-Spahiu në Koha Ditore: De facto, Asociacioni është republikë. Zeri: Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri. Bahtiri: Mitrovica po bashkohet!/
PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ “Legalizimi i pushtetit të dyfishtë”, është një kryetitull shkrimesh në shtypin e sotëm në Prishtinë për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel është arritur marrëveshja bazë në 19 prill 2013 – raundin e 10-të dhe ajo e parimeve pikërisht para dy muajve, në 25 gusht, në raundin e 28-të kryeminsitror.
Nga “dy kapela” i mbajnë Aleksandar Spiriç, Vuçina Jankoviç, Dragan Jablanoviç, Stevan Vuloviç dhe Bratislav Nikoliç. Janë në krye të komunave me shumicë serbe dhe ushtrojnë pushtet të dyfishtë në Kosovë, pasi mandatin e tyre e bazojnë në dy sisteme – atë të Kosovës dhe në sistemin e Serbisë.
Nuk janë të vetmit këta që formalisht mbajnë mandate, të cilat burojnë nga ligjet e shtetit që i përkasin, e faktikisht punojnë për llogari të fqinjit verior, që me Kushtetutë Kosovën e definon si pjesë të territorit të vet. Ka edhe titullarë të një numri të madh institucionesh të tjera që operojnë ngjashëm. Ka edhe kompani që sa për formalitet në Kosovë janë regjistruar si të reja, e që në fakt janë degë të kompanive publike të Serbisë, shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë.
Dhe kupola e gjithë mekanizmave të këtillë do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është në fazë konstituimi. Marrëveshja bazë për të është mbërritur në 2013-n, e ajo që përmban parimet mbi të cilat do të ngrihet është firmosur dy muaj më parë. Marrëveshja për parimet ka nxitur reagime të forta në Kosovë, ngaqë konsiderohet se ajo ka cenuar drejtpërdrejtë fondamentet e shtetit të Kosovës – shpërbën karakterin e shtetit unitar. Opozita ka bllokuar prej atëherë punën e Kuvendit dhe zhbllokimin e ka kushtëzuar me heqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje.
Juristët tërheqin vërejtjen se që nga fillimi i dialogut Serbia ka imponuar një axhendë dialoguese që për qëllim final, në vend të normalizimit të situatës në veri, kishte legalizimin e prezencës së saj në kuptimin institucional në Kosovë.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se modeli i sovranitetit të dyfishtë që Serbia po e shtyn përpara vërehet jo vetëm në kuptimin e të emëruarve të lartë politikë, por edhe në kuptimin e autorësisë, për shembull, mbi pronën publike dhe shoqërore në Kosovë.
“De facto, Asociacioni është republikë”, është titulli tjetër i gazetës ku citohet Nexhmedin Spahiu, publicist nga Mitrovica, në një intervistë. Ai është profesor i shkencave politike dhe sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.
Vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht – te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.
Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e “Republika Srpskas” në Kosovë, por pa emrin “republika”. Emri “republikë”, sipas tij, mund t’i vihet më vonë – në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj – hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.
Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efekhtet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon t’i mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre strukturave.
Ndërsa gazeta Zëri në një titull sot thekson se, “Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri” të Mitrovicës.
Sipas gazetës, mbi 350 shtëpi dhe shumë më shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës Qeveria e Serbisë i ka blerë duke u ofruar shuma marramendëse të parave.
Më së shumti shtëpi, sipas burimeve të gazetës, shqiptarët i kanë shitur në “Lagjen e Boshnjakëve” mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet tjera veriore me shuma marramendëse.
Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.
Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bën spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.
Sipas shqiptarëve të veriut, pronat e tyre po shiten me ndërmjetësimin e “matrapazëve dhe të avokatëve”, ndërkohë që trendin e shitjes së pronave të shqiptarëve në veri nuk mund ta ndalë askush, madje as nuk bëhen përpjekje.
“Mitrovica po bashkohet!”, është titulli tjetër i gazetës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka thënë se me rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër dhe me largimin e barrikadave në këtë qytet po bashkohet Mitrovica.
Madje, sipas tij, me ardhjen e tij në pushtet në Komunën Jugore dhe të Goran Rakiçit në atë Veriore raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve janë duke u normalizuar edhe më shumë, pasi Bahtiri thotë se të dy kryetarët janë duke u angazhuar për një gjë të tillë.
Këto deklarata kryearti i Mitrovicës Jugore i ka dhënë në një intervistë për gazetën Zëri.
Bahtiri, gjithashtu, ka thënë se Suhodolli do të mbetet nën administrimin e Komunës Jugore, ashtu siç parashihet edhe në Planin e Ahtisarit.
Për më tepër ai ka thënë se nëse kërkohet që të tejkalohet Plani i Ahtisarit, ai do të kërkojë që çdo vendbanim me shqiptarë në veri të kalojë nën administrimin e Komunës, që ai e drejton./b.j/