. Bashkë me Themistokli Gërmenjin drejtojnë

“Lidhjen Kombëtare” dhe Dako është redaktor i organit të saj “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.Pasnjë qëndrimi njëvjeçar (të ndarë përgjysëm) në Bukuresht dhe Sofje, Dako dhe motrat Qiriazimarrin rrugën përsëri për në Amerikë.Këtu drejtoi “Lidhjen Kombëtare”, e cila krahas “Vatrës”,përfaqësonte shqiptarët ë Amerikës.Ndërkohë botoi “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” si vijim i asaj të Sofjes.Gjatë këtyre viteve është ndër aktivistët kryesor të Partisë Politike.

Gjatë qëndrimit tëtretë të tij në SHBA, nuk munguan polemikat e ashpra në gjirin e “Vatrës”, në epiqendër të të cilave ishin shpesh herë Dakoja me Nolin.

Në fillim të 1921 Dako u kthye nga Amerika në Tiranë.Më 1921-1922 qe deputet i parlamentit të parë shqiptar, si përfaqësues i Partisë Përparimtare, në grupin e “Deputetëve tëDrinit”, siç thirrej atëherë gupi i deputetëve të prefekturës së Dibrës. Më 1921 u caktua ministër

i Arsimit në qeverinë e Hasan Prishtinës. Ndërkaq mbajti edhe portofolin e ministrit të jashtëm7).Pas dorëheqjes së qeverisë, u përjashtua nga parlamenti dhe e detyruan të largohej nga Atdheu, duke shkuar tek familja e tij në Bukuresht.

Pas kthimit nga Rumania, u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Në tetor 1922, ështënjë ndër tre themeluesit e Institutit “Kyriaz-Dako”, në Tiranë.

Kristo Dako është autor i të parit “Kod të gazetarisë shqiptare”, i botuar në revistën “Yll’

i Mëngjesit”. Dako njihet si publicist dhe orator i shquar. Kristo Dako ka botuar veprat: “Cilët

janë shqiptarët”, Manastir 1911;  “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Boston, 19198), që ishte ndër të paktët libra për historinë e Shqipërisë9); “Fuqia e Ndërgjegjes kombëtare të Popullit Shqiptar”, Boston 1919; “Të drejtat dhe kërkesat e Shqipërisë për pavarësi dhe integritet tokësor”, Boston 1919;  “Shënime nga jeta dhe vepra e N.M. tij,Zogut I, Mbret i Shqiptarëve”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Bukuresht 1912.Kristo Dako ka hyrë nëhistorikun e letrave shqipe edhe si hartues tekstesh mësimore, në matematikë dhe histori. “Unë epashë të nevojshme, thotë Dako, të jap kontributin tim edhe në fushën e arsimit, duke shkruardhe botuar tekste për shkollën shqipe të vashave”. Pothuajse të gjitha tekstet për lëndëtmatematikore të përdorura në këtë shkollë, por edhe në Normalen e Elbasanit mbajnë firmën e tij: Arithmetika, Algjebra, Gjeometria, Trigonometria dhe Kozmografia. Gjithashtu ai ka botuar edhe një tekst mësimor mbi “Historinë e Shqipërisë”.Ai qe mësimdhënës në shkollën e vajzave në Korçë, në Instituin “Kyrias-Dako”, në Normalen e Elbasanit dhe në shkollën amërikane të Elbasanit të themeluar nga Eriksoni. Në fushë të teksteve,  Faik Konica njoftonte te “Albania”: “Zoti Kristo Dakua, i ndershmi kryetar i shoqërisë letrare  shqipe “Shpresa” e mbaroi dorëshkrimin e Gjeometrisë dhe të Dhêmasës që po përgatiste prej kohësh. Ja një libër për të cilin duhet të gëzohen të gjithë shqiptarët”10). Libra dhe tekste të tjera mësimore qenë: “Independenca e Shqipërisë e domosdoshme për paqen e Ballkanit”, “Zëri i Shqipërisë”, “Idea Kombëtare: kur u lind dhe qysh u zhvillua”, “Sofizmat greke mbi Epirin”, “Mjeshtëria për të mësuar anglisht”, “Të zhvilluarit e gjuhës”, “Bisedime fillologjike”11).

Ai ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i bashkëshortes së tij, Sevasti Qiriazit (Dakos) dheParashqevi Qiriazit, në veprimtarinë e tyre fisnike të arsimimit dhe emancipimit të femrësshqiptare.Për aktivitetin e tij të shquar patriotik dhe si rilindas i gjuhës dhe arsimit shqip, Kristo

Dako radhitet dhe zë një vend nderi ndër emrat më të shquar të patriotëve shqiptarë më aktiv në

Evropë dhe në botë, të kohës së tij si: Faik Konica, Fan Noli, Kostë Çekrezi, Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, etj, etj.

Dako u lind në dhjetor dhe u nda nga jeta në dhjetor. Në mes të dy dhjetorëve kishtevetëm 65 vite. Me Fishtën, veç letrave, i bashkon edhe urrejtja e pashoqe që shfaqi pushteti i

vitit1945 ndaj tyre: trupin e balsamosur të Dakos, e nxjerrin nga varreza familjare në Kodër Kamëz, ku prehej prejpesë vitesh dhe e dhunojnë barbarisht. Ky luftëtar i dijes që kishte për pasuri vetëm idealinkombëtar, librat dhe shkollën, ashtu si Gjergj Fishta, mbeti “eshtërhumbur”, pa varr dhe i mbuluar me pluhurin e pamëshirshëm të harresës.

Me Fishtën e bashkon edhe vlerësimi “Nderi i Kombit” që Kryetari i Shtetit Shqiptar i bën Kristo Dakos në vitin 20176). Ky vlerësim i kryetarit tështetit  vinte 86 vjet më pas, nga vlerësimi që i kishte bërë, po një kryetar shteti: me rastin e 40 vjetorit të themelimit të shkollës së vashave në Korçë (Institutit Femëror në Kodër Kamëz), Mbreti Zogu I e dekoron Dakon me “Urdhërin e Skënderbeut”.

______________________________

  1. Ilir Ikonomi: “Fan Noli”. Vëllimi i parë-Apostulli, faqe 129-130. UET Pres, Tiranë 2023.
  2. Po aty, faqe 52
  3. Po ty, faqe 53.
  4. Kristo Dako: “Çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, Arbëria, Tiranë 2003, fq, 191.
  5. Ilir Ikonomi: “Fan Noli”, vëllimi i parë, faqe 171.
  6. Po aty.

                7. Dhimitër Dishnica: “Përball të vërtetës-jeta dhe vepra e Kristo Dakos”. Botues Erik 2004. Faqe 308.

8.Ky libër u paraqit në prag të Konferencës së Paqes në Paris, me qëllim që pjesëmarrësit të njihnin të vërtetat mbi Shqipërinë. Disa kopje janë botuar posaçërisht për delegatët e vendeve pjesëmarrëse, me lidhje special, por interesant është botimi “në njërën faqe”, dmth, njëra anë e fletës është bosh. Kjo u bë me synim që “lexuesit e rëndësishëm” tëkishin mundësi të bënin shënimet përkatëse. Të lexonin një faqe dhe të bënin shënime në faqen përball e cila ishte bosh.Njëkopje e këtij libri e botuar në këtë formë, gjendet në shtëpinë e Robert Dakos, nipit të Kristos.

9. Librat për Shqipërinë në anglisht ishin të rrallë në atë kohë, por edhe ata që mund të gjendeshin në treg qenë mjaft të vjetëruar në përmbajtje, thotë Ilir Ikonomi nëlibrin  “Faik Konica-Jeta në Uashington”, (UetPress, Tiranë 2017, fq. 110) . Dhe duke e përmbledhur, Ikonomi flet vetëm për dy libra të asaj periudhe: libri i Kostë Çekrezit “Shqipëria, e shkuara dhe e ardhmja” si dhe libri i Kristo Dakos “Shqipëria, çelësi kryesor për në Lindjen e Afërme”, i cili i jepte një përshkrim të vendit deri në vitin 1914. Tëdy librat   u shtypën në shumë kopje. “Që tëdy këta libra u drejtoheshin atyre që merrnin vendimet [për Ballkanin] – citon Edëin E. Jacques në librin “Shqiptarët-historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”. (Kartë e Pendë, Tiranë 1995, fq.404).

10. “Albania, korrik 1903, nr. 7, faqe 108 (138).Ribotim DDS, Durrës 2014.

11. AQSH, F. 52, 1932; D. 23, fl. 3.

12. Kristo Dakos iu dha dekorata “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), me numër dekreti 10564, datë 11.07.2017, nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani.    

Filed Under: Featured Tagged With: agron gjeloshi, Kristo Dako

Kujtimet e Skënder Luarasit

March 18, 2021 by dgreca

Kujtimet e Skënder Luarasit për travajat e familjes së Sevasti Qiriazi e Kristo Dako/

KRISTO DAKO NJË NGA VEPRIMTARËT E SHQUAR TË PAVARËSISË /

(Pushtimi i shtëpisë se tyre nga çifti Todi dhe Luljeta Konomi- Bozo, si i hoqi ky emrat e Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi nga filmi “Mësonjëtorja” në Kinostudio ku ishte nëndrejtor dhe sekretar Partie)/

NGA KOLEC TRABOINI/

Në kujtimet e tij Skënder Luarasi (19 janar 1900 – 27 janar 1982)  ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. (Aleksandër Dako, i biri i Kristos dhe i Sevastisë, i lindur në Manastir më 30 maj 1911, ishte pronar i banesës në rrugën Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë, Ajo dikur qe në pronësi të Parashqevisë. Në një banesë tjetër në krah jetonte dhe vajza e tij e vogël , Diana Qiriazi-Hoxha, studente në degën e anglishtes.) “Kisha vite pa e parë. Dukej shumë i vrarë. Më tha se kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, e kishin internuar me pa të drejtë dhe shtëpinë ia kishte zënë një zyrtar me rëndësi.” Pas vdekjes së gruas së parë, Aleksandër Dako qe martua me N.L. me të cilën nuk shkonin mirë, kinse ajo kërkonte që ai të mos kishte të bënte me fëmijët e gruas së parë dhe arësye të tjera. Por më vonë rezultoi se shkak i prishjes së çiftit Dako qe shantazhi mbi N.L. dhe nënshtrimi i saj nën presionin e Todi Bozos, motrës së tij dhe shoqes së saj V. L., Sekretare e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. e cila më pas u shkarkua për abuzime me detyrën shtetërore. Më 15 tetor 1975, me akuzat e sajuara të ish- gruas së tij të dytë N.L. Aleksandër Dakon e internuan në Tale të Lezhës. Në janar 1976 në shtëpinë e tij u fut familja e Todi Bozos, e cila pa dijeni të Aleksandrit kishte bërë shtesa banese. Menjëherë pas internimit ai kërkoi verifikimin e çështjes dhe Komisioni Qeveritar ia hoqi masën e dënimit. Kur u kthye në Tiranë më 14.7.1977, mësoi që shtëpinë ia kishte zënë i plotfuqishmi T.D. i cili me marrëveshje private i kishte dhënë ish-bashkëshortes së Aleksandrit një hyrje tjetër 1+1. Në këto kushte Aleksandri jetoi përkohësisht tek djali i tij Robert Dako, Rr.Tefta Tashko,P.22/1,A.1,Tiranë në pritje për t’iu liruar banesa, (në zbatim edhe të Vendimit gjyqësor të formës përfundimtare (Vendimi 249, 15.2.1978 i gjykatës popullore të rrethit, Tiranë) Në vendim shkruhej: ‘’ Rezultoi e provuar se paditësi efektivisht është pa banesë… Në të tilla rrethana vetkuptohet se paditësi Aleksandër Dako ka të drejtë të shkojë në pronën e tij dhe Vendosi: ‘’Detyrimine të paditurit Todi Bozo të lirojë banesën që ka në përdorim pasi t’i sigurohet një sipërfaqe tjetër banimi. Edhe kur iu dërgua vendimi i gjykatës, nënpunësit të strehimit të Komitetit Ekzekutiv, Tiranë me një letër rekomandimi, ai nuk po e zbatonte. Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit mbi pronësinë, poseduesi nuk e lironte banesën me pretekst që ‘’kishte shpenzuar’’, duke bërë modifikime, një banjë dhe shtesa të tjera në oborr, pa dijeninë e pronarit.

SKËNDER LUARASI SKËNDER LUARASI, LETËR HYSNI KAPOS,

Tiranë, 15 qershor 1979: Skënder Luarasi kujton se për seriozitetin e çështjes iu drejtua Hysni Kapos ish-nxënësi i tij në Institutin Tregëtar të Vlorës më 1932. Në letër shkruhet: ”Duke përgatitur biografinë e motrave Parashqevi dhe Sevasti Qiriasi, kujtova përkrahjen që i dha e nderuara shoqe Vito Kapo Parashqevisë të ngrihej nga gjendja e mjerë në të cilën njerëz të pandërgjegjshëm e kishin rrëzuar këtë heroinë të arsimit kombëtar. Me këtë rast u njoha me birin e Sevasti Qirias-Dakos, Aleksandër Dakon, birin e patriotit Kristo Dako, dhe mora vesh se në ç’gjendje të mjerë e kanë rrëzuar edhe këtë bir patrioti. Duke dashur të shpreh të mirëfilltën në këtë biografi, u interesova për shkakun e fatkeqësisë së tij. Si qytetar shqiptar u trondita kur pashë se në Republikën Socialiste tonën paska akoma njerës që për të kënaqur lakmitë e tyre, nuk e quajnë për gjë të keqe t’i çkatërrojnë jetën një familje. Aleksandër Dako më dorëzoi përshkrimin si i ndodhi fatkeqësia dhe unë marr guximin që përshkrimin t’jua dërgoj juve tok me këtë letër. Përveç zemërimit që ndjej si qytetar për një padrejtësi të tillë, unë kam arësye të veçantë të interesohem për hallin e familjes Qirias- Dako: në këtë shtëpi mblodha materialin për biografinë në fjalë, dhe këtu dëgjova prej gojës së Parashqevisë fjalët mirënjohëse për ndihmën që i dha shoqja Vito Kapo së ndjerës Parashqevi të ngrejë jetën e lumtur në atë shtëpi…Ju jam drejtuar juve me këtë letër, se jam i bindur që nuk do të lejoni kënd të përçmojë Kushtetutën e Republikës Socialiste të Shqipërisë.” Skënder Luarasi shkruan në kujtimet e tij: ”Ndërkohë që prisja ndonjë përgjigje apo rezultat më zemëroi shumë një ngjarje tjetër. Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Dhe këtë presion e paskish bërë vetë Todi Bozo. Një ditë mësova se Hysni Kapo, i sëmurë, kishte lënë porosi të shikohej kjo çështje por Todi Bozo për shkak të postit të lartë dhe miqve nuk donte ta lironte shtëpinë. Madje më kishte çuar fjalë që ta lija këtë çështje mënjanë për hir të dhëndrit tim Vedatit që ai e kishte farefis. Kur shkova ta takoj, ai ishte ‘’i zënë‘’. Ndaj i shkrova një letër.  

LETËR TODI BOZOS

Tiranë, 26 gusht 1979  I nderuari zoti Todi Bozo, Mbasi nuk më pranuat në një bisedë shoqërore sy në sy, Ju dërgoj këtë letër që të rrëfenj përse kam dashur të piqem me zotërinë tuaj. Kam njohur personalisht Tafil Buletinin për të cilin jam duke përgatitur një broshurë. I përdëllyeri ndër të tjera më pati folur për miqësinë e tij me të ndjerin Llazo Bozo dhe desha që miqt e tij të jenë edhe të mitë. Qysh prej fëminisë sime pata njohur motrat Qiriazi, mësueset e motrës sime Thomaidhë, dhe qenë këto që nëpërmjet sime motre më mësuan të lexoj e të shkruaj gjuhën amtare shqipe. Për këtë arësye kam qenë mirënjohës ndaj atyre dhe do të jem kështu gjer në çastin kur t’i them lamtumirën e fundit atdheut tim të dashur. Nga simpathia që ruaj për Sevasti Qiriazi-Dakon dhe të motrën Parashqevinë, por edhe që të mos më përgënjeshtrohen fjalët e mira të Tafil Buletinit për babanë tuaj, po ju drejtoj këtë letër. Dhe shpresoj të merremi vesh urtë rreth dy çështjeve për të cilat bëhet fjalë: Së pari : Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio kërkoi dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë më 1891. Materialin e përmbledhur po jua dërgoj bashkëngjitur. Ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35-vjetorit të çlirimit. Të Kinostudios më thanë se keni ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësohen me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Lexoni në ‘’Zëri i popullit’’ artikullin e soçëm ‘’Vërtetësia të përshkojë si fill i kuq çdo paraqitje të fakteve historike’’, nga Shefqet Peçi. Së dyti: Me manipulacione të pahishme keni bërë që biri i Sevasti Qiriazi-Dakos të nxirej nga shtëpia dhe fare pa të keq u shtrove vetë në atë vatër. Gjyqi që e kuptoi sjelljen e pahijshme tuajën i dha të drejtën familjes Dako të kthehet në banesën e vet. Porse ju nuk i bindeni vendimit, nuk doni të shkoni në apartamentin shtetëror që kishit më parë. Në vilën Qiriazi-Dako vija shpesh të përshëndetja mësuesen e lavdishme Parashqevi Qiriazi për t’ iu falë nderjes për arsimin që bashkë me Sevastinë u dha motrave tona në kohën e tiranisë otomane, kur jo në shkollë por edhe në letërkëmbim ishte rreptësisht e ndaluar të përdoreshin shkronjat shqipe. Mora guximin t’ju shkruaj këtë letër sepse duhet ta mbrojmë të drejtën e të vërtetën edhe sikur të ndeshemi me personalitete të plotfuqishëm; por juve jua shkruaj edhe për një shkak tjetër. Pozita që mbani dhe prejardhja patriotike – që na ndalon të nxjerrim në Pazar emrat e prindërve tanë të ndritur edhe për gjithë atë llom të dheut që aq fort e lakmon borgjezia – na detyrojnë jo ta shkelni por ta mbroni ligjshmërinë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Për këto arsye jam i bindur që do ta pranoni, dhe do më përkrahni propozimin që kam dashur t’ju bëja po të më kishit pritur në bisedë shoqërore: së pari, filmit ti vihen emrat e plotë, të vërtetë, të heroinave Sevasti e Parashqevi Qiriazi; së dyti: t’ia ktheni të zotit shtëpinë dhe unë mendoj se ajo ndërtesë të caktohet shkollë ose muze për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave  Me përfillje të merituara Skënder Luarasi. Rruga Konferenca e Pezës, Pallati V, Shkalla1/3, Tiranë  

SKËNDER LUARASI LETËR VITO KAPOS,

Tiranë, 1 shtator 1979 Kur dëgjoi se Hysni Kapo ishte i sëmurë rëndë dhe përsëri Todi Bozo rrefuzoi të largohej nga shtëpia, S.Luarasi iu drejtua Vito Kapos, si Presidente e Bashkimit të Grave Shqiptare: “Personalisht, Ju dhe Nefo Myftiu, e shpëtuat Parashqevi Qiriazin nga mjerimi ku e patën shpënë njerës zemërzes. Kur e vizitoja Parashqevinë, më shumë se një herë më shprehu mirënjohjen për gruan e re shqiptare, për të cilën Ju po përpiqeni ta ngrini lart e më lart në shoqërinë tonë socialiste. Jua shkruaj këtë letër Juve, e nderuara shoqja Vito Kapo, nga respekti që kam për punën tuaj në qytetërimin e familjes shqiptare e në mbrojtjen e të drejtave të saj. Bashkëngjitur postoj një artikull ku shpreh atë që di unë për Sevasti Qiriasi- Dakon dhe një letër tjetër ku rrëfej çështjen që desha të zgjidh në mënyrë shoqërore me Todi Bozon. Duke qenë se Todi Bozo s’begenisi të më dëgjonte, Ju a dërgoj Juve, si kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, që t’ia qani hallin familjes së Sevastisë dhe të propozoj që (pasi Todi Bozo të zbrazë shtëpinë e përvetësuar) ajo ndërtesë, ku ka vdekur Parashqevi Qiriazi, të çelet me rastin e 35-vjetorit të çlirimit muze ose shkollë për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave.” Historia e shantazhit të Todi Bozos ndaj gruas së Aleksandër Dakos dhe përvetësimi i shtëpisë së familjes Qiriazi u përhap dhe bëri bujë. Sekretarja e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. me iniciale V. L., e cila kishte manipuliar me dokumentat u shkarkua nga puna për abuzim me detyrën shtetërore dhe Todi Bozo u detyrua ta lirojë banesen. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me familjen e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vërtetë Skënder Petro Luarasi. Ky shkrim i mësipërm bazohet tek libri i pabotuar i Skënder P. Luarasit, “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar- kujtime” dhe nuk duhet të riprodhohet në asnjë formë pa përmendur burimin.

KUSH ISHTE KRISTO DAKO

Kristo Dako u lind në Korçë më 24 dhjetor 1876, i biri i Anastas Dakos. Më 1887 Dako emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme më 1898, dhe më 1902 Fakultetin e Matematikës. Nga ky vit u u aktivizua në shoqëritë Shpresa dhe Dituria të kryeqytetit rumun. Më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit në vitet 1906-1913. Më 1908 u kthye në atdhe dhe më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit. Më 1913 u zgjodh president dhe redaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë.Më 1921-1922 qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Më 1921 u caktua ministër i Arsimit në qeverinë pakditore të Hasan Prishtinës gjatë krizës së dhjetorit. Më pas u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Më 2 tetor 1922 hapet instituti “Kyriaz”, më 11 prill 1925 iu vendos guri i themelit në godinën e re në Kamëz., sot Universiteti Bujqësor i Kamzës. Ndërroi jetë më 16 dhjetor 1941 në Tiranë.

BASHKËSHORTËT SEVASTI QIRIAZI DHE KRISTO DAKO

FUNDI I DHIMBSHËM I  SEVASTI QIRIAZI DAKO

Ne konica.al lexojmë: Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamze. Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Te rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skënder (Aleksandër) dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945. Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë Komuniste që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos, i kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…! Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin ne kotecin e pulave të shtepise së tyre. Pasi e lyen me gëlqere të bardhe, si zemra e tyre, për pak kohë veteranet jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë në ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj. Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit, kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihës. Ishte 30 gushti i vitit 1949.

Përgatiti K.P. Traboini 18 mars 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Kolec Traboini, Kristo Dako, Kujtimet e Skender luarasit, Qiriazi

NDERIM I VONUAR PER…..

August 18, 2017 by dgreca

…SEVASTI, PARASHQEVI, GJERGJ QIRIAZI E KRISTO DAKO/

1 motrat-ciriazi_2017_02_16_1515_1487256935

Nga Nuri Dragoj/1 Gjergji QiriaziPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, pesë ditë para dorëzimit të detyrës, nderoi pjesëtarët e familjes Qiriazi, motrat Sevasti dhe Parashqevi, Gjergji Qiriazin dhe Kristo Dakon, me titullin e lartë Nderi Kombit, në vlerësim të përpjekjeve titanike që ata kanë bërë për gjuhën shqipe, për Pavarësisë e Shqipërisë, për ruajtjen e kufijve të mëmëdheut nga rreziku i copëtimit të mëtejshëm. Me këtë vlerësim, Presidenti na sjell ndër mend dhjetëra figura të shquara, që kanë bërë të mundur të kemi këtë Shqipëri. Ata kanë qenë shqiptarë të vërtetë, por politika e vendit të tyre nuk është treguar mirënjohëse. Nipi i tij, Robert Dako dhe vajzat Rozi dhe Suela, vunë në dukje se ky vlerësim, në radhë të parë është vlerësim për kombin shqiptar, pasi kombet mbahen në këmbë në saj të veprimtarive të familjeve të mëdha.kristo Dako

Ne Foto:KRISTO DAKO/

Sami Frashëri, duke folur për çështjet e atdheut, thoshte se shqiptar i vërtetë është ai që e ka mendjen dhe zemrën shqiptare, që përpiqet për të mbrojtur gjuhën dhe atdheun e vet. Kur të bëhen të gjithë shqiptarët apo më të shumtit e tyre shqiptarë të vërtetë, Shqipëria atëherë është e bërë dhe e shpëtuar prej çdo rreziku. Sipas këtij Burri, secili duhet të bëhet vetë shqiptar, dhe pas kësaj të përpiqet të bëjë edhe shokë të tjerë, që pak nga pak të bëhen shqiptarë të gjithë. Duke qenë të bashkuar, mund ta bëjmë më lehtë Shqipërinë, pasi “bashkimi bën të mundshme gjërat e pamundshme, përçarja bën të pamundshme dhe gjërat e mundshme”.

Qiriazët kanë qenë shqiptarë të vërtetë. Tashmë e dimë që, në fundshekullin e kaluar e këtë fillim qindvjeçari të ri, vendet e zhvilluara europiane reflektuan ndaj shqiptarëve një qëndrim dashamirës, që buroi nga brerja e ndërgjegjes së tyre, në lidhje me vuajtjet që i shkaktuan kombit shqiptar, duke i përdorur kufijtë e tij si garniturë për menytë e diktaturave barbare. Kjo kthesë e qëndrim i tyre, dëshmoi edhe një herë, se kanibalët e sistemeve kriminale janë të përkohshëm, ndërsa popujt të përjetshëm. Rivendosja e së drejtës dhe paqes në Europë dhe korrigjimi i padrejtësive ndaj popullit shqiptar, do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin politik, ekonomik e shpirtëror të tij. Por duhet ta dimë që, në themel të kësaj arritjeje, bën pjesë dhe vepra e familjes Qirazi e Dako. Nuk mjafton ajo çfarë bënë Europa. Në radhë të parë duhet vlerësim nga vetë shqiptarët për bijtë e këtij vendi, që janë shquar në dekada për të mirën e Shqipërisë. Një komb që shuan kujtesën historike, e ka të vështirë mbijetesën.

Tolstoi thotë që, asnjë individ apo grup individësh, nuk është i pafajshëm për fatkeqësitë e veta. Herë nga padija, herë nga varfëria, herë nga frika dhe herë nga pamundësia për të reaguar, kombi shqiptar e la në heshtje ose e shtyu zgjidhjen përfundimtare të identitetit të vet, për brezin tjetër. Dhe çdo brez i lë tjetrit, bashkë me lavdinë e disa luftërave heroike, ndonjëherë edhe një thes me turp, për atë që nuk ka bërë, por edhe për mosvlerësimin e figurave të veta, të gjakut të derdhur, për vrasjen e njëri-tjetrit, për mosbashkimin. Tashmë dihet se gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët qëllonin me plumba, jo vetëm mbi armikun, por edhe mbi njëri-tjetrin, thua se ishin zaptuar prej një mallkimi. Prej kësaj përfitonin gjithmonë okupatorët, që kishin si parim tezën e njohur përça e sundo. Fatkeqësisht kjo histori vazhdon edhe sot, në forma të tjera, të ndryshuara. Pabesitë kombëtare pranohen e bëhen për përfitime pronash e postesh të larta shtetërore, apo thjesht për një vend pune, një pension a të drejtë studimi. Shpresojmë që kjo të marrë fund sa më parë.

 

Parashqevi Qiriazi, shqiptarja më e fortë e të gjitha kohëve

 

Familja Qiriazi, bijë e së cilës është dhe Parashqevia, e ka origjinën nga fshati Gostivisht i Kolonjës, por në fillim të shekullit XIX u shpërngul në Tërnovë, në afërsi të Manastirit, ngaqë shtëpia e tyre u dëmtua nga trupat e Ali Pashë Tepelenës. Stërgjyshi i tyre, Mëhilli, qe vrarë në përpjekje me forcat osmane. Në atë kohë gjyshi i motrave Qiriazi, me emrin Kiriaz, ishte 11 vjeç.

Parashqevi Qiriazi (1880-1970), nisi studimet për gjuhë-letërsi në vitin 1900, në Robert College të Kostandinopojës dhe u kthye në Shqipëri për të punuar si mësuese. Më 1908, së bashku me Filomena Bonati dhe Fineas Kenedi, ajo mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në vjeshtën e vitit 1909 ndihmoi për themelimin e shoqatës Ylli Mëngjesit. Shoqëria e parë e grave që u krijua në Korçë, luajti rol me rëndësi për emancipimin e gruas shqiptare. Për këtë punë të madhe, Parashqevinë e akuzuan se gjoja kishte përhapur te gratë ide jo të mira. Çështja shkoi në gjyq, por ajo e sfidoi trupin gjykues, duke u deklaruar se nuk pranonte të ulej në atë karrige të ndyrë, ku pretendohej se ajo do të gjykohej për gjëra të paqena.

Po atë vit botoi një Abetare për shkollat fillore, e cila e bëri të njohur dhe të paharruar, si e para femër që ka hartuar një abetare me alfabetin e ri. Njëkohësisht ajo shkruajti dhe bëri publik “Himnin e Alfabetit Kombëtar” i cili vazhdon të këndohet edhe sot. Më pas organizoi arsimin për të vegjël, hapi disa shkolla mbrëmjeje në Shqipërinë Jugore dhe ndihmoi për të vënë bazat e një sistemi bibliotekar.

Dy motrat janë botuese të revistës Ylli Mëngjesit, dalë për herë të parë në muajin shtator të vitit 1917, pra, 100 vjet më parë dhe vijoi të dilte në tregun e shtypit të shkruar deri në dhjetor të vitit 1920. Numrin e fundit e ka përgatitur Kristo Dako. E përdyjavshmja Ylli Mëngjesit, kushtuar ndriçimit dhe përparimit të popullit shqiptar, përfshinte artikuj mbi politikën, shoqërinë, historinë, filologjinë, letërsinë, arsimin dhe folklorin.

Revista mori këtë emër për shkak se Sevastia qe pjesë e botimeve në një revistë bullgare, me emrin Zonica, që ka kuptimin Ylli Mëngjesit. Tematika kryesore e revisëts Ylli Mëngjesit ishte formimi i ndërgjegjes kombëtare. Botuesit ishin mjaft largpamës, sepse shpresonin që shqiptarët e Amerikës, duke lexuar atë revistë, mund të flisnin më mirë gjuhën letrare. Në faqet e saj botuan alfabetin e gjuhës shqipe, teknikën e të mësuarit të saj, duke bërë që 80% e emigrantëve të përvetësonin me shkrim e lexim gjuhën amtare. Jo vetëm kaq, por në faqet e revistës u botua dhe metoda e mësimit të gjuhës angleze, pasi mësimi i saj ndihmonte në integrimin e emigrantëve. Njohja e anglishtes ishte në dobi të njohjes së çështjes sonë kombëtare, pasi revista kishte për mision bashkimin e shqiptarëve. Për motrat Qiriazi, myslimanë dhe krishterë janë një, se shqiptarët e kanë fenë si puna e ruazës blu të kopsave që qepin mbi bluzë. Ajo vihet mbi veshjet e tyre për t’u mbrojtur nga syri i keq, sepse në të vërtetë shqiptari është pagan.

Në vitin 1912, Parashqevia vijoi studimet postdiplomatike për master ne Fakultetin e Pedagogjisë, pranë Kolegjit të Oberlinit në Ohio të SHBA. Ajo mbrojti masterin me temë “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”, duke marrë master edukimi (master of education). Në vitin 1912 hartoi programin arsimor për qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit, si dhe shkroi veprën (Shkolla e vashave – Korçë).

Parashqevia ishte kryetare partie dhe delegate në Konferencën e Paqes së Versajës, Paris 1919, ku ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare. Si njohëse e shkëlqyer e anglishtes, për tetë muaj me radhë ajo qëndroi në kryeqytetin e Francës dhe përkthente gjithçka nevojitej, duke ngdhirë netë të tëra pa gjumë. Materialet e përzgjedhura ua vinte në dispozicion kryetarëve të delegacioneve dhe komisioneve të ndryshme të Konferencës, duke i bërë në këtë mënyrë, një shërbim të jashtëzakonshëm çështjes shqiptare. Por mbrojtja e interesave shqiptare hastë në vështirësi të shumta, sepse gjatë zhvillimit të punimeve të conferences, Italia sillej si protektore e Shqipërisë. Këtë rol e plotësonte edhe nëpërmjet delegatëve shqiptarë, disa prej të cilëve ishin filoitalianë. Roma përfitonte nga rrethanat e krijuara, pasi në një farë mënyre i njihej roli mbrojtës nga pala shqiptare, që nga momenti kur ajo u shpreh për të ruajtur kufijtë e vitit 1913. Për realizimin e qëllimeve të veta, Roma financonte anëtarë të delegacionit shqiptar, duke filluar nga Turhan Pasha, Bumçi* e të tjerë. Këtë të vërtetë e pohonte dhe Parashqevi Qiriazi, delegate e Partisë Politike Shqiptare në Konferencën e Paqes. Sipas saj, delegati italian Fortunato Kastoldi* kishte këmbëngulur disa herë t’i jepte financim, por ajo nuk kishte pranuar.

Mësuesja e shkëlqyer e shkollës së vashave i dërgoi presidentit të SHBA-ve, Wilson një memorandum, ku i kërkonte të ndihmonte Shqipërinë e mbërthyer nga lakmitë e fqinjëve. Nuk dihet nëse ai e lexoi memorandumin e dërguar prej saj, por me siguri është informuar. Pikërisht në sajë të presionit të ushtruar dhe materialeve që iu servirën politikës amerikane lidhur me të vërtetën e çështjes shqiptare, u arrit në përfundimin e ruajtjes së kufijve të Shqipërisë, caktuar në vitin 1913.

Më 1922 Parashqevia erdhi sërish në Shqipëri dhe punoi si drejtore e shkollës së vashave në Korçë, por një vit më pas, shkolla u transferua në Tiranë. Më 2 korrik të vitit 1931, Instituti Qiriazi dhe dy motrat Qiriazi, u nderuan me “Urdhërin e Skënderbeut”. Gjatë pushtimit të Shqipërisë, dhe pikërisht më 15 tetor 1943, bashkë me Sevastinë, ato u arrestuan nga forcat nazifashiste dhe u internuan në kampin e përqëndrimit të Banjicës së Denijes, në afërsi të Beogradit. Qenë arrestuar gjithë familja. I ndanë veç gratë dhe veç burrat, dhe gjatë gjithë kohës asnjëra palë nuk e dinte nëse tjetra ishte gjallë apo vdekur. Kushtet në kamp ishin të tmerrshme. Ushqim për ta ishin lakra dhe lëkura patatesh të ziera. Vitore Dako Ruli kujton se nga të palarët zunë morra, pleshta e tartabiqe. Në fund të muajit nëntor 1944, kampi u bombardua nga forcat aleate dhe dyert e kampit u hapën. Të burgosurit u larguan deri në kufi të Shqipërisë me tren dhe prej andej vazhduan të udhëtonin në këmbë.

Kur mbërritën në shtëpi, gjithçka ishte grabitur. Gjërat me vlerë i kishin marrë gjermanët, pajisjet e shkollës dhe të shtëpisë qenë vjedhur nga banorët e Tiranës. Vetëm në vitin 1960, motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhërin e lirisë” dhe dy vjet me vonë me “Urdhërin për veprimtari patriotike”. Gjithsesi kujdesi ndaj tyre ka patur mangësi të theksuara, pasi ajo vdiq në vitin 1970 në kushte varfërie. Në vitin 1979 u shfaq filmi “Mësonjtorja”, bazuar në shkollën e hapur prej tyre, por nuk u tha asnjë fjalë për motrat Qiriazi dhe as për Gjerasim Qiriazin.

 

Sevasti Qiriazi dhe vdekja e të birit në burgun komunist  

 

Sevasti Qiriazi Dako, (1871-1949) ishte mësuese e talentuar. Takimi i saj me Naim Frashërin i dha mundësi të studionte në Robert College, në Kostandinopojë, dhe të luante rol aktiv në arsimimin e grave. Ajo ishte e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri, mori pjesë në ngritjen e Shkollës së Vashave në Korçë, më pas në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Kjo grua e përkushtuar tërësisht për gjuhën shqipe, shkroi dhe botoi një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912), si dhe redaktoi një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941), dhe motrën e saj, Parashqevi, ajo shkoi në Rumani, ku vazhdoi me forcë përpjekjet për shtrirjen e rrjetit të shkollave shqipe. Prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen Ylli Mëngjesit.

Në librin me kujtime të Sevasti Qiriazit, titulluar “Jeta ime”, autorja tregon se për shkrimin e kujtimeve ka qenë e dyzuar, por ne e quajmë fat të madh, që ajo vendosi të hedhi kujtimet e saj në letër. Me thjeshtësinë dhe atdhetarinë e Sevastis mahnitesh që në faqen e parë të librit, ku ajo shkruan: Unë jam shqiptare! Kjo fjali të mallëngjen, pasi ka në brendinë e vet dashurinë për vendin, krenarinë për indetitetin kombëtar, të të qënit shqiptar.

Shkolla e tyre në Kamëz qe kthyer në kurse edukimi për partizanët, disa prej të cilëve patën nxjerrë eshtrat e Kristo Dakos nga varri dhe i shpërndanë andej këndej, duke bërë që të mos gjendeshin më kurrë. Por momentet e tmerrit për të nuk kishin të sosur. Sipas një letre të Vitori Dako Ruli, botuar në librin e Sevastisë, “Jeta ime”, por edhe në gazetën Panorama, qëndrimi komunist ndaj tyre ka qenë i ashpër. Krahas arrestimit prej nazistëve, kur u kthyen në Shqipëri, komunistët sekuestruan gjithë pronat e Dakove, duke i lënë familjarët në mes të rrugës. Por edhe kjo ishte pak për qeverinë komuniste, pasi në vitin 1946, u arrestuan dy djemtë e saj, Aleksandri dhe Gjergji. Në hetuesi i torturonin dhe u kërkonin që të pranonin se ishin agjentë të amerikanëve. Pas tre viteve hetuesi të tmerrshme, Gjergji nuk u rezistoi dot torturave dhe në fillim të vitit 1949, u thanë familjarëve se kishte vrarë veten. Sevastia, kjo grua e fortë që kishte bërë kaq shumë për Shqipërinë, për gati 5 muaj trokiti derë pas dere për t’i kthyer trupin pa jetë të të birit, por nuk ia dhanë kurrë. Pas kësaj ajo ra në depresion të thellë dhe jetoi vetëm pak muaj. U shua në vitin 1949, duke marrë me vete plagën e madhe të humbjes së djalit të vet, me emrin e të vëllait. Djali tjetër i çiftit Dako, Aleksandri, edhe pse nuk pranoi asnjë prej akuzave, u dënua 7 vjet burg.

 

Gjerasim Qiriazi dhe shkolla e parë për vajza

 

Gjerasim Qiriazi, i biri i Dhimitrit, sipas karakteristikës së shkruar me rastin e 25 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u lind në vititn 1858, kreu shkollën e komunitetit ortodoks të Manastirit, e më pas i kushtoi rëndësi mësimit shqip. Më 12 nëntor 1884, duke shkuar për në Manastir u kap nga çeta e Shahin Matrakut dhe u mbajt 6 muaj peng. Për lirimin e tij u paguan 1700 lira angleze, nga të cilat 700 i vuri Shoqëria Biblike angleze dhe 1000 familja. Të gjitha vuajtjet e tij i gjejmë në librin “Captured by Brigands” botuar nga shoqëria angleze “The Tract Society”. Në vitin 1891, kur motra e tij Sevastia u diplomua në Stamboll, ai kërkoi leje për hapjen e një shkolle shqipe dhe mundi të merrte Iraden e firmosur nga sulltan Hamiti. Në këtë mënyrë ai hapi të parën shkollë shqipe për vajza në Shqipëri, por nuk jetoi gjatë për shkak të problemeve shëndetësore dhe ndërroi jetë më 4 janar të vitit 1894, duke i lënë së motrës një barrë të vështirë.

Një tjetër emër i shquar i arsimit shqip, ishte edhe vëllai i tyre, Gjergj Qiriazi (1868-1912), i cili, ashtu si i vëllai, Gjerasimi, ndoqi shkollën greke në vendlindje, Manastir, dhe kolegjin amerikan në Samokov. Edhe ai u mor në punë nga Shoqëria Biblike Britanike dhe Botërore. Pas vdekjes së të vëllait, më 1894, mori në dorë drejtimin e shkollës së vashave në Korçë, kurse më 1908, ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Gjergj Qiriazi ishte një nga themeluesit e gazetës Bashkim’ i kombit, në gjuhën shqipe, e cila i hodhi bazat në vitin 1909, duke u dalluar vazhdimisht për aktivitet politik. Gjergji ishte mjaft aktiv, sidomos në drejtim të botimit të teksteve shkollore. Libri Fizika, botuar në Bukuresht më 1899, si dhe një numër artikujsh në organet e shtypit të kohës, mbajnë emrin e tij.

 

 

Kristo Dako, patrioti i harruar padrejtësisht

 

Patrioti Kristo Dako ka qenë autor i organizimit të dhjetëra mitingjeve në dobi të çështjes shqiptare, Brenda e jashtë Shqipërisë. Duke dashur të japë një tablo të situatës së krijuar nga ushtria greke, në vitet 1913-1914, ai përshkruan dhjetëra raste të masakrave të kryera ndaj popullsisë civile shqiptare. Kristo Dako, shoku i jetës së Sevasti Qiriazit, kreu i Partisë Nacionaliste Shqiptare, rrëfen në veprën e tij, Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme, fatin e atdheut të vet, pas dorëzimit të qeverisë nga Ismail Qemal Bej Vlora në duart e një mbreti me emrin William Wied, caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Dako sqaron me hollësi gjendjen në kufijtë e rrezikuar në prag të ardhjes së Princ Ëiedit dhe rolin amerikan në çështjen shqiptare. Skenat makabre të përshkruara prej tij janë pjesë e ngjarjeve që ndodhën si rrjedhojë e lakmisë, intrigave dhe sulmeve që vinin nga Serbia e Greqia, të cilat shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, gra dhe fëmijë, viktima të politikanëve të paskrupuj dhe zotë të luftës, siç shprehej autori.

Në librin e tij, K. Dako, pasi hedh një vështrim mbi hartën e vendit, konkludon: “Megjithëse Shqipëria zotëron pozitën gjeografike më të rëndësishme në Adriatik, megjithëse është çelësi kryesor i Lindjes së Afërme, megjithëse ndodhet tridhjetë e nëntë milje nga Italia, ende është, ndoshta, vendi më pak i njohur i Evropës”. Me përvijimin që i bën së kaluarës, Dako qëndron aty ku rreh çështja shqiptare dhe në të njëjtën kohë çështja e popujve të Ballkanit, në kapërcyell të shekujve XIX-XX, te çështja e krijimit të kombit sipas parimit amerikan, të Presidentit Wilson, të nacionaliteteve. Autori arrin në konkluzionin se, është vullneti popullor që konstituon kombësinë. Riçard Gotheil, profesor i Universitetit Columbia të Nju-Jorkut, në parathënien e këtij libri, shkruan: “Nëse ky parim do të zbatohej për shqiptarët, do të zhvillohej një debat i vështirë, pasi do të duhej të kishte parasysh vullnetin popullor. Por sa më larg ta ndjekësh historinë e këtij populli trim, do ta gjesh atë të karakterizuar prej dy pasionesh, – prej pasionit për gjuhën e tij dhe prej pasionit tjetër, për zakonet e lashta. Ky popull i vogël, – dhe dihet që ata janë veçse një grusht, – ka luftuar me vendosmëri të dyfishtë, madje me sukses, kundër pabarazive të panumërta që e kanë rrezikuar gjithmonë për ta zhdukur. Të shtrënguar përballë Adriatikut, vendstrehimi i vetëm për ta mbeteshin malet. Kështu ata u pushtuan nga gotët, hunët, serbët, bullgarët dhe normanët”.

Dako u shfaq aktiv edhe në kohën kur qeveria e Durrësit nuk u përkushtua si duhet në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Disa nga anëtarët e kabinetit të kryeministrit Turhan Pasha nuk besonin në arritjen e qëllimit, pa patur ndihmën italiane. Duke u udhëhequr nga mendësi të tilla, ajo u detyrua të nënshkruante një marrëveshje me Romën, me të cilën pranonte protektoratin italian. Kjo bëri që rrethet patriotike të viheshin në lëvizje, pasi shihnin rrezikun që i kanosej Shqipërisë nëpërmjet një akti që vriste hapur pavarësinë. Lidhur me mbështetjen e kërkesave italiane nga qeveria e Durrësit, pati kundërshti nga disa intelektualë, me banim në Shqipëri dhe SHBA. Kristo Dako lëshoi kritika të ashpra ndaj saj. Me të u bashkuan dhe Rasih Dino, Mithat Frashëri dhe Hilmi Këlcyra, që nuk pajtoheshin me marrëveshjen italo-greke të 29 korrikut 1919, për ndarjen e territorit shqiptar nga të dy palët, ndaj e denoncuan atë në Konferencën e Paqes.

 

 

Shkollat shqipe u mbrujtën me gjak

 

Shkolla e parë shqipe njihet ajo e Korçës, 7 mars 1887. Hapja e shkollës së parë kombëtare shqipe, Mësonjëtorja e Korçës, u dha zemër shqiptarëve për të mësuar lexim e shkrim në gjuhën amtare, pasi shkollat e huaja nuk ia hapën derën gjuhës shqipe për asnjë çast. Ndodhi që veprimtarët për mësimin e shqipes të masakrohen, siç është rasti i Ndreko Dhaskalit nga Konica, mik i ngushtë i Andon Zako Çajupit. Ndreko u gjend kokëprerë në lumin e Zagorisë. I tillë është edhe rasti i Ibrahim Dragotit dhe Anastas Kulluriotit, ku po për të njëjtin motiv, i pari u internua në Anadoll, ku dhe la kockat, ndërsa i dyti u arrestua nga konsullata greke në Gjirokastër, dhe përfundoi në burgjet e Athinës, ku vdiq i helmuar. Pas tyre të njëjtin fat pati dhe Petro Nini Luarasi.

Edhe shkolla e parë për vajza u hap po në Korçë, prej motrave Qiriazi, në vitin 1891. Gjerasim Qiriazi deshironte të hapte shkollë femërore në Korçë, por e dinte që prindërit nuk i dërgonin vajzat në shkollë me mësues mashkull. Ndaj vendosi që motrat e veta të shkolloheshin në Stamboll. Sipas tij, vajzat e shkolluara, nesër do të bëheshin nëna dhe do të shërbenin për edukimin e fëmijëve, për emancipimin e tyre.

Kur u hap shkolla e vashave, në fillim të vitit u regjistruan vetëm 2 vajza, por gradualisht numri i tyre u rrit dhe në fund të vitit ishin 20 vajza që mësonin në gjuhën shqipe, me program të qartë kombëtar. Roli i kësaj shkolle ishte i jashtëzakonshëm, pasi rriti ndjeshëm shkallën e emancipimit dhe të kulturës në familje. Është interesante thënia e Asdrenit, sipas të cilit shtëpia që kishte vajzë në atë shkollë ndryshonte nga të tjerat, pasi kishte tjetër kulturë të jetuari dhe higjena qe në shkallë të lartë. Mjafton të hyje në shtëpi dhe e merrje vesh menjëherë që vajza e tyre mësonte në shkollën e vashave.

Ato patën nxitje nga poeti përmetar, Naim Frashëri, i cili shprehej kundër shtypjes së të drejtave të grave. Sipas tij, nuk kishte se si të shkonte përpara një komb, kur “gjysma e njerëzisë rrinë mbyllur si në kuvli”. Madje, Naimi shkonte edhe më tej, pasi gruaja duhej të ishte më e mësuar se burri, nga që ajo ishte “mëmë e fëmijës, zonj’e shtëpisë dhe krejt njerëzisë”. Ndërsa për Sami Frashërin gratë ishin gjysma e njerëzimit dhe prandaj një komb quhet i përparuar, “kur krah për krah me burrat ecën dhe gjysma tjetër, gratë”. Ndaj Naim Frashëri e këshilloi Sevasti Qiriazin që të hapte shkollë shqipe, sepse arsimi ishte arma më e mirë për të zhdukur errësirën. I ndërgjegjshëm që puna e saj do të pengohej nga autoritetet osmane, patrikana e Stambollit dhe qeveritë e vendeve fqinje, ai qe i bindur se Sevastia do t’i kapërcënte të gjitha vështirësitë. Ndaj dhe vargjet e Naimit për gjuhën shqipe qenë skalitur në ballë të sallës së mësimit: Gjuha jonë sa e mirë, / sa e ëmbël, sa e gjerë, / sa e lehtë, sa e lirë, / sa e bukur, sa e vlerë!

Sevastia shkroi gramatikën e parë të gjuhës shqipe në vitin 1908, të cilën ia dërgoi Konicës dhe ai u mahnit me punën e shkëlqyer të bërë prej saj. Sevastia dhe Parashqevia janë mësueset e para me mastër për arsimin, jo vetëm në Shqipëri, por ndër të paktat në gjithë Ballkanin.

 

Alfabeti i gjuhës amtare

 

Myslimanët e jugut u bënë partizanë të alfabetit të frashërllinjëve. Me ta u bashkua edhe Ndre Mjeda, si kundërshtar i fortë i shoqërisë “Bashkimi”. Ndërsa të krishterët u përfaqësuan nga dy misionarë protestantë, Gjergj Qiriazi dhe Grigor Cilika, Sotir Peci për ortodoksët dhe Gjergj Fishta e Luigj Gurakuqi për katolikët. Drejtori i këtij kongresi u caktua djali i Abdyl Frashërit, Mithat Frashëri. Pozitiv ishte fakti që krerët arritën në një marrëveshje, sipas së cilës, kontrakdiktat e shfaqura të mos bëheshin publike, duke u mjaftuar me shprehjen, “kërkesat e popullsisë nuk ishin të njëjta”. Nevoja e madhe për të hartuar një alfabet të përshtatshëm për gjuhën shqipe çoi në Kongresin e Elbasanit, i cili u mblodh në shtator të vitit 1909. Aty morën pjesë delegatë nga Jugu dhe Shqipëria e Mesme, por munguan përfaqësuesit nga Kosova e Shkodra. Në kryesinë e Kongresit të Elbasanit u zgjodhën Dervish Beu nga Elbasani, Mithat Bej Frashëri nga Selaniku, Teki Beu nga Tirana, Ahmet Dakli, Kristo Dako nga Korça, Selman Blloshmi nga Shkodra, Gjergj Qiriazi, Haxhi Beu dhe Irfan Beu. Një e treta e Asamblesë përbëhej nga të krishterë. Gjithsesi, aty u vendos të hapej Normalja, e cila do të përgatiste mësues shqiptarë. Më 1 dhjetor 1909, ajo filloi nga puna nën kujdesin e veprimtarëve Sotir Peci, Luigj Gurakuqi etj. Njëkohësisht doli në skenë dhe Fan Noli që punoi për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare, zëvendësimin e priftërinjëve grekë me shqiptarë dhe meshimin në gjuhën amtare.

 

Terror mbi shkollën e vashave

 

Shkolla Qiriazi ishte e kërcënuar përherë nën pushtimin turk. Në mars të vitit 1914, pas pesë shekujsh sundimi të perandorisë otomane, Korça bëhet pjesë e Shqipërisë së pavarur, por shkolla shqipe nuk mund të ishte e lirë. Tashmë ajo ndodhej nën kërcënimin e sundimit grek. Pas shpalljes së pavarësisë dhe përcaktimit të kufijve, më 1913, Greqia e shtoi më shumë presionin ndaj shkollës shqipe. Në vitin 1914, familja Qiriazi u sulmua nga një turmë andartësh që thërriste “Rroftë Greqia”. U dëshmua përfundimisht se sulmi ishte përgatitur nga oficerë të ushtrisë greke që vepronin në bashkërendim me peshkopin grek. Nga mesi i qershorit, “Lëvizja Epirote u bashkua me lëvizjen e Esatit dhe pasi filloi një sulm i përgjithshëm përgjatë kufirit, çifti Dako dhe zonjusha Qiriazi, bashkë me shumë qytetarë, u detyruan të iknin për të shpëtuar kokën. Në ndjekje kishin trupat e Esat Pashës dhe vetëm eskorta e konsullit britanik të Manastirit, zotit Greg, u bë shkak që ata të iknin, duke shpëtuar jetën”. Faik Konica shkruante se, një nga marifetet e grekëve, për t’u shuar gjuha shqipe dhe për të lulëzuar greqishtja, ka qenë edhe lufta e ashpër ndaj patriotëve shqiptarë. Ata u paguanin ryshfete zyrtarëve të lartë në Stamboll, për të nxjerrë një ferman që ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. Shqiptarët dënoheshin edhe po të mbanin libra të padëmshëm, si gramatika ose aritmetika, nëse ato ishin shkruar shqip. Ata i kallëzonin atdhetarët shqiptarë si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.

 

Idetë brilante të mësueseve shqiptare

 

Shpërndarja e librave shqip në mënyrë ilegale vazhdonte, ndonëse presioni i qeverisë ishte i madh. Petro Nini shpërndante libra edhe në trevën e Korçës, Kolonjës e Përmetit. Por në maj të vitit 1903 u arrestua me akuzën se ndikonte në prishjen e ndërgjegjes popullore me anë të predikimit të shqiptarizmit. Me të njëjtën akuzë u dënua në Selanik dhe mësuesi Nuçi Naçi, si dhe mëmëdhetarë të tjerë, myslimanë dhe të krishterë.

Lëvizja për arsimin dhe gjuhën shqipe hasi në rezistencën e fortë të xhonturqve. Por organizmi i mitingjeve në disa qytete, Korçë, Përmet, Gjirokastër, Elbasan e Shkodër, bënë që patriotët ta mbronin alfabetin latin. Krahas turqve, pengesë serioze qenë dhe grekët, të cilët punonin për të shmangur ortodoksët shqiptarë nga përpjekjet për alfabetin e gjuhës shqipe, duke u thënë atyre se ishin grekë, për të cilën ka patur debate të shumta. Kjo del qartë dhe nga artikujt e shkruar në shtypin e përditshëm.

Sami Frashëri e shtjelloi gjërësisht rrugën që duhej ndjekur për të ardhmen e popullit të vet, ku nënvizon se shqiptarët dallonin nga turqit, pasi kishin indetitetin e tyre kombëtar të formuar në mijëravjeçar, e mbi të gjitha sepse ishin një popull europian. Dhe siç shkruante ai, ne shqiptarët “jemi m’i vjetri komb i Europës; kemi të drejtë në dhet’ t’Europës më tepër se çdo komb”. Por nuk linte mënjanë nevojën e mësimit të gjuhës shqipe, pasi e dinte se pa gjuhë nuk ka komb. Pra ai bëri gjithçka për të bindur shqiptarët se e vetmja rrugë për të shmangur rrezikun e copëtimit të kombit shqiptar ishte shkëputja nga Perandoria Osmane dhe krijimi i shtetit të pavarur. Ai e dinte që do të hasej vështirësi e madhe, pasi te vet shqiptarët ende nuk qe krijuar bindja mbi domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria dhe në mënyrë të veçantë për nevojën e të mësuarit të gjuhës së shkruar e të lexuar shqip.

Shkollën e shqipe e pengonte dhe kisha ortodokse, e cila mori fuqi të jashtëzakonshme në kohën e Perandorisë Osmane. Edhe në periudhat më të lulëzuara të perandorëve bizantinë, pushteti i Patrikanës mbi të krishterët e Ballkanit nuk qe shtrirë në një territor kaq të gjerë. Vetëm pushtimi osman i dha Patrikanës këtë mundësi. Forcën e këtij institucioni qëndror te besimit ortodoks, e shpreh mjaft bukur Sevasti Qiriazi: “Mund të duket e çuditshme, – shkruante ajo, – por është realitet që pushtimi turk më 1453, ishte në dobi të Patrikanës greke. Mehmedi II, pushtuesi i Kostandinopojës, duke shfrytëzuar urrejtjen midis Papës dhe Patrikut, u ngazëllye prej faktit që Kishën Ortodokse të Lindjes ta konsideronte bamirëse dhe mbrojtëse të vetën. Ai i dha Patriark Genadit gradën e pashait dhe nxori një dekret që njihte atë dhe pasuesit e tij si krerë shpirtërorë dhe civilë të të gjitha bashkësive ortodokse”.

Përveç grekëve, juridiksioni i tij përfshinte të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe sllavët. Me fjalë të tjera, ky dekret perandorak e shndërroi Kishën Ortodokse të Lindjes në një shtet brenda shtetit. Ai e vuri atë nën kontrollin e plotë të grekëve që banonin në Fanar. Që prej asaj kohe, forcat e kishës përdoreshin si armë politike në shërbim të Idesë së Madhe (Megaliidesë), helenizimit të kombeve të tjera të Ballkanit.

Pra, siç shihet, ka ekzistuar një farë urrejtjeje ndaj gjuhës shqipe dhe kërkesave shqiptare për pavarësi. Jo vetëm nga qeveritë perandorake, por edhe më pas. Shpesh për këtë fajësohet feja, por në të vërtetë urrejtja ushqehet nga prapaskenat politike, qëllimet shoveniste dhe jo nga besimet fetare, sepse profetët e çdo feje e shohin dhe e duan njeriun si qenie të lirë. Janë fanatizmat fetare dhe shovenizmat që ushqejnë krimin dhe urretjen. Kjo ndodh brenda një shoqërie të caktuar por edhe midis shteteve e kombeve të ndryshme.

Ato kanë patur ide brilante për njësimin e gjuhës shqipe. Për shpejtimin e këtij procesi, Sevastia këshillonte që mësues nga jugu i Shqipërisë, duhej të shkonin për të dhënë mësim në trevat veriore dhe ata të veriut, në trevat jugore. Vetëm kështu diferenca midis dialekteve do të vinte duke u minimizuar për një kohë të shkurtër. Këtë ide të tyre u përpoq ta vinte në praktikë Ahmet Zogu, dhe duhet pranuar që, në këtë drejtim, Mbreti i shqiptarëve bëri diçka pozitive.

Nuk duhet harruar shprehja e famshme e George Orwell (1903-1950) eseist i njohur anglez, i cili thoshte: “Kush kontrollon të kaluarën, ka në dorë të ardhmen”. Ndaj themi që shkolla e vashave në Korçë, për shkak të rolit të madh emancipues që ka luajtur, duhet të rindërtohet dhe të kthehet në monument kulture për arsimin.

 

* Luigj Bumçi ishte peshkop i Lezhës në vitet 1911-1913 dhe udhëheqës i njohur politik, pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, si përfaqësues i katolicizmit, ndërsa pas vitit 1921 u largua nga jeta politike dhe iu përkushtua aktivitetit fetar.

* Kastoldi ka qenë ekspert për çështjen shqiptare dhe ato ballkanike, pjesë e delegacionit italian. Në prill të vitit 1920, qeveria e Romës e dërgoi Kastoldin në Shqipëri si komisar i lartë, për të përçarë lëvizjen kombëtare që kishte shpërthyer në prag të Luftës së Vlorës.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi, Sevasti, Under i Kombit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT