• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUMË URIME PËR KUJTIM QAFËN NË DITËN E LINDJES!

August 15, 2020 by dgreca

Sot, sipas kujtesës së Facebook-ut, është Ditelindja e Veteranit vatran,(Vatran i Dimrit e i Beharit, quheshin në kohën e Nolit ata që nuk i ndaheshin Vatrës në të mirë e në të keq).GËZUAR DITËN E LINDJES- Kujtim QAFA!
Shumë urime prej miqëve, Vatrës, vatranëve dhe Diellit!..
.Një urim special përcillet në emër të Kryesisë së Vatrës, Këshillit dhe të gjithë vatranëve nga Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha: GËZUAR DITËLINDJEN I DASHUR KUJTIM!

HAPPY BIRTHDAY!

Filed Under: Featured Tagged With: dita e Lindjes, Gezuar, Kujtim Qafa

VATRANI KUJTIM QAFA DHUROI $ 200.00 PËR DIELLIN

March 24, 2019 by dgreca

Kur DIELLI pushoi për pak kohë nga lodhja e rrugës së gjatë tek mbushte një shekull Jetë, Kujtim Qafa, dhuroi $1,200.00. Sot, në fushatën e 110 vjetorit të Diellit, edhe pse kalon caste të vështira shëndetsore, ai nuk u nda nga dhuruesit e tjerë.

Sot, arriti në VATËR dhurata e vatranit Kujtim Qafa me banim në Detroit. Ai dhuroi për Gazetën”DIELLI” $200.00 duke iu shtuar listës së dhuruesëve bujarë të kësaj fushate kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT, për ta vitalizuar gazetën në shekullin e dytë të jetës së saj dhe për të përballuar shpenzimet e festimeve.

Nuk është e para herë që Kujtim Qafa, një nga shtyllat e VATRËS në shtetin e Michiganit, shpreh bujarinë me dhurimet e tij. Natyrisht Kujtimi nuk është i pasur, por ka shpirtin e pasur.

Kur gazeta e Vatrës”DIELLI”  po jepte shenja lodhjeje dhe për më shumë se dy vjet e gjysëm nuk u botua( Shtator 2006-Shtator 2009) Kujtimi ishte i pari që iu përgjigj fushatës që hapi Kryetari i atëhershëm i Vatrës i ndjeri Agim Karagjozi, dhe editori i sotshëm, që sapo e kishte marrë DIELLIN, Kujtim Qafa ishte ndër të parët që dhuroi $1,200.00.Pat nga ata që premtuan, por harruan të dhuronin, Kujtimi e mbajti fjalën.

Fjalët janë të pakta për t’i shprehur mirënjohjen e VATRËS dhe Gazetës së Saj “DIELLI”, por duke marrë hua nja fjalë nga fjalori i  Vatranëve të fillimshekullit të shkuar, Kujtim QAFA meriton Përhirimet e Vatrës.

Faleminderit i nderuar Atdhetar!

Filed Under: Opinion Tagged With: Kujtim Qafa

HISTORI VATRANESH

September 9, 2015 by dgreca

Kujtim Qafa: Atdheu Detyrë e Përditëshme /

Ne Foto:Anetari i Keshillit te Vatres, Kujtim Qafa (djathtas) me kryetarin e Vatres dr. Gjon Buçaj, ne nje veprimtari te Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA”/

1-Skuadrat e Futbollit “Stamford-Albanians” dhe “Besa”

Pas maratonës së emigrimit në Itali, familja jone udhëtoj për në tokën e premtuar, Amerikë. Një mik i familjes, Pjetër Kimeza na priti. U vendosëm në Stamford. Fillimi si për të gjithë, ishte i vështirë dhe për ne. Kërkesa e gjuhës dhe e punësimit ishin primaret. Pasi u stabilizuam fillova me mendu se çfarë mund të bënim për të mbajtë gjallë traditën e familjes. Shikova që kombet tjera përfaqësoheshin dhe njiheshin sipas traditës së futbollit. Duke qenë dhe pasioni i rinisë, vendosa që të ngrinim një ekip shqiptar të futbollit që dhe ne të përfaqësoheshim si kombet tjera. Kështu që në vitin 1970, ideja për ngritjen e një ekipi futbolli u bë realitet. Sëbashku me disa atdhetarë të tjerë vendosëm ta quanim ekipin e ri, “STAMFORD-ALBANIANS”. E regjistrova ekipin me këtë emër dhe filluam  provat. Lojtarët ishin nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike: Zeqir Gjini, Avdi Gjini, Hasan Bajram Ukperaj, Can Mal Dushaj, Ahmet Nezaj, Sherif Sejdiu, Gjon Hoti, Gjon Junçaj, Nik Lulgjuraj, Zef Cuni, Dede Nikollaj, Martin Mërturi, Simon Qafa, Nik Lumaj, Pjetër Micakaj.

Respekti për njeni-tjetrin ishte në standartin më të lartë vëllazërore.

Në Janar te vitit 1973, për arsye pune vendosemi familjarisht në Detroit. Detroiti qe më tepër familjar se Stamford. Familjariteti shqiptar qe më i kompletuar. Pas largimit tim nga NY, ekipi i futbollit “Stamford-Albanians” pushoi aktivitetin. Ndjeva një farë turbullimi, pse shokët atje nuk e mbajtën pas largimit tim skuadrën në fjalë?

Njohja me Shqiptarët në Detroit  qe e mënjihershme, duke pasur parasysh se disa i ritakova përsëri si Pjetër Micakaj etj…Njohja me bashkatdhetarë të tjerë si: Mark Micakaj, Lucë Lulgjuraj, Gjelosh Nikprelaj. Impresioni im ishte njohja me Gjon Lulgjuraj. Ai qe në pararojë  e një të reje, e cila i mungonte komunitetit, Radio.

Gjoni kishte filluar me transmetu me emertesën, “Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit” Njohja me Agim Bardhen, qe një gëzim plus, se bahej fjalë për shpirtin binjak si familje tradicionale të persekutuara nga regjimi i Enver Hoxhës. Takimi me Ndue Malote Lulgjuraj dhe me të vëllanë Vaselin ishte një plus në shoqërinë e krijuar. Pas njohjes me këta atdhetarë, më lindi dëshira që punën e lënë përgjysëm në Stamford ta vazhdoja në Detroit. Më parë në Detroit, kishte ekzistuar ekipi me emrin “Skenderbeu”, po ishte diskualifiku. Mbasi u mblodhën edhe  zotni të tjerë në shoqninë tonë krijuam ekimin “Besa”, ku nji zëri e aprovuam, duke pasë parasysh dhe definicionin e fjalës Besë. Pasi u kryen të gjitha formalitetet ligjore, në Shkurt të vitit 1974, u mblodhëm për të vendosur trajnerin e skuadrës tonë. Deri ato momente ishim pa të. Duhej një trajner profesional. Në atë mbledhje u paraqit Ninosllav Berishiq. Baba i Ninos qe shqiptar dhe nana malazeze. Ai kishte lind në Shkodër. Dhe pse kish lind në Shkodër, ai vetë thoshte se ishte malazez. Vendosëm Ninon trainer të ekipit duke pasë parasysh se ai kishte qenë futbollist dhe e njihte futbollin më mirë se ne.

Fillimi nuk qe i suksesshëm. Megjithë vështirësitë financiare, Ninon e paguanim 600 dollarë në muaj, dhe këto para më vonë u prenë për arsye se nuk kishim fonde. Ai u largua pas ndalimit të pagesës për tu kthyer përseri pa pagesë, pasi skuadra mori emër të mirë pas disa fitoreve rrallazi. Mbase me emrin e Berishiqit skuadra jonë mori dhe një emër jo të mirë, duke pasun parasysh se Nino ishte hapur pro-Jugosllav.

Megjithse të rinj në moshë, shpesh herë vrulli rinor nuk bën diferencimin si në rastin e Ninos, jo rrallë na nervozonte me broçkulla, ne gjenim kurajon për ta falur, meqë atdheun tone të dashur nuk na e prekte. Vitin e dytë, ekipi jonë u fut në elitën më të lartë të futbollit, megjithëse Liga nuk na donte për shkak të skuadrës mëparshme “Skenderbeu” që nuk kish lënë një emër të mirë. Përpjekjen për suspendim tonë nuk u ecën kundërshtarve tanë. Loja e skuadres “Besa” u tregoi dhe kombeve të tjera që dhe Shqiptarët ekzistojnë në Amerikë, krahas atyre. Në dy vite skuadra e jonë nuk kish humbur asnjë ndeshje. Krenaria qe e madhe për ne qe përfaqesonim shqipërinë etnike me emrin “Besa”. Megjithëse disa nga lojtarët tanë nuk dinin mirë serbisht dhe nuk e kuptonin shpesh herë trainierin, i cili fliste serbisht, skuadra jonë pati suksese. Suksesi i jonë i dytë ishte se dhe Nino, mësoi shqip dhe e gjithë skuadra fliste gjuhën amtare.

Në Shkurt të vitit 1976, lindi ideja që të shkonim një turne në Jugosllavinë e atëhershme, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte në izolim të plotë, dhe nuk na lejonin,ose po të shkonim, gjysma do të perfundonte në burg. Me tregu të vërteten, në mendjen time kish zënë vend nji sfidë. Kjo sfidë qe, për me i tregu Jugosllavisë, se shih çfarë bën nji komunitet i vogël shqiptar në emigrim, po sikur Shqipnia të ishte e hapur dhe të bashkohej, cfarë do të ndodhte? Mrekullia e Zotit do të pushtonte kombin tonë.

Në Shkurt të vitit 1977, si sekretar i K.F.Besa, udhëtova për në Jugosllavi, për të biseduar për organizimin, ku do të zhvilloheshin ndeshjet, me të cilat skuadra dhe akomodimin e skuadrës gjatë turneut tonë.

Mbledhja u zhvillua në Prishtinë me datën 23, Shkurt 1977. Përfaqësuesi i Kosovës ishte z. Zija Novoberdalia. Morën pjesë dhe përfaqësues të Serbisë, K. Nezheviç, i Malit të Zi, Sharo Brajoviç, kurse përfaqësuesit nga Vojvodina nuk ja mbaj mend emrin, i cili sipas psikologjisë time ishte njeri pa sherrina, jo si përfaqësuesi Serb. Në këtë takim, përfaqësuesi i Serbisë këmbënguli që ndeshja e parë të mos zhvillohej në Serbi, e kështu me rrallë, të gjithë përfaqësuesit kërkonin që ndeshja e parë të mos zhvillohej në republikat e tyre! Zija Novoberdalia, një burrë i matur dhe i zgjuar i tha të pranishmëve që takimi i parë do të zhvillohej në Kosovë, duke pasur parasysh se ekipi qe shqiptar. Ndeshjet e para i humbëm me skuadrat e Kosovës “Liria e Prizerenit” me rezultatin  gjashtë-zero, dhe me skuadrën “Obiliq” katër-zero. Ne Mal të Zi u zhvilluan tri ndeshje, të cilat i humbëm që të trija. Me skuadrën e Ulqinit humbëm dy-zero, me “Iskra”, dhe me skuadrën e Tuzit “Deçiqit” katër me nji.

Takimi në Vojvodinë qe i njëjtë, me humbje, me skuadrën “Bella Crkva” me rezultatin katër me dy. Takimi me skuadrat e Serbisë qenë të fundit. Ndeshja me ekipin e “Radniçki” përfundoi tre me dy në favor të “Radniçkit”. Ndeshja e lamtumirës qe me skuadrën e rangut republikan “Teleoptik”, e cila perfundoi në favor të vendalive me rezultatin tre-dy. Pas këtij takimi u zhvillua një darkë, ku mori pjesë dhe artisti me famë botrore: Bekim Fehmiu dhe Faruk Bekolli.

Ato ditë iu propozue ekipit “Besa” me vendos një kunorë në shenjë nderimi tek “Ushtari i Panjohur”, dhe ne e vendosëm. Tash, ajo fotografi e vitit 1977 qarkullon si hekuraç minjësh për me kallzue se ajo kunorë a vu tek vorri i Titos! Por, Tito, vdiq  më vonë, në vitin 1981, e skuadra “Besa”nuk ka luajtur më pas vitin 1977 në Jugosllavi. Më vjen mirë që këtë sajesë nuk e thotë asnjë patriot, por bash minjët e Serbisë dhe të Enver Hoxhes, që unë kam qenë dhe jam kundra tyre të pabesve, që dhe sot, i vjen erë e qelbun tradhti! Tek varri i Titos, kanë shkuar ca sahanë lëpirës të tjerë që po të dëshirojnë ua qes emrat…

Siç e shikoni, skuadra jonë nuk pati suksesin e pritur në ndeshjet e mësipërme. Mungesat e mëdha që kishim si nga ana financiare, drejtuse dhe pregaditore qenë pasojë e prezentimit tonë. Klubi “Besa”, pas turneut në Jugosllavi krijoi një çarje. Disa të entuziazmuar nga pritja, filluan të propogandonin për Jugosllavinë. Këtu filloi dhe distancimi im me klubin që bash unë e kisha emëruar! Vendosa të largohem. Një mik i imi, Gjergj Lulgjuraj, më tha që mos të largohesha: “Po i qesim tanë pro-sllavët jashtë e po e bëjmë rishtas skuadrën”. Vendimi im qe i prerë mos me u kthy kurrë më në atë skuadër ku rrëshqiti në nji vorbull të mbrapsht. Kjo skuadër u shkërmoq pesë apo gjashtë vite më vonë .

2-Radio

Njohja më Gjon Lulgjuraj siç e ceka më lart, pati një lidhje vlerash dhe për hir të çështjes kombëtare. Radio “Zëri i Komunitetit” ishte më të vërtetë një punë e vlefshme. Mora pjesë në një sere demonstratash kundër Jugosllavisë dhe kundër rregjimit komunist shqiptar. Disa prej atyre “patriotëve” që hiqen si kombëtar të mëdhenj sot, jo vetëm që nuk u çuan kundër rregjimit komunist shqiptar, por e përkrahën atë dhe në 97, duke punuar  kundër qeverisë së brishtë demokrate dhe frymëzuar derdhjen e gjakut mbi 3800 viktima të pafajshme…Patriotë janë këta? Mos o Zot ma keq! I kisha lutur me ndejtë urtë se më duket i ka ardhë koha me i çjerrë maskat e tyne. Ne vitin 1987 e mora përsipër Radion dhe e udhëheqa vetë me shpenzimet e mia deri në vitin 1992. Dhe sot e kësaj dite falemnderoj, Ekrem Bardhen per 1000 dollarë që më ka ndihmuar dhe Gjergj Dedivanaj me reklamën e biznesit dhe për bashkëpunimin e mëparshëm ne Radio. Falenderoj gjithashtu dhe Shtjefën Berishen. Une, Gjon lulgjuraj, Julian Cefa, Col Pashku dhe Gjergj Dedivanaj vazhduam programin për të ndihmuar kombin dhe kundërshtuar politikën e ndyrë Jugosllave që kishte zënë vend në Michigan.

Lajmet bazoheshin nga informacioni i AP dhe UPI. Radio Vatikani dhe Zëri i Amerikës. Pas largimit të Gjonit, vendosa ta drejtoja vetë programin duke menduar se ishte koha për të ndihmuar zhvillimet progresive ne Kosovë dhe Shqipëri. Ne këtë program u përcollen të gjitha ngjarjet historike që u zhvilluan ato vite…U intervistuan shumë personalitete te Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë trazirave ne Kosovë 1989, korrespondenti i Radios u bë Sali Kabashi, veprimtar për të drejtat e njeriut Kosovë-Slloveni. Gjithashtu, nga Radio Prishtina, kisha korrespondent te famshmin  Mehmet Aziri dhe bashkpuntorin Lekë Musolli. Nga Shqipëria, korrespondet i Radios qe Frrok Cupi, i cili mbulonte  gazetën e parë demokratike “Rilindja Demokratike” në Shqipëri.

3-Përpjekja për Liri

Në fundin e vitit 89 nga fillimi e 90, bëra të mundur sjelljen e Sali Kabashi dhe Jasha Zllobec, të cilët me ndërhyrjen e Z.Ekrem Bardha dhanë dëshmi para Departamentit të Shtetit Amerikan. Ata u takuan me kongresmenë dhe senatorë. Takimet qenë të sukseshme për sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Para largimit, miqtë e nderuar i ndihmuam me një shumë prej 10,000 dollarësh per organizatën e tyre.

Fill pas atyre takimeve, Ambasadori Warren Zimerman, akredituar në Beograd, jep një deklaratë bombë, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Rasti i deshmisë së Z. Ekrem Bardha para Kongresit Amerikan, në rastin e Pjetër Ivezaj, dhe rasti i dëshmisë së Zotërinjve, Kabashi dhe Zllobec para Departamentit të Shtetit, ishin çelsi i hapjes së dyerve dhe njohjes së problemit të Kosovës. Rastet e mësipërme tërhoqën vëmendjen e Shtetit Amerikan, të cilët hapen rrugë për të pritur dëshminë e Z. Ibrahim Rugova, dhe Anton Kolaj para Senatit dhe Kongresit Amerikan.

Pas këtyre ngjarjeve historike, marr një ftesë në qershor të po atij viti…nga Sali Kabashi, në nji vjetorin e “Këshillit për të Drejtat e Njeriut” dhe shoqatës “Migjeni”, të drejtuar nga Naim Maloku. Merrnin pjesë akademikë, artistë, historianë, këngëtarë e tjerë. Duke shfrytëzuar këtë rast, në Hotel Holiday kemi biseduar me Gjeneral. Tom Berishaj, për një mundësi të shpejtë për formimin e njësive mbrojtëse në rast nevoje. Në ketë bisedë ishte i pranishem dhe Naim Maloku, më vonë komandat i UCK-së. Pas takimeve me liderë të Kosovës, vizitova Dr. Tomë Berisha, i cili më dhuroi dy karta antarsie të “Lidhjes Demokratike” të shqiptarve në Kroaci. Kartat ishin me flamurin e kuq dhe pa yll. Në muajin korrik-gusht të 90, sëbashku me Dr. Dom Lush Gjergji, profesorët Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Anton Ceta, morëm pjesë në Tuz, me festu 20 vjetorin e “Besëlidhja e Malësisë” njëzet vjet pa u vra asnjë shqipëtar. Policia Jugosllave ishte e pranishme në çdo qoshe. Shumë fjalime e urime e mbushën me jetë e shpresë atë takim. Vlen për tu theksuar, se një patriot i quajtur, Lush Nucullaj ishte arrestuar pasi kish tentuar të sillte në atë takim flamurin tonë shqiptar. Pas takimit, organizuesit kishin pregaditur një darke tek “Kroni i Traboinit”. Me këtë rast, në fjalën time falenderova orgnizimin dhe organizuesit për këtë eveniment historik. Aty merrte pjesë dhe Bajraktari i Grudës, Gjeto Ivezaj. Bisedat qenë të ndryshme me sens kombëtar dhe familjar. Në skenë dolën një grup valltarësh kuq e zi. Tom Berisha, thotë: “Eh, sikurë të kishim një flamur?!” Unë menjëhere u përgjigja, “Flamurin e kam në gji!”-“Mos luej me mue bre…” Unë qesha dhe nxora flamurin prej gjoksit që e kisha dhe e shpalosa. Më i bukur dukej flamuri në dekorin e valltarve. Ai e mori flamurin dhe e ngriti mbi krye. U bashkua me të rinjtë. Zemra m’u ba mal. Aty ishin dhe Lekë Lulguri, Gjeto Ivezaj dhe Vasel Gjonaj. Z. Lekë Lulguri u shpreh: “Duhet ta kishim pasë flamurin dhe në Tuz!”

4-Levizja Demokratike në Shqipëri.

Pas themelimit te Partisë Demokratike Shqiptare, para zgjedhjeve të para pluraliste ne Shqiperi, mendova që të shkoja ne atdheun tim për të kontribuar sadopak për fitoren e demokracisë. Tatiana Luçi, më njohu me Kryeredaktorin e RD-së, Frrok Cupi, i cili me mundësoi takimin me Dr. Prof. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Folëm për ndryshimet në Shqipëri dhe u afrova bashkëpunimin tim për çështjen e demokracisë.

Pikërisht, me ftesë të Sali Berishajt, unë u nisa për në Shqipëri. Atje erdhi dhe Gjeto Ivezaj dhe Dode Ivezaj. Para se të nisesha ne Shqipëri, bisedova me Kapedanin e Mirditës, Ndue Gjon Markaj, i cili ishte Kryetar i “Blokut Kombetar Indipendent”. Ai delegoi për Shqipëri nga përfaqësues të këtij Bloku: dr. Gjon Buçaj, Gjon Kadeli, Viktor Darragjati.

Meqë isha i ftuari personal i Sali Berishës, ai më priti në Hotel Tirana. Berisha ishte i shoqeruar nga Azem Hajdari, Genc Pollo dhe Arben Imami. Me buzëqeshjen karakteristike dhe dashurinë e një vëllai m’u drejtua: “Kujtim! Ja ku eshte Arben Imami, bashkpunoni me njeri-tjetrin, dhe dua fitoren Puke–Mirdite!” Fushata filloi e ashpër, por jo si në vitin 1991 që u martirizuan katër antarë të PD-së në Shkodër…

Radion e kisha lënë në dorën e Julian Cefës dhe Shtjefën Berishës. Informacionin e percjellja përditë për në Radio. Ishte një kohë që nuk do ta harroj kurrë. Njerëzit na prisnin me brohori, me dashuri, me lotë ne faqe. Ne flisnim nga zemra pse duhej ndryshimi. Të them të drejtën nuk dita ti dalloj moshat e tyre dhe me vinte keq ti pyesja. Ata dukeshin shumë më të vjetër. Nganjëherë gëlltisja lotët përbrenda kur degjoja historitë e tyre, megjithëse historia e familjes se Qafajve ishte po aq e dhimbshme sa e disave prej tyre. Fitorja e Partisë Demokratike ndaj komunizmit gjakatar na bëri me krahë. Grupi jonë i kryesuar nga Arben Imami, fitoi katër deputetë në Mirditë dhe Pukë.

Takimin e fitores e bëmë tek hotel Tirana. Aty merrnin pjese: Ekrem Bardha, Gjeto Ivezaj, Dode Ivezaj dhe Lek Lulguri.

Pasi u ktheva ne Miçigan, mendova që ta mbyll radion. Misioni im per informimin kishte kryer, duke pasur parasysh se demokracia në Shqipëri kish fituar. Vetë qeveria demokratike do të kryente misionin e vet historik duke i dhenë një shtytje ringritjes të popullit Kosovar për rivendosje. Me presidentin Rugova pata marrdhënie shumë të mira dhe me personalitete tjera të Kosoves dhe Shqipërisë, duke u gjindur në çdo moment ku ishte nevoja për çeshtjen e madhe kombëtare. Organizata Vatra, qe djepi qe më përkundi ndër vite. Sot e kësaj dite, pjesmarrja ime në këtë organizatë të nderuar ka influencuar në qënien time dhe ka ndihmuar ne vizionin për të ardhmen…

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Atdheu, detyre e perditshme, Histori vatranesh, Kujtim Qafa

Reagim ndaj disa reagimeve ne Gazeten ILLYRIA

June 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kujtim Qafa duke intervistuar Kryetarin e Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi  per ACTV, Prill 2013/

Nga Kujtim Qafa/

Në gazetën “ Illyria” të datës 21-23 Maj 2013, për shkrimin me titull “ Ekrem Bardha: Si organizova viziten e parë të Berishës në SHBA, 1991?”, pati disa reagime. Reagimet vijnë nga interesi i madh që ka pasë për të vërtetën e kësaj vizite, që përbënte kthesen historike të Shqipërisë për daljen nga dara komuniste e stalinizmit shembullor të regjimit diktatoril hoxhian. Disa shqiptarë të New Yorkut me rrethina thanë se Zoti Bardha nuk ka thënë të vërtetën?

Cila është e vërteta e kësaj vizite?

Unë, Kujtim Qafa jam një ndër protagonistët kryesor të kësaj ngjarje, që Zoti Bardha e vë në dukje në prononcimin e tij, bash ashtu siç ndodhi. Në fillim të muajt shkurt 1991, z. Bardha thirri një  grup shqiptarësh nga Detroiti për të biseduar rreth sjelljes së një delegacioni ( delegacionit të parë ) demokratik nga Shqipëria. Pas disa takimeve, u vendos që në SHBA të ftohen dy figurat eminente të Partisë Demokratike ( sapokrijuar) Dr. Sali Berishen dhe ekonomistin e njohur, Gramoz Pashko. Shpenzimet e tyre do t’i mbulonte  z. Bardha e, ne, më vonë, do t’i kthenim në njëfarë përpjestimi këto shpenzime, gjë që sot e kësaj dite nuk ka ndodhur. Shpenzimet prej 12 mijë dollarësh, Ekremit nuk iu kthyen asnjëherë.

Vetiu lind pyetja: Kush tjetër ka paguar, qoftë edhe një dollar për këtë vizitë? Është absurde të mendosh e, për më keq, të shprehesh e dyshosh për një gjë që mbahet mend, nga përjetimet që pati ajo vizitë. Kush nga New Yorku e solli këtë delegacion e kush u kujtua t’a sillte? Kush pagoi për këtë vizitë, veç Ekrem Bardhës?

Në mbarim të muajit shkurt, z. Bardha, dhe unë u nisëm për në aeroportin J.F.K, ku do të bashkoheshim me vëllezrit Bytyçi, Skender Perollin e disa shqiptarë të tjerë, për të pritur delegacionin  nga Shqipëria, tanimë e liruar nga vargonjët Stalinist që  Ameriken e quanin armikun me të madh, ose xhandarin ndërkombëtar të botës. Takimi i vetëm i bërë në New York me disa nga shqiptarët e  atjeshëm është mbajtur në Resorantin e vëllezërve Bytyçi në Manhatan. Të nesërmen u nisën për Washington, z. Bardha së bashkut me delegacionin dhe z. Perolli, kurse unë jam kthyer në Detroit për të organizuar pritjen e këtij delegacioni disa ditë më vonë.

Nuk është puna se z. Bardha pagoi shpenzimet e këtij delegacioni, por edhe koha e angazhimi i tij për takimet në Washington kanë qënë në rend të parë, të cilat i mundësonte njohja e tij me  kongresmenë  e senatorë  të këtij vendi, ku demokracinë e ka gjënë më të shejtë!

Ekremi, jo vetëm ka sjell këtë delegacion, por edhe disa delegacione të tjera, jo vetëm që ka ndihmuar për demokratizimin e Shqipërisë, por ka ndihmuar dhe për Pavarësinë e Kosovës.

 

*Shenim i redaksisw: Kujtim Qafa, pas krijimit të Partisë Demokratike, në Dhjetor të vitit 1990 dhe, pas daljes së numrit të parë të Gazetës “ Rilindja Demokratike” u njoh së pari me Frrok Qupin, kryeredaktorin e kësaj gazete, të cilit i kërkoi të bashkëpunonte me Radion që e drejtonte ai, “ Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”. Kjo mundësoi që Kujtim Qafa të bënte intervisten e parë me Dr. Berishen dhe Gramoz Pashkun, para se të udhëtonin për SHBA. Më vonë, Kujtimi me Ekrem Bardhen dhe Gjeto Ivezaj do të ndihmonin zgjedhjet e njohura të 22 Marsit 1992, ku u mundësua fitorja plebishitare e Partisë Demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Illyria, Kujtim Qafa, reagim ndaj gazetes

Artikujt e fundit

  • 23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…
  • VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS
  • Në st. Gallen të Zvicrrës u promovua libri që i kushtohet 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë gjakatare!
  • SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK
  • VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN
  • “Gjergj Kastrioti Skenderbeu Way Honors the Old and New Generation of Albanians,” Petitioners and Worcester Councilors Say
  • Dorëheqja si proces vetëdijësimi
  • Ndërthurrje mitesh
  • “Çfarë populli mendojnë ata se jemi ne…” Winston Churchill
  • ZERI I AMERIKES: DASH: Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media dhe korrupsioni, problemet kryesore në Shqipëri
  • FAQE ARKIVI: Reportazhi nga kufiri Kosovë-Shqipëri “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”- Mars 1996
  • Tri objektiva të rëndësishme që duhet t’i arrijë Kosova
  • RRËFIME TË VEPRIMTARISË KOMBËTARE TË EKREM BARDHA
  • DOJA TË ISHA DHE UNË…
  • DASH godet ashpër Serbinë për diskriminimin e vazhdueshëm shtetnor e institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT