-”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të bjerë.”-Tomas Xheferson/
Ne Foto: Fotot e gazetarëve iranianë të arrestuar — marrë nga portali i organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij/
Nga Frank Shkreli/
Mediat ndërkombëtare dhe organizatat për mbrojtjen e gazetarëve njoftuan të djelën për arrestime të reja gazetarësh në Iran, përfshirë edhe korrespondentët e Zërit të Amerikës dhe BBC-së, dy enteve të mëdha të lajmeve ndërkombëtare, të akuzuar për bashkpunim me media të huaja në gjuhën persisht dhe për lidhje, me ato që Irani cilëson, si grupe dhe media ”kundër-revolucionare”, që sipas autoriteteve iraniane bashkpunojnë me kundërshtarët e regjimit.Regjimi i Teheranit i konsideron entet ndërkombëtare të lajmeve, siç janë Zëri i Amerikës dhe BBC-ja, si organizata armiqësore. Lajmet bëjnë të ditur se shumë iranianë dëgjojnë dhe shikojnë programet radio-televizive në gjuhën persishte të Zërit të Amerikës dhe të BBC-së. Sipas lajmeve të bazuara në burimet nga Irani, thuhet se të pakën 14 gazetarë që punojnë për media të ndryshme reformiste të Iranit u arrestuan të shtunën dhe të djelën dhe janë lëshuar fletë-arrestime edhe për disa të tjerë.
Në një njoftim për media, të titulluar Djela e Zezë, organizata franceze Korrespondentët pa Kufij, thotë se udhëheqsi suprem i Iranit, Ali Khamenei po e shton luftën kundër gazetarëve, duke cituar Sekretarin e Përgjithëshëm Chistophe Deloire se në Iran, ”Persekutimi i gazetarëve po intensifikohet nga dita ditë. Irani ende nuk ka dalur nga periudha e terrorit që filloi pas zgjedhjeve të kundërshtuara për president në vitin 2009, dhe tani pesë muaj para zgjedhjeve të ardhëshme në Qershor të 2013-ës — autoritetet iraniane po dërgojnë një paralajmërim të qartë se gazetarëve dhe medias do t’i mbyllet goja.” Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë gazetarëve që tani mbahen në burgjet e Iranit. Autoritetet duhet që u japin fund menjëherë këtyre valëve arrestimesh, qëllimi i vetëm i të cilave është që të sigurojë stabilitetin e regjimit dhe mbijetesën e tij. Përpjekje të tilla janë të destinuara të dështojnë, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate. Prokurori i Përgjithëshëm i Iranit Gholam Hossin Mohseni Ejehi citohte të ketë thënë me kërcënim gjatë një konferencë shtypi me 21 janar se, ” më kanë ra në dorë informacione të besueshme se disa gazetarë në Iran janë duke bashkpunuar me perendimorët dhe me kundër-revolucionarët jashtë vendit.”
Edhe organizata tjetër e njohur për mbrojtjen e gazetarëve anë e mbanë botës, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qendër në Nju Jork, reagoi ashpër ndaj arrestimeve të gazetarëve në Iran duke cituar drejtorin e kesaj organizate për Lindjen e Mesme, Sherif Mansour se, ”Me këtë valë arrestimesh duket se autoritetet iraniane po përpiqen, që në mënyrë paraprake, të heshtin median e pavarur para zgjedhjeve presidenciale të Qershorit.” Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve iraniane, që të, ”lirojnë të gjithë gazetarët e burgosur dhe të ndalojnë njëherë e mirë përpjekjet e vazhdueshme që përdoren për të cilësuar kritikët e regjimit si armiqë të shtetit.”
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Irani është në vendin e dytë si vendi më i keq për burgosjen e gazetarëve, në të njëjtën ligë me Turqinë dhe Kinën.
Iran has taken a hard line on journalists and bloggers in recent years, following the crackdown on the massive protests that took place over the disputed 2009 election.
Humbja e lirisë së medias dhe e gazetarit për të kryer detyrën e vet një vend, është humbje e lirisë së shtypit në çdo vend. Sulmet kundër gazetarëve në Iran, Turqi, Kinë, Rusi dhe gjetkë duhet të jenë një shqetësim për të gjithë ata që besojnë jo vetëm në lirinë e shtypit por edhe në paqë e demokraci. Dihet se gjatë historisë ishin diktatorët të cilët nuk besonin në lirinë e askujt — as të lirisë personale as të lirisë së shtypit — ata të cilët shkaktuan gjencide dhe vrasje të miliona njerëzve. Ata kryesorët dihen: Hitleri thuhet të ketë vrarë rret 14-milionë vetë Stalini ia ka kaluar këtij duke vrarë mbi 20-milionë, Mao Tse Tungu ndoshta edhe më shumë se Stalini, pastaj Pol Poti dhe ”stalinët” e vegjël komunistë si Ennver Hoxha i ynë, dhe diktatorët e të gjitha ngjyrave anë e mbanë botës. Prandaj promovimi dhe mbrojtja e lirisë së shtypit kudo në botë, është promovim i demokracisë dhe si rrjedhim është promovim i paqës në botë, pasi historikisht janë shtetet diktatoriale ato që kërcënojnë paqën dhe demokracinë në botë.
Fillozofi dhe teoristi moral dhe politik britanik i 1880-ave, Xhon Stuart Mill ka thënë se, ”nëqoftse i gjithë njerëzimi do të ishte i të njëjtit opinion, me përjashtim të një personi, njerëzimi nuk do të ishte më i justifikuar të heshtë atë person, se sa të heshtë të gjithë njerëzimin”. Për më tepër, Xhon Stuart Mill, ka thënë se ”Nëqoftse heshtim një opinion, të gjithë e dimë se, jemi duke heshtur të vërtetën”, dhe se ”një opinion i gabuar mund të ketë në vetvete një të vërtetë të vogël, që është e nevojshme për të zbuluar të vërtetën në terësi.”
Pa marrë parasyshë se për cilin shtet, qeveri ose regjim bëhet fjalë, kur vjen puna tek liria e shtypit ose mohimi i kësaj lirie, sipas Tomas Xhefersonit, autorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ”Çdo qeveri që nuk duron kritikat e botuara, meriton të bjerë.” Kjo thënje e Xhefersonit i përshtatet regjimit tiranik të Iranit dhe gjithë regjimeve diktatoriale të cilat nuk durojnë kritikat nga shtypi.