Nga Frank Shkreli/
Kanë kaluar më shumë se 25 vjet nga shembja e komunizmit në Evropë. Kisha menduar dhe besoja se shqiptari më në fund — i lirë nga zgjedha dhe ideologjia e huaj komuniste sllavo-aziatike e imponuar mbi botën shqiptare – do të merrte në dorë fatet e veta, do të bëhej përfundimisht zotnues në hapësirat e tija politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake. Kjo ndjenjë, në të vërtetë, u forcua disi nga shpresat e guximshme edhe me shpalljen historike të pavarësisë së Kosovës. Me optimizmin tim të natyrshëm, shihja thelbin e diçkaje më të madhe, më fatbardhë për shqiptarët në trojet e veta, një çlirim nga historia mizore e shekullit të kaluar dhe më heret. Shpresoja për një ringjallje, për një ripërtëritje të vërtetë të vlerave historike të kombëtare të shqiptarëve. Shpresoja gjithashtu, në mos për zhdukjen, atëherë për pakësimin e urrejtjeve zhburrënore dhe paragjykimeve ideologjike të shqiptarit kundër shqiptarit, të cilat kanë karakterizuar jetën politike të vendit për një kohë kaq të gjatë. Brenda realitetit politik, shpresoja për një ndjesi vëllazërimi, mirësie dhe pajtimi midis shqiptarëve, për një marrëveshje dhe bashkërendim midis palëve politike, të interesave të përbashkëta jetike kombëtare. Shpresoja për agime të reja orëmira për të gjithë shqiptarët në trojet e veta. Shpresoja — duket gabimisht – ashtu siç ka shkruar me një rast Ernest Koliqi, “Në idenë e nji Shqipnie, e cila për secilin prej nesh të ketë fytyrën e zemrën e nënave tona dhe të jetë ngushllimtare, dashunore dhe e adhurueshme, por sidomos e drejtë kundrejtë të gjithë Bijëve të saj”, mbrojtëse e të gjithëve dhe e pranueshme nga të gjithë.
Sot, në vend të këtyre shpresave, fatkeqësisht kemi një Shqipëri krejt ndryshe, ku energjitë politike i vihen në dispozicion grindjeve e mosmarrveshjeve të pafund e të pa zgjidhje. Është një klasë politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë e anë mbanë trojeve shqiptare, pa unitet moral e kombëtar, pa harmoni idesh e pa përputhje mendimesh mbi interesat madhore të vendit dhe në mbështetje të të mirës së përbashkët kombëtare. Një klasë politike të cilës i mungon atdhetarizmi i mirëfilltë, një klasë politike, personalitetet e të cilës kanë humbur zërin e arsyes. Si rezultat i ngërçit të tanishëm politik midis forcave kryesore politike në Tiranë, jemi fatkeqësisht dëshmitarë të një përçarjeje të kobshme në radhët e klasës politike shqiptare, e cila si rrjedhim pasqyron, fatkeqsisht, jo vetëm marrëdhëniet e acaruara midis forcave politike, por edhe në radhët e shqiptarëve në përgjithësi.
Përçarje jo vetëm midis të gjallëve, por përçarje madje edhe midis të gjallëve e të vdekurve. Mos pajtim edhe me të vdekurit! Një përçarje politike që detyron zbritjen e udhëheqësve më të lartë diplomatikë evropianë në tokat shqiptare për të ndërmjetësuar midis palëve të politikës së përçarë shqiptare, sikur vendi është në një luftë civile ose në një konflikt ndërkombëtar. Ky fenomen, fatkeqësisht, nuk është i ri, është përsëritur shumë herë gjatë çerek shekullit të kaluar, duke i garantuar kështu Shqipërisë dhe shqiptarëve një imazh tepër primitiv në fushën politike në radhët e organizmave euro-atlantike, të cilave pretendojnë se dëshirojnë tu bashkohen. Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri. Ndërkombëtarët nuk mund dhe nuk duhet të ndërmjetësojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe të grindjeve politike midis shqiptarëve. Këto janë punët e shtëpisë që ata duhet t’i zgjidhin vetë, vëllazërisht, në interesin kombëtar dhe për të mirën e përbashkët. Udhëheqsit politikë Shqiptarë të të gjitha ngjyrave duhet të bindin veten dhe njëri tjetrin, por edhe t’i tregojnë botës se janë të aftë ta bëjnë Shqipërinë të bashkuar dhe të fortë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, nëqoftse dëshirojnë të pranohen nga Evropa. Fatkeqësisht, sot për sot, siç ka thënë kohët e fundit, edhe njëri prej politikanëve shqiptarë, Shqipëria është bërë turpi i Evropës. Kryeministri vendit Edi Rama, në një intervistë të martën me portalin amerikan “politico.eu” kërcënoi se, “Evropa do të përballet me një “makth” nëse Ballkani “çmendet” për shkak se antarësimi në BE është jashtë rëndit të ditës.” Evropa ka shumë mëkate ndaj shqiptarëve, por gjëndja aktuale politike në Tiranë, nuk besoj se është krijesë e saj.
Dikush mund të më thotë, e ke shumë gabim, Shqipëria ka bërë përparim këto 25 vitet e fundit. E vërtetë se ka bërë përparim, në ndërtime, në rrugë dhe të tjera arritje në fusha të ndryshme. Madje një përqindje e vogël e shqiptarëve edhe janë pasuruar, duke konkuruar me më të pasurit e Evropës, nëqoftse ky mund të quhet përparim. Shiko Tiranën, mund të thotë dikush, është bërë qytet evropian. Por a është ky përparim? Them se jo, duke qenë dakort me At Anton Harapin i cili ka deklaruar se, “Fuqia dhe madhështia e Atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me numrin e njerëzve krijues në art e dituri, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj se nuk është sendi, as Atdheu që e bëjnë njeriun por janë njerëzit që bëjnë Atdheun, janë ata që ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”
Jo se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ose nuk kanë njerëz të zotët për të udhëhequr dhe për tu bërë ballë sfidave me të cilat përballet kombi sot. E kundërta, Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të dalluar dhe të zotët, nëqoftse këta do të punonin me të vërtetë në interes të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve. Sami Frashëri ka pohuar në, “Shqipëria, ç’ka qenë , ç’është dhe ç’do të jetë”, se “Shqiptarët kanë treguar gjithë jetën që janë të zotët edhe me kordhë edhe me pendë, edhe me trimëri edhe me mentë e me dituri, e Shqipëria ka nxjerrë shumë njërës të çquar e me nam të math, por nonjë nga ta s’ka punuar për Shqipërinë….kurrë një shqiptar s’është ndodhur t’i bënjë Shqipërisë një të mirë të këtillë…Vetëm një Skënderbe ka punuarë në kohërat e shkuara për Shqipërinë, e vetëm ay është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.”
Të shumta kanë qenë e janë vështirsit e mbrendshme dhe të jashtme nepër të cilat ka kaluar dhe po kalon Shqipëria dhe shqiptarët. Intrigat dhe rreziqet që e kanë ndjekur kanë qenë të mëdha përherë, përfshirë edhe gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike anë e mbanë trojeve shqiptare. Tepër gjak është derdhur në ato troje dhe jo vetëm prej plumbit e prej shpatës. Shumë të zeza kanë rënë mbi atë popull si rrjedhim jo vetëm i urrejtjes vëllai-me-vëlla, por edhe nga mërgimi dhe nga vuajtjet dhe padrejsitë shekullore. Armiqtë e shumtë të saj i kanë qitë gjithmonë pengesa zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve dhe vazhdojnë edhe sot të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare. Ka ardhur koha, sa nuk është vonë, që këto rreziqe të mbrendshme dhe të jashtme që i kanosen shqiptarëve të konsiderohen seriozisht dhe të zgjidhen urgjentisht, si dikur në logun e kuvendit, vëllai me vëlla, nga ata që në të vërtetë e kanë shkaktuar këtë ngërç aktual politik në rend të parë. Populli dhe kombi shqiptar presin nga përfaqsuesit e tij – megjith dallimet e tyre — që tu tregojnë miqëve dhe armiqve, të afërm dhe të largët, se shqiptarët do ta bëjnë dhe do ta ruajnë Shqipërinë e fortë dhe të bashkuar, në pajtim e respekt midis tyre, ashtu siç ka “punuar në kohërat e shkuara Skënderbeu” i cili atëherë dhe sot, sipas Sami Frashërit, mbetet “me të vërtetë mburrje për Shqipërinë.” Nëqoftse dëshironi që Shqipëria dhe shqiptarët të mburren me ju dhe nëqoftse e doni Shqipërinë si e gjithë Evropa, koha është tani. Demokracia nuk pret!