NGA ALFONS GRISHAJ/
Në këtë çerek shekulli, shqiptarët kanë bërë progres në shumë fusha, më kryesorja, janë të lirë si kurrë më parë… Gjëja që kanë mbetur në vendnumëro është psikologjia! Megjithëse kafazi i hekurt i komunizmit u shkri, gjykimi dhe veprimi duket i njëjtë. Duke lexuar gjithë këto ditë për 25 Vjetorin e rrëzimit të komunizmit të vjetër, konstatoj se, sinqeriteti dhe e vërteta na mungon, ose e fshehim për qëllime të vogla. Shumë nga të njohurit e mi erdhën në këtë 25 vjetor me kujtimet e veta, kujtime dhe pse disa i sjellin në formën e tyre, vlejnë si dëshmi të një këndvështrimi historik dhe si një përpjekje për të sjellur diçka ndryshe me ato që dimë dhe jemi mësuar…
Deri këtu ne shohim përpjekjet për të mos harruar. Por, kur ne shohim se si disa kanë dëshirë për t’u bërë faktor vetëm me një ditë demonstratë, apo me një aparencë ca ditore në një zyrë, me ndonjë shkrim të cunguar që nuk i shërben askuj, biles dhe atij që e shkruan… Këtu kemi problem… një problem të madh! Latinët shpreheshin: “Vox audita perit, littera scripta manent”, që do të thotë, “Fjalët e thëna vdesin, por fjalët e shkruara mbesin”.
Kohë më parë, kam qenë zyrtar në PD Shkodër. Pas ngjarjes së 2 Prillit, po mblidhja dokumentacionin e nevojshëm për ngjarjen (të cilat më pas Ali Spahia i paraqiste në parlament), më erdhi një person i quajtur F.GJ. Në dorë mbante një plumb pistolete Makarov (pistoletë që mbahej nga zyrtarët e lartë të PP-së, apo oficerët e lartë të sigurimit), dhe ai nis e tregon historinë plumbit: “Isha duke kaluar tek Komiteti Ekzekutiv, kur plumbi u përplas në qoshen e trotuarit, e mora për ta mbajtur si dëshmi për të treguar që kriminelët e PP-se, gjuanin në rrezen që përfshin dy godinat, midis KPP-së dhe KE”. E falenderova për kujdesin… Kaloi ca kohë kur e shoh përsëri personin në fjalë. Ai erdhi tek zyra me disa të tjerë dhe u drejtua nga shokët e tij, por me sy nga unë: “ Alfonsi, e din se me 2 Prill, sigurimi i shtetit ka qenë duke më ekzekutuar! Biles, plumbin që më ka shpuar pantallonat u përplas në qoshen e trotuarit dhe unë ia kam sjellur Alfonsit për dokument, apo jo Alfons?” E shikova me habi dhe nuk po u besoja veshëve. Ai kërkonte që sajesën e tij ta bëja të njohur në shtypin e kohës. E shikova personin e njëjtë, por me një dëshmi krejt të ndryshme nga version i parë, tek “shkumbëzonte” kundër komunizmit dhe vrasësve që përpak i “morën” jetën heroit të gjorë… U çova në këmbë, e mora më vete dhe i tregova se versionin e parë e kisha shkruar në ditar, kurse të dytin nuk do ta shkruaja për arsye se i binte ndesh të parit… Ai u skuq dhe u largua sëbashku me miqtë e tij për mos u takuar me të për një kohë të gjatë. Pas disa vitesh e takova, por biseda e plumbit “vrasës” nuk u zu më në gojë… Sikur ta shkruaja një gjë të tillë do më rëndonte në ndërgjegje terë jetën. Kësisoj gënjeshtrash dhe spekullime kanë ndodhur jo rrallë herë, jo vetëm me mua, por dhe me disa shokë të mi… Rasti në fjalë ndodhte shpesh me emigrantët që kërkonin për të fituar azil politik në perëndim. Unë nuk kam parë asgjë të keqe për t’i ndihmuar, po aty për aty krijohej një vetëgënjeshtër, duke krijuar heroin e pa qenë… Pikërisht këto “heronj”, prej lapsit të papërgjegjshëm krijuan armatën fallso të heronjve që rrëzuan komunizmin. Në hapjen e Kishës apo Xhamisë apo në demonstrata shoh emra që kërkojnë të bëhen lidera, pa i njohur askush. Biles ata, pa iu skuqur fytyra, na tregojnë ne dëshmitarëve të gjallë se kush ka qenë apo kush nuk ka qenë në këto lëvizje. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht nuk kam munguar asnjë sekond në ngjarjet historike dhe dramatike që ka kaluar Shqipëria, që nga viti 1990 deri në vitin 2000, dhe i njoh ato ngjarje si drejtues dhe pjesëmarrës dhe jo nga zyrat apo telefon i prishur… E kam thënë dhe herë tjetër, nuk merrem me kalimtarët, por me përbërësit faktorë, të cilët në momente të caktuara kanë punuar për demokraci…
Në ato ditë të vështira jam takuar me Tefalin Malshytin, Mond Bushatin, Shenasi Ramën. Me Tefalin Malshytin jemi takuar para Kafes së Madhe dhe i kam sugjeruar se ato duheshin t’i ndërronin kërkesat nga ekonomike në politike, nëse dëshëronin përkrahjen e gjerë të njerëzve. Këtu kisha parasysh frymën dhe qëllimin e protestave të 14 Janarit dhe 16 Qershorit, në të cilat shkodranët demonstruan qartazi dhe në masë kundër komunizmit. I shqetësuar ia përmenda dhe Kolec Ndojës, që ishte mik i imi që përpara lëvizjes. Koleci, Mond Bushati dhe Tefalini ishin ndër studentët më aktivë në ngritjen e Degës së PD-së Shkodër. Shenasiun, Arben Likën, Arben Ibron, Arben Okajn dhe Arben Brocin, i takova gjatë atyre ditëve. Shenasiu dhe Tefalini vinin në cilësinë e të deleguarve nga Tirana, ndërsa një pjesë e të tjerëve, megjithëse vazhdonin intensivisht angazhimin e tyre në lëvizjen studentore në Tiranë, u bënë pjesë e qenësishme e strukturave të degës së Shkodrës. Siç kam thënë dhe më parë, Shenasiu gëzonte një nivel kulturor më të lartë se të tjerët dhe ideologjikisht ishte më i qarti ndër studentët që kam takuar. Tani, pas 25 vitesh, përvoja na ka pasuruar të gjithëve në fushën e koncepteve mbi demokracinë, ndaj dhe është e natyrshme që të ndjejmë keqardhje që idealet e ëndërruara dhe të shprehura me aq pasion në fillim të nëntëdhjetës janë ende larg finalizimit, dhe këtë besoj se e ndjejmë të gjithë, por ky fakt s’ka pse të na pengojë të shprehim respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin ndaj gjithsecilit që ka kontribuar në lëvizjen demokratike, një lëvizje e ndryshimeve të mëdha historike. Lista është sigurisht shumë e gjatë. Megjithatë, siç u shpreha më lart, kryesorja u bë! Mendimet dhe këndvështrimet janë të ndryshme dhe duhen pranuar si të tilla, por jo gënjeshtrat dhe fyerjet.
Para pak ditësh, lexova intervistën e Izet Haxhisë, me të cilin kemi ndarë momente delikate në historinë e demokracisë… ndjeva një krisje të brendshme që më ndodh rrallë! Njeriu në çfarëdo situate që të jetë, duhet të gjejë më të mirën e mundshme, dhe jo më të mundshmen e keqe. Kemi qenë bashkë disa herë dhe e respektoj kontributin e tij, por nuk ndaj të njëjtën pikpamje për Azemin dhe Berishën… Kontributi i Azemit dhe i Berishës është kontribut që nuk mund ta zvogëlojë as Izeti, as Alfonsi apo Aleksandër Meksi. E pranoj se janë bërë gabime trashanike, por këto gabime nuk kanë ardhur si pasojë e atyre të këqijave të stisura që ne i veshim njëri-tjetrit, por kanë ardhur si pasojë e padijes dhe UNIT shqiptar, që askush dhe asnjë komb tjetër nuk e ka më të madh se ne! Në ato ditë të vështira mund të ishim vrarë të gjithë ne! Mundësia ishte që të ndodhte dhe tek ne si në Timisoara të Rumanisë… Sigurisht, atëherë shpirti ynë do të gjykonte prej së larti pa gabuar, kurse tani që jemi në tokë gabojmë gjithë ditën! “O Tempora! O Mores!”, do të thoshte Cicero.
Dikush shkruan kundër Shenasi Ramës, që për mua, është ndër ato heronj që meriton respekt. Unë e di historinë e tij më mirë se askush tjetër lidhur me akuzat që i bëhen… Ne kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe jemi kuptuar. Unë kam qenë mik i Lukë Velaj, por dhe miku i Shenasiut… E njoh historinë jo me të thënë, por me dokumente.
Po a mund të mbesë njeriu tërë jetën peng i një gabimi fëminor 17 vjeçar? Vetëm një shoqëri me kufizime intelektuale dhe shpirtërore mund të dënojë një fëmijë 17 vjeçar për tërë jetën… Ne e quajmë komunizmin Rus më të egrin në planet, por mendësia jonë ua kalon Rusëve. Aleksandër Matrasov, një jetim dhe pse më parë kish qenë në koloni u bë heroi i popujve të Bashkimit Sovjetik, pikërisht se i vuri gjoksin bunkerit gjerman për të shpëtuar shokët. Dhe Shenasiu me shokët e vet i vunë gjoksin bunkerit të rregjimit të komunizmit dhe pse nuk u vranë atëherë, ne kërkojmë t’i vrasim sot!
Balta kundër Jozefina Topallit, ka të njëjtën përmbajtje, por me një ndryshim, se nga ato që fliten nuk ka asgjë të vertëtë, por vetëm stisje, por ja që pseudo-media e hap lajmin gënjeshtër si gripi kinez… Fini, siç e quanim dikur vajzën model. Ajo vinte nga një familje e persekutuar, gjithnjë në ndihmë të demokracisë së brishtë, me një personalitet të pavarur që i thoshte mendimet e hapura dhe të pastra. Shpesh herë ajo kritikonte për gjërat që nuk i pëlqenin, biles kishte një “anti-pati” për Berishën. Por, kur unë e prezantova me Berishën tek Universiteti Luigj Gurakuqi, ajo jo vetëm që ndyshoi mendim, por kishte dëshirë që të takohej përsëri me të… Kemi biseduar për Jozefinën me dy miqtë e mi, Pjetër Arbnori dhe Ali Spahia, para se ajo të afrohej në drejtimin e PD-së. Jozefina, megjithëse nuk qe entuziaste në fillim të propozimit për deputete, e mori veten shpejt, falë dhe këshillave të Pjetër Arbnorit. Ajo u bë lidere duke pranuar dhe mungesat që sjell fillimi… Kur u votua për zv/Kryetare Parlamenti, ajo mori dhe votat e socialistëve, biles, ata shqetësoheshin kur nuk e shihnin në podium “Vajzën tënë”… Pas vitit 97, ajo së bashku me Azemin thyen “bllokadën” e rebelimit komunist në Jug, duke rifituar territorin e pushtuar nga dhuna e bandave… Dikush e quan “Zonja e Hekurt”… Ajo s’ka asgjë të hekurt se, nuk është një qënie mekanike që kur zë ndryshk duhet pastruar dhe grasatuar. Sigurisht, pas disa viteve zëri i saj u bë më i thekur, dhe kjo sillte edhe zili edhe çudi, se nuk përkonte, me bukurinë dhe feminitetin e saj. Por, a mundet të mbijetojë një kanarinë blu me korbat e parlamentit shqiptar, pa u bërë shqiponjë?! Kurrësesi! Çfarë ndodhi atëherë? Korbat u sulën që ta përçudnonin zonjën blu! E quajtën spiune… biles, ata kishin kohë që i kishin vënë pseudonimin “Dezinjatorja!” Thanë e ç’nuk thanë për zonjën e nderuar, sikur ata të mos kishin motra, nëna apo kushërira. Zonja blu, hapi krahët dhe thonjtë e u bë shqiponjë!
Vitet e lirisë sonë nuk u përdhosën nga Jozefinat dhe gratë e parlamentit nga të dy krahët, por nga kripto-komunistët që tashmë dëshërojnë të na kthejnë në të shkuarën, se tek e shkuara gjejnë frymëzimin e sotëm. Ata mendojnë se grate janë garniturë dhe jo faktor jetik … Vitet tona të lirisë, nuk i përdhosin nervat e momentit që shkarkohen si rrufe në shkretëtirë, por papërgjegjësia e etiketimeve të turpshme dhe inkoherenca që I gdhendi në shkronja! Palo-politikanët tanë nuk e kuptojnë që një ligj i keq që aprovohet dhe printohet dëmton të ardhmen. Kushtetuta Amerikane, u ndërtua në bazë të 28 Principeve të Lirisë, të cilat, burrat e mençëm i gdhendën në shkronja duke e përsosur ndër vite. Po principet tona ku janë?! Historiani, politikani, apo gazetari–gënjeshtar, kur stis keq një histori, një ligj, një lajm, dëmton të tashmen, por më tepër mund të vrasë qorrazi dhe të ardhmen!
Akt i turpshëm, loja e dekorimeve! Njësoj krimineli me viktimën?! Kjo tregon se sa të pasinqertë dhe sa të lexueshëm bëhen palo-politikanët shqiptarë…
Trashëgimtarët nisen nga tradicioni dhe jo nga arsyeja. Errësira e të shkuarës reflektohet në të tashmen dhe në të ardhmen e pasigurtë… Çërmimi i eshtrave të mikut tim, At Zef Pëllumbi, nuk është rastësi, por tregon ironinë therëse se demokracia nuk vjen prej tradicionit të keq, por prej qytetarisë brilante pa ngarkesat e së shkuarës… Të persekutuarit duhen gjithnjë të falin, kurse persekutorët gjithnjë të tallen! Unë mendoj se domatet dhe vezët janë shumë pak për njerëz të tillë të sakriligjeve!
Siç shihet, kërkohet që të gjithë heronjtë e demokracisë të degradohen në forma të ndryshme, të sajohet dhe të shkruhet për ta sa më zi. Të ngrihen kurthe të dyfishta, siç është puna e dekorimeve për të krijuar dualizëm… Kush është më i mirë, ky me shumë medalje e dekorata apo ky me veladon?! Vocrrakë të tillë të “qosheve të dikurshme” kacavirren pas letrave për të bërë plaçkë, për të mbijetuar, për të ngrënë bukë turpi duke krijuar histori të rremë dhe heronj të rremë, ashtu siç bëri dhe një mik i imi, shkrimtar nga Shkodra … Më keq akoma, kur “Fabulisti” komunist, me cingaren e përgjakur në veshin e viktimes, na tregon se cilët janë letrarët dhe shkrimtarët e “vërtetë”… dhe për çudi, “Shkrimtarët Njujorkez” brohorasin:“urraaa ”!!! Kaq idiotë ka kjo tokë, sa duhen dy botë për t’i mbuluar!
Kjo është vorbulla jonë, lufta e regresit, kundër progresit! Komunisti i thekur, kundër demokratit liberal! Paarsyeja, kundër arsyes! Pseudo-shkenca , kundër shkencës! Gënjeshtra, kundër faktit! Rasti i Sami Rrepishtit, është flagrant… Profesor Rrepishti, shkruan të drejtën dhe është shumë i saktë, por ja që del zografisësi i PP-së, e na tregon “faktet” e Debatikut, po a ka turp më të madh se ky? Rrenacakët kanë kaluar shkallën e parë të demagogjisë në unisfere. Ata mendojnë se duke mbajtur ngrohtë vemjet e së shkuarës, tregojnë “unitetin” që u duhet për të mundur kundërshtarin imagjinar!
Nëse komunizmi dhe mendësia e tillë të ndrydh dhe të zë frymën, demokracia ka oportunitetin e frymëmarrjes që nëpërmjet lirisë të bësh zgjedhjen tënde. Demokracia të jep mundësinë dhe për t’i korrigjuar gjërat… Por, siç shihet, së pari kemi nevojë të vetëkorrigjohemi, pastaj ta përdorim pendën… Tolstoy shkruan: “Everyone thinks of changing, but no one thinks of changing himself”. Pra, le të ndryshojmë. Ta përdorim pendën në ndihmë të së vërtetës pa rënduar viktimat dhe pa glorifikuar viktimbërësit. Ta përdorim për të bërë ligje që i qëndrojnë kohës dhe i shërbejnë popullit. Ta përdorim pendën për të gëzuar zemra dhe jo për të hidhëruar shpirtëra. Të ruajmë gjithçka të mirë që është arritur, paçka se e ka bërë ky apo ai, ky subjekt apo ai subjekt. Ilaritetin t’a lemë mënjanë! Është i vështirë ndryshimi por zgjidhje tjetër s’ka! Procesi i ndryshimit do t’i shërbejë paqes dhe zhvillimit të gjithanshëm të shoqërisë sonë. Madhështia e njeriut qendron jo në formën e tij të ngurtë prej shkëmbi, por në brumin e përdheshëm, ku jeton energjia suprime dhe shpirti i lirë që pret të çlirohet nga trupi i vdekshëm!