• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJT I TAKON EPITETI “HISTORIK” ?

July 2, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Pritja entuziaste, që i u bë skuadrës shqiptare të futbollit në ditën e kthimit nga kampionati evropian, qe një tregues i saktë, jo vetëm i vlerësimit të paraqitjes së saj në garën kontinentale, por edhe t’asaj që përfaqësonte ajo, në termat e shprehura e të pashprehura, të dukshme e të padukshme. Ajo veprimtari mori epitetin “historike”, pra e paracaktuar të mbetet në kujtesën kohore të vetë kombit.

Që 23 djem, të cilët dijnë të shkelmojnë topin në një fushë të blertë, bëjnë histori, tingëllon si një pohim disi i tepruar, për ata që historinë e marrin me mënd vetëm si një vazhdë e gjatë luftërash, përballimesh të çdo lloji mes popujsh, sistemesh shoqërore, qytetërimesh, si përmbysje të dhunëshme vlerash, botkuptimesh, apo përvojash jetësore bashkësish njerëzore. Për asnjë prej skuadrave pjesëmarrëse të kampionatit evropjan në tokën franceze, epiteti “historik”, me përjashtim të ndonjë të papriture, të një ngadhnjimi të bujshëm të ndonjë skuadre që nuk e ka provuar kurrë shijen e një fitoreje të madhe, nuk do të kishte kuptim. Për skuadrën shqiptare e ka. Po të thellohemi në konceptin, me një ndjenjë keqardhjeje do të vërejmë se sa e varfër është e shkuara e jonë në fushën sportive, sa që arrijmë një kamionat evropian mbas dhjetëvjeçarësh  përpjekjesh të pafrutëshme. Ky fakt, kjo arritje, përbën të veçantën, së cilës nuk mund të mos i bashkangjisim mbiemrin “historik”.

Përtej faktit sportiv që ndoshta madhnohet me të tepërt mendoj se, pjesëmarrja në fazën përfundimtare të kampionatit evropian të futbollit, pati një risì të dukëshme e tepër të rëndësishme. Ajo lidhet me futbollistët, të cilët janë shkëndija që ndez zjarrin e një dukurie, të paparë ndonjëherë në përmasa të tilla në historinë tonë. Kjo dukuri u quajt “lojtari i 12” e qe pjesëmarrja e publikut shqiptar në stadiumet Lensit, Marsejës apo Lionit, në nxitjen dhe inkurajimin e skuadrës kuq e zi. Përsiatja e mësipërme vlen edhe në analizën e kësaj dukurie, duke na dhënë një provë tjetër të prapambetjes së përgjithëshme, në të cilën jetuam si shoqëri e si komb, nga një sistem i ideuar e drejtuar nga një njeri, për të cilin ka ende shqiptarë, në ndonjë cep të Kosovës apo Shqipërisë, që përgjërohen, derdhin lot, apo i evokojnë “lavdinë”.

Një dukuri e mrekullueshme qe prania e atyre grupeve të pambaruar kuq e zi, që mbushën, në ditët e ndeshjeve, qytetet franceze. Ata qytetare e qytetarë të Shqipërisë e Vëndeve të tjera në të cilët, rënia e diktaturës shqiptare, u dha mundësinë të shkonin e të ndërtonin jetën e tyre, janë dëshmia më e mirë e mundësive të pakufizuara që blaton liria e një populli, e cila është edhe ajo e individëve të tij. Ata ish futbollistë të së shkuarës, të ftuar me zgjuarsi në selinë e Kryeministrit shqiptar, për të pritur djemtë e Kombëtares, besoj se kanë gëlltitur lotë të hidhura kur, vetvetiu, kanë krahasuar jetën e tyre sportive me atë të brezit të sotëm. Ata nuk ishin më pak t’aftë profesionalisht, madje kishte prej tyre që mund të kishin luajtur futboll edhe me klubet më të mira t’Evropës, por ishin të lidhur, u mungonte liria. Në stadiumet e huaja, kur rrallë u takonte të shkonin për të luajtur, edhe nëse do të dëgjohej ndonjë zë dashamirës shqiptari, ata duhej të bëheshin shurdhë e të verbër, sepse në të kundërt, n’atdhe i priste akuza e tradhëtisë….

Por duke u kthyer tek mjediset e gëzuara e plot gjallëri të dashamirësve shqiptarë  të skuadrës kombëtare, mes të cilëve pata fatin të isha i pranishëm në një nga qytetet më të lashtë t’Evropës, n’atë që qe djepi i hymnit kombëtar të Francës, mund të them se epiteti “historik” i takon bëmave të tyre. Historike nuk ishte vetëm pjesëmarrja  e tyre n’ata mjedise, që i detyrohej dashurisë për ngjyrat e flamurit dhe djemtë që sendërtuan “mrekullinë” e të qënit aty, por edhe mundësive praktike e materjale, që liria e këtyre 25 viteve të fundit, krijoi për ta. Ajo që ishte më e rëndësishme në këtë dukuri, të papërfytyrueshme deri një të katërt shekulli më parë, qe sjellja e atyre njerëzve n’ata qytete e në mjediset e tyre.

Mund të them, pa frikë përgënjeshtrimi, se në qendrën e Evropës, ata qytetarë shqiptarë, të mbështjellë me flamurët e shallët e kombit të tyre, dhanë leksione stili, mirësjelljeje, zbatimi rregullash e qytetërimi. Lexohej lehtë kjo përshtypje në fytyrat e qeta të ruajtësvet të rendit francez, të cilët kishin rrezikuar edhe kokën, për të përballuar përleshjet me huliganët e markave angleze e ruse, vetëm tri ditë më parë. Mesazhet e dhunës së tyre vinin nga skajet perëndimore e lindore të kontinentit, nga shoqëri më të pasura e më të zhvilluara se e jona, që dikur kishin qeverisur botën, nëpërmjet perandorive të tyre. Edhe se nuk mund të njëjtësohen ato shoqëri me idhtarët e dhunës, të cilët ishin të pranishëm në Francë, nuk mund të mohohet fakti se këta të fundit ishin prodhim i tyre. Në Marsejën e lënduar nga dhuna e tyre, shqiptarët sollën harenë e këngëve e të valleve të tyre, buzëqeshjen miqësore e korrektësinë njerëzore kudo, në lokalet, sheshet, metronë, stadiumin. Për ato pak orë i stolisën ata qytete me ngjyrat e rrobave të tyre e me sinqeritetin e fytyrave të tyre. Ata mijëra vetë krijuan në Francën e “fisnikërisë së detyruar” e në shtypin botëror, përfytyresën e Shqipërisë fisnike. Qenë çaste me të vërtetë historike, të përcaktuar jo nga luftërat e pasojat e tyre, por nga vlerat e përjetëshme të bashkëjetesës njerëzore, nga qytetërimi që buronte nga edukata, tradita, evolucioni i tyre. Ajo përfytyresë mund të quhet, pa gabuar, ndihmesa m’e madhe që i jepej Shqipërisë në këto kohë të vështira për jetën e saj politike.

Por ajo dukuri kishte edhe një vështrim tjetër, edhe më të çmuar se i pari. Ishte përbërja e atyre mijëra shqiptareve e shqiptarëve, Vëndet nga vinin e mesazhet që sillnin. Ishte një konglomerat harmonik e i bukur i Shqipërisë etnike, një sendërtim i vogël i ëndrrës shqiptare të bashkimit në një atdhe të vetëm, me simbolin e shqipes dykrenore të Skënderbeut. Fytyra të panjohura që përshëndeteshin në kalim në dy anët e rrugëve, që bëheshin menjëherë të dashura me një vështrim, një buzëqeshje, në një kor të pambaruar kurrë : “Shqipëria, Shqipëria”. Ishte diçka tepër prekës ai entuziazëm mbarëshqiptar, që përcillej nga Vendet e nisjes, Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare jashtë atdheut, SHBA-ës dhe Vendet e Evropës demokratike, një univers kuq e zi, i cili bashkohej në një zë të vetëm, në mbështetje të lojtarëve të Kombëtares, nga minutat e hyrjes në stadium e deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Mbeten të paharrueshme ushtimat e zërave të shqiptarëve gjatë lojës, brohoritjet e tyre edhe në çastet kur skuadra nuk luante mirë, ajo ngrohtësi e ato duartrokitje të pafund edhe në mbarimin e lojës, edhe se kishim humbur. Mbetet i paharrueshëm edhe trishtimi në fytyrat e tyre n’atë mesnatë të  16 qershorit në rrugët e Marsejës. Por asnjë veprim i papëlqyeshëm, asnjë fyerje, asnjë sharje, asnjë grindje edhe në metronë ku francezët vazhdonin të këndonin marsejezën. Pikëllimi për humbjen ishte i përkorët, dukej se gjente ngushëllim në praninë e njëri tjetrit, në vargun e këngës “O sa mirë me qenë shqiptar”, në thirrjet për Shqipërinë.

Ky ishte “lojtari i 12”, për të cilin Kryeministri kërkoi edhe një duartrokitje në pritjen e tij, foli, por u mjaftua me kaq. Prisnja më shumë vlerësim, më shumë thellim n’atë çfarë përfaqësuan ata mijra shqiptarë në qytetet e stadiumet e Francës. Është e vërtetë se ata erdhën aty për zbavitjen e tyre, por qëndrimi dhe sjellja e tyre qe një medalje ari në gjoksin e atdheut. Mesazhi i pahartuar zyrtarisht i tyre ishte i rëndësishëm : Shqipëria ka nevojë për njerëz të ndershëm që t’a përfaqësojnë, edhe sepse ai përfaqësim duhet të jetë në ujdi me vlerat universale të qytetërimit dhe shqiptarët i kanë vlerat e përbashkëta që janë ato të kombit të bashkuar.

Shumica e atyre tifozëve kuq e zi jetojnë në Vendet e huaja, duke krijuar imazhin e Shqipërisë në botë me punën dhe sjelljen e tyre, por kur votohet në Shqipëri atyre u kërkohet që të kthehen fizikisht atje. Është një mënyrë e tërhortë për t’i mbajtur larg votës, sa dinake aq dhe e mirëllogaritur, sepse vota e tyre nuk i shkon për shtat politikë bërësve të Vendit të tyre. Para pak kohësh PD vuri si një nga kushtet e marrëveshjes ndërpartiake votimin elektronik në Shqipëri. Propozimi m’u duk mjaft i çuditshëm, duke njohur gjëndjen e vërtetë të atdheut tim, por krejtësisht i mundur për shqiptarët me banim jashtë Vendit të tyre. Por propozimi i Opozitës nuk u shtri tek ta, do të kishte qenë në nderin e saj. Por as Kryeministri, siç duket, nuk dëgjon n’atë vesh, madje edhe kur një tjetër ish kryeministër e kërkon votën e të mërguarvet shqiptarë në kongresin e partisë së tij. Mendoj se ato shqiptare e shqiptarë që takova në rrugët e Marsejës e në Velodromin e saj, meritojnë të thonë fjalën e tyre për ata që qeverisin Vendin e tyre.

“Përralla” shqiptare e kampionatit evropian mbaroi. Do të kishim dëshiruar një përfundim edhe më të mirë, por le t’i besojmë skuadrës dhe drejtuesve të saj se, nëpërmjet punës së ndërgjegjëshme, analizës objektive e vetëkritike, do të kenë në t’ardhmen rezultatet e pritura. Ndërkaq mirënjohja e jonë e thellë i shkon asaj skuadre kombëtare që, me mundin e saj, na bëri të jetojmë çaste të paharruara entuziazmi atdhetar.

Ngrohtësia e mjediseve mbarë shqiptare, ajo frymë vëllazërimi të vërtetë që zotëroi n’ato ditë, është tregues i një kërkese të brëndëshme shpirtërore të të gjithëve për të patur një atdhe, një kryeqytet, një flamur. Ata që kanë patur për hise drejtimin e politikës së shqiptarëve në këto kohë jo shumë të kthjellta për Evropën e botën, duhet t’a mbajnë parasysh atë kërkesë e të punojnë për sendërtimin e saj, duke marrë në konsideratë të gjitha opsionet e mundëshme.

Qershor 2016                                                           Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, historik, KUJT I TAKON EPITETI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT