VISAR ZHITI/*
HOTEL “INGLITERRA” KU U VRA ESENINI/
…një rrëké e kuqe gjaku/
zbret nëpër shkallë,/
unë ngjitem në të kundërt të gjakut,/
dua të arrij në zemrën e Eseninit./
Trokas në derën tragjike,/
mbështes kryet aty./
Qan, dera, qan
me lotët e mi.
I kam ruajtur që kur isha gjimnazist,
nga Shqipëria i solla, gjë tjetër s’kisha. Miku ynë
kaçurrel, biond
si thekërishtja e vendlindjes sate,
vagabond si kënga e natës, edhe hënat deheshin
nga fishkëllima jote,
qershia e qiellit shkundej, tej ndalnin dallgët
dhe kuajt e qentë dhe kuptoheshin me njerëzit,
se po këndoje ti.
Njëra nga hënat bëhej krehër për flokët e stinës,
por ti mështeknave shikoje si skuqnin plagët
e Krishtit, shiu rënkonte…
Të donte ty dhe nëna ime,
më kërkonte t’i lexoja atë poezinë tënde,
e ndiente si të sajën,
kur e pyesje: gjallë je ti… Je takuar
me nënën time, Serjozhka?
Se nënat dhe poetët janë bashkë në parajsë.
Përplasa kokën te dera jote. Vdekja
mori lotët e mi
dhe më dha mpirjen e drunjtë. Gjithë atë gjak
ia dhe poezisë,
dhe hotel “Ingliterra” është i kuqërremtë tani
dhe gratë e shërbimit flokët i kanë të kuq,
dhe netët e bardha kanë një diell tjetër të trembur,
prej gjaku,
dënes lumi Neva si venat e tua. Ti,
dhëndër tragjik ëndrrash.
Me gjak e ngjeve penën dhe shkrove
poezinë e lamtumirës,
vetëm dy strofa. E do gjakun tim për strofat e tjera,
Esenin i dashur?
Po ty të varën të vrarë… ah,
t’ia jap natës
hënëtronditur, që rreh si një zemër… Mërmëris
vargjet e tua, prapë, si dikur, si i burgosur
në qeli qiellore.
Falemnderit, më ke dhënë zemër, Vëlla i madh,
dhe tani jam unë më i madh se ti, më vjen turp,
që ike aq herët.
E pamundur të të përzinin. Ti ishe kudo, te grunoret
dhe kuajt e erës, te brigjet e trishtimit dhe zhgënjimet
si muret e dimrit, te takimet e dashurisë
me yjet që digjen në buzë, dhe çdo tetor e shmang
rrugën e vet që nga ajo ditë…
Këtu, këtu ti preve venat e poezisë sate,
me gjak poezie e mbushe atdheun,
që të donte të vrarë,
ishe bërë më i bukur nga ç’lejohej, i rrezikshëm
dhe i famshëm, engjëll
që të mbështollën me pelerinë demoni, ikonë
para topave të revolucionit, mbylle sytë prej biri,
Moti ulërinte për ty, gjithë ajo borë
për të fshirë si pambuk spitalesh
gjakun e poezisë,
e pamundur, ai kishte marrë udhët e botës. E mpiksi
i ftohti këtu, e mavijosi ngrica
si të ishte bronzi i statujave të tua të ardhshme,
jo, jo bronz heronjsh, por kristale qiellore, të pastra,
kur sapo ka zbardhur…
Do të kërkoj, dua të takohem me ty gjithandej,
të të falënderoj dua, por befas dera,
dera jote e fundit mbi tokë
përballë meje plasi si një kraharor dhe u ça gjithandej.
– Bir, thirra! Nga të çarat e derës buisën bisqe. U rritën
në çast dhe u bënë degë. Aleluja!
U bë Pylli yt dhe Shtegu yt, aleluja, Lumi dhe Flatra,
dhe Vetëtima që shkrep në Qiell Emrin Tënd…
Aleluja!
Shën-Peterburg, 02. 06. 2014
Ne Foto: Poeti Visar Zhiti ne Hotel Ingliterra, prane pllakes memoriale per Sergej Eseninin..
Shenim i Editorit:Poezia u publikua me rastin e Dites se Eseninit. Poezia -Elegji, e shkruar ne Petersburg, eshte marre nga libri “Si na erdhi ai, i ndaluari”. Po e shoqerojme me foton e poetit Visar Zhiti,dale ne Hotelin Ingliterra, prane pllakes memoriale per Eseninin…Edhe fotografia ashtu si poezia duket si e thyer nga dhimbja.