NGA PËLLUMB GORICA/
Për Llixhat e Elbasanit gjithnjë kam qënë kurioz, sepse ky emër më ngjallte dëshirën për të vizituar vende të tilla. Vonë jam takuar me këtë vend. Shkak u bë një shqetësimi im shëndetsor. Them vonë, pasi vrulli i jetës me punë, udhëtimet, pasionet dhe shqetësimet shëndetësore më kanë shoqëruar, si gjithnjë ne shqiptarët, që i shoqërojmë me moskokëçarje gjëra të tilla. E vlerësoj të rëndësishme se duhet kujdesje për shëndetin e nuk duhet të anashkalohen sinjalet që i jep organizmit të njeriut edhe një ndërlikim i lehtë. Ka shumë mjekime të ndryshme dhe krahas spitaleve e qëndrave shëndetësore, dukuritë e natyrës, të sigurojnë kurime të tilla, që zëvëndësojnë mjekët dhe ilaçet.Ujërat termale janë bërë prej shekujsh pjesë e terapive kuruese. Ndaj, që të mos braktisen këto bekime të natyrës, udhëtojnë jo pak njerëz drejt tyre, edhe pse ndonjëherë larg.
****
I kemi rënë anash Elbasanit, ku udha gjarpëruese të orienton drejt Jugut. Mes poteresh dhe lëvizjesh, ecim një copë herë të mirë. Pamje të konturuara me drurë frutorë që vrapojnë e fshihen pas nesh dhe vendbanime të shtrira në fushë e rrëzë kodrave me ndërtime anës rrugës, si ylber të shpalosin larminë e vet.
Udhëtojmë drejt qëndrës së ujërave termale të Llixhave, një nga dukuritë më interesante të trevës së Elbasanit, aty ku dhjetëra mijëra kilometra në thellësinë e fshehur të tokës, reaksionet e llavës së nxehtë në 355 gradë celcius kanë bërë që të shpërthejnë ujëra sulfurorë. Është një pasuri natyrore me veti jo vetëm kuruese, por edhe ripërtëritëse, te të cilat njeriu është ndalur që herët.
Ardhja këtu të jep një ndjesi krejt ndryshe me erën e pakëndshme dhe pështjelluese, por ajri i stopuar nga nxehtësia e stinës, si për të fshehur thesarin e saj, bashkë me rrëmujën dhe zhurmën e tregëtarëve të një tregu të vogël, janë zbulesa befasuese plot kontraste.
Rruga futet në brendësi të luginës së rrethuar nga kodra të veshura me gjelbërimin e thellë të drurëve shekullorë, ku nga lakoret e tyre mund të admirosh edhe krahinën e Shpatit. Afër saj ujërat, siç duket, të disiplinuara në një kanal të betonuar, shushurijnë lehtë e kutërbojnë, duke të ngacmuar hundët dhe të sjellin ndonjëherë një përzjerje të lehtë. Më tutje shkel pllanga gropash me ujëra të nxehta që dalin nga toka.
E shtrirë në këtë hapësirë, në të majtë e në të djathtë ndesh një grumbull ndërtimesh (shumica hotele) që të bëjnë përshtypje me hijeshinë e tyre, por edhe ngehina portative, ku kryhen shërbimet e duhura për kuruesit, të cilat plotësojnë pamjen e saj. Ato i ndan nga njëri-tjetri një largësi sa gjerësia e një rruge të zakonshme. Gjithë këto ndërtime pa kriter e që lenë aq shumë për të dëshiruar për nga rregulli, përbëjnë një mangësi e zyrave projektuese të Elbasanit pa një plan studimi të vendosjes e të largësive nga njëra- tjetra, apo edhe të rrugëkalimeve të ngushta, pasojë e një babëzie njerëzore për të ndërtuar ku të mundësh.
Natyrisht, pa u futur në hollësi të panevojshme, aty ku merr frymë jeta, njerëzia, bagëtitë, gjelbërimi, qendra e ujërave termale të Llixhave, duke e humbur qetësinë kuruese, të ngjan si një qëndër turistike, edhe pse është shpallur e tillë. Por, me keqardhje, nënvizojmë se kjo është lënë pas dore nga shteti dhe në vend që të gjejë frekuentuesi kushte, pezmatohet me gjendjen skandaloze të rrugëve të pashtruara, gjithë pluhur e baltë; nga tezgat vend e pa vend, bezdisja e ambulantëve, ndriçimin që mungon, pa harruar lulishten e hardallosur nga bari, stolat e sakatosur, apo plehërat çfarë të tregoj më tepër.
“Park Nosi” dhe historitë që tregohen
Duke rrëshqitur në emërtimin dhe historinë e kësaj qëndre kuruese, të njohur që në kohët e lashta, ku ujërat termale dalin me bujitjen e një afshi të nxehtë, mësojmë se banorët vendorë e kanë emërtuar Llixhë; ndoshta kjo që në rrjedhën e pushtimeve të hershme. E emërtuan me këtë emër dhe ka mbetur e pandryshuar, e mbushur me histori.
Një nga këto histori, që ka marrë edhe trajtën e legjendës, është ajo se 1000 vjet më parë, Romakët zbuluan vetitë shëruese të ujërave termale të Llixhave të Elbasanit në mënyrë rastësore. Ndodhi që ata, duke kaluar këtu, në një nga inkursionet e tyre pushtuese, u detyruan të lënë një kalë të bardhë e të dëmtuar rëndë nga lufta, i cili kishte mbetur në moçal me ujë gjithë erë të rëndë në mes të një pylli me drurë të lartë, ku humbiste gjithkush po të kalonte. Por ç’ndodhi?! Po këta ushtarë, kur kthehen nga rrugëtimi, shohin kalin e tyre të shëruar e në një gjendje shumë të mirë. Kësisoj provojnë ujërat çudibërëse dhe ndjehen të ripërtërirë nga lodhja rraskapitëse.
Të tjera copëza të grimcuara historie për vetitë çudibërëse të ujërave termale në kohëra vijnë të treguara nga banorët; se si ato janë shfrytëzuar prej shekujsh, por pa u vlersuar si të tilla; si ajo e bagëtive të shëndosha dhe barinjve që nuk njihnin sëmundje, edhe pse këtu vendi ishte pa ndërtime.
-Vonë është populluar këtu me ndërtime,- tregon Petref Idrizi një nga banorët e vjetër të Llixhave. – Një ditë ia behën ca njerëz të veshur e ngjeshur mirë dhe ustallarë që thyen heshtjen shekullore, duke ndërtuar godinën e parë. Ishin Nosët nga Elbasani që shfrytëzuan ujërat termale të këtij vendi, për të krijuar mjedise të përshtatshme dhe për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që kanë probleme shëndetsore, por edhe si një oaz ripërtëritjeje.
Pikërisht, në mes të kësaj lugine të ngushtë, aty nga dhjetëvjeçari i tretë i shekullit të kaluar, industrialisti elbasanas, Grigor Nosi ndërtoi godinën katërkatshe që ekziston edhe sot. Arkitekti i saj i thirrur nga Nosët ishte austriaku Kohler. Nosët ishin një ndër familjet më të njohura elbasanase, me kulturë dhe kontribute patriotike në dobi të kombit, që shquheshin për tregëti, politikë, humanizmin e tyre, etj. Grigori i peshoi mirë gjërat dhe, me guxim, duke marrë parasysh rrezikun, krijoi të parin vend kurimi, si qëndër ujërash termale, e cila mori edhe vëmendjen e mbretit Zog për të sjellë këtu mjekë çekë, të cilët kryen studime të mirfillta për të vënë në dobi të shëndetit të njerëzve këtë pasuri që e ka dhuruar natyra.
Nga biseda me Vason, një nga pronarët e “Stacioni i ujërave termale “Park Nosi”, ndër të tjera mësova se ujërat termale që burojnë në 60 gradë celius u sollën këtu nga 500 m larg me një tubacion për ta grumbulluar në depo e basene. Kur u ndërtua godina- hotel, kishte 63 dhoma e 133 shtretër. Ajo u shtetëzua në 1946, por që iu rikthye trashëgimtarëve në vitin 1995. Dhe, si një domosdoshmëri për një vend termal, u krijua një park, i mbushur me drurë frutorë dhe dekorativë, me rrugica e stola çlodhës, por edhe anekse shërbimi: mensa, bar- kafe, zyra, dhoma e mjekut, vaskat e ujit dhe të pregatitjes së baltës, etj.
Duke u ndalur në copëza të tjera historie të kësaj qëndre kuruese, Vaso përmend faktin se në vitet e Luftës së Dytë Botërore, babai i tij, Grigori, shpëtoi e mori në mbrojtje çifutin Mark Menhemin. Ishte koha ku liria nuk njihej shumë si cilësi humane dhe është një vlerë për të cilën njeriu i sotëm ka më tepër nevojë. Gjendja ishte e rëndë, jo vetëm për çifutët, por kërcënim edhe për popullin shqiptar. Rraca çifute u vu përballë mbijetesës nga përndjekjet dhe holokausti i nazistëve. Dhe, në rrethanat e jashtëzakonshme të endjeve në Ballkan, fati hodhi jo pak prej tyre në rrethinat e Elbasanit, në Berat, Vlorë, Durrës etj. Kujtohen vështirësitë me të cilat u ndeshën qinda e mijëra prej tyre për të shpëtuar nga kjo makutëri zhdukjeje.
Natyrisht nuk ka mirënjohje më të madhe se ajo e humanizmit njerëzor në ditët më të vështira të jetës. Sepse edhe kur jeton në një botë sado shfarosëse, mirësjellja njerëzore të befason dhe për të ia vlen të sakrifikosh. Mark Menhemin e strehuan për një vit të tërë këtu, në Llixhat e Elbasanit, ku u kujdesën aq shumë për të. Ky akt, si një shembull i mirfilltë njerëzor, dëshmoi shpirtgjerësinë e këtij industrialisti elbasanas. Dhe e gjithë kjo edhe për respekt të miqësisë që kishte pasur me çifutët kur kishte studiuar në Austri. Çdokush e di se jeta duhej jetuar, por, si çdo njeri që kalon sfida, kjo për çifutin Mark Menhemi mbeti një nga mirënjohjet më të mëdha të jetës. Vlen të veçohet momenti i rëndësishëm i këtij humanizmi, mirënjohja e izrealitëve, të cilën ata e kanë përjetësuar të gdhendur në mermer më 21 korrik 1992, në një mur të Jerusalemit, në Izrael.
Vlerat kuruese të ujërave termale
Vlerat e shumta kurative për shumë sëmundje dhe qënia pranë qyteteve të mëdha e ka bërë qëndrën e ujërave termale të Lixhave, të jetë aq shumë e frekuentuar; sidomos në Pranverë, por edhe në Vjeshtë, duke e rritur numrin e të ardhurve nga viti në vit. Në këndvështrimin e përbërjes termominerale, Llixhat e Elbasanit listohen ndër më të njohurat në Shqipëri, por edhe si të 36-at në Botë.
Pas analizave të kryera në vitin 1922 nga Inxh. Dr. çek Beno Winter, por edhe në vitin 1924 nga Inxh.Dr. Hamakova e Forminek dhe më vonë nga specialistët rusë, të cilët erdhën me projekte shumë interesante, por që nuk u realizuan prej prishjes së mardhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ujërat termale të Llixhave të Elbasanit kanë një kompleksivitet përbërjeje minerale, me elementë kimikë si: hekur, sodium, klor, potasium, kalcium, magnezium, kalium, natrium, alumin, brom, jod,flor; si edhe alkanitete e gazra sulfurore, hidrogjene, etj që janë efektive në kurimin e shumë sëmundjeve.
Ndaj dhe veprimi shërues i ujërave termale të Llixhave, proçedurat e terapisë fizike, baltës minerale dhe kushtet e tjera optimale ofrojnë mundësi të shumta për kurim, duke larguar jo pak semundje nga trupi i njeriut.
– Efektiviteti më i sukseshëm i ujit dhe baltës këtu, – thotë Eduart Bajraktari, farmacist në këtë qëndër prej 30 vjetësh, – është në sëmundjet reumatike, sepse ndikojnë në shërimin e dhimbjeve muskulare, të deformimeve të gjymtyrëve, por sidomos të atyre kronike artikulare:të qafës, të shpatullave, të belit, të këmbëve, të cilat nëse nuk kurohen, me kalimin e viteve pak nga pak shtohen e marrin përmasa torturuese.
Ujërat termale të Llixhave janë të njohura edhe në luftimin e sëmundjeve të organeve gastrotestinale, të organeve respiratore, të anemive dhe të aparatit lokomotor. Ato, gjithashtu, reabilitojnë problemet që kanë lidhje me gratë që nuk lindin, por ndikojnë edhe në shtimin e hormoneve mashkullore dhe të qarkullimit të gjakut. Luftojnë ekzemat e lëkurës dhe përmirësojnë shendetin e njeriut në aspektin qelizor dhe molecular; gjithashtu përforcojnë imunitetin njerëzor, e bëjnë të mundshëm, edhe duke kontribuar në humbje peshe e zbukurim trupi. I theksuam këto për të nxjerrë në pah rolin që luajnë në proçeset e organizimit të njeriut këto ujëra termale.
Histori e re që po shkruhet
Godina ekzistuese e hotel “Park Nosit” ishte e pamjaftueshme për të pritur e përcjellë kuruesit e shumtë nga i gjithë vendi, ndaj me kalimin e viteve u ndërtuan nga shteti në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar edhe dy godina të tjera disakatëshe: “Ylli” në Vitet ’60, si edhe hoteli i ri apo siç u quajt i Kinezëve në fillim të Viteve ’70 me personel specialist, por që pas Viteve ’90 u privatizua
Por, pa i hequr një diagonal së kaluarës së tyre shtetërore, kjo qendër sot e ka humbur disi seriozitetin për një shërbim cilësor mjekësor.
-Do ishte më mirë të mbetej përherë, – ashtu të thotë Nina nga Tirana, një nga frekuentueset e rregullta të tyre prej 30 vjetësh, -me shërbim të kontrolluar shëndetësor nga mjekë specialist; sepse kështu mbulohet shumë mirë dhe më me rigorizitet kujdesi i kuruesve.
Por, pas Viteve ’90 në qëndrën e ujërave termale të Llixhave ajo që ra në sy ishte orientimi drejt një piksynimi të ri, i cili më vonë pësoi ndryshime të mëdha për të shfrytëzuar mundësitë, sidomos të atyre që banojnë afër ujit çudibërës. Kështu, në këtë sipërfaqe u ndërtuan dhjetra hotele e shtëpi funksionale për të pritur kurues; në fillim të thjeshta, ndërsa më pas, duke rritur cilësinë e shërbimit me kërkesat e kohës, krijuan kushte të përshtatshme, gjë që e shtuan gjallërinë dhe numrin e të ardhurve nga e gjithë Shqipëria, por më shumë nga viset e Kosovës dhe të Maqedonisë.
Godinat, ngjitur me njëra-tjetrën, të krijojnë përshtypjen se janë një trup i vetëm. Të bien në sy emra interesantë hotelesh: “Iliria”, “Guri i Fatit”, “Debrova”, “Qetësia”, “Boçi”, “Çekrezi”, “Qosja”, “Puka”, etj.
Të le mbresë të thellë shërbimi dhe respekti i personelit të tyre sa çdokush, kur largohet pas terapive, formëson përshtypje të mira. Një kujdes që mbetet parësor në krijimin e kushteve dhe, siç thonë ata që e frekuentojnë prej vitesh, ka rritje të ndjeshme të cilësisë së shërbimit. Natyrisht janë krijuar kushte, sepse aftësia për të punuar në një biznes me përspektivë është motivi kryesor për të siguruar të mirat materiale. Ndaj dhe nocioni punë, përkujdesje me kulturë ndaj atyre që i frekuentojnë, i ka dhënë asaj tjetër kuptim. Për të tërhequr sa më shumë kurues, janë përgatitur e shpërndarë fletë-palosje guidash me informacione të shumta për dobitë e shërimit të sëmundjeve, por edhe rreth trajtimit, ushqimit, fjetjes, si edhe kohëzgjatjen e tarifat, që janë të arsyeshme.
Arta Papri një infermiere dhe menaxhere e sukseshme, ka bërë që hoteli “Puka” të tërheqë, jo pak kurues nga Kosova.
Ka nga ata që vijnë prej vitesh këtu dhe e ndjejnë veten mirë, sepse kurimi u ka përmirësuar shëndetin, duke i çliruar nga ankimet e sëmundjeve.Pa dashur të ngërthehem më tepër në tregimet e shumta të kuruesve, më bëri përshtypje ai i Skënderit nga Berati.
-Kam ardhur këtu – thotë ai – në një gjendje shëndetësore të rëndë, thuajse i paralizuar. Nuk kisha, as fuqi sa të ngrihesha nga shtrati për të qëndruar më këmbë. E dhimbshme kur mendoja se do të mbetesha i tillë. Nuk lashë ilaçe, analiza e mjekë të shumtë pa provuar por nuk më sollën asnjë përmirësim. Mendova se duhet t’i provoj llixhat dhe erdha me shpresë se shëndeti do më printe për mirë. Nuk kam gabuar dhe e frekuentoj prej 15 vjetësh atë e ndjehem aq mirë me shëndet. Faktet flasin vetë për këtë të vërtetë e mund të them se kam harruar dhimbjet, aq sa mund të harrohen ngjarje të rënda.
Pas ngrohtësisë së banjës së nxehtë apo masazhit me baltë, secili pushon në qetësinë çlodhëse të dhomave të freskëta e me kushte të përshtatshme ndaj një kurimi të tillë. Orët e tjera kalojnë me lojëra, biseda, argëtime, bashkë me zhurmat që e shoqërojnë këtë ambient kakofon. Jo pak prej tyre shëtisin peisazheve të veshura me gjelbërim, një hapsirë, që nën diellin e stinës, janë një tjetër kënaqësi çlodhëse.Ditët kështu kalojnë shpejt, sepse, teksa bëhesh pjesë e bisedave dhe mënyrës së komunikimit, ajo bëhet më interesante dhe të ka ënda të shkëmbesh mendime. Një pjesë kuruesish janë miqësuar, sepse kanë vite që vijnë dhe njihen aq mirë me njëri-tjetrin.
Por, siç ndodh rëndom, kur e pranishme është tema politike, mendimet janë të ndryshme; madje me kundërvënie ndaj njëri -tjetrit. Ka nga ata që qeverisjen e një partie e quajnë të dështuar e të tjerë kanë vërejtje për zjarrin që ndez shtypi;apo për gjuhën vulgare të politikanëve në foltoren e parlamentit; të tjerë të pakënaqur nga reformat që po ndërmerr shteti. Amullia e gjendjes nuk mund të vazhdonte me abuzime, mospagime taksash, prandaj dora e shtetit i ndali ato. Por bisedat vërtiten edhe rreth angazhimit të shtetit për mirëmbajtjen e mjediseve publike. I shqetëson rruga e amortizuar këtu, rrugicat gjithë pluhur, plehërat e hedhura vend e pa vend, etj. Janë këto mangësi të infrastrukturës që pushteti lokal duhet t’i shmangë, duke i krijuar dhe mirmbajtur ato, që këtu të ketë më shumë frekuentim, më shumë përfitime. Dhe rrokja e gjithë shqetësimeve duhet të verë në lëvizje administratën shtetërore.
**********
Dita në ikje përthith ndjesi të bukura. Mbrëmja e vonë mund të flejë edhe ajo për t’u qetësuar nga zallamahia; kështu edhe njerëzit të pushojnë nën fëshfërimën e pyllit që murmurin lehtë. Për t’i dhënë kësaj tablo, pritjen e ditës tjetër, nuk harron të shkruash edhe për përkushtimin e atyre që edhe këtu në qëndrën e ujërave termale, “Llixhat e Elbasanit” natën e bëjnë ditë, duke qëndruar në detyrën humane për kuruesit.
Mëngjeset e braktisin heshtjen e natës për të vazhduar ritualin e veprimeve kuruese, me zhurmat që i japin një tjetër kuptim qëndrës së ujrave termale të Llixhave.
Ajo është si një minierë, ku, nëse e trajton me kriter, do ta shohësh se është ujëdhesë e frekuentuar; jo vetëm për kurim, por edhe për Turizëm, për ta bërë atë një nyje të rëndësishme; vetëm se kjo kërkon përkushtim e vullnet nga të gjithë: investitorët, banorët, media, shteti…
*Ndalohet riprodhimi i plotë apo i pjesshëm pa lejen e autorit.