• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR DO TË BËHET SHQIPËRIA?

April 19, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga shembja e komunizmit në Evropë.  Kisha menduar dhe besoja se shqiptari më në fund — i lirë nga zgjedha dhe ideologjia e huaj komuniste sllavo-aziatike e imponuar mbi botën shqiptare – do të merrte në dorë fatet e veta, do të bëhej përfundimisht zotnues në hapësirat e tija politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake.  Kjo ndjenjë, në të vërtetë, u forcua disi nga shpresat e guximshme edhe me shpalljen historike të pavarësisë së Kosovës.  Me optimizmin tim të natyrshëm, shihja thelbin e diçkaje më të madhe, më fatbardhë për shqiptarët në trojet e veta, një çlirim nga historia mizore e shekullit të kaluar dhe më heret.   Shpresoja për një ringjallje, për një ripërtëritje të vërtetë të vlerave historike të kombëtare të shqiptarëve.  Shpresoja gjithashtu, në mos për zhdukjen, atëherë për pakësimin e urrejtjeve zhburrënore dhe paragjykimeve ideologjike të shqiptarit kundër shqiptarit, të cilat kanë karakterizuar jetën politike të vendit për një kohë kaq të gjatë.   Brenda realitetit politik, shpresoja për një ndjesi vëllazërimi, mirësie dhe pajtimi midis shqiptarëve, për një marrëveshje dhe bashkërendim midis palëve politike, të interesave të përbashkëta jetike kombëtare.  Shpresoja për agime të reja orëmira për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.  Shpresoja — duket gabimisht – ashtu siç ka shkruar me një rast Ernest Koliqi, “Në idenë e nji Shqipnie, e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zemrën e nënave tona dhe të jetë ngushllimtare, dashunore dhe e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejtë të gjithë Bijëve të saj”, mbrojtëse e të gjithëve dhe e pranueshme nga të gjithë. 

Sot, në vend të këtyre shpresave, fatkeqësisht kemi një Shqipëri krejt ndryshe, ku energjitë politike i vihen në dispozicion grindjeve e mosmarrveshjeve të pafund e të pa zgjidhje.  Është një klasë politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e anë mbanë trojeve shqiptare, pa unitet moral e kombëtar, pa harmoni idesh e pa përputhje mendimesh mbi interesat madhore të vendit dhe në mbështetje të të mirës së përbashkët kombëtare.   Një klasë politike të cilës i mungon atdhetarizmi i mirëfilltë, një klasë politike, personalitetet e të cilës kanë humbur zërin e arsyes.  Si rezultat i ngërçit të tanishëm politik midis forcave kryesore politike në Tiranë, jemi fatkeqësisht dëshmitarë të një përçarjeje të kobshme në radhët e klasës politike shqiptare, e cila si rrjedhim pasqyron, fatkeqsisht, jo vetëm marrëdhëniet e acaruara midis forcave politike, por edhe në radhët e shqiptarëve në përgjithësi.

Përçarje jo vetëm midis të gjallëve, por përçarje madje edhe midis të gjallëve e të vdekurve. Mos pajtim edhe me të vdekurit!  Një përçarje politike që detyron zbritjen e udhëheqësve më të lartë diplomatikë evropianë në tokat shqiptare për të ndërmjetësuar midis palëve të politikës së përçarë shqiptare, sikur vendi është në një luftë civile ose në një konflikt ndërkombëtar.  Ky fenomen, fatkeqësisht, nuk është i ri, është përsëritur shumë herë gjatë çerek shekullit të kaluar, duke i garantuar kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve një imazh tepër primitiv në fushën politike në radhët e organizmave euro-atlantike, të cilave pretendojnë se dëshirojnë tu bashkohen.  Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri.  Ndërkombëtarët nuk mund dhe nuk duhet të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve politike midis shqiptarëve.  Këto janë punët e shtëpisë që ata duhet t’i zgjidhin vetë, vëllazërisht, në interesin kombëtar dhe për të mirën e përbashkët.  Udhëheqsit politikë Shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të bindin veten dhe njëri tjetrin, por edhe t’i tregojnë botës se janë të aftë ta bëjnë Shqipërinë të bashkuar dhe të fortë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nëqoftse dëshirojnë të pranohen nga Evropa.  Fatkeqësisht, sot për sot, siç ka thënë kohët e fundit, edhe njëri prej politikanëve shqiptarë, Shqipëria është bërë turpi i Evropës.  Kryeministri vendit Edi Rama, në një intervistë të martën me portalin amerikan “politico.eu” kërcënoi se, “Evropa do të përballet me një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se antarësimi në BE është jashtë rëndit të ditës.”  Evropa ka shumë mëkate ndaj shqiptarëve, por gjëndja aktuale politike në Tiranë, nuk besoj se është krijesë e saj.

Dikush mund të më thotë, e ke shumë gabim, Shqipëria ka bërë përparim këto 25 vitet e fundit.  E vërtetë se ka bërë përparim, në ndërtime, në rrugë dhe të tjera arritje në fusha të ndryshme.  Madje një përqindje e vogël e shqiptarëve edhe janë pasuruar, duke konkuruar me më të pasurit e Evropës, nëqoftse ky mund të quhet përparim.  Shiko Tiranën, mund të thotë dikush, është bërë qytet evropian.  Por a është ky përparim?  Them se jo, duke qenë dakort me At Anton Harapin i cili ka deklaruar se,  “Fuqia dhe madhështia e Atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me numrin e njerëzve krijues në art e dituri, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj se nuk është sendi, as Atdheu që e bëjnë njeriun por janë njerëzit që bëjnë Atdheun, janë ata që ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Jo se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ose nuk kanë njerëz të zotët për të udhëhequr dhe për tu bërë ballë sfidave me të cilat përballet kombi sot.  E kundërta, Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të dalluar dhe të zotët, nëqoftse këta do të punonin me të vërtetë në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.   Sami Frashëri ka pohuar në, “Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është dhe ç’do të jetë”, se “Shqiptarët kanë treguar gjithë jetën që janë të zotët edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me mentë e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërës të çquar e me nam të math, por nonjë nga ta s’ka punuar për Shqipërinë….kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë…Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat e shkuara për Shqipërinë, e vetëm ay është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”

 Të shumta kanë qenë e janë vështirsit e mbrendshme dhe të jashtme nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria dhe shqiptarët.   Intrigat dhe rreziqet që e kanë ndjekur kanë qenë të mëdha përherë, përfshirë edhe gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike anë e mbanë trojeve shqiptare.  Tepër gjak është derdhur në ato troje dhe jo vetëm prej plumbit e prej shpatës. Shumë të zeza kanë rënë mbi atë popull si rrjedhim jo vetëm i urrejtjes vëllai-me-vëlla, por edhe nga mërgimi dhe nga vuajtjet dhe padrejsitë shekullore.   Armiqtë e shumtë të saj i kanë qitë gjithmonë pengesa zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve dhe vazhdojnë edhe sot të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare.  Ka ardhur koha, sa nuk është vonë, që këto rreziqe të mbrendshme dhe të jashtme që i kanosen shqiptarëve të konsiderohen seriozisht dhe të zgjidhen urgjentisht, si dikur në logun e kuvendit, vëllai me vëlla, nga ata që në të vërtetë e kanë shkaktuar këtë ngërç aktual politik në rend të parë.  Populli dhe kombi shqiptar presin nga përfaqsuesit e tij – megjith dallimet e tyre — që tu tregojnë miqëve dhe armiqve, të afërm dhe të largët, se shqiptarët do ta bëjnë dhe do ta ruajnë Shqipërinë e fortë dhe të bashkuar, në pajtim e respekt midis tyre, ashtu siç ka “punuar në kohërat e shkuara Skënderbeu” i cili atëherë dhe sot, sipas Sami Frashërit, mbetet “me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”  Nëqoftse dëshironi që Shqipëria dhe shqiptarët të mburren me ju dhe nëqoftse e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa, koha është tani. Demokracia nuk pret!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kur do të bëhet, shqiperia

Kur do të bëhet Shqipëria?

May 4, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Një pyetje që sot për sot nuk gjen përgjigje. Lexoj në shtypin e përditshëm njoftimin se Shqipëria paska humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të Freedom House për vitin në vazhdim..Një gjë e tillë nuk më habit pasi e shoh përditë, edhe në shembullin tim personal, që media shqiptare është e tërhequr më tepër pas pozicionimeve partiake gjë që, në një media demokratike, nuk duhet të ekzistojë. Por, për fat të keq, ky është një realitet i kohës së sotme. Një gjë e tillë vrehet edhe në qëndrimet e partive të ndryshme politike që, njera pas tjetrës, drejtojnë politikën e qeverisjes së vendit tonë, madje edhe në shoqatat e ndryshme që veprojnë në vend.
Le të flasim më konkretisht. Sot në Shqipëri ekzistojnë një numër i madh partish politike. Ekzistojnë, gjithashtu, një numër i jashtëzakonshëm shoqatash jo qeveritare që paraqesin programet e tyre politike ose jo politike. Një nga këto është edhe Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë që unë e përfaqësoj si kryetar i degës së Tiranës të saj.
Dua të ngre disa çështje të cilat unë i konceptoj sipas gjykimit tim dhe të shtreës që unë përfaqësoj. Konstatimi kryesor që dua të ngre në këtë shkrim është se sot politika shqiptare mundohet të kalojë në heshtje kontributin e dhënë nga përfaqësuesit më në zë të nacionalizmit shqiptar. Une do të doja t’ju shprehja se ishte pikërisht nacionalizmi shqiptyar ai që mbajti të gjallë frymën e shqiptarizmit në të gjithë ekzistencën e këtij kombi dhe ai nuk mund të hidhet poshtë nga disa individë antishqiptar që kanë marrë ndër duar frenat e politikës së këtij vendi.
Le të flasim me shifra konkrete. Në këtë kuadër nuk dua të bëj dallim ndërmjet politikës së djathtë dhe asaj të majtë. Kemi disa vite që shoqata e jonë i ka drejtuar Presidentit të Republikes kërkesën për dekorimin e disa personaliteteve të shquara të nacionalizmit dhe vendit tonë por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në të kundërt shohim se dekorohen ish përgjegjësit e atentateve mafioze të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe ata të maskrave të Tivarit e të tjera, ish gjeneralët e diktaturës totalitare, vetëm e vetëm pse i përkasin ish shtresës komuniste. Natyrisht një gjë e tillë është e papranueshme. Ne duam një Shqipëri për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për disa.
Një kërkesë të tillë nuk e ka bërë vetëm shoqata e jone, por edhe nga degët e tjera në rrethet e vendit. Por përgjigja e vetme ka qenë heshtja e organeve kompetente. Aq me tepër kjo ndihet më shumë kur në ato institucione punojnë edhe një pjesë e mirë e atyre që i vuajtën mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit të egër komunist. Do t’ju thoja atyre zotërinjve: Mos harroni gjakun e të rënëve tuaj! Mos harroni të kaluarën tuaj!
Personalisht, në muaji dhjetor 2013 jam dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen “Naim Frashëri” të artë. E falënderoj Presidentin e Republikës për këtë medalje të çmuar por më duket sikur nuk e meritoj para atyre burrave të shquar të nacionalizmit shqiptar që, në çastet më të vështira të jetës time, kur endesha gërxheve dhe shkrepave ku më kishte degdisur sistemi totalitar, më mësuan rrugën nëpër të cilën duhej të ecja, rrugën e demokraciosë së vërtetë perëndimore.
Këto përsa i përket së kaluarës së vendit tonë. Tani le të kthehemi në të ardhmen. Një sistem i ri është vendiosur në vend. Një politikë e re po zvillohet. A është kjo në përkrahje të detyrimeve ndaj shtresës tonë? Nuk dua të paragjykoj por, sipas të dhënave të deritanishme vazhdon e njëjta gjuhë e trajtimit të çështjeve. Vazhdon e njejta demagogji, në mos më tepër. Flitet për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Kanë kaluar mbi shtatë muaj nga vendosja e qeverisë së re dhe deri tani asnjë nuk ka mundur të marrë dëmshpërbliminn që i takon me ligj. Gjatë fushatës elektorale u premtuan shumë gjëra. U premtua se ligji i dëmshpërblimiut do të përfundonte brenda afatit të caktuar. U premtua se vlera e dëmshpërblimit do të rritej në 25 Euro për ditë burgu. U premtua se brenda dy viteve do të përfundojë dëmshpërblimi i të gjithë atyre që janë gjallë. Për këto dhe shumë premtime të tjera elektorale tani ka rënë heshtja. Askush nuk përgjigjet. Përse???
Të përndjekureit politikë nuk kanë vetëm çështjen e dëmdshpërblimit financiar. Ai është një detyrim që e ka shteti ligjor. Të përndjekurit politikë duan të dijnë se kur do të zgjidhet çështja e hapjes së dosjeve për bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit dhe organet që i detyruan ata të nëshkruajnë . Kur do të dënohet figura e diktatorit Enver Hoxha dhe kur do t’i hiqen dekoratat dhe titujt e fituar gjatë sistemit totaliatar? Kur do të rishikohen datat simbol të sistemit komunist që ende ekzistojnë në shoqërinë shqiptare? Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë për krimet e kryera nga regjimi komunist? Kur do të plotësohen detyrimet që lidhen me statusin e të përndjekurve polittikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin e të tjera? Sot vihet re një masë e paparë e pushimeve nga puna të ish të përndjekurve politikë. Përse? Kur do të caktohet një fond për gjetjen dhe rivarrosjen e të rënëve në luftën kundër komunizmit, në mënyrë që të afërmit e tyre të kenë një varr ku të vendosin një tufë me lule apo ku të derdhin dy pika lot. Së fundi kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi komunist. Të gjitha këto janë të përmbledhura në rezolutën e aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2006, ku ju nuk pranuat të merrni pjesë, ashtu siç nuk pranuat të merrni pjesë në miratimin e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politië por që tani e pranuat se ai duhet zbatuar.
Së fundi edhe një gjë tjetër. Ajo që ka lidhje me të ashtuquajturën dita e çlirimit. Ndoshta kjo duhej të vihej e para, megjithatë mendoj se edhe në fund ia vlen të diskutohet. A ishte me të vërtetë një ditë çlirimi? Zor se mund të besohet. Nuk mund të besohet, pasi një ditë që solli robërimin e një populli nga një dikaturë më e egër nga ajo e pushtuesve nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që e ndau vendin nga aletët më të njohur të demokracisë botërore nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që ekzekutoi kuadrot më në zë të popullit shqiptar nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që burgosi dhe internoi, pa asnjë shkak, me mijra e mijra bashkëkombas, nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që e ktheu në skllav një popull të tërë nuk mund të quhet e tillë. Ndaj u bëj thirrje korbave që çirren për të kremuar këtë ditë të zezë të kombit shqiptar: Heshtni dhe mos u ndjeni më! Ju do të mbani në ndërgjegjen tuaj turpin e këtij kombi maritir!
Le t’ia lemë kohës të gjykojë. A do të bëhet Shqipëria? Unë thashë gjatë këtij shkrimi se nuk dua të paragjykoj asnjë, por gjithmonë jam në pritje të realizimit të kësaj ëndrre të kombit shqiptar.. Në të kundërt do ta konsideroja një demagogji të ultë të politikës shqiptare, të padenjë për atë që e deklaron veten burrë shteti. Me pak fjalë do të doja të thoja se Shqipëria e sotme nuk udhëhiqet nga shqiptarë të vërtetë. Kjo është fatkeqësia e këtij kombi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kur do të bëhet, reshat kripa, shqiperia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT