Nga Eugjen Merlika/
Fushata zgjedhore e vitit 2013 hyri në metrat e saj të fundit. Mitingjet e forcave politike nuk njohën asnjë pushim në të gjitha anët e një Vendi që duket se ende ruan entuziazmin e njëzet viteve të shkuara, po të gjykohet nga turmat e qytetarëve që mbushin sheshet apo sallat e takimeve dhe konferencave.
Shqipëria e sotme nuk është më ajo e fillimit të viteve 90, ndryshon në pasurinë e saj të paluajtëshme, mbasi pamja e qyteteve dhe qëndrave të saj të banimit është krejt tjetër. Ndërtimet, si treguesi më i saktë i një forme zhvillimi të një shoqërie, është një dukuri që paraqet , në vetvete, dy fytyra : atë të jashtëmen, që reklamon mirëqënien, dhe atë të brëndëshmen, të padukshmen, që lidhet me fondet, me lejet e ndërtimit, me allishverishet, me korrupsionin, me shkatërrimin e mjedisit, me mos respektimin e rregullave, me fitime të mëdha që shpërndahen në disa drejtime … Kur flitet për ndërtimet atyre u shtohen dhe elementët e tjerë të infrastrukturave si rrugët, ujësjellësat, bonifikimet etj., që, të marra së bashku, japin tabllonë e një Vendi, për të cilin politika, në këtë fushatë zgjedhore, ka dy qëndrime krejtësisht të kundërta : njëra, ajo qeveritare, duke tejzmadhuar rezultatet kërkon kapitalin e saj politik, duke i veshur vetes meritat e duke u munduar të ushqejë shpresa që, në synimin e saj, duhet të kthehen në vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Ndërsa tjetra është ajo opozitare, që kërkon t’a fitojë pushtetin, duke nxirë dhe asgjësuar gjithshka që, në vitet e shkuara, ka kryer kundërshtari politik në timonin e drejtimit të Vendit.
Rezultati është një varg gënjeshtrash që vërtiten pa pushim në mëndjet e trallisura të shqiptarëve që, ende sot, mbas gati një të katërt shekulli të tjetërsimit të sistemit, mendojnë si të gjejnë mënyrën për t’u larguar nga Shqipëria, gjë që tregon se sa pak i besojnë premtimeve të politikës, tepër bujare në këto ditë të nxehta qershori, në përshkrime mjedisesh prrallore të viteve t’ardhëshme.
Premtimet rrokin të gjitha problemet e shqiptarëve, nga qindra mijra vëndet e reja të punës deri tek rritje marramendëse rrogash e pensionesh, nga asgjësimi i taksave tek projektet faraonike të infrastrukturave apo të energjitikës deri në kufijtë e “superfuqive”. Pa hyrë në analizën e tyre, që nuk duan ndonjë zgjuarsi të veçantë për të kuptuar se i shëmbëllejnë më shumë fantazisë së autorëve të letërsisë fëminore se sa parashikimeve të shtetarëve të urtë e realistë, bën përshtypje fakti se ka një premtim, për të cilin nuk flitet fare, që mbetet jetimi i vetmuar i këtyre zgjedhjeve, të trumbetuara me kaqë zhurmë.
Është fjala për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për të cilët duket se politika ka një alergji të hershme, mbasi ndoshta, nga llogari të thjeshta shifrash kalemxhinjsh të saj, nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë, sepse nuk janë të organizuar edhe se paraqiten me disa shoqata që janë kthyer në pronësi vetiake të kryetarëve të përjetshëm, janë lehtësisht të manipulueshëm e nuk përbëjnë një pellg të madh votash. Të gjitha këto konsiderata mund të jenë të saktësuara nga logjika cinike e politikës. Ajo që nuk mund të përligjet është fakti se prej më shumë se njëzet vjetësh Shteti shqiptar, në borxh për shfrytëzimin rreth gjysëm shekulli të punës së papaguar të mijra njerëzve, të dënuar nga diktatura për krime të ndërgjegjes, megjithëse ka marrë një vendim e ka hartuar një projekt dëmshpërblimi, një projekt që në vetvete respekton një logjikë jo të drejtë, sepse nuk mban parasysh kohët e ndryshme të dënimeve, ende sot është mjaftuar me shlyerjen e një të tetës së detyrimit. Projektet “madhështore” të shumicës qeverisëse në fund të mandatit i kalojnë sipër këtij detyrimi, e shkelin me të dyja këmbët, sepse në fund të fundit këto janë “mundësitë” e shtetit, se borxhin duhet t’i a “kërkojnë Enver Hoxhës”, se të tjerët (socialistët) nuk e njohin një detyrim të tillë.
Ky është mendimi jo zyrtar, i pa shprehur haptas, por zotërues në dhomat e pushtetit të koalicionit qeverisës me përfundimin që pohova më sipër : nga tetë këste të përcaktuara është paguar vetëm një, duke shkelur paprerë të gjitha afatet kohorë të lajmëruar prej vetë përfaqësuesve të Qeverisë. Shteti ka kursyer përsëri me djersën dhe gjakun e viktimave të dhunës komuniste. Një qëndrim i tillë, tallës e sorollatës ndaj të mbijetuarve të ferrit komunist, qoftë zyrtar i maskuar nga hipokrizia “demokratike”, qoftë pasojë llogarish burokratësh të zyrave “demokratike”, akoma më keq mos njohje e problemit nga partia socialiste, ndryshon shumë pak nga brutaliteti dhe mizoria e komunizmit enverist.
Fakti që, edhe në morinë e pafund të premtimeve të këtyre ditëve, nuk thuhet asnjë fjalë për këtë detyrim madhor të Shtetit e të shoqërisë shqiptare, është tregues i një imoraliteti të theksuar, jo vetëm politik, administrativ, ekonomik, ligjor, por mbi të gjitha njerëzor. Kjo vlen për ata që qeverisin, e akoma më tepër për Opozitën ish komuniste, që shqetësohet me të tepër për pensionet e ushtarakëve, ushtrues drejtpërsëdrejti të dhunës komuniste, që kanë qenë edhe përfituesit më të mëdhenj të privilegjeve të regjimit, ndërsa heshtin me mospërfillje për problemin kryesor të ish të përndjekurve politikë. Në këtë vështrim sllogani i famshëm “të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë”, i kthyer në një parim ndikues edhe në vizionin e këtyre problemeve, është një shtrembërim i papranueshëm dhe tepër revoltues për ata që kanë kaluar dhjetëvjeçarë të gjatë të jetës së tyre në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës së kuqe shqiptare.
Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se të përndjekurve të diktaturës askush nuk po u bën një nder, se Shteti shqiptar ka një borxh që nuk është ai i nderit, por real që ka të bëjë me punën e papaguar t’atyre njerëzve, burra e gra të dënuar nga ligjet e diktaturës me privim lirije për motive politike, por të detyruar nga komandat e kampeve të punës të punonin duke realizuar e tejkaluar çdo ditë normat e përcaktuara në të gjitha proçeset e punës, duke filluar nga tharja e kënetave të Maliqit, Thumanës apo Tërbufit, në brezaret e Borshit apo fushat e Belshit, në ndërtime uzinash, aeroportesh, apo lagje qytetesh e deri në shfrytëzimin e minierave të Spaçit apo Qafë Barit. Për ato punë kolosale Shteti shqiptar nuk ju ka paguar asgjë të dënuarve, ato para janë depozituar në arkat e tij. Ka një ligj universal, të respektuar në të gjitha demokracitë, që i njeh njerëzve të konsideruar të dënuar pa baza, dëmshpërblimin për gjithë kohën e dënimit, mbas fitimit të pafajësisë. Një vendim pafajësije, për të gjithë të dënuarit e ndërgjegjes në sistemin komunist, e shpalli Kuvendi i parë i Shqipërisë paskomuniste. Kërkesa për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve është pasojë e atij vendimi, dhe mënyra si është trajtuar ligjërisht tregon se është mbajtur parasysh një minimum të drejtash. Sot edhe ai minimum rrezikon fshirjen e plotë.
Themelet e Shtetit komunist shqiptar janë të mbushur me gjakun e viktimave të tij. Mbi atë themel u ngrit godina “demokratike”. Por ende, mbas gati një të katërt qindvjeti nuk shfaqet vetëdija, ndershmëria e guximi për të pastruar gjakun nga themelet. Ai gjak, simbas logjikës kriminale ende të përligjur në një pjesë shqiptarësh, duhet të jetë si kurmi i Rozafës, çmimi për të ruajtur kalanë të pashkrehur. Kthimi i dëmshpërblimeve ish të përndjekurve, më të shumtët tani të ikur nga kjo botë , në një kohë të shpejtë e pa sorollatje të mëtejshme, do të ishte veprimi i parë në drejtim të përmirësimit të imazhit të politikës e të Shtetit. Do të ishte shenja e parë domethënëse e shkëputjes nga e kaluara, e dënimit të saj efektiv e jo të rremë. Kundërveprimi ndaj ndonjë shprehjeje apo projekti të të malluarve të diktatorit gjirokastrit për të ngritur bustet e tij, është një shashkë tymosëse për të verbërit kundrejt faktit, që Shteti dhe politika shtyjnë në kalendat greke borxhet e gjakut e të djersës së viktimave të diktaturës.
Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë moskokëçarje të madhe të Shtetit kundrejt pjesës më të dobët të shoqërisë e fakti që, në lumenjtë e propagandës zgjedhore, askush nuk tregon kurajën të ballafaqohet me problemin, qoftë edhe formalisht, tregon se sa e papërgjegjëshme dhe sa larg problematikës reale e thelbësore të këtij Vendi është klasa e tij politike. Në fakt është po e njëjta e vitit 1991, ajo e parafabrikuara nga tezat e Katovices, një mori bijsh e bijash të vazhdimësisë ramiziane, të mbrujtur nga gjiri i nënës me urrejtjen për “armiqtë e klasës”. Këtë urrejtje, në pjesën më të madhe të saj, për leverdi konjukturale nuk e shpreh haptas, por e shfaq tërthorazi, nëpërmjet qëndrimit tërësisht negativ kundrejt kërkesave, më se të ligjëshme, të ish të përndjekurve politikë.
Kryetarit të Opozitës dhe bashkëpuntorëve të tij, që valëvisin pa prerë flamujt e “Rilindjes shqiptare”, vlen t’u kujtohet se rilindja duhet të jetë, në rradhë të parë, dënimi me plot gojën e pa dyshimin më të vogël të atij sistemi që çoi në vdekjen klinike të Shqipërisë. Krahas atij dënimi bëhet i detyrueshëm shërimi i plagëve të hapura që ai la në shoqërinë shqiptare, përfshirë këtu dhe dënimin e krimeve e të autorëve të tyre. Ky proçes, që në një Vend normal e në një rrjedhë normale zhvillimesh demokratike gjatë pothuaj një të katërt shekulli, sot duhet të kishte qenë i mbyllur, duhet rihapur me forcë, duke patur në qendër të tij, pikërisht zgjidhjen e shpejtë e përfundimtare të dëmshpërblimit të ish të përndjekurvet politikë.
Ky nuk duhet të jetë objektiv i vetëm një force politike apo i një koalicioni qeverisës. Për sendërtimin e tij duhet një marrëveshje e përgjithëshme dhe e sinqertë mes të gjitha palëve. Pa këtë marrëveshje demokracia jonë do të jetë e mangët dhe rakitike, edhe nëse do të ketë arritje në fushën ekonomike, edhe nëse do të respektojë parametrat e Evropës, edhe nëse do të bëhet pjesë e saj.
Qershor 2013 Eugjen Merlika (ish i përndjekur politik)