Shqipëria u paraqit denjësisht në këtë ngjarje të madhe sportive/
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada/
Montreali, si shumë qytete të Amerikës së Veriut është në vetvete një OKB teksa këtu jetojnë (pothuajse…) të gjitha kombet që përbëjnë të famshmen OKB e nganjëherë edhe kombe që nuk e kanë marr ende statusin anëtar. Kjo larmi, që është një pasuri më vete, reflektohet në shumë sektor por sidomos në kulturë, muzikë, restorante dhe në mediat e komuniteteteve përkatëse. Si kanadez, ne jemi krenar me atdheun e adoptuar por nuk mund të harrojmë traditat më të mira të atdheut natyral e ndër këto tradita që na bëjnë krenar është futbolli, kjo lojë magjike që duhet thënë se ka filluar të bëhet gjithnjë edhe më interesnate në Amerikën e Veriut ku dominojnë hokeji, basketbolli, futbolli amerikan dhe bejzbolli.
Një kupë kombesh?
Ideja e një kupe futbolli që të mbledhi 8-9 ekipe ishte rrjedhë logjike pas disa vitesh të një kupe për shqiptarët e Montrealit por, pas një ndeshje miqësore mes emigrantëve shqiptarë dhe atyre kamerunez, shumë nga pjesmarrësit më kërkuan të rimblidhemi me 3-4 ekipe. Por kur mendon tre-katër ekipe, thua, pse jo 8 ekipe? Por, të thënit dhe të bërit shpesh rrinë larg…
Argëtim dhe bamirësi …
Duke diskutuar me miq të mi që kanë eksperiencë në organizim aktivitetesh, ideja e bashkimit të argëtimit dhe bamirësisë na dha idenë që të bashkëpunojmë me një organizëm që ndihmon të rinjtë të integrohen në tregun e punës. Dhe vetë ideja e bërjes së kupës në një nga rajonet më të prapambetura të Montrealit do të kishte domethënien e vetë. Kështu, bashkuam forcat me organizmin “Rond-Point Jeunesse au travail” dhe filluam punën e gjatë e të vështirë të bashkimit të 8 ekipeve që na dolën 9 …
Dita e kupës
Dita e 11 janarit ishte festive për pjesmarrësit sepse çdo njëri nga ekipet donte të paraqitej sa më mirë. Shumica e drejtuesve të ekipeve në mbledhjen e fundit të komitetit organizator na theksuan se janë të gëzuar që do të luanin për qejf dhe për bamirësi por kuptohet që egoja të shtyn edhe pak më tej për të merituar përfaqësimin e “kombit” tend. Kështu, aktiviteti na dha kënaqësi dhe duele të bukura dhe mbresëlënëse me lojra të bukura të të gjithë ekipeve që nga Italia, Benini, Rumania, Franca, Algjeria, Maroku, Amerika Latine, Kanadaja dhe kuptohet edhe nga Shqipëria jonë.
Vlerësim i aktivitetit nga politika ….
Organizmi “Rond-Point Jeunesse au travail” me drejtoreshën Bouchra Klaoua dhe me të palodhurën Ginella Diaz dhe vullnetarët kishin krijuar kushtet për një aktivitet pa të meta. Por, ndonëse nuk pati aq spectator sa do të kishim dëshiruar, jo vetëm “kombet” pjesëmarrëse por edhe politika nuk ndenji indiferente ndaj kësaj ngjarje të madhe të sportit amator në Montreal. Kështu të pranishëm ishin deputeti federal z. Emmanuel Dubourg, deputetja provincial Rita De Santis, kryetari I bashkisë së Montrealit të Veriut z. Gilles Deguire, z. Robert Richard si përfaqësues I Arkës së Kursimeve Desjardins. Të gjithë lavdëruan aktivitetin dhe faktin që ai shërben për të afruar më shumë komunitetet që jetojnë në Montreal por edhe të rinjët që duan të integrohen në punë dhe shoqëri.
Fituesit
Ndonëse të gjithë pjesëmarrësit mund të konsiderohen fitues të aktivitetit, I takoi Kanadasë dhe Marokut të diskutojnë kupën në finale. Maroku ia doli të thyej barazimin 2 me 2 në minutën e fundit duke merituar kështu kupën e kombeve 2015.
Mediat
Dua të përmend pranin e mediave të komuniteteve të ndryshme në aktivitet. Po përmend një kanal televiziv dhe një gazetë rumune, media të pavarura dhe një gazetë latino-amrikane që në një artikull qysh në titull uron që aktivitetit të kthehet në traditë…
Si shqiptar do të ndihesha keq nëse nuk do të kishte një ekip shqiptar në këtë aktivitet. Nuk ka se si te mos ndihesh mirë dhe krenar që edhe kuq-e-zinjtë u përfaqësuan denjësisht në këtë aktivitet. Falenderimi i takon z. Ardian Cela që mundi të bashkoj një grup të mirë futbollistësh dhe ti paraqes ata me uniformën e kombëtares sonë. Faleminderit të gjithë djemëve që sakrifikuan dhe luajtën në emrin e shqiptarëve të vendosur në Montreal. Ata ishin që nga Saranda deri në Prishtinë duke përfaqësuar të gjitha krahinat tona. Nuk mund të mos rri pa falenderuar gjithë ata shqiptarë(dhe ishim më të shumtë se komunitetet e tjera…) që ishin në shkallë për të ndjekur ekipin e tyre të zemrës. Nuk mund t’i përmend emrat e tyre një nga një por edhe pse disa prej tyre më thane “ e kemi për detyrë…” përsëri, faleminderit. Dua të falenderoj bizneset shqiptare pasi jo pak por katër prej tyre ndihmuan finaciarisht në mbarëvajtjen e aktivitetit. Së fundi falenderimi u takon edhe vullnetarëve që punuan për t’a realizuar aktivitetin me sukses.