• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LËVIZJA KUQ E ZI, Ҫ’FARË MESAZHI LA AJO PAS?!

December 12, 2015 by dgreca

Shkruan:Prof. As. Dr.Agim Koçillari/

Gjatë dy viteve të fundit në politikën shqiptare doli si një meteor LËVIZJA KUQ  E ZI.Tani, që ky meteor është shuar, duhet të bëjmë një analizë kritike për të kuptuar se çfarë ishte kjo lëvizje, kush e organizoi, pse e organizoi dhe a na la neve si komb ndonjë mësim për të ardhmen e munguar me sens kombëtar?.Si pjesëmarrës aktiv që në ditët e para e deri në të fundit të saj, dua të shpreh disa mendime.

  1. Kjo lëvizje tregoi se te kombi shqiptar dëshira për bashkim dhe zhvillim është më e fortë se kurrë. Ajo me parullat e saj nacionaliste bëri për vete masat e popullit. Ky sukses i saj në gjithë trevat shqiptare dhe më gjerë, tregoi se ajo ishte një lëvizje e duhur, në një kohë të duhur, për problemin kombëtar ende të pazgjidhur dhe që sot, më shumë se kurrë, është aspiratë e shtruar për zgjidhje. Me përhapjen e shpejtë që ajo mori hodhi poshtë mendimet dashakeqe të shprehura, edhe nga vetë disa shqiptarë se ne nuk jemi nacionalistë dhe ky vend e komb nuk bëhet, etj. etj..
  2. Ajo që lëvizja, Kuq e Zi, pati si të veçantë ishte metoda e punës. Ajo e bazoi veprimtarinë e saj në një grup të rinjsh idealistë që dolën në rrugë dhe demonstruan, duke nxjerrë edhe masat e gjera të popullit në këtë ballafaqim me pushtetin, gjë kjo e pazakontë për vendin tonë. Dihet se ne shqiptarët flasim shumë kafeneve, por kur është puna për të shprehur mendimin tonë në rrugë me demonstrata, nuk marrim mundimin ta bëjmë. Ky indiferentizëm na ka kushtuar dhe vazhdon të na kushtojë shumë si në aspektin individual, kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar.
  3. Duhet pranuar se në fillimet e saj, me nismat që ajo ndërmori, pati disa suksese që i kanë shërbyer kombit dhe për ato, ai duhet  të jetë mirënjohës. Ajo doli si lëvizje që kundërshtonte kthimin e shqiptarëve në grekë dhe pati sukses. Kjo u arrit, falë pozicionit në pushtet që kishte Z. Kreshnik, i cili mblodhi fakte duke kontrolluar vendimet e gjykatave në jug të vendit dhe gjeti parregullsi ku vërtetohej se mbi 6000 persona kishin kërkuar ndërrimin e kombësisë. Këto u publikuan në media çka bëri që ky proces të mos vazhdonte më tej, dhe ndërkohë Kreshniku, me të drejtë do të bënte një emër serioz.  Kjo ishte një arritje jo e vogël.
  4. Më tej, kjo lëvizje, i mëshoi me forcë faktit që ishte vendosur që të zhvillohej një census (regjistrim i popullsisë), të cilin me sa thuhet, kryeministri ia kishte premtuar Geixhit. Lëvizja, në takime në rrugë e sheshe i tregoi popullit dokumentin, që tregonte se në shtetin grek po bëhej i njëjti regjistrim por krejt ndryshe nga ai që po zhvillohej në vendit tonë, në të nuk kërkoheshin të dhëna për etninë dhe fenë. Ajo e sqaroi popullin se këto kërkesa të diktuara nga ATHINA, për BE nuk ishin detyrimisht të domosdoshme, se po të ishin të tilla do të ekzistonin edhe në atë grek. Kjo përpjekje e AK bëri që ky regjistrim dha një rezultat krejt tjetër nga atë që prisnin fqinjët tanë dhe udhëheqësit grekë të kishës sonë ortodokse ,,Autoqefale,,. Ky është një sukses mjaft i madh.
  5. Tjetër arritje është nisma për një abetare kombëtare të njehsuar. Kjo ide, është hedhur nga intelektualët Kosovarë në takimet e përvitshme që zhvilloheshin nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë që mblidhej çdo vit në Tiranë, vite më parë, para luftës së Kosovës. Ajo u përsërit në takimet e Aleancës dhe qeveria e kapi si ide dhe e bëri realitet. Megjithëse për cilësinë e saj mund të ketë akoma diskutime, dhe kjo është më se e natyrshme. Për mua ka pak rëndësi se kush e tha, apo  kush e ringriti dhe kush e bëri; rëndësi ka që do të bëhet dhe të bëhet ashtu siç duhet. Ju kujtoj se sa vjet u vonua ndërtimi i rrugës së kombi nga ndërhyrjet e Greqisë në bankën botërore.
  6. Mësim tjetër dhe jo pa rëndësi, që mund të nxjerrim nga veprimtaria e shkurtër e AK, është se lëvizje të tilla përpara se të ndërmerren për vetë karakterin dhe rëndësinë e madhe që kanë, për të tashmen dhe ardhmen e kombit, duhen peshuar dhe matur mirë. Vërtet jemi në demokraci por askush nuk ka të drejtë të tallet me ndjenjat kombëtare. Kreshnik Spahiu, i dehur nga sukseset, po them në mënyrë figurative, po sillej si kalë i azdisur (i tërbuar), duke folur dhe hedhur parulla në erë, që shpesh ishin të pa argumentuara ligjërisht, siç ishte ajo e bashkimit kombëtar. Bashkimi kombëtar është beteja e madhe dhe vendimtare që e pret kombin tonë. Ajo kërkon një platformë të hartuar dhe shkruar pas diskutimesh të gjata midis shqiptarëve të të gjitha trevave. Unë e mendoj atë si një luftë shumë më të madhe se sa beteja për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Z. Kreshnik e shtronte këtë problem si diçka shumë të thjeshtë, madje për këtë bashkim megjithëse u bë shumë zhurmë. nuk patëm as një program të shkruar. Kjo bëri që të ndodhin edhe skena qesharake (groteske) si takimi në Morinë midis nesh dhe shqiptarëve të Kosovës, ku vetëm ai me zotin Myslym firmosën një dokument që kërkonte bashkimin kombëtar, përmbajtja e të cilit ishte hartuar një natë më parë. Nuk dihet se me cilin është konsultuar Z. Kreshnik për ta hartuar këtë dokument, por është i sigurtë fakti se për të janë hedhur vetëm dy firma. E pata pyetur dhe nuk mora përgjigje, prandaj po e pyes përsëri: kujt i shërben një sjellje e tillë e papërgjegjshme.

 

****

Nga lëvizje të tilla, sidomos kur kanë të bëjnë me fatet e kombit, edhe kur ato dështojnë, duhet të analizohen faktet pse ndodhi, me qëllim që në lëvizje të ngjashme ato mos përsëriten. Është fakt se dështimi i kësaj lëvizjeje e ka dëmtuar çështjen kombëtare. Populli i zhgënjyer prej saj e ka të vështirë të besojë lehtë në lëvizje të ngjashme që do të organizohen në të ardhmen. Për të luftuar këtë mosbesim atij i duhet treguar pse ndodhi dhe si ndodhi ky dështim.

Unë në fillimet e saj besova sinqerisht se ajo shprehte dhe mbronte një aspiratë madhore të kombit shqiptar, prandaj dhe u bëra pjesëmarrës aktiv gjatë gjithë kohës që ajo ekzistoi. Në  këtë lëvizje mendoja se gjeta vetveten dhe kam marrë pjesë pothuaj në çdo takim nga jugu në veri, nga Shqipëria në Kosovë e trevat shqiptare në Maqedoni. Jo vetëm kaq, unë jam munduar dhe përpjekur me mish e me shpirt që ajo mos të përfundonte ashtu si edhe ndodhi. I them këto sepse që në fillimet e saj u shfaqën shenja që paralajmëronin një fund jo të mirë.

Në çdo lëvizje me karakter të theksuar kombëtar futen idealistë, interesaxhinj dhe spiunë. Edhe në këtë lëvizje ekzistonin këto tre kategori.

Ashtu si nga unë, në fillimet e saj, ajo u mbështet nga gjithë shqiptarët kudo ata banonin. Ishte një kënaqësi jashtëzakonshme, që në ato ditë, të shikoje se si gumëzhinin zyrat e kësaj lëvizje nga njerëzit e çdo moshe. Në muajt e parë, në zyrat e AK nuk gjeje radhë nga njerëz që vinin për tu regjistruar. Nga ana tjetër nga gjithë bota, vinin urime nga shqiptarë emigrantë dhe që shprehnin dëshirën për të qenë anëtarë të kësaj lëvizje. Ata duke u regjistruar me anë të internetit shprehnin dhe urime pa fund. Por kjo nuk vazhdoi gjatë.

Përshtypja e parë e hidhur që pata ishte urdhri i dhënë por jo i vendosur kolegjialisht se në lëvizje nuk pranoheshin  persona që kanë pasur aktivitet politik të mëparshëm (pavarësisht se Kreshniku e Lysieni bënin pjesë në këtë kategori)

Me kalimin e kohës po bëhej gjithnjë e qartë se diçka nuk shkonte mirë. Kishte mangësi të mëdha në organizimin e saj dhe kjo, siç doli më vonë, ishte e qëllimshme. Kështu, filluan të vinin shumë intelektualë dhe biznesmenë, figura të njohura, por jo të gjithë ata pranoheshin. Ata largoheshin me pretekstin se ishin marrë me politikë dhe në lëvizje duheshin pranuar vetëm njerëz të papërlyer dhe nuk shikohej se sa i përlyer ishte vetë kryetari. Ose kur kjo kleçkë mungonte, ata thjesht injoroheshin dhe në këtë mënyre largoheshin. Të bënte përshtypje kapja dhe këmbëngulja e kryetarit pas disa personave pa integritet kulturor e moral, por vetëm se kishin para. Ai kishte frikë nga intelektualët që kishin eksperiencë politike dhe që qëndronin shumë më lart se ai. Që në fillim, ekzistonte  mendimi e dëshira për t’u kthyer në parti. Kjo ushqehej edhe nga masa  e gjerë e popullit që e kërkonte këtë duke e parë si një shpresë për ndryshim. Por habitesha se shumë persona që ishin pranë kryetarit të lëvizjes dhe si të thuash ishin trup roja e tij, shpreheshin se jemi “parti e xhaketave të reja,, dhe se këtë radhë duam 2-3 vende në parlament, kurse në vitin 2017 do jetë radha  jonë (Këtë e vërteton fakti që lëvizja u përqendrua vetëm në katër qarqe: Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan, ku dilnin dhe më shumë deputetë duke synuar nga një në secilin prej tyre).

Nuk më pëlqenin këto mendime, jo se vetë isha i vjetër, por se në takimet tona mbi 80 % e pjesë marrësve ishin “xhaketa të vjetra,, dhe për më tepër, pjesëmarrja e gjerë e popullit në takimet tona premtonte për një lëvizje që do kishte përmasa të mëdha, por që duhej organizuar dhe drejtuar mirë, me mençuri dhe kujdes. Këtë e pata shprehur disa herë, por as kryetari dhe as të tjerët nuk ma mohonin dhe as ma pohonin. Këto ishin dyshimet e para për seriozitetin e kësaj lëvizjeje.

Që Kreshniku bënte një lojë jo të ndershme, u kuptua qartë kur të përndjekurit bënë grevën e urisë. Ne i vizituam ata me pompozitet, madje dolëm edhe në miting para kuvendit në përkrahje të tyre. Kur një nga organizatorët e saj u vetëflijua duke i vënë flakën vetes dhe më vonë vdiq, unë propozova në mbledhjen e sekretariatit (që mblidhej çdo të hënë) se ishte momenti  i duhur që aleanca të ngrinte popullin në këmbë duke organizuar një grevë kombëtare. Në fillim le të dilnim pak vetë me një parullë të mbajtur nga ne, anëtarë të sekretariatit, duke bërë çdo ditë për një orë një xhiro nga stacioni i trenit te universiteti. Unë shpreha mendimin se duke qenë e përditshme dhe duke u bërë masive në kryeqytet shumë shpejt do të përhapej edhe në rrethe. Këtë e mbështesja në faktin se në popull ekzistonte një pakënaqësi e madhe ndaj qeverisë në pushtet dhe ai do të na mbështeste. Nga ana tjetër, u kujtova faktin se edhe ambasadori amerikan kishte bërë thirrje që për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri duheshin demonstrime paqësore. Në këtë grevë ne duhej të kërkonim dorëheqjen e qeverisë. Por këtë i propozuam Z  Kreshnik por ai bëri sikur nuk e dëgjoi duke më kërkuar që të mos i prishja mbledhjen dhe se do ta diskutonim më vonë. Pas mbledhjes diskutova edhe me kolegë që ai mbante pranë vetes dhe që mendonim se i dëgjonte (në këtë lëvizje gjithmonë ka ekzistuar një triumvirat në krye të saj). Për çudi, Z. Kreshnik që mezi priste rast të dilte në media dhe të bënte deklarata, këtë radhë nuk u ndje, madje u fsheh. Pse vallë?

Kur lëvizja u kthye në parti u hartua një statut provizor, që në kongresin themelues nuk u lexua por u aprovua unanimisht. Për më tepër, ai nuk është zbatuar. Në të ishte përcaktuar që në kongresin pasardhës (apo edhe nga këshilli i përgjithshëm) të zgjidhej kryesia e partisë e cila do të kishte të drejtë vendimmarrje, sepse sekretariati i zgjedhur në kongresin themelues kishte të drejta konsultative. Dhe gjatë gjithë kohës vendimet në këtë parti, megjithëse nuk ishin të sanksionuara me statut i merrte vetëm kryetari. Por kjo kryesi si dhe vetë kryetari me mandat nuk u zgjodhën kurrë.

Së treti u vendos që të organizohej partia në bazë qarqesh dhe zonash zgjedhore. Koha kalonte dhe kurrkush nuk kujtohej. Vinin persona të ndryshëm, intelektualë të njohur nga rrethe të ndryshme të vendit dhe premtonin që të angazhoheshin për ta bërë këtë, po nëse ata nuk i pëlqenin kryetarit nuk pranoheshin (përmend rastin e Pukës dhe Përmetit). Më së fundi, aty nga vera e vitit 2012, ishim disa anëtarë të sekretariatit që ngritëm me forcë organizimin e partisë në rrethe. Falë kësaj këmbënguljeje, u fillua nga puna, por edhe deri përpara zgjedhjeve kjo parti, përveç se në rrethin e Lushnjës nuk pati struktura të zgjedhura.

Së katërti, dhe për më tepër, kjo  parti deri në futjen në fushatën zgjedhore dhe largimin tonë, nuk kishte program. Sinqerisht, ndiheshim shumë ngushtë kur shkonim në takim me popullin dhe ata kërkonin sqarime për këtë. Dhe kishin shumë të drejtë. Aq më tepër që sallat ishin të mbushura plot. Këtë problem e ngrinim ne sekretariat, por kujt t’i a thoshim. Më sa dëgjon muri aq dëgjonte edhe Kreshniku.

Së pesti, zgjedhjet po afronin dhe populli kërkonte mendime për kandidatët për deputetë dhe aleancat. Baza  kryesore e Aleancës ishin shtresat e varfra të fshatit dhe qytetit. Ne merrnim mendime sidomos se me kë duhej të ishim aleatë. Në këtë çështje ata ishin në shumicën dërrmuese për të majtën (PS, se për LSI-në, me sa më dukej mua, kishin të njëjtin mendim si për PD). Aleancën me PS e donin  edhe për arsyen madhore se dikush duhej të interesohej për ruajtjen e votës. Këtu vlen të theksohet fakti se shumë persona të pa kënaqur jo vetëm nga të dy partitë mëdha (sidomos PD por edhe nga LSI, e) donin një strehë, donin një ndërrim dhe kalim dinjitoz dhe këtë e shihnin tek AK. Këto mendime vinin nga përfaqësuesit e disa rretheve, por Z. Kreshnik bënte sikur dëgjonte dhe kurrë nuk reagoi.

Së gjashti, deri sa u larguan shumica e anëtarëve të sekretariatit (njëzetedy sekretarë, nga tridhjetë gjithsej), nuk kemi diskutuar kurrë për lista kandidatësh.

Së shtati burimet financiare të lëvizjes dhe partisë nuk u bënë kurrë të njohura, megjithëse se kjo kërkohej nga sekretariati. Të habiste fakti se kryetari jo një herë është shprehur se partinë e mbante ai me paratë  e tij, dhe as mos i shkonte në mend se dikush mund të ishte në lista kandidatësh pa derdhur më parë 100 mijë euro në arkën e partisë.

 

****

Duke mos pasur një strategji të qartë dhe një program të shkruar dhe detajuar (të paktën deri kur u shpërbë sekretariati), ajo nuk ishte në gjendje të organizonte dhe udhëhiqte ata njerëz që ajo përfaqësonte dhe kuptohet pa mbështetjen e tyre do dështonte dhe dështoi. Z Kreshnik nuk e priste dhe as besonte se mund të ndodhte kjo. Ai nuk na mbështeti, por përkundrazi na u kundërvu neve anëtarëve të sekretariatit që munduam me çdo mënyrë ta shmangnim këtë fund pa lavdi. Këto nuk i shkruaj për justifikime dhe për të bërë heroin, por sepse sinqerisht dështimi i AK ishte një dështim që i shërbeu armiqve të kombit tonë.

Nëse AK do të ishte një parti e hapur për të gjithë forcat progresive të shoqërisë shqiptare, do të ishte organizuar në një parti të mirëfilltë, do të kishte një program të qartë dhe në kupolën e saj nuk do të kishte luftë brylash, ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe. Për t’i bërë këto që shpreha kishim dy vjet kohë.

Ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Megjithëse u përpoqëm shumë, ne disa nga sekretarët, nuk mundëm të evitonin sjelljen aventureske të kryetarit të saj.  Shtypi duhet të bënte më shumë dhe analizonte me detaje këtë person: kush ishte, cili ishte formimi i tij dhe a kishte mundësi që ta udhëhiqte këtë lëvizje. Ai fliste  për kufizim mandatesh por po bëhen tre vjet që ai është kryetar partie kur ende nuk ka një mandat zyrtar nga partia  e tij.

 

Më kanë mbetur në mendje dy gjëra, të cilave atëherë nuk u jepnim rëndësi: Së pari kur unë i kërkoja me këmbëngulje që nga katër takime në muaj tek Hotel Internacional (një takim kushtonte 700 euro), të bënim tre dhe të hollat e një takimi t’i shpenzonim për të shkuar  në rrethe me qëllim organizimin e partisë, ai i nxehur përgjigjej: për ato takime ne nuk paguajmë para.

Gjithmonë e kam pyetur veten: kush dhe pse i paguante ato para?

Pra kjo ishte Aleanca Kuq e Zi. Ajo nuk arriti të bëhej parti sepse nuk pati program por një lëvizje për zhurmë mediatike që dikujt i duhej dhe Kreshniku duket se ishte mercenar i tij.

 Megjithatë, në fund po theksoj edhe një herë se kjo lëvizje pati disa arritje, që duhen vlerësuar dhe ne na la një eksperiencë që për mendimin tim nuk duhet lënë në harresë, por mbi një bazë të re, me njerëz patriotë dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare, të riorganizohet me qëllim ndërgjegjësimin e kombit dhe realizimin e bashkimit kombëtar si një problem i shtruar për zgjidhje. Dhe kjo bëhet o sot o kurrë  dhe duhet bërë.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: LËVIZJA KUQ E ZI, Prof. as. dr. Agim Koçillari, Ҫ’FARË MESAZHI LA AJO PAS

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT