“Doje dritë o qiell, more dritën time
Dhe m’a mbushe jetën plot me hidhërime”/
Nga Eugjen Merlika/
Këta vargje na vijnë ndërmënd instiktivisht, kur përballohemi me humbje të mëdha njerëzore, në rrafshin vetiak, kur ndahemi nga njerëzit e zemrës, me të cilët na bashkon lidhja e gjakut, familja, por edhe miqësia, shoqëria. Përdora shprehjen “humbjet e mëdha”, ndoshta jo shumë të motivuar, sepse largimet nga kjo jetë, edhe pse përbëjnë dukuritë më të zakonshme e më të sigurta të vetë qënies njerëzore, i përjetojmë gjithmonë me dhimbje e trishtim. Por edhe vetë vdekjet, në tërësinë e tyre të pashmangëshme si dukurí, kanë ndarjet e dallimet e tyre. Në këtë vështrim, ato mund të jenë më shumë apo më pak të dhimbëshme, goditëse, traumatike, me pasoja. Dhimbja që shkakton vdekja e një njeriu në moshë të madhe, mbas një jete të kaluar në caqet e natyrshme të një ekzistence të qetë, nuk mund të jetë e barabartë me atë të një tjetre që vjen aksidentalisht apo si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme që ndajnë nga gjiri i familjes njerëz në dhjetëvjeçarët e parë të jetës. Është kjo logjika parake e një dukurie, bashkëshoqëruese e parë e historisë së njerëzimit.
Ky arsyetim më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetë të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.
Si të gjithë shoqet e shokët e saj, fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj.
Por fëminia e atyre fëmijëve ishte një kalvar i gjatë dhimbjesh e mundimi, që duhet të rëndojë jo vetëm mbi ndërgjegjet e krimbura të atyre që ndërtuan “socializmin” në Shqipëri. Ata fëmijë u privuan nga gjithshka që sillte gaz në fytyrat e tyre të njoma, që nga lodrat e deri tek studimet. Në moshën dhjetëvjeçare Manjolës i mungoi babai, që duhej të plotësonte numurin e skllevërve të dënuar për të nxjerrë mineral në minierën e Spaçit e jeta i ktheu faqen e saj t’errët, të dhunës, të padrejtësisë, të krimit. Është një krim, madje tepër i shëmtuar, të shkëputet me forcë nga krahët e një fëmije babai i pafajshëm, edhe mbas 35 vjetësh të mbarimit të luftës së dytë botërore, në emër të “luftës së klasave”. Për këtë krim, në gjithë Evropën, ishin t’aftë vetëm komunistët shqiptarë. Çfarë lavdie!
Sot Manjola ka pushuar së luftuari…. Një jetë lufte, me guximin e një heroine, vajza e Gradishtit e kishte filluar që fëmijë e fati desh t’a vazhdonte dhe atje, në botën e ëndrrave, në New Yorkun e demokracisë së madhe. Këtu si fëmijë, e rritur me ushqimet e racionuara, mbi të cilat duhej të kursente për t’i a çuar babit në burg, i duhej të luftonte me padrejtësinë, me të cilën ballafaqohej çdo ditë, duke ndjerë mbi krye ndonjë dorë përkëdhelëse të njerëzve të familjes e duke ëndërruar kthimin e babit në shtëpi, ashtu sikurse shumë shoqe e shokë të saj, të cilëve “shteti i proletarëve” u vrau fëmijërinë me burgosjen e baballarëve. Kur babai u kthye në shtëpi, Manjola qe një adoleshente plot hir që fillonte t’ëndërronte në vetvete një tjetër jetë nga ajo e barakave të Gradishtit.
E kërkoi atë jetë, së bashku me familjen, jashtë Atdheut, që për ta qe njëjtësuar me baltërat e Myzeqesë e me fytyrat e policëve. Familja shkoi në Itali e, më pas, n’Amerikë. Filloi nga zeroja, si mijra familje shqiptare, rrugën e saj, por lirija i dha flatra Manjolës që studjoi, punoi, arriti një mirëqënie e krijoi një familje. Krijoi një familje, në bazë të së cilës ishte jo thjesht dashuria, por adhurimi i ndërsjelltë, me një bashkëshort bashkatdhetar, por që fatmirësisht nuk kishte patur një fëmini “ të djegur”. Nga kjo dashuri lindën Ana dhe Ema, dy engjëllushe që i dhanë jetës një kuptim të ri.
Atëherë kur jeta dukej se kishte hyrë në hullinë e saj të normalitetit, madje të mirëqënies në një shoqëri të lirë, “sëmundja e shekullit” do të trokiste në derën e dy motrave. Ndoshta eterniti, që mbulonte barakat e fëminisë së tyre, shtrinte dorën e tij të zezë edhe atje larg, në New Yorkun e Statujës së Lirisë. Filloi një tjetër betejë, këtë herë jo me shtetin kriminal, por me sëmundjen kriminale. Shtatë vjet betejash me përbindëshin modern të padukshëm, ku vullneti për t’a mposhtur atë nuk u mpak deri në çastin e fundit, treguan brumin prej të cilit ishte formuar Manjola. Shtatë vjet luftë me sëmundjen, për të dalë fituese, që vajzat të rriteshin e “të mbanin mënd fytyrën e nënës”, kur ajo një ditë do të fluturonte në qiell.
Kjo ide, sa e madhërishme në vetvete aqë dhe prekëse në madhështinë e saj, u bë lejtmotivi i betejës së saj të jashtzakonëshme për jetën. Për fat të keq, jo të gjitha betejat për jetën njerëzore fitohen, pra të gjithë duhet të jemi të pregatitur edhe për humbjen. Por edhe humbja ka pjesën e saj të fitores dhe është mënyra si humbet. Manjola nuk qe një humbëse, në luftën e saj të pabarabartë me të keqen. Ajo nuk u ligështua, nuk hoqi dorë nga ëndrrat, nga projektet për jetën, e sfidoi vdekjen deri në çastin kur qelizat e trupit nuk riprodhoheshin më, fitoi moralisht mbi të. Në këtë betejë të gjatë ajo pati gjithmonë pranë familjen e saj, bashkëshortin, fëmijët, prindërit, familjet e vëllait e të motrës, kushërinjtë e njerëzit e afërm. Ajo pati në anën e saj lutjet e shumë njerëzve, bashkudhëtarë të rrugës së mundimeve të së shkuarës, shokë, miq të familjes, që i dhanë kurajo e forcë në këta shtatë vite të gjata lufte me të keqen. Pati edhe fjalën e fundit të shkencës, sa i përket ndërhyrjeve kirurgjikale e mjekimeve, por të gjitha këto nuk mjaftuan për të evituar tragjedinë, sepse e tillë duhet të quhet ndarja nga jeta e një gruaje 44 vjeçe, me një familje të re, me dy vajza të vogla, me një dëshirë të pafund për të jetuar, me…
Sot është një ditë e hidhur për të gjithë ata që shoqëruan edhe me mendim e shqetësim kudo travajën e Manjolës, është një ditë trishtimi të zi, që na sjell ndërmënd vargjet e mrekullueshme të Çajupit, sepse Manjola me hirin, virtutet, e gjallërinë e portretit të saj, rrezatonte dritë, shpresë e mirësi. Ato do të mbeten të skalitura në kujtesat e atyre që e njohën, që ndanë me të një pjesë të jetës, dhimbjet, luftën, shpresat, lutjet.
Kjo është jeta njerëzore, me misteret e të panjohurat e saj, ku logjika normale nuk arrin të depërtojë, ku e vërteta absolute përmblidhet në një koncept, në dukje të thjeshtë : “Njeriu lind, jeton dhe vdes – kjo është me pak fjalë historia e njerëzimit”.
Duhet të përpiqemi t’a pranojmë të gjithë këtë ligj të botës sonë, edhe atëherë kur vdekja ka një fytyrë përbindëshi si në rastin e Manjolës. Është shumë e vështirë t’u a bëjmë të njohur e të pranishme këtë të vërtetë rrënqethëse dy krijesave të vogla, Anës dhe Emës, që sot përcollën në qiell mamin e tyre. Ndoshta sot ky është misioni i vërtetë i atyre që do të përcjellin në banesën e fundit luftëtaren e pamposhtur …..
Itali, 1 qershor 2013