• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Kadare – Letersia referenciale”

April 12, 2016 by dgreca

“Kadare – Letersia referenciale”, e lexuar sot nga Vehbi Miftari në konferencen shkencore: “Kadare – leximi e interpretimi”, organizuar nga Biblioteka Kombetare e Shqiperise dhe ajo e Kosoves/

Nga Vehbi Miftari/ Zhan Lui Guro (Jean Louis Gouraud), duke e hetuar praninë e botës antike në veprat e autorëve modernë, e nënvizonte një dimension të vecantë: raportin të cilin letërsia e zhvillon me historinë, të cilën, thoshte, tekstet e mira janë në gjendje ta tejkalojnë. Shekspiri, Danteja e Dostojevski qenë shndërruar në autorë tejkohorë (fr: intemporele) pasi e kishin shtjelluar historinë e njerëzimit, duke i përmbledhur kohët, ngjashëm me Shën Augustinin. Kadareja, në rend me klasikët botërorë, i referohet reales, për ta shkruar jo vetëm të tashmen e njerëzimit, por edhe të kaluarën e të ardhmen e tij, në një perspektivë tejkohore, në të cilën ne e zbulojmë perspektivën e njerëzimit, e cila është sa historike po aq edhe mitike. Ai i zbulon rrënjët e mitit e të kulturës njerëzore, duke iu referuar një realiteti tejkohor, tejhistorik e tejmitologjik. Tekstet e tij i referohen nje çasti të tejkohshëm historik e mitologjik, i cili e përmbledh përvojën njerëzore në kushte libri. Rrjedhimisht, një dimension i çuditshëm zhvillohet në tekstet e tij: Kadareja shkruan letërsi e cila u referohet kohëve reale dhe vendit/vendeve reale. Pra, ai i referohet reales vendësore e kohësore. Por, sa më shumë që i referohen realitetit, aq më tejreale e tejkohore bëhen tekstet e tij.

Duke trajtuar letrarisht raporte ideologjike të kohës së komunizmit, ta zëmë, ai e krijon referencë me një kohë e me një vend, por kjo është vetëm perspektiva e krijuesit. Perspektiva e lexuesit nuk mbetet aty. Raportet e tekstit me kohën, lexuesi (ideal, Eco) i sheh në kontekst të dijeve për historinë e filozofinë, për kulturën e mitologjinë njerëzore. Kjo është arsyeja, mbase, pse Kadareja është trajtuar si autor homerik, realiteti i të cilit, sikur është e zakontë, e tejkalon fiksionin, por njëkohësisht, sikur është krejt e pazakontë, historia e tejkalon edhe imagjinatën. Duke iu referuar historisë së Shqipërisë, ai e ndërton historinë e njerëzimit, duke iu referuar marrëdhënieve të njeriut nën diktaturë me veten e me tjetrin, ai e ndërton “labirintin e skëterrshëm të pushtetit e të shpirtrave” (Bashkim Shehu); duke iu referuar mitologjisë e folklorit, ai e krijon lidhjen e njerëzimit me hirin epik, i cili kërkon të ringjallet në letra, në një perspektivë makfersoniane e këngëve osianike, e cila te Kadareja shprehet përmes raportit të tij me traditën gojësore (Anton Nikë Berisha), mbi të gjitha me kangët e kreshnikëve.
Krijimtaria gojore i ka shërbyer Kadaresë si substrat për krijime letrare. Rimmarrja e strukturës së këtyre teksteve ka ndikuar që hiperteksti kadarean ta ruajë strukturën e tyre, por ta transformojë atë në një botë tjetër, duke e krijuar iluzionin e saj. Kapërcimi nga bota reale (jo vetëm historike, por edhe mitologjike) në atë të fiksionit letrar ose anasjelltas është i zakonshëm për Kadarenë. Prej këtej, mbase, duhet të jetë lindur njëri ndër keqkuptimet më të mëdha në letërsinë shqipe: ai i të quajturit të veprës së Kadaresë vepër e realizmit (socialist). Le të thuhet menjëherë: Kadareja lëviz mes botës së mitologjisë, historisë e fiksionit, duke krijuar një lidhje të përhershme mes tyre. Referencialiteti, prandaj, është i përhershëm. Porse, ai përbrendësohet brenda fiksionit, duke krijuar nga vepra e tij një tërësi shenjash e referencash, të cilat edhe pa i përsaktësuar nëse janë të vëreta ose jo, ne i besojmë përmes letrës. Pra, vepra e Kadaresë mundëson njohjen e miteve e të mitologjisë, gojëtarisë (literaturës gojore), gojëdhënave e legjendave, traditës e zakoneve dhe, në fund, historisë nacionale, në një perspektivë të pazakontë letrare. Rrjedhimisht, ajo e krijon iluzionin e tërë këtyre botëve, duke e krijuar “efektin e së njohurës” te lexuesi. Pra, ajo sot lexohet si vepër e cila e prek referencialitetin me këto botë. Gjithçka e trajtuar aty duket sikur të ishte e njohur, e jetueshme, e gjithëpranishme brenda nesh, e, megjithë këtë, është e zbuluar rishmi.

Por, krahas tyre ekziston edhe një lloj tjetër i rimarrjes së ralitetit dhe i krijimit të iluzionit të tij: kapërcimi nga bota e njërit tekst letrar në tjetrin dhe referimi ndaj botës së njërit si realitet i njohur, i përngjasshëm me realitetin tonë a me realitetin e tekstit, për ta krijuar iluzionin e realitetit në tekstin pasues. Pra, në sistemin poetik kadarean ekziston një lloj kapërcmi i vazhdueshëm mes botës “reale” – referenciale (botës mitologjike, historike, kulturore e, madje, letrare) dhe botës së tekstit. Iluzioni i realitetit, prandaj, është pasqyrimi i një bote në të cilën kufijtë mes reales e fiktives shkrihen, njëjtësohen, për të krijuar në fund jo vetëm iluzionin e realitetit, por edhe tejkohësinë e tij.

Në romanin Kush e solli Doruntinën kemi një kapërcim të vazhdueshëm mes gojëdhënës, realitetit të saj si refrencë, si dhe tekstit, mitologjisë e historisë. Teksti i referohet një realiteti: atij të baladës së vjetër shqiptare për vëllain e vdekur që e sjell të motrën në shtëpi. Për ndryshim nga Kuteli, ta zëmë, Kadareja i përmbahet strukturës së saj vetëm në disa vija të përgjithshme. Ai e ndërton një botë të re, e cila i referohet konceptit mesjetar të ringjalljes. Struktura e tekstit shtrihet nga besimi pagan te ai mesjetar për ringjalljen, për ta ndërtuar një realitet artistik i cili derivon një strukturë të re të vetë baladës a gojëdhënës mbi të cilën është ndërtuar teksti kadarean. Duke qenë se ngjarjen e situon në mesjetë, konceptin e ringjalljes Kadareja e bën bosht qendror të veprës, duke e ballafaquar strukturën e baladës me konceptin kishtar mesjetar për ringjalljen.

Iluzioni i realitetit krijohet edhe në një dimension tjetër, përveç atij strukturor e tematik: në rimarrjen e personazheve nga njëri roman në tjetrin. Disa karaktere rimerren nga historia, disa nga kultura e disa të tjerë nga mitologjia. Ata bashkëjetojnë në tekst, bashkëveprojnë dhe, së bashku, e krijojnë iluzionin e realitetit. Ajkuna, personazh mitologjik, Gjon Buzuku e de Rada, personazhe kulturore, princat mesjetarë, personazhe historike, e Milosao, personazh letrar, ribashkohen brenda atmosferës mitologjike të tekstit, duke krijuar përshtypjen e realitetit të tejkohshëm të veprave të Kadaresë dhe krijimin e “subjektit të ndërthurur të veprave të tij”. Ky subjekt është rezultat i një sistemi të konsoliduar poetik të Kadaresë, në të cilin mitologjia, kultura e historia janë pjesë të baraspjesshme të një bote letrare e cila në vazhdimësi i referohet një realiteti.

Ura me tri harqe ndërtohet si mbishtresim i disa niveleve në tekst: një tradite letrare, kulturore e zakonore, në njërën anë, dhe një tjetre formale-letrare, në anën tjetër. Gojëdhëna, tradita gojore, në aspektin formal i nënshtrohet tekstit të shkruar, duke e krijuar përshtypjen e përhershmërive (trasncendencave) tematike. Gojëdhëna i referohet kohësisht mesjetës, poetika e së cilës e kërkonte “iluzioinin e dritës”, duke pasqyruar edhe një karakter religjioz. Gojëdhënat e hershme shqiptare, në veçanti, ndërtohen mbi një ballafaqim të vazhdueshëm të “mbretërisë së dritës”, e cila vendoset përballë “mbretërisë së vdekjes”. Teksti i Kadaresë, prandaj, është pasqyrim i një iluzioni, brenda të cilit janë shtresuar gojëdhënat, legjandat, mitologjia dhe kërkimi për të vërtetën e besueshme.
Prilli i thyer, i cilësuar gabimisht si “roman mbi gjakmarrjen” (interpretim që mbështetet në aksin themelor narrativ), është jehona e jetës në prag të vdekjes, monument i pakrahasueshëm hijes së njeriut që endet mbi këtë botë duke e pritur çastin kur do t’i dorëzohet vdekjes, të parathënës, fatit tragjik i cili e përcjell njeriun e fisit brez pas brezi. Ai është pasqyrim i traditës zakonore shqiptare në një perspektivë letrare, duke i lidhur nyjë temat e mëdha të letërsisë me traditën zakonore shqiptare e kodet kulturore e jetësore me letrarësinë (transcendencat tematike e ideore). Ai ngjason, prandaj, jehonës së teksteve danteseke, po aq sa e shpirtit të tragjedive klasike. Jehona danteske hetohet në rrugëtimin e Gjorgut drejt botës së nëndheshme dhe këkrimit për të njohurit, të cilët e parathëna i ka rrokullisur vetëdijshëm drejt humnerës së vdekjes, e cila, nga ana e saj, e mbështjell jetën e fisit.

Pra, romani e përdor kodin zakonor, Kanunin, si mjet për të udhëtuar në lashtësinë e ligjeve të jetës, për ta realizuar synimin e tekstit: kthimin në të tashmen e largët. Koha, element thelbësor në roman, është augustiniane, një e tashme që i lidhë nyjë të shkuarën dhe të ardhmen. Brenda saj karakteret janë të vdekshëm, vdekatarë e hyjnorë njëkohësisht, ata priren drejt vdekjes sikur ai të ishte kthimi i përhershëm në jetë dhe jetojnë jetë tokësore e hyjnore njëkohshëm. Kësisoj, ne e ndjejmë në vazhdimësi “jehonën” e këtij kapërcimi mes kohëve, duke jetuar në një të tashme të largët, në të cilën pasqyrohet bota e këtejme, e përtejme dhe ajo hyjnore, duke e bartur mbi supe kryqin e fatalitetit. E, është pikërisht ky lloj dimensioni i fatalitetetit transcendental i cili e krijon jehonën e së tashmes së largët, asaj që shpreh kujtesën morale e zakonore, por që shpreh edhe shenjë identitare. Është gjëma e botës në një pasqyrim iluzor të kodeve zakonore, të cilat ne i përjetojmë si të ishin kodet morale tonat.

Kategorisë së teksteve që i referohen një realiteti historik i përkasin disa tekste të Kadaresë. Tekste të cilat synojnë një metarealitet historik për t’i dëshmuar marrëdhëniet politike, janë Dimri i vetmisë së madhe, Koncert në fund të stinës, Pasardhësi etj. Në këtë të fundit autori i referohet një ngjarjeje historike, një personi historik dhe një kohe e një vendi po kështu historik. E, megjthatë synimi i tekstit nuk është të dëshmojë, por “të përngjasojë”. Teksti, pjesë e një diptiku, e ndërlidh fuqishëm realitetin e sotëm e të nesërm (Pasardhësi, ai që shihet si trashëgimtar dhe që pritet ta trashëgojë fronin), pra realiteti i fuqishëm historik-politik, me realitetin e djeshëm, me të shkuarën e kujtuar (Vajza e Agamamenonit), pra me realitetin mitologjik, e historik-letrar.

Pra, synimi të krijojë ndërlidhjen e fuqishme mes mitologjisë e historisë dhë, më tej, mes historisë e letërsisë. Tekste të tjera të Kadaresë e krijojnë iluzionin e realitetit duke thurur fiksionin sipas modelit të reales, të cilit i përngjason, por nuk është paqyrim i tij (këtë e bëjnë romanet historike). Përngjasimi është në mbamendjen e autorit e të lexuesit. Madje, edhe sfondi i tyre (kohëhapësira), sikur edhe karakteret, jo rrallë janë të ngjashëm me sfondin e karakteret reale, por nuk u referohen atyre. Tekstet i rindërtojnë ato në tekst, duke e shndërruar fiksionin në pasqyrim fiktiv të një bote reale. Iluzioni është ai i përngjasimit dhe jo i referimit.

Kronikë në gur e ndërton këtë iluzion të realitetit. Fabula shtrihet mbi një përvojë jetësore, që nuk transponohet si e tillë në tekst, por e shoqëruar me elemente të tjera, siç janë: mitsikja, e magjishmja, filozofia etj., të paktën si kohë e shkrimit. Kronikë në gur, krahas iluzionit të realitetit, e ndërton edhe një referencë të brendshme të tipit fantastik. Shtëpitë dhe rrugët e gurta, prania e përhershme e gurit, si dhe rrëfimet autobiografike, të cilat rrëfehen si kujtesë autoriale për ngjarjet e tetë vjetëve të para të fëmijërisë së autorit në këtë qytet, në njërën anë, si dhe brendia e ekzistimit të tyre, që nuk prek në kufijtë e së natyrshmes, por i përket, para së gjithash, tipit fantastiko-filozofik, prej të cilave buron pastaj e magjishmja, në anën tjetër, e ndërtojnë opozicionin ndërmjet “historisë” letrare (tekstit) dhe asaj reale (fëmijërisë së autorit). I gjithë qyteti ngjan me një qytet të dalë nga përrallat.

Fantastikja e pasuron përvojën me elemente të së magjishmes. Sterra, ta zëmë, është një detaj i përkryer, në të cilin autori vepron me të magjishmen. Nëpërmjet saj krijohet edhe një opozicion tjetër: raporti ndërmjet tokës – botës së nëndheshme, dhe ajrit – parajsës qiellore.

Duke e përzier realen me fantastiken dhe të magjishmen, duke prekur në themele të teologjisë e të filozofisë së jetës, duke i ballafaquar ato në strukturën e tekstit, Kadareja e ka riinterpretuar botën e brendshme shpirtërore të njeriut dhe njohjen prej tij të natyrës, mistiken e religjiozen. Kjo, madje, ngjet me shumicën e “historive”palimpseste. Te “Kronikë në gur” mitikja, përrallorja, fantastikja, “bota alternative”, i nënshtrohen qëllimit praktik: ndërtimit të iluzionit të realitetit.

Filed Under: LETERSI Tagged With: - Letersia referenciale", Kadare, Vehbi Miftari

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT