– Aktorja e madhe Nicole Kidman me viziten në Kosovë para 10 viteve niste udhëtimet si ambasadore e UNIFEM-it. Në Prishtinë ajo tha: Unë jam këtu në cilësinë e ambasadores së vullnetit të mirë, pikë së pari për të mësuar prej jush, pastaj për të qenë me ju për këto momente kaq vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Do të bëj çmos që të jam zëri juaj kudo që të jem…Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë, faleminderit Kosovë. Kjo është një ngjarje shumë e madhe, më e madhe se që e kam pritur/
-Nicole Kidman deklaron tash, pas 10 vitesh: Pas dhunës në Kosovë, vendosa të ndihmoj/
SPECIALE: Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 18 Nëntor 2016/ Aktorja e madhe australiane, ylli i Hollywood-it, ambasadorja dashamirëse e UNIFEM-it, Nicole Kidman, ka vizituar Kosovën në vitin 2006, ku ka mbërritur në 14 tetor. Në udhëtimin e saj të parë në terren si ambasdore, fituesja e çmimit Oscars, erdhi në Kosovë për të dëgjuar zërin e grave kosovare.Drejtuesja e zyrës në Prishtinë të UNIFEM-it (Fondit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Grave), Flora Macula, ka njoftuar atëherë se Nicole Kidman do të jetë në vizitë njëditëshe në Kosovë.Aktorja Nicole Kidman është emëruar ambasadore dashamirëse në UNIFEM në 26 janër 2006. Misioni i saj si ambasadore ëshë mbështetja e grave nëpërmjet udhëtimeve nëpër vende të ndryshme të botës, për të cilat UNIFEM ka projekte.Pas emërimit ambasadore, siç ëshë noftuar ajo ka paralajmëruar vizita të mundshme edhe në Sudan, në Republikën Demokratike të Kongos, në Liberi, Afganistan dhe Kamboxhia.Kështu kam raportuar, mes tjerash, nga Prishtina në 14 tetor 2006. Tirulli i raportit ishte: YLLI I HOLLYWOOD-it, NICOLE KIDMAN, ME VIZITEN SOT NË KOSOVË NIS UDHËTIMET SI AMBASADORE E UNIFEM-it
Ndërsa, të nesërmen, në 15 tetor 2006 kam raportuar:KOSOVË, YLLI I HOLLYWOOD-it, NICOLE KIDMAN, AMBASADORE E UNIFEM-it, TAKON GRATË SHQIPTARE DHE SERBE
PRISHTINË, 15 Tetor 2006/ E impresionauar nga mikpritj kosovare, aktorja e madhe australiane, ylli i Hollywood-it, ambasadorja dashamirëse e UNIFEM-it, Nicole Kidman, mbrëmë ka shëtitur këmbë nëpër kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nga ceremonia e pritjes në hotelin “Grand” e deri në hotelin ku e ka kaluar natën në “Qytezën Pejton”.Fituesja e çmimit Oskars në udhëtimin e saj të parë në terren si ambasadore, sipas axhendës, sot udhëtoi në Gjakovë, qytet në perëndim të Kosovës, kufitar me Shqipërinë, për t’u takuar me gratë shqiptare të keqtrajtuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe në Graçanicë, afër Prishtinës, për t’u takuar me gratë serbe. Bëhet e ditur se për këto vizita Kidman ka shprehur dëshirën të mos jetë shumë e pranishme në publik, në mënyrë që të ketë më shumë hapësirë për t’u njohur me problemet dhe me njerëzit në Kosovë.“Unë jam këtu në cilësinë e ambasadores së vullnetit të mirë, pikë së pari për të mësuar prej jush, pastaj për të qenë me ju në këto momente kaq vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Do të bëj çmos që të jam zëri juaj kudo që të jem”, ka thënë aktorja e madhe.Ajo është pritur nga udhëheqësit më të lartë kosovarë e të UNMIK-ut, nga diplomatët në Prishtinë, nga shumë përfaqësuese të grave të Kosovës, kudo është mirëpritur e përshëndetur nga qyetetarët gjatë gjithë vizitës.“Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë, faleminderit Kosovë. Kjo është një ngjarje shumë e madhe, më e madhe se që e kam pritur”, është shprehur Nicole Kidman.Shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker, duke iu drejtuar ambasadores së vullnetit të mirë të UNIFEM-it, Kidman, ka theksuar respektin për çështjet dhe barazinë gjinore nga të gjtha institucionet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.“Respekt për çështjet dhe barazinë gjinore. Zakonisht ne e citojmë Rezolutën 1244, por këtë herë do ta citojmë Rezolutën 1325, e cila merret me çështje të femrave, të cilat duhet të jenë gurthemelues për çdo shoqëri”, ka thënë Ryker. Ai ka shtuar se “çështja e barzisë gjinore është çështje e drejtësisë” dhe edhe për këtë e ka vlersuar të rëndësishme vizitën.Presidenti Fatmir Sejdiu ka shprehur mirëseardhjen në emër të popullit të Kosovës. “Jemi mbledhur për t’i dëshiruar mirëseardhje në Kosovë ambasdores së vullnetit të mirë të UNIFEM-it, znj. Nicole Kidman, e cila është njëherit e njohur për sukseset e mëdha në fushën e artit të shtatë. Jemi të nderuar me misionin e saj në Kosovë, për gratë kosovare”, ka thënë presidenti Sejdiu.“Pikërisht ju zonjusha Kidman jeni shembulli më i mirë se çka një femër mund të arrijë kur është e lirë që të ushtrojë detyrën e vet në liri”, ka thënë kryeministri i Kosovës Agim Çeku duke theksuar përkushtimin e qeverisë për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të grave në veçanti.Kidman në vizitën e saj të parë në Kosovë u shoqërua nga Noeleen Heyzer, drejtoreshë ekzekutive e UNIFEM-it.Drejtoresha Heyzer ka shprehur mirënjohje dhe falenderim për ambasadoren, e cila me vizitën në Kosovë e ka nisur misionin nëpër vende të ndryshme të botës. “Jam e lumtur që Nikole ka ardhur si ambasadore, sepse ajo është njeri që dëshiron të bëjë të mira për ta ndryshuar botën”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e UNIFEM-it.
NICOLE KIDMAN: PAS DHUNËS NË KOSOVË, VENDOSA TË NDIHMOJ
NEW YORK , 18 Nëntor 2016/ Aktorja e njohur amerikane, Nicole Kidman, është shprehur se pasi ka njohur realitetin e femrave dhe fëmijëve, viktima të luftës në Kosovë 10 vite më parë, kishte vendosur të kishte prioritet ne jetën e saj ndihmën për ta, citon media botërore e shqiptare raportin e 17 Nëntorit 2016 nga New York.Kidman fituese e shumë çmimeve prestigjioze, tha në mbrëmje në New York, gjatë ceremonisë së shënimit të 20-vjetorit të Fondit të Kombeve të Bashkuara për ndaljen e dhunës kundër grave, se do të “jetë zë për femrat që nuk kanë zë”.Kidman, e cila është ambasadore e vullnetit të mirë për Gratë e Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar nga mysafirët në këtë ceremoni të ndihmojnë materialisht, pasi femrat dhe vajzat “kanë nevojë për ne, që kemi mundësi dhe që kemi para” t’i ndihmojmë ato.Organizata Gratë e Kombeve të Bashkuara tha se në këtë darkë janë mbledhur mëse 105 mijë dollarë, përfshirë donacionin prej 50 mijë dollarëve nga aktorja, Nicole Kidman.