Në gjurmët e një vëndemri të lashtë/
Nga NELSON ÇABEJ/
Deri sot nuk ka qënë e mundur që Onhesmi (greqishte e vjetër Ὄγχησμος dhe latinisht Onchesmus) të radhitet krahas atyre vëndemrave ilirë që provojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre të sotme.
Onhesmi mendohet të ketë qënë qytet-port i kryeqendrës së fisit të madh iliro-epirot të kaonëve, Phoinike (sot fshati Finiq). Ai u themelua nga shekulli III p.e.s. Pas rrënimit të qytetit nga inkursionet barbare dikur në shekullin VI (551) , emri i qytetit nuk del më në burimet historike dhe gradualisht u fshi edhe nga kujtesa historike e banorëve të rajonit.
Në shekullin XIX, topografi dhe antikuariani britanik, koloneli William Martin Leake1 tregon se në vëndin e Onhezmit të lashtë, rreth dy shekuj më pare, kishte parë rrënoja të shumta të qytetit të lashtë të rrethuara nga mure me rreth njëzet kulla. Brënda mureve gjëndeshin akoma mbeturina kishash, shtëpish dhe hauzesh. Muret e lashta shërbenin si një vathë e madhe për kopetë e dhënve të shqiptarëve që dimëronin aty bagëtinë, në kohën që fshatrat e tyre ishin të mbuluara me borë. Brënda mureve tani gjëndej një vëndbanim vogël, që, sipas tij, njihej me emrin Skala/Skela, emër që vinte nga turqishtja Iskéle. Në port ishin edhe zyrat e doganës. Në majën e malit në rëzën e të cilit ndodhej Skala/Skela gjëndej kisha e dyzet shënjtorëve (greqisht Άγίου Σαράνταα ‘dyzet shënjtorët’). Nga fillimi i vitëve 30 të shekullit XIX pranë kishës Ali Pasha Tepelena ngriti edhe një fshat të ri (çiflig të tij), që u quajt me po ketë emër, Άγίου Σαράντα. Deri nga fundi i shekullit XIX ky port i vogël u njoh kryesisht si skela e Delvinës ose thjesht Skela, ku ka punuar për pak kohë si nëpunës dogane poeti ynë kombëtar Naim Frashëri. Vetëm nga vitet 30 të shekullit XX ajo filloi të njihej shkurt me emrin Saranda. Edhe italianët e kanë njohur atë si Santi Quaranta (dyzetë shënjtorët).Në burimet e shkruara Onhesmi del për herë të parë te Ciceroni (106-43 p.e.s.) 2, në gjysmën e parë të shekullit I p.e.s., në një letër që ai i shkruante Attikusit:
“Unë arrita në Brindisi në 24 nëntor, pas një udhëtimi me fat: aq bukur “frynte nga Epiri onhezmitja – më e buta e të gjitha flladeve”
Në gjysmën e dytë të shekullit I p.e.s. Onhesmi përmendet nga Straboni, i cili tregon se
“Në këtë interval është Panormos (Palermo e sotme në Himarë –shënimi im – N.R.Ç) një port i madh në qendër të maleve Keraune dhe pas këtyre maleve vjen Onhesmi, një tjetër port, përballë të cilit gjenden skajet perëndimore (duhet veriore – N.R.Ç.) të Kerkirës (Korfuzit të sotëm)”3.
Pas tij, Dionisi i Halikarnasit, që ka jetuar në shekullin I p.e.s. dhe në shekullin I të erës së re, ka shkruar:
“Trojanët prej Butrotit, duke ndjekur anën e detit arritën tek limani që atëhere quhej Anhisi e që sot ka një emër të paqartë (pra, me sa duket, Onkesmi apo Ankiasmos) dhe prej këndej, pasi i ndërtuan një faltore Afërditës, çanë detin Jon.”4
Ptolemeu, në shekullin II jep si koordinata të gjirit të Onhesmit (Ὄγχησμος λιμήν) 450 20’ dhe 380 35’, duke e vendosur atë afërsisht midis limaneve Panormos dhe Kasiope5. Më së fundi, në shekullin VI, Hierokli në “Synecdemus” (Guidë) bën fjalë për Ankiasmos (Άγχιασμός), që ai e rendit pas Finiqit (Phoinike) dhe para Butrintit (Bouthrotos)6 dhe që në kohën e tij bënte pjesë ndër dymbëdhjetë qytetet e Epirit të Vjetër.
Sipas A. Baçes, ndonëse vëndbanimi ishte më i lashtë, tiparet e qytetit ai fitoi nga shekulli I p.e.s. kurse shkallën më të lartë të zhvillimit ai e arriti në shekujt II-III. Pas shekullit IV, kriza e sistemit sklavopronar dhe dyndjet barbare kushtëzuan rënien e tij. Në shekullin VI (viti 551), sulmi i 300 anijeve ostrogote të prira nga Totila, solli rrënimin e qytetit7.
Kështu, nga burimet historike të sipërpërmendura ne kemi shturë në dorë këto materiale:
1. Variantin më të hershëm të emrit të qytetit, që del te Straboni në shekullin I p.e.s. në formën Onkesmos (Ὄγχησμος)3, te Dionisi i Halikarnasit4, por edhe te Ptolemeu5.
2. Emrin Onkesmites të erës që frynte në Kaoni nga jug-perëndimi,
3. Variantin më të vonë të tij, Ankiasmos (Ἀγχιασμός), që del së pari te Dionisi i Halikarnasit në shekullin I e më së fundi te Hierokli në shekullin VI6.
Mungesa thuajse e plotë e e njohurive mbi leksikun e ilirishtes e bën të vështirë dhe të pasigurtë çdo hamendje rreth prejardhjes së emrit të lashtë të kë tij qyteti.
Për grekët e lashtë, siç është shprehur Dionisi i Halikarnasit, emrat Onkesmos dhe Ankiasmos kanë qenë të paqartë. Atëhere mund të pyetet se ç’kuptim mund të kishte në ilirishte ky vëndemër.
Në vëndemrin Onhesmos mund të kemi të bëjmë me një kompozit (on dhe kesm-os). Kjo on- do të mund të dilte nga rrënja indoevropiane *we – fryn, nga e cila ka dalë emri *wentos – erë. Në ilirishte, ashtu si dhe në greqishten e lashtë (άνεμος), w ballore do të binte duke dhënë *ent– à *ant à *an (shndërimi nt > n është karakteristik për ilirishten).
Gjymtyra e dytë e kompozitës, kes–kias, mund të ketë dalë nga një rrënjë indoevropiane *kai – ngrohtësi, që mund të evoluonte si vijon:
*kai à *kes à *kias, e ngrohtë
Nga sa më sipër mund të konstruktohet një herë forma më e lashtë “an(os) + *kes = *Ankes, të cilën na i jep Dionisi i Halikarnasit si Ankis, që mund të kishte kuptimin “i ngrohur nga era”, por prejrejardhja e -m- së në evolucionin *Ankes à *Ankesmos mbetet e pashpjeguar.
Shpjegimi i prejardhjes së vëndemrit Onkesmos mund të jetë vështirësuar edhe nga shtrëmbërimet e mundshme në shqiptimin dhe shkrimin e këtij vëndemri iliro-epirot nga autorët e lashtë grekë e romakë. Evolucioni i vendemrit, deri në shekullin VII, në bazë të regullave të fonetikës së protoshqipes, që lindi në shekujt e parë të erës së re, mund të përfytyrohet si vijon:
Onkesmos shekulli I p.e.s.
Ankesmos “ “ “.
Ankiasmos “ II “.
*Ankiasma(s) “ III “.
*Nqashma = Ngjashma “ VII “.
*Gjashma “ IX “.
Tanimë kemi arritur në momentin e dytë themelor të këtij hetimi. Në burimet e shkruara mesjetare bizantine kjo formë e konstruktuar, Gjashmë, nuk gjëndet, por në toponiminë e sotme lokale të tërheq vemendjen ekzistenca e vendit të quajtur Gjashtë, dhe e toponimit të lidhur me të, Qafa e Gjashtës, që gjëndet në hyrje e në afërsi të drejtpërdrejtë të Ankesmosit të lashtë (Sarandës së sotme) si një rrugë kalimi për në këtë qytet të lashtë e të ri bregdetar. Të dhënat e gërmimeve arkeologjike tregojnë madje se themelimi dhe zhvillimi qytetit Onkesm ka nisur nga “Gjashta”, duke u shtrirë gradualisht drejt detit.
Emri i qytetit mund të jetë zhdukur nga vetëdija e popullsisë lokale por ka pasur gjithënjë një qafë që të shpinte në qytetin e zhdukur dhe një vëndbanim në afërsi të tij. Në atë qafë dhe në atë vëndbanim mund të jetë përjetësuar emri i qytetit në format *Qafë e Gjashmës dhe Gjashmë.
Shndërrimi Qafë e Gjashmës në Qafë e Gjashtës është produkt i etimologjisë popullore (nga gjermanishtja Volksetymologie), një dukuri gjuhësore e shndërrimit të formës së një fjale “pa kuptim” (për shkak të mosnjohjes së prejardhjes së saj) në një fjalë “me kuptim”. Në rastin e Gjashtës, ajo mund të ketë dalë nga Gjashma në një periudhë kur kujtimi i qytetit, tanimë nën tokë, ishte shuar. ‘Gjashma’, nuk ka ndonjë kuptim në shqip por ajo merr kuptim me një ndryshim “të vogël” të m-së në t, duke u shndërruar në numërorin themelor gjashtë. Etimologjia popullore është burim i shumë fjalëve, në gjuhë të ndryshme indoevropiane. Nje rast i mirënjohur i ngjashëm në latinisht është ai i veprimit të etimologjisë popullore në evolucionin e emrit të një qyteti pararomak në Italinë e jugut. Qyteti Maloeis, në greqisht kishte kuptimin “me fruta”. Pasi Italia e jugut ra nën pushtimin romak, këta të fundit që, sigurisht, nuk e dinin prejardhjen e emrit të qytetit u munduan t’i jepnin “kuptim”, ta etimologjizonin Maloeis-in dhe e gjetën atë në një fjalë latine që tingëllontë e afërt me të, Maleventum, që donte të thoshte “era e keqe”, që për latinët “kishte kuptim” edhe pse s’kishte asnjë lidhje me prejardhjen e emrit origjinal të qytetit.
Lidhur me prejardhjen e vëndemrit Qafa e Gjashtës duhet mbajtur parasysh edhe se numërorët në Shqipëri nuk përdoren për të emërtuar qafat. Mund të përfytyrohet që ky “numëror” i përdorur si vëndemër mund të lidhet me ndonjë ngjarje historike, me një betejë të gjashtë trimave, me një vepër të gjashtë shënjtorëve, etj. por kjo ka fare pak të gjarë sepse historia hesht dhe gjurmë të tilla nuk ekzistojnë në vëtëdijen e popullit a në folklor. Prejardhja e këtij vëndemri nga ndonjë mit lokal ka akoma më pak të gjarë jo vetëm sepse nuk ka të dhëna për ndonjë mit “me gjashtë”, por edhe se në mitologjinë shqiptare numri “gjashtë” nuk ka gjetur përdorim.
Çdo shpjegim i prejardhjes së vëndemrit Gjashta duhet të marrë parasysh shkretimin e qytetit sipasojë e dyndjes ostrogote nga mesi i shekullit VI. Me këtë do të bëhej i kuptueshëm edhe fakti që Onkesmi gjatë Mesjetës nuk dihet të jetë përmendur. Por prania e një muri rrethues të periudhës bizantine në pjesën perëndimore të qytetit, e manastirit të “dyzetë shenjtorëve” në malin mbi Sarandë dhe ndërtimi i kalasë së Lëkursit, nga shekujt XVI-XVII, në jug-lindje të Onkesmit, tregojnë se edhe në qoftë se jeta në këtë vendbanim ka qenë shuar fare, ai mund të ketë shërbyer si skelë, siç vazhdoi të ishte deri në fund të shekullit XIX. Kur u shpall pavarësisa e Shqipërisë, në 1912, këtu kishte vetëm një vëndbanim fare të vogël me vetëm 118 banorë e madje akoma në vitin 1927 kjo skelë e Delvinës ishte ende një vëndbanim fshatar i vogël me rreth 800 banorë.
Në kushtet e shuarjes së plotë të kujtimit të Onkesmosit të lashtë nga vetëdija e popullit, pozicioni gjeografik dhe ndikimi mbizotërues në jetën shpirtërore i manastirit të “dyzetë shenjtorëve”, “Aji Saranda”, bënë që fshati, dhe qyteti tanimë anonim, që po rritej në gjirin e tij, të marrin emrin Saranda.
Në qoftë se kjo hipotezë do t’i rezistojë kohës dhe kritikës, ky është një shëmbull impresiv i faktit që vëndemrat e lashtë mund të ruhen për kohë shumë të gjata dhe duhen kërkuar, sigurisht në forma të ndryshuara, në rajonin rreth vendbanimit origjinal.
Referencat
1. Leake, W.M. (1835). Travels in Northern Greece, I, London, f. 9-12.
2. M. Tullius Cicero, Letters to Atticus 7.2: “Brundisium venimus vii Kalend. Decembr. usi tua felicitate navigandi; ita belle nobis “ flavit ab Epiro lenissimus Onchesmites”.
3. Strabo, Geography 7.7.5: “ἐν τούτῳ δ᾽ ἐστὶ τῷ διαστήματι Πάνορμός τε λιμὴν μέγας ἐν μέσοις τοῖς Κεραυνίοις ὄρεσι, καὶ μετὰ ταῦτα Ὄγχησμος λιμὴν ἄλλος, καθ᾽ ὃν τὰ δυσμικὰ ἄκρα τῆς Κορκυραίας ἀντίκειται”
4. Dionysius of Halicarnassus, Antiquitates Romanae, Libri I, 51.2 : “Τροία καλούμενος. ἐκ δὲ Βουθρωτοῦ παρὰ γῆν κομισθέντες ἄχρι λιμένος Ἀγχίσου μὲν τότε ὀνομασθέντος, νῦν δ᾽ ἀσαφεστέραν ἔχοντος ὀνομασίαν, ἱερὸν καὶ αὐτόθι τῆς Ἀφροδίτης ἱδρυσάμενοι διαίρουσι τὸν Ἰόνιον ἡγεμόνας ἔχοντες τῆς ναυτιλίας”.
5. Claudii Ptolemaei, Geographia, III, 14, 2.
6. Hieroclis Synecdemus. Red B. G. Teubner, Leipzig, 1843, 652, 3.
7. Baçe, A. (1982). Qyteti antik Onhezm Saranda – Almanak 2. f. 63-66.
Ne Foto: Finiqi sot