Në 25-vjetorin e rrëzimit të regjimit komunist dhe Lëvizjes Studentore që përmbysi këtë regjim, Partia Demokratike proteston para kryeministrisë. Sapo lideri i PD-së Basha mori fjalën turma u ndez dhe po përplaset fuqishëm me kordonin policor në shkallët e kryeministrisë. Ata po qëllojnë me ç’të munden ndërsa kanë thyer edhe dyert e Kryeministrisë.
Edhe më herët tensioni dhe incidentet kanë shoqëruar fjalimet e deputetëve opozitarë që bënin thirrje për rrëzimin e qeverisë në podiumin e ngritur enkas për protestë. Me të nisur deputetët fjalën, nga turma u lëshuan vezë, shishe, shashka, gurë, tymuese me ngjyrë blu, shkopinj. Kur kishin kaluar vetëm 30 minuta nga nisja e protestës, një qytetar çau kordonin policor duke u ngjitur në Kryeministri. Ndërsa një orë më vonë nuk munguan as përplasjet mes protestuesve e policisë. Policia më tej reagoi duke normalizuar situatën, ndërsa shoqëroi personat që tentuan të thyejnë gardhin policor.
Turma kërkonte largimin e Ramës mes thirrjeve ‘Rama ik” “Rroftë Azem Hajdari”, ndërsa nuk nguruan të djegin edhe një dordolec, i cili kishte foton e kryeministrit.
Në podium, krahas fjalës së Bashës pritet të marrin fjalën mbi 20 persona, zyrtarë të lartë të PD-së, ish-dhjetoristë dhe përfaqësues të kategorive të ndryshme shoqërore. Ashtu si dhe në protestat e shkuara, nuk pritet që ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, të ketë fjalë krahas simbolikës që mbart 8 dhjetori për të.
Burime nga selia blu konfirmuan për “Gazeta Shqiptare” se kryedemokrati Basha nuk do të largohet nga sheshi, por do i shoqërojë qytetarët gjatë gjithë kohës në protestën e tyre, e cila do të zgjasë disa orë. Gjithçka do të vendoset nga qytetarët dhe zemërimi i tyre kundrejt qeverisë. PD gjithashtu ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës, por qytetarët kanë të drejtën e tyre për të protestuar me çdo mënyrë paqësore. Në protestë do jenë të pranishëm edhe ish-të përndjekurit dhe studentët, të cilët kohët e fundit kanë përdorur gjuajtjen me vezë si formë protestë ndaj godinës së qeverisë dhe Kuvendit.
BASHA: TË SHPORRIM QEVERINË FATKEQËSI, ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME
Ora 12:57-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me tone të ashpra pohoi se nuk ka rrugë të mesme, veç asaj të largimit të Qeverisë Rama-Meta. Nga ana tjetër, kryeopozitari theksoi se zgjidhja është një qeveri teknike, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
“Të dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Zonja e Zotërinj. Sot në ditën tonë më të bekuar, në ditën e lirisë jemi mbledhur në këtë ditë për të kërkuar një zëri si një trup i vetëm për të kërkuar largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do beje gati zgjedhjet e parakohshme. Rama ik-Meta ik. Par anesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje, lose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të bëjmë sehir largimin e popullin. Ose të rrëzojmë Qeveri-Fatkeqësinë, ose do jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka dhe nuk do tu japim më kohë,. Qeverise së Edi Ramës me 40 hajdutë nuk do presim më. Pritja e mbaroj kohën e saj. Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre dhe ngjallin debate.”.
PATOZI: TË RRËZOJMË QEVERINË E KORRUPTUAR
Ora 12:53- Deputeti Astrit Patozi u kërkoi qytetarëve të rrëzojnë shkakun e dëshpërimit dhe humbjes së shpresës në vend, sipas tij qeverinë e korruptuar. “Në këtë marshim gjigand përfaqësojmë Shqipërinë e revoltuar që kërkon zgjidhje. Ne nuk e nderojmë dot aktin e studentëve që më 8 dhjetor ‘90 nisën shembjen e diktaturës. 25 vjet më parë Shqipëria ishte në udhëkryq për shkak të mungesës së lirisë, sot sërish në buzë të greminës. Edi Rama me Ilir Metën nuk na e risjellin dot diktaturën, por korrupsioni aq i rrezikshëm sa komunizmi dikur. Duhet t’ia heqim prenë nga goja kësaj bande mafiozësh. Rama na katandisi brenda një kohe të shkurtër që të mos e ndajmë dot deputetin nga vrasësi. Ne nuk kemi atdhe tjetër as për ta ndërruar, as për ta braktisur. Nuk mund të presim që ky vend të zbrazet nga qytetarët e dëshpëruar. Ne mund të rrëzojmë shkakun e këtij dëshpërimi, qeverinë e korruptuar. Ju ftoj ta marrim vetë fatin tonë në dorë. Të shembim qeverinë”, tha Patozi.
PROTESTUESIT QËLLOJNË ME GURË NË DREJTIM TË KRYEMINISTRISË.
Ora 12:40- Momente tensioni janë regjistruar sot në protestën, pasi ka pasur përplasje mes protestuesve dhe forcave policore. Mësohet se protestuesit kanë qëlluar më gurë në drejtim të Kryeministrisë, duke thyer kështu dhe ndriçuesit e godinës. Sakaq, protestuesit e dhunshëm janë shoqëruar në polici, ndërsa nuk dihet ende numri i saktë i tyre. Momentet e tensionit janë regjistruar në kohën kur në podium fliste deputeti i opozitës Argon Duka. Ndërkaq, përfaqësues të PD-së, persona që merren me sigurinë e protestës kanë ndërhyrë tek Policia për të negociuar për lirimin e protestuesve dhe shmangien e një përshkallëzimi të dhunës. Ka qenë një moment acarimi pranë piramidës. Pak minuta më parë një person u shoqërua në polici, pasi tentoi të hynte në Kryeministri.
MBESA E AT ZEF PËLLUMBIT: KRYEMINISTRI TË TËRHEQË DEKORATAT PËR XHELATËT E KOMUNIZMIT
Ora 12:38- Angjelina Gjeka, mbesa e At Zef Pëllumbit ka kërkuar që kryeministri Rama të tërheqë dekoratat për xhelatët e komunizmit dhe persekutonin e xhaxhait të saj dhe klerikëve të tjerë. “Kam dhënë për vendin tim. Jam bashkuar në këtë protestë dhe ndaj me ju të njëjtat halle. Thikë pas shpine dekorimi i persekutonit të At Zef Pëllumbit dhe shumë klerikëve të tjerë.
Ne nuk e meritojmë këtë sjellje. Kërkojmë që kryeministri të tërheqë dekoratat për xhelatët e komunizmit. Të gjithë këtu nuk harrojmë. Nderi është pasuria e vetme që kemi nga të parët tanë. Ndërsa sot që këtij vendi po i rrëmbehen pasuri e katandi, ne nuk do të lejojmë që edhe nderin të na e shkelin. Kjo situatë e ka një emër, është Edi Rama. Ai duhet të largohet!”, deklaroi ajo.
DUMA: KY ËSHTË FUNDI I KËSAJ QEVERIE
Ora 12:31- Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma deklaroi para protestuesve se ky nuk është fundi i shqiptarëve por fundi i kësaj qeverie. “Varfëria nuk është blu, nuk është rozë. Varfëria është e zezë dhe e zezë është hija që qëndron mbi shqiptarët. 25 vite më para shqiptarët, studentët ndërruan historinë. Shqiptarët po prekin sot fundin me varfërinë e tyre. Askush nuk fal më prindër që mbetën rrugëve duke kërkuar punë dhe kërkojnë borxh për të kaluar muajin. Askush nuk fal më të vjedhësh tenderë. Askush nuk të fal më të taksosh me miliona dhe nga ana tjetër të jenë të papunët. Si mundesh ti kryeministër të qeverisësh mjerimin e 2 milionëve. Ky nuk është fundi i shqiptarëve, është fundi i kësaj qeverie”, deklaroi Grida Duma.
DASHAMIR SHEHI: QEVERIA KA ARDHUR PËR TË QEVERISË E JO PËR TË SUNDUAR
Ora 12:28- Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi pohoi sot nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se Shqipëria është nën dorën e disa sunduesve, ndërsa theksoi se duhet të fillojë një marshim i pandalshëm.
“Kjo qeveri nuk e ka kuptuar se nuk është këtu për të sunduar, por për të na qeverisur. Ne i themi jo dhe nga sot e deri ditën që do mbyllet kjo punë, unë mendoj se duhet të fillojmë një marshim të pandalshëm. Populli demokrat nuk është se nuk i do taksat, por s’duhet të paguajnë vetëm disa. Nuk mund ta sundojnë vetëm disa njerëz Shqipërinë. Ne që jemi këtu, nuk mund të gdhihemi milionerë, por me një qeverisje mund të gdhihemi me punë e ti dalim për zot fëmijëve tanë. Nga kjo turmë nuk ka ardhur kurrë as luksi.”, tha Shehi.
DUKA: KJO QEVERI NUK NJEH GJË TJETËR VEÇ DHUNËS
Ora 12:25- Edhe deputeti i opozitës, Agron Duka bëri thirrje për largimin e qeverisë. “Sot ndeshemi me varfërinë. Qindra shqiptarë i janë drejtuar eksodit. Shqipëria më e varfër se kurrë. Kjo qeveri nuk njeh gjë tjetër veç dhunës. Rama më komunist se ata që njihnin veç ideologjinë e burgosjes”, tha Duka.
BUMÇI: DO VAZHDOJMË PROTESTAT E ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME
Ora 12:20- Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi se ka vetëm një rrugë për të zgjidhur të gjitha problemet e shqiptarëve, protesta. “Erdhi dhe rriti energjinë, çmimin e naftës, prishi 9 mijë biznese e ndërtime. Kryeministri që do mbahet mend, që mbylli shkolla e hapi burgje. 38 mijë shqiptarë të arrestuar e ndaluar nga Edi Rama për 1 vit. Në vitin 2015 vet qeveria tha se ka rënën konsumi, pse duhet të presim dhe një vit më shumë? Që të varfërohemi akoma më shumë? Na e tha dhe Rama se këtë vit mos prisni që të rriten rrogat, apo pensionet. Pa vetëm një zgjidhje; protestë, protestë, zgjedhje të parakohshme.”, tha Bumçi.
BOGDANI: KËSAJ QEVERIE I KA ARDHUR FUNDIT
Ora 12:15- Deputeti Gert Bogdani tha se sot qytetarët janë pa shtëpi, pa prona, pa të ardhura në fund të muajit, pa shpresë. “Jemi në shesh për të mbajtur premtimin e të rinjve, studentëve që 25 vite më parë luftuan për liri e demokraci. Jemi këtu për thirrur se shqiptarët nuk e duan burgun, nuk duan të vdesin spitaleve dhe nuk duan të falimentojnë. I themi sot “Jo” reformës në arsim. I themi “Jo” reformës fiskale që dënon çdo biznes të ndershëm. I themi “Jo” gjobave 100 milionëshe. Jemi këtu për t’i thënë “Jo” reformës së pronës. Kësaj qeverie i ka ardhur fundi. I ka ardhur koha të ikë. Po i shtyp shqiptarët ndërkohë që pasuron një grup pushtetarësh. Kësaj qeverie i ka ardhur koha të ikë sepse nuk është më e qytetarëve. Para 2 viteve ky zotëria tha se kemi fituar dhe iu kemi dhënë 1 milionë shuplaka, sot ka ardhur koha të marrë 1 milion shqelma. Shqipëria nuk është e këtij piktori të dështuar, e këtij turisti që bredh nëpër botë me lekët e shqiptarëve. Shqipëria është e shqiptarëve, e të rinjve për një të ardhme më të mirë nesër. Fitore!”, deklaroi Bogdani.
PROTESTUESI THYEN KORDONIN, NGJITET NË KRYEMINISTRI
Ora 12:10- Një nga protestuesit, më një flamur të Partisë Demokratike ka arritur të çajë kordonin e policisë, ndërsa tentoi të futej në sheshin pushues të Kryeministrisë. Por, policia ka mundur ta neutralizojë në kohë të riun, ndërsa e kanë risjellë në turmë sërish.