• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ku duhet të jem unë?

September 12, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse  në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës  por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim  të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi,  por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re.  Ndaj u bashkova me ta. Së bashku me mua me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë të shtresës sime.

Kaluan 27 vjet nga  përmbysja  e  madhe. Hedh vështrimin  në  spektrin  politik  shqiptar.

Siç e kam theksuar edhe më lart, qysh në  ditët  e  para  të  përmbysjes  së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën.  Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh disa ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe atij online. Sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu  bëj edhe unë. Nëpërmjet medias online jam njohur me shumë intelektualë që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Një fenomen i habitshëm filloi të shfaqet në skenën politike shqiptare. Pas gati tre dekadash të kthimit të sistemit, një ekzemplar i sistemit të përmbysur, propozohet për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Fjala ështrë për një ish-ministër, një ish-sekretar i parë rrethi që mban mbi shpatullat e tij vrasjen e katër marrtirëve në Shkodër më 2 prill 1991, që u bë organizatori i bandave rebele në 1997-ën, që në vitin 1998 iku me bisht ndër shalë në Greqi duke u veshur si grua. Është fjala për Gramoz Ruçin. Këtë propozim e bënë një parti që pretendon se është shkëputur nga mentaliteti komunist, megjithëse si datë themelimi të saj ka ditën e kongresit të fundit të ish- Partisë së Punës. Këtë propozim e bënë Edi Rama që e quan veten një reformist perëndimor dhe që ka shëtitur shumë shtete europiane. Por Gramoz Ruçi nuk është hera e parë që propozohet në një detyrë kaq të lartë. A nuk ka qenë ai Kryetar i Grupit Paralamentar të Partisë Socialiste? Në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm nuk dihet se ku do të përfundojë.

Ky fenomen nuk është i vetmi në Shqipëri. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo  madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e  krijuara për vetingun apo reformën në drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që do të kryejnë këto reforma.

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar.  Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar.

Një veprim të tillë nuk mund ta pranonin ata që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre tmerret e atij sistemi. Ata u ngritën në protestë. Midis tyre, natyrisht, isha edhe unë. Me ta u bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit nuk kishin synim të digjnin apo të thyenin xhama. Nuk kishin shkopinj dhe hunj për të qëlluar organet e rendit si organizatorët e 21 janarit 2011 që dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Megjithatë organet e rendit, për turpin e tyre, u munduan ta pengojnë këtë protestë duke u munduar t’i largojnë sa më larg nga salla ku ishte mbledhur kuvendi që do të zgjidhte kryetarin dhe duke mos ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën ku zhvillohej protesta.

Megjithatë protestuesit folën. Nuk kishte protokoll të caktuar. Oratorët dilnin njeri pas tjetrit pasi donin të shprehnin atë që u thonte zemra. Ata i bënë thirrje partive politike që të hedhin poshtë propozimin monstruoz. I bënnë thirrje opozitës dhe në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike të bllokonte kutinë e votimit dhe të mos e lejonte atë. Në fund, me mbarimin e punimeve të kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike  dhe disa deputetë të saj u bashkuan me protestuesit. Folën deputetët. Foli edhe kryteari. Të gjithë u deklaruan kundër zgjedhjes së individit të sipërpërmendur në krye të kuvendit.

Isha kurioz të dija se çfarë qëndrimi kishin mbajtur deputetët e djathtë në kuvend. Të them të drejtën u zhgënjeva kur pashë lajmet në televizion. Prisja që deputetët demokratë të mos i lejonin ata të shumicës të votonin. Prisja në mënyrë të veçantë që deputetët demokratë, përfaqësues të shtresës tonë, të dilnin para kutisë së votimit për të penguar votimin.  Prisja që deputetët demokratë të bojkotonin votimin, ashtu siç bënë deputetët homologë të LSI-së. Por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, demokratët morën pjesë në votim dhe, çuditërisht, dy prej tye që nuk ka rëndësi se kush janë, votuan pro kandidaturës së Gramoz Ruçit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, nëpërmjet një deklarate, tha se votimi ishte i manipuluar. Nuk dua ta hedh poshtë këtë pohim por dua t’i drejtoj një pyetje:

  • Kur kishit vendosur të votonit përse nuk dërguat përfaqësuesit tuaj  në  komisionin  e

numërimit të votave për të penguar këtë manipulim?

Por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë krytarin e partisë time të uronte dhe shtrëngonte dorën Gramoz Ruçit kur ne protestonim kundër tij dhe kur vetë ai,  kur mbaroi kuvendi, në fjalën e mbajtur në protestë u deklarua kundër. Pashë një antagonizëm në këto dy veprime të tij. Një veprim të tillë nuk e bëri as ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha.    Kjo gjë më solli para syve edhe shumë raste të tjera të tilla të Partisë Demokratike. Këto janë për shembull lënia në harresë e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”  apo raste të tjera që i kam përshkruar edhe në shkrimin tim të fundit më datën 26 gusht 2017, botuar në gazetën “Panorama”. Atë shkrim e bëra për t’i treguar partisë time rrugën që duhet të ndjekë në drejtim të të përndjekurve politikë. E bëra pasi konstatoj se shumë prej tyre po largohen pikërisht për këtë arsye.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte 46,72%, ndërsa kanë votuar për PD-në 28,81% e pjesëmarrësve domethënë 13,46% e listës së votuesve në Shqipëri. Unë jam i bindur se pjesa dërmuese e atyre 53,28% që nuk morën pjesë në votim janë të djathtë të zhgënjyer. Kjo gjë duhet korigjuar sa më parë dhe një nga pikat që duhet parë seriozisht është shkëputja nga mentaliteti i së kaluarës që vihet re herë pas here në PD.

Duke qenë në dilemë për sa  më sipër më lind pyetja:

  • A jam në pozitat e duhura? Ku duhet të jem unë?

Në konditat e sotme e kam shumë të  vështirë  të  kthej  përgjigje.  Vetëm  një  gjë  dua  të

them. Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhjetat. E di që nuk do të mund  ta arrijë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Cili është vendi ku duhet të jem unë?

February 18, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa /

I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Më kujtohen ato ditë të errëta kur, së bashku me shokët e mi, ashtu si shumë të tjerë, shkruanim nëpër muret e qytetit tonë:

Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!  Le të sulemi nën flamurin kuq e zi në flakë të luftës, që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thërritur: “Rroftë Shqipëria!”

  Më kujtohet, kur në qelitë e errëta të sigurimit, i deklaroja hetuesit tim, ashtu si dhe shumë të rinj të tjerë, se:

Rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit e quaj të drejtë, për deri sa gjendja në vendin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit politikë jashtë shtetit dhe nga aleatët Anglo Amerikanë.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”. Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi, por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re. Ndaj u bashkova me ta. Por, prisja një reflektim, prisja një kërkim ndjese. Para syve më dilte dialogu i princ Hamletit me nënën e tij, mbretëreshën Gertrudë, kur i thoshte:

  • O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe jeto me gjysmën tjetër më të mirë!

Por kjo nuk ndodhi. Askush nuk kërkoi ndjesë. Megjithatë i pranova si bashkudhëtarë. I pranova se e njihja mirë sistemin e përmbysur. I njihja mirë mjetet e dhunës që ai përdorte për të shkatërruar ndërgjegjen njerëzore nga çdo ndjenjë e mirë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kisha provuar mbi shpinën time. Ndaj, në një farë mase, e kuptoja ngurimin e tyre. Por, të paktën, prisja që këtë ta bënin presidentët, kryeministrat, kryetarët e partive që e quanin veten demokratë e të tjerë të këtij lloji, qofshin të djathtë apo të majtë. Doja të ndiqnin shembullin e Papa Gjon Palit të Dytë që kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga kisha në periudhën e inkuizicionit. Doja të ndiqnin shembullin e Kancelares Merkel që, në emër të Qeverisë Gjermane, kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga nazizmi. Doja, së fundi, të ndiqnin shembullin e qytetarit gjerman që kërkoi ndjesë për krimet e kryera nga i ati në masakrën e Borovës. Por edhe kjo nuk ndodhi. Askush nuk pati kurajo ta bënte një gjë të tillë. Kjo më diziluzionoi dhe nuk arrita të kuptojë përse. Mendoja se një gjë e tillë do t’i ngrinte më lart figurat e tyre, do t’i bënte më të nderuar.

Para disa ditësh isha në një shfaqje filmi që organizonte Ambasada Çeke në ambjentet e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Filmi trajtonte historinë e një mjeku të njohur që në kohën e diktaturës kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Pas ndryshimeve demokratike mjeku vazhdon punën e tij humanitare. Për këtë nderohet me çmimin më të madh të vendit. Në çastin e marrjes së çmimit mjeku pati kurajon që të deklaronte para pjesmarrësve të vërtetën e hidhur të jetës së tij në të kaluarën.

Një gjë e tillë në Shqipëri nuk njihet. Madje, ata që në ndërgjegjen e tyre mbajnë krimet e totalitarizmit, jo vetëm nuk kërkojnë ndjesë për to, por synojnë të arrijnë majat më të larta të sistemit të ri. Para syve më del pamja e asaj dite kur para meje, si një fantazëm, u shfaq figura e operativit të sigurimit të kampeve të Shtyllasit dhe Bulqizës ku, me urdhër të tij, në vitin 1954 Sulejman Dizdari u mbulua me dhe i gjallë dhe 17 vjeçari nga Mirdita, dha frymën e fundit i lidhur në shtyllën e elektrikut në natën e acartë të janarit 1955. Me një cinizëm të paparë ky kriminel më tregonte se ishte emëruar drejtor i një drejtorie në Ministrinë e Drejtësisë. Cilën drejtësi do të mbronte ky “kain”? Cilët do të dënonte? Mos vallë veten e tij?

Para disa ditësh lexova në një gazetë të përditëshme një lajm për nxjerrjen para gjyqit në Gjermani të Reinhold Hanning, ish roje i kampit famëkeq të Auschëit-it, 94 vjeç, mbi të cilin rëndonin 170.000 akuza si bashkëfajtor në vrasje nga janari 1943 deri në qershor 1944. Po ashtu John Demjanjak u dënua në vitin 2011 si roje i një kampi nazist, madje pa iu provuar fajësia. Po kriminelët shqiptarë të tipit të operativit të sigurimit të Shtyllasit dhe Bulqizës a do të dënohen ndonjë herë?

Unë nuk e besoj. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e Dekriminalizimit dhe të Reformës në Drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që me termat e mësipërme kanë arritur të imponojnë pikpamjet e tyre duke konsideruar të inkriminuar vetëm ata që kanë shkelur ligjin pas viteve 90-të. Po kriminelët e para 90-ës ende do të vazhdojnë të jenë në këto komisione? Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e sistemit të kaluar. A thua nuk paska të rinj që kanë kryer shkollat më dëgjuara të botës së lirë për të zëvendësuar këto mbeturina të diktaturës? Deri kur do t’i dëgjojmë absurditetet e tyre mbi demokracinë perëndimore?

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar. Shoqatat e të Përndjekurve Politikë, Instituti Integrimit të Përndjekurve Politikë, madje edhe Ministria e Kulturës, kanë dërguar propozime për nderimin e këtyre figurave, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar. Një shembull i kësaj fryme është edhe debati i zhvilluar për dramën shqipe kur, një personalitet i njohur i kësaj fushe, deklaroi se tashmë nuk duhen më drama me subjekt nga periudha totalitare. Kjo gjë vihet re në shumë fusha. Në kinematografi gjatë këtyre 25 viteve janë prodhuar jo më shumë se 2-3 filma me temën e diktaturës. E njejta gjë vihet re edhe në teatër. Në letërsi për këtë periudhë shkruajnë vetëm ata që e kanë hequr mbi shpinën e tyre atë kohë. Përse? Sepse quhet një temë e dalë jashtë mode. E kundërta ndodh në botën perëndimore. Janë disa herë më të shumtë filmat me atë subjekt se filmat shqiptarë. Po ashtu edhe filmat e prodhuar në vendet ish komuniste të lindjes.

Kanë kaluar mbi 70 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, megjithatë filmat me temë holokaustin nazist janë nga më të ndjekurit. Më lejoni t’ju kujtoj filmin “La vita e bella” me aktorin e njohur Roberto Benigni që, për vlerat e tij, fitoi çmimin presticioz “Oskar”. E njejta gjë edhe për degët e tjera të artit dhe kulturës.

Komedia vazhdon. Debate pa fund në kuvend. Debate që zgjasin pambarim a thua se qytetarët qenkan të malluar për këto debate boshe. Çudia qëndron në atë se si ka mundësi që edhe shtypi viziv dhe ai i shkruar u kushtojnë faqe dhe orë të tera. A keni parë ndonjë kanal shtetëror televiziv në botë që për orë dhe orë të tëra të transmetojë punimet e parlamentit në të dy kanalet e tij si ky yni? A keni parë në botë ndonjë kryetar partie apo kryeministër që të qëndrojë në pushtet me vite e vite me rradhë dhe megjithëse ka dështuar në detyrën e tij, vazhdon të qëndrojë dhe refuzon të jap dorëheqjen. Nocioni i dorëheqjes mungon në Shqipëri. Në Shqipëri ekzistoj nocioni i hyjnizimit të drejtuesve të përjetshëm. Një pasqyrë e qartë e vazhdimit të mentalitetit komunist.

I ndodhur në këto pozita pyes veten:

  • A jam në pozitat e duhura? Cili është vendi ku duhet të jem unë?

Hedh vështrimin në spektrin politik shqiptar. Qysh në ditët e para të përmbysjes së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën. Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh gati për çdo ditë ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim. Ndaj e bëra pyetjen e mësipërme.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar. Ndodh shpesh herë që organet e ndryshme nuk m’i botojnë. Por sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu bëj edhe unë. Njoh shumë intelektualë, ende të panjohur në opinionin publik, që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhetat. E di që nuk do të

mund ta gëzojë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

Çuditërisht në këto çaste para syve më dalin vargjet e pavdekshme të të madhit Viktor Hygo që shkruante:

Njëmijë po të mbetën, do mbetem edhe vetë,

                                    Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,

                                    I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

                                    E në mbet vetëm një, unë do jem ay!

  *  Botuar në gazetën “Telegraf” Nr. 38 (3134) datë 18 shkurt 2016. Dërguar, më parë, gazetave “Panorama” dhe “Shqip” të cilat nuk e kuptoj se përse nuk e botuan. Për më tepër, sipas etiketës së një gazete serioze, duhej të më kishin kthyer përgjigje për shkakun, gjë që unë ua kisha kërkuar. Megjithatë zotërinjtë kryeredaktorë të gazetave në fjalë, respektivisht zotërinjtë Robert Rakipllari dhe Urim Bajrami, nuk denjuan. Arsyen e dinë vetëm ata. A mund të quhet shtyp “i lirë” dhe “i pavarur” një shtyp i tillë? Po mundën le të përgjigjen.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cili është vendi, ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT