*”zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt”/
* Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd. Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit./
Intervistë e gazetarit Beqir Sina me biznesmenin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Uk Lushi
NEW YORK : Ish-ushtari i UÇK-së i Batalionit të luftërave shqiptarë nga SHBA – “Atlantikut”, Uk Lushi, i cili është një nga intelektualët e respektuar në qarqet amerikane, i shkolluar në perëndim me diplomën e Columbia University në Nju Jork, ekspertë i ekonomisë dhe financave, por aktiv edhe në jetën politike, ekonomike dhe sociale në SHBA, fletë në një intervistë të posaçme mw gazetarin e komunitetit Beqir Sina, lidhur me ngërçin politik, që ka nisur prej nga zgjedhjet e qershorit në Kosovë.
– Uk Lushi – publicit dhe biznesmen shqiptaro – amerikan në këtë intervistë me gazetarin tonë në Nju Jork, Beqir Sina, fletë për atë se si do të mund tejkalohje kriza politike në Kosovë, e cila ka pesë muaj që ka nisur. Ai mendon se edhe Tirana – presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mundet të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike në Kosovë. Si dhe vlerëson “sinjalet” e dërguar nga Washingtoni për zgjedhjen e kësaj krize.
-Ai thotë se beson se nuk do të ketë zgjdhje të reja. Mbasi sipas tij zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. “Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar” tha ai.
-Kanë kaluar mbi pesë muaj që nga përfundimi i Zgjedhjeve të Përgjithshme në Kosovë dhe institucionet e reja nuk janë krijuar ende. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë ngërç politik në të cilin e gjejnë veten sot politikanët e Kosovës?
-Ky ngërç sistemor në Kosovë gati qe një gjysmë viti, pasi që sovrani kreu detyrën votuese me 8 qershor 2014, është dështimi më i madh i politikanëve prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Shantazhet meskine që partitë politike i bëjnë njëra-tjetrës në vend se të komunikojnë dhe punojnë si të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve dhe kështu t’u shërbejnë qytetarëve për çfarë marrin rroga shumë të larta janë paturpësi e cila megjithatë nuk do të kalojë pa u dënuar nga elektorati. Kjo sjellje e pacipë dhe arrogante e kastave politike të Prishtinës dëshmon se ka ardhur koha që përfaqësuesit egoistik dhe të vetë-fiksuar duhet të ndiqen nga skena politike. Nuk ka asnjë dyshim që qytetarët dhe politikanët e rinj brenda disa viteve do të hedhin nga politika pjesën më të madhe të gardës së tashme që nuk po e lë të marrë frymë shlirshëm Kosovën. Të gjithë që janë futur me bërryla në politikë apo janë atrofizuar nga korrupsioni dhe keqpërdorimet skandaloze shumë shpejt do të përjetojnë ditën e gjykimit të tyre. Politikanët respektivisht poltikanet që kanë bërë krime dhe vepra të dënueshme do të përfundojnë në burg.
-Javën që shkoi ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë ka përçuar një mesazh të fortë publik dhe të pambuluar me dekorim diplomatik për liderët e Kosovës. Ajo në mënyrë qortuese i paralajmëroi ata duke u thënë: “Mos e dhieni punën!” Si e shihni dhe çfarë mund të thoni ju për deklaratën e Ambasadores amerikane Tracy Jackobson?
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar ushtarakisht, politikisht dhe diplomatikisht shumë në Kosovë. Pa Amerikën, Kosova dhe shqiptarët, ndoshta akoma do të ishim duke u marrë me mbijetesë dhe përpjekje për liri fizike, ndërsa tash mund të merremi me mëkëmbje dhe ringritje. Amerika vazhdon t’i përkrahë si Kosovën si shqiptarët për arsye të harmonisë së interesave të përbashkëta amerikano-shqiptare, dhe për shkak të angazhimit dhe lobimit të mbi gjysmë milioni shqiptaro-amerikanëve në Washington D. C. Kështu që kur ka zhvillime negative në Kosovë ngecjet shihen edhe si dështime të investimeve të Amerikës. Përveç kësaj, amerikanët e dinë që shqiptarët janë popull aleat dhe mik në Ballkan dhe partnerit— nëse nuk ndalon me dëngla dhe budallallëqe— duhet folur pa dorëza.
-Zonja Ambasadore ka transmetuar këshillat e saj dashamirëse për udhëheqësit e partive për disa muaj përmes kanaleve që përdorin ambasadat në një vend të pavarur, por liderët në Prishtinë vetëm sa janë futur më thellë në bunkerët e marrëzisë së moskomunikimit me njëri-tjetrin duke treguar se gjuha e vetme që kuptojnë është gjuha e papërpunuar.
-Është krejt në rregull që të tentosh të mundish kundërshtarin, por politika nuk është luftë ku nuk duhet të ulesh me oponentët dhe rrahish e debatosh probleme deri sa të arrihet një zgjidhje optimale. Në fund të fundit asnjë nga politikanët shqiptarë nuk po refuzojnë të takohen më me përfaqësues të Serbisë, e cila edhe pas çlirimit vazhdon me ndërskambëcat dhe agresionin e fshehur ndaj Kosovës. Si e arsyetojnë moskomunikimin me njëri-tjetrin këta njerëz atëherë?! Si duhet t’u drejtohet një përfaqësues diplomatik i një vendi që ka bërë dhe bën më shumë se çdo vend tjetër për Kosovën njerëzve që nuk duan ta shohin se po e çojnë vendin drejt hatasë?! Politikanët e Prishtinës duhet të kenë kujdes sepse populli i Kosovës duron, por kur reagon e keqja më e madhe do t’u ndodh pikërisht shkapërdarëve që mund të kujtojnë se do t’u ecë kungulli mbi ujë përgjithmonë.
-A mendoni se ngërçi politik në Kosovë duhet të zgjidhet nga vetë forcat politike dhe jo me ndihmën e shteteve të tjera? A munden politikanët e Kosovës të zgjidhin çështje të vështira pa ndërhyrjen e Uashingtonit e Brukselit?
-Natyrisht që ngërçi do të duhej të zgjidhej nga të zgjedhurit. Me kandidim një njeri kërkon besimin e votuesve se do të angazhohet për interesin e përgjithshëm nëse e nevojshme edhe duke dhënë jetën në mbrojtje të interesave të shoqërisë. Politikanët e Kosovës e patën rastin e parë kur plotësisht do të përdornin demokracinë për të krijuar institucionet dhe zgjedhur ekzekutivin që duhet të mirret me probleme të shumta si papunësia e madhe, sistemi i edukimit për turp, shëndetësia që është e sëmurë për vete, sektori i energjisë i vetmi në Europë ku nuk ka drita 24 orë pa ndërprerje, sistemi financiar primitiv dhe oligopolist që rrjep depozitorin dhe dënon investitorin dhe diplomacia, e cila na merr fytyrën në pjesën më të madhe të përfaqësive të saj në të katër qoshet e botës. Nuk ka mbetur edhe shumë kohë— mbase dy-tri javë që t’i vihet kapak këtij turpi.
-Sidoqoftë, unë megjithatë jam optimist sepse çdo alternativë tjetër përpos një marrëveshjeje— sado e keqe qoftë ajo— mund të rezultojë në prekjen e abisit. Bazuar në zhvillimet e dy javëve të fundit duket që ka një reflektim te klanet politike vendore dhe lojtarët kyç ndërkombëtarë dhe më në fund mbase do të ketë një zgjidhje të arnuar. Më duhet të them që kjo zgjidhje duhet të jetë vetëm e përkohëshme dhe të jetë në fuqi për dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja kur në shprehje dhe pushtet duhet të vije një gjeneratë e re e politikanëve të përgjegjshëm dhe profesionistëve të aftë, të cilët mund të jenë ata dhe ato që do e fusin Kosovën në demokraci meritokratike dhe bëjnë atë si krejt Europa.
-A mendoni se Tirana sado pak mund të luante dhe ndoshta ende mund të luaj rol në zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë— dhe a ka pasur deri tani— nga këndëshikimi juaj— njëanëshmëri të trajtimin e kësaj çështje nga Tirana zyrtare?
-E kam thënë në një prononcim publik para disa muajsh që do të ishte mirë që Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama të ndihmonin. I pari është më i afërt me LDK-në dhe AAK-në, kurse i dyti me PDK-në dhe VV-në. Të dy përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë miq me liderët e partive të Kosovës dhe duke u përfshirë do të mund të ndikonin në uljen e vëllezërve të tyre rreth një tavoline të përbashkët. Ka plot shqiptarë që ftojnë Gjermaninë, Britaninë e Madhe apo SHBA-në të ndihmojnë, pse jo Republika e Shqipërisë, kur deri më tash Tirana ka qëndruar dinjitoze përkundrejt evoluimit të keq të krizës ndërsa vazhdon të punoj në përkrahjen sidomos diplomatike të Kosovës në forume dhe zyre ku Kosova nuk ka qasje? Ende mendoj që Presidenca dhe Kryeminstria shqiptare duhet të nisin një të dërguar të përbashkët te Presidentja e Kosovës dhe të pyesin atë se si mund të kontribuojë Tirana— qoftë me ndikim indirekt, qoftë direkt. Mos të harrojmë që gjatë krizave në Tiranë ka pasur së pakut tentime për ndihmë nga Kosova PD-së dhe PS-së kur njëra apo tjetra kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht që Shqipëria dhe Kosova janë shtete më vete, por interesi reciprok i të dyjave është që tjetra të jetë stabile dhe të përparojë.
-Heqja dorë nga Kryeparlamentari a e zbeh fuqinë e veprimit të Bllokut? A mendoni se këtu me këtë rast “veproi” ose pati ndikim deklarata e Ambasadores amerikane ne Prishtinë?
-Nuk e di sa ka pasur ndikim deklarata e Ambasadores amerikane, por sigurisht që kur flet shteti amerikan me zë ky është sinjal se duhen veprime ose përndryshe do të veproj Amerika vetë. Pranimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Kryekuvendarin nga Blloku tregon reflektim pjekurie dhe vakje të shpresave që arsyeja do të ngadhnjejë. Në fakt, Blloku ka mundur të vepronte kështu më herët dhe të përqendrohej në koordinimin dhe përmirësimin e ofertës qeverisëse. Sido që të bëhet, pozita e Kryeparlamentarit nuk ka qenë dhe nuk do të jetë nyja gordiane e ngërçit. Nyja që nevojit zgjidhje është komunikimi i emancipuar i subjekteve dhe lojtarëve politik. Kushdo që do të qeverisë apo mbesë në opozitë në Prishtinë do të duhet të bashkëpunojë me të gjithë. Çështjet si bisedimet me Serbinë nën patronazhin e Brukselit, integrimet europiane dhe ligje si ato për veteranët e UÇK-së apo rivitalizimin e aseteve si Trepça ose Kosova e Re nevojisin koncensus shtetëror dhe gjithëpartiak. Nuk e kuptoj se si shumë politikanë shqiptarë kudo në Ballkan nuk e kuptojnë që vendit mund t’i shërbehet si në pozitë ashtu edhe në opozitë.
-Ban Ki Moon tha të mërkurën e kaluar: “Liderët e Kosovës duhet ta zgjidhin krizën politike.” A është kriza aq serioze sa që edhe kreu i OKB-së detyrohet të flasë për të?
-Po, kriza është serioze. Shteti i Kosovës tashmë ka realizuar humbje konkrete financiare, diplomatike dhe politike si pasojë e ngërçit dhe bile pasoja do të ketë edhe në vitet në vijim. Në vend se drejtuesi i OKB-së të flasë për pranimin e Kosovës në mekanizma global apo edhe në OKB, ai u tërheq vëmendjen liderëve të Kosovës për gjëra rutinore si krijimi i organeve të shtetit. Shqetësimi i të parit të shteteve të botës është i sinqertë dhe ai duhet të mobilizojë politikanët në Prishtinë që të veprojnë sa më shpejt. Ka ngecje në njohjet ndërkombëtare dhe ka anëtarë të KS të OKB-së që u kënaqet zemra ndërsa shohin problemet e Kosovës sepse kjo u jep municion në betejat e tyre gjeostrategjike. Kosova dhe shqiptarët nuk duhet të lejojnë këtë. OKB duhet të jetë në anën tonë. Mos të harrojmë se ne nuk do ta kemi fituar luftën e Kosovës derisa ta fitojmë betejën e anëtarësimit në OKB. Ajo ditë largohet për çdo ditë që liliputët e politikës sonë nuk e kuptojnë që bota dhe Kosova nuk sillet rreth boshtit të ekzistencës së tyre, por liliputët rreth boshtit të Kosovës dhe botës.
-A mendoni se nëse në këtë mënyrë po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe a mund të shërbejnë këto zgjedhje si zgjidhje e këtij ngërçi?
-Nuk e besoj që do të ketë zgjdhje të reja. Zgjedhjet e reja do të ishin fatale për politikanët aktual byrytës, por ato do të ishin fitore e Pirros edhe për qytetarët e Kosovës sepse do të kushtonin në çdo aspekt më shumë se një kompromis sado joperfekt. Zgjedhjet e qershorit 2014 janë zgjedhjet e fundit për disa politikanë të shpenzuar dhe kompremetuar. Këto personalitete politike mund të mos mërziten për intetresin e Kosovës, por kur vjen puna te interesi i tyre nuk kanë problem të jenë të gatshëm për “lëshime”. Më e rëndësishmja, rreziku i zgjedhjeve të reja do të riaktivizonte nivelet më të larta të shteteve aleate dhe protektore të Kosovës, gjë që miqtë tonë nuk duan ta bëjnë sepse kanë çështje më emergjente dhe më të rëndësishme globale.
-Kryeministri Rama sapo përfundoi vizitën e tij në Beograd dhe Preshevë. Si e komentoni vizitën e tij dhe sa lidhet ajo me situatën në Kosovë?
Duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt: Rama pat një paraqitje të shkëlqyer në Beograd.
-Zoti Rama pa mëdyshje meriton lëvdata personalisht, por duhet të rikujtohet se si arritëm në këtë ditë kur Serbia detyrohet të shoh krejt shtatin e peshës dhe kapacitetin e kombit shqiptar në Ballkan midis Beogradit. Janë me qindra mijëra dëshmorë, të dëbuar e të dëmtuar, fëmijë dhe pleq që kanë vuajtur, studentë dhe studente që kanë dorëzuar ëndërrat personale për idenë e madhe të barazisë, gra dhe burra që kanë humbur shumë dhe kanë punuar shumë, vajza dhe djem që kanë jetuar jetë të idhta që të triumfojë e vërteta dhe liria. Jemi këtu ku jemi sepse kemi kontribuar të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, por të gjithë kemi qenë bashkë. Kjo është me rëndësi të rikujtohet. E çmoj sidomos vizitën e Ramës në Kosovën Lindore dhe guximin e tij ta thotë të vërtetën e thjeshtë që shqiptarët në Serbi duhet të kenë të njëjtat të drejta si serbët në Kosovë. Trajtimi i barabartë i njëri-tjetrit në Ballkan është themeli i një Ballkani më të mirë dhe paqësor. Republika e Shqipërisë dhe Kosovës janë të një rrënje dhe nuk ka se si aktet dhe veprimet e njërës të mos kenë lidhje me tjetrën.
Zoti Rama ka sjellur një energji të re në Tiranë. Mirëpo, për shkak të punës së madhe që kemi përpara kudo jetojnë shqiptarët në Ballkan, tash nuk është koha për medalione dhe shprehje kënaqësie. Pres më shumë nga kryeministri Rama në gjërat konkrete. P.sh. asnjë shtet shqiptar nuk ka bursë për listim dhe tregtim të aksioneve dhe bonove; nuk ka projekte të mëdha ekonomike të përbashkäta si fjala vjen Porti i Shëngjinit, i cili pritet t’u jepet kinezëve, por Tirana mund ta përfshijë me 33% aksione edhe Kosovën në këtë investim me rëndësi kombëtare dhe regjionale; nuk ka bashkëinvestime në sektorin e energjisë ku Tirana dhe Prishtina mund të bashkëfinancojnë me mbështetejen e mekanizmave financiarë global dhe privat Termocentralin në Kastriot në shumën deri në 600 milionë euro pa kurrfarë problemi; dhe nuk kemi universitete elitare që po ashtu mund të jenë të mbajtura bashkërisht me vija buxhetore nga të dy qeveritë. Vizita dhe nokautimi politik i kryeministrit serb në selinë e tij ishte një surprizë e bukur, por jeta vazhdon dhe ne duhet t’i kthehemi realitetit, i cili nuk është edhe aq pitoresk sa mund dhe duhet të jetë. Lëvizjet gjeopolitike janë në favor të faktorizimit tonë, mirëpo se sa do të arrijmë pikësëpari varet nga rregullimi i çështjeve të brendshme në oborret tona.
Së fundi një pyetje personale. Bazuar në agazhimin tuaj të vazhdueshëm a keni menduar ndonjëherë të përfshiheni direkt në politikën shqiptare në Ballkan?
Kjo është një pyetje që mund t’i shtrohet çdo shqiptari. Unë, ndoshta, pa dëshirë, në politikë jam që prej se di për vete. Jam rritur nën okupim, kam ikur nga okupimi për shkak të veprimtarisë politike dhe jam kthyer në atdhe për të ndihmuar gjatë çlirimit. Nuk ka ditë që nuk përpiqem të kontribuoj për popullin tim në SHBA. Janë edhe shumë të tjerë që bëjnë të njëjtën këtu në Amerikë, Europë dhe deri në Azi e Australi. Shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të djeshmit. Nuk kam plane për hyrje në politikën aktive, por duke qenë në kontakt direkt me më shumë se një duzinë intelektualësh, veprimtarësh dhe pjesëmarrësish politik në Ballkan, Europë dhe Amerikë, disa prej tyre pjesë e institucioneve dhe shoqërisë civile, jam në rrjedha direkte të zhvillimeve shoqërore-politike. Shumë gjëra do të varen nga proceset e fundit dhe qasja e elitave tona. Nëse vendi futet në rrugë që e çojnë në qorrsokak dhe unë mund të kontribuoj direkt, atëherë, në bashkëkëshillim me Washingtonin, mund të inkuadrohemi në politikën aktive duke ofruar alternativa konkrete për zhvillim dhe mirëqenie të qytetarëve.