Nga Murat Gecaj/
Për lexuesit e këtyre pak radhëve po tregoj se, me publicistin dhe poetin e njohur Jaho Margjeka, na lidhin shumë “fije”. Së pari, kemi lindur të dy në Bujan të Malësisë së Gjakovës, fshat i bukur e me tradita të lashta atdhetare, kulturore, arsimore etj. Po kështu, rasti e kishte sjellë që të isha bashkëpunëtor me Radio-Tiranën, që në vitet e para të punës në shtyp, pra më 1963, kur nisa të shërbeja në gazetën e kohës “Pionieri”.
Vitet rodhën e, pothuajse, asnjëherë nuk u shkëputa me ndihmesën time modeste, në këtë institucion kaq të rëndësishëm. Ndërsa i shpeshtova lidhjet e mia me Radio-Tiranën, kur aty Jaho u caktua gazetar dhe më pas shef departamenti. Po kështu, bashkëpunova në mjaft emisione, sidomos për arsimin. me moderatoren dhe gazetaren e njohur, Kozeta Hoxha. Sigurisht, gjatë këtyre viteve gjeta e njoha disa kolegë e miq të tjerë të mirë, duke u bërë kështu aty “si i shtëpisë”.
Pa u zgjatur, shënoj se kohët e fundit sikur i kisha rralluar vizitat në Radio-Tirana. Kjo erdhi për arsye të mijat vetjake. Megjithatë, përherë kam qenë i pranishëm, si me bisedat tona në celular ose me shkëmbim mesazhesh në Internet, por dhe me ndjekjen e emisioneve të transmetuara, si nga Jaho e Kozeta dhe miq të tjerë. Kështu, më kanë pëlqyer emisionet e transmetuara nga Jaho në hapësirën radiofonike“Larg&Afër”,që u kushtohet kryesisht bashkatdhetarëve tanë emigrantë në diasporë. Ja, po sjell ndërmend këtu emisionet në studio ose drejtpërdrajt nga vendbanimet e tyre, me arsimtarin, publicistin dhe shkrimtarin e mirënjohur, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Ndër të tjera, ai drejton atje Radon lokale në gjuhën shqipe, “Dituria”. Emisione të tillë, kohëve të fundit, kanë qenë ato me Sotir Shukën nga Bostoni e Artan Kutren nga Parisi, me publicistin Engjëll Ndocaj,gazetarin Asllan Bajrami e historianin Beqir Meta, me Selim Musajn,Ndue Lazrin e Tonin Nikollin nga Italia, me Edmond Gurin e Miho Gjinin nga Greqia,Dalip Grecën e Raimonda Moisiun nga SH.B.A. etj.
Si për të më treguar që edhe unë isha për Jahon “afër e larg”(ha,ha), ai më ftoi për një kafe në lokalin pranë Radio-Tiranës. Në shoqërinë edhe të Kozetës e kolegëve të tjerë, përveç programeve të Radios, ne biseduam për tema të ndryshme, sidomos rreth krijimtarisë publicistike e letrare, për jetën tonë familjare etj. Me Jahon folëm që mund të përgatiten emisione edhe për disa shoqata shqiptare e figura të njohura në diasporë, si në Amerikë, Angli, Gjermani etj. Sigurisht, u ndjeva përsëri mjaft mirë, ndërmjet këtyre kolegëve dhe i falënderova për ftesën e tyre dashamirëse.
Jaho, nga fundi i bisedës, më tregoi se Emisioni “Larg& Afër”, më 28 shkurt 2016, ishte “bërë” njëvjeçar. Mes shakave e ndonjë batute miqësore, ne e uruam atë për 1-vjetorin e emisionit të tij në Radio-Tirana. Prandaj dhe ishte e përligjur që ai të na qeraste, me këtë rast.
Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të them se miku im, Jaho Margjeka, është edhe letrar i talentuar. Përveç redaktimeve të shumë librave të autorëve të ndryshëm, sidomos atyre të rinj, ai vetë ka publikuar tre libra me poezi,”Lojë në Pasqyrë”, “Ëndrra midis”, “Edhe pak qiell për dashuri” dhe librin me tregime “Letra nga planeti i borës”. Sigurisht, ai ka edhe krijime të tjera në dorëshkrim, të cilat shpresojmë që do t’i botojë në të ardhmen.
…U ndava me Jahon, por dhe Kozetën e kolegët e tyre, në ditën e fundit të muajit shkurt, me dëshirën për t’u takuar përsëri, jo vetëm në lokal për kafe, por dhe në studiot e Radio-Tiranës, për të biseduar për çështje të arsimit e kulturës, krijimtarisë letrare e artistike etj.
Deri atëherë, po përshëndes, sipas traditës së krahinës sonë: “Tungjatëjeta, Jaho Margjeka!”
Tiranë, 29 shkurt 2016