ALFONS GRISHAJ/
Kushtim për Uran Kostrecin/
Uran-us , i shtati planet prej Diellit tek Dielli,/
“Zot i qiellit” !/
U njohëm në ferrin e Dantes./
Unë i pajetë … villja gjak! Ti i pashpresë… pështyje “helm”. /
“Epope e Karkalecave” na njohu në atë kapërcyll prove,/
ku vargjet tona përpëliteshin si peshku në rrjetat therëse të xhahilëve./
Reveranca jote prej xhentëlmeni çalonte…
buzë kungullit që shitej si shalqi .
E shalqini ishte “Mollë e Ndalueme”, o miku im.
Ti lozje me kungujt : “ Si urdhëron , Zotëri!”
E Zotëria-kungull: – Nuk ka zotërinjë , por shokë !
Shtrëngoje këllëfin e jastëkut me kothere të thara
për të vrarë urinë me shpresë tek “Viti i Ri”:- No sir ! Yes Sir!
Oh, dhe Hygo , do të tronditej në atë mizanskenë therëse
ku dhimbja e ujës ia kalon dhimbjes shpirtit !
U bëmë miq , por mbetëm larg… se “Monumenti” ciflosi
kështjellën e pamposhtur, krenarinë mizore , flamurin pa-shtizë.
Ti ike… O mik i vuajtjes krenare. O mbret i Sonetës në Shqipëri!
O tribun i fjalës zhveshur si shpata !
Ti ike tek miqtë tanë…, Frederiku, Pjetri, Panoja , Kosta…,
tek shpirtërat në amshim.
Tek pema e mistershme që njerëzia dridhet dhe loton… paditur se loti është gjëma e shpirtit.
Unë nuk kam lot për njerëz që lindin në vdekje,
as për vdekjen e rinisë që riciklohet në përjetësi.
Mik, kënga ime :
Atje Solomoni! Beatriçe dhe Dante…më i madhi poet.
Atje vëlla Eduardi , Bruti … dhe Jul Çezari i shkretë”.
Se Zoti vuri një shenjë barazie për të varfër e mbret,
I njëjti udhëtim për të gjithë , atje do vij dhe vetë.