-Konventa e Helenikeve Greke qe u mbajtë në Clearwater, Florida nga 21- 24 shkurt, miratoi një rezolutë unanime, që i bënte «thirrje» qeverisë shqiptare, që t’u sigurojë grekëve etnikë në vend, (në fakt të gjitha ato që i kanë), të gjitha të drejtat arsimore, fetare, politike, gjuhësore dhe kulturore, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kërkoi që Bashkimit Evropian të ngrijë negociatat për pranimin e Shqipërisë.
NGA RAFAEL FLOQI/
Ndërsa në Shqipëri po vazhdon lufta politike, dhe qëndrimet e paqarta të qeverive shqiptare për marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë dhe zgjidhjen e problemeve mes vendeve, lobi vorioepiriot në Amerikë ka shumëfishuar përpjekjet e tij, për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Dhe kjo tendencë nuk është vetëm e qarqeve nacionaliste, ashtu, siç është bërë zakon të quhet, por edhe qeverisë greke, e kombinuar edhe me drejtues të Komitetit Shqiptar të minoriteteve dhe drejtues minoritarë lokalë. Dhe prandaj kjo është e rrezikshme.
“Kjo mund të realizohet vetëm, thanë ultranacionalistët grekë në konventën e mbajtur në Clearwater, Florida nga 21- 24 shkurt, në qoftë se qeveria amerikane, qeveria greke, Bashkimi Evropian, ta mbajnë nën një presion efektiv Tiranën, dhe se Federata jonë, do të bëjë gjithçka që ka në dorë, për të ushtruar presion”, theksoi Nicholas Gage, veprimtari antishqiptar dhe shkrimtar grek, në Kuvendin e 40 të Federatës Panepiriotike të Amerikës, të mbajtur çdo dy vjet, ku shkrimtari antishqiptar, Nicholas Gage, ( alias Nikos Gaxojanis) u rizgjodh nga një bord “vorioepiriotësh” për të drejtuar organizatën edhe për tre vitet e ardhshme.
Konventa miratoi një rezolutë unanime, që i bënte «thirrje» qeverisë shqiptare, që t’u sigurojë grekëve etnikë në vend, (në fakt të gjitha ato që i kanë), të gjitha të drejtat arsimore, fetare, politike, gjuhësore dhe kulturore, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kërkoi që Bashkimit Evropian të ngrijë negociatat për pranimin e Shqipërisë, deri sa parlamenti i saj të miratojë të gjitha parimet e BE-së mbi të drejtat e pakicave.
Gjithashtu ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombeve të Bashkuara, dhe qeverisë greke për ta shtyrë Shqipërinë që të përmbushë të gjitha detyrimet ndërkombëtare të saj, ndaj grekëve etnikë të « Epirit Veriut » dhe në gjithë Shqipërinë. (Vini re, deklaratën, në të gjithë Shqipërinë, kjo tregon se pretendimet Vorio Epiriote nuk janë shuar dhe ata ushtrojnë presion për të zgjeruar zonën e minoritetit edhe me Himarën), shkruan gazeta e kësaj Federate, The National Herald, më 28 shkurt.
Që mesazhe të tilla, të pasakta, të përdoruara qëllimisht si përgjithësuese për shkelje të drejtash, të vijnë nga qarqet ultra nacionaliste, kjo nuk është gjë e re, por kur ato vijnë, edhe nga goja e Presidentit të Greqisë, Prokopis Pavlopulos, i cili ka ripërsëritur në mënyrë ultimative një tjetër mesazh të qartë, Shqipërisë se duhet të respektojë minoritetin dhe të heqë dorë nga pretendimet për çamët. Dhe kjo e bërë në Mal të Zi, tok me Gjukanoviçin, një javë pas fitores të koalicionit shqiptar ne Tuz, ka një domethënie dhe rrezikshmëri më të madhe antishqiptare. Gjë që shtron pyetjen pse pres. Pavlopulos, do ta bënte këtë deklaratë të tij nga Podgorica, edhe pse drejtuar ndaj Shqipërisë?
Duket se objekt i bisedimeve kane qenë Shqipëria dhe të drejtat e Shqiptarëve në Mal të Zi , dhe se Gjukanoviçi, në mungesë të një aleance me Serbinë, për arsye që dihen, ka zgjedhur të flasë me gojën e presidentit grek.
Pra thënë me fjalë të tjera Shqipëria të respektojnë koloqithjet me rigon, të të drejtave të minoritarëve tanë grekë që i gëzojnë ato të drejta, dhe të mohojnë çdo minoritet shqiptar. Ai tha se Athina nuk është kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por për Greqinë minoriteti dhe heqja dorë nga pretendimi për çamët janë pengesë e pakapërcyeshme.
“Greqia nuk është kundër perspektivës evropiane të Shqipërisë. Por sjellje të tilla si ato kundër minoritetit etnik grek janë një pengesë e pakapërcyeshme për rrjedhën e qetë evropiane të Shqipërisë. Një tjetër pengesë lidhet me çdo pretendim për të drejta të së ashtuquajturve çamë shqiptarë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të pamëshirshëm të nazistëve, siç e ka vërtetuar historia” deklaroi ai gjatë vizitës në Malin e Zi.
Po kjo shtron pyetjen a ka rënë dakord, Shqipëria, që të heqë dorë nga “Çamëria”? Para do kohe gazeta greke “Protothema” në një reportazh, ku zbardheshin pikat e marrëveshjes së Shqipërisë dhe Greqisë, pohonte më të rëndësishmen; se të dy palët kishin rënë në ujdi, që të mos përdorin termat gjeografikë: “Vorio Epir” dhe “Çamëri”. “Zgjidhja, ishte sipas gazetës, pjesë e një pakete që synonte të “mbyllë 100 vjetët”, siç tha atëherë, ish ministri i Jashtëm Nikos Kotzias. “Një nga çështjet kyçe dhe të vështira të negocimit ishte heqja e irracionalitetit. Për këtë qëllim, të dy vendet duket se kanë rënë dakord të “shmangin referencat dhe identifikimet gjeografike, që potencialisht mund të stimulojnë pasionet midis dy popujve”. Në veçanti, pala greke tashmë ka rënë dakord të heqë referimin e termit “Epiri i Veriut”, duke pranuar pretendimin e shqiptarëve, se ai fsheh irredentizmin dhe prandaj duhet të hiqet. Nga ana e saj, Shqipëria do të braktisë termin “Çamëria”. Lypset tani, që nuk është më ministër z Bushati, që të mos njollosë biografinë e tij, të rrëfejë, cila është marrëveshja me grekët për Çamërinë për të cilën Shqipëria ka rënë dakord.
Por çështjet dhe emërtimet nuk janë njësoj. “Çështja Çame” është histori, populli Çam ishte në tokën e vet, çamët kanë prona, kanë tapi, u është bërë padrejtësi historike, me gjenocidin e 1945-s, por kurrë Çamëria nuk mund të barazohet me “Vorio Epirin”, një term që nuk ka ekzistuar kurrë, që minoriteti grek nuk ka pasur kurrë pronësi me tapi në territoret ku sot jetojnë.
Por t’i kthehemi konferencës dhe rrezikut të saj. Vini re përfaqësuesja e Republikës së Shqipërisë dhe dy te zgjedhur lokalë, morën pjesë në këtë konferencë antishqiptare. Ku mysafir i veçantë të nderi në këtë kongres ishte, renegati Pirro Dhima, ish-deputeti i Pasokut nga Himara, i cili fitoi tre medalje të arta olimpike dhe një bronzi në peshëngritje për Greqinë në Lojrat Olimpike; Gus Bilirakis, kreu i Grupit Hellenic në Kongresin e SHBA; dhe kryetarja e Komitetit Shtetëror Shqiptar të Minoriteteve, Konstandina Bezhani, si edhe dy kryetarë bashkish minoritare: Akilea Deçka dhe Leonidha Kristo.
Federata Panepirote e Amerikës deklaroi, se “Konventa e saj ishte e dyzeta konvente e suksesshme në historinë tonë 77-vjeçare, me delegatët dhe 480 të ftuar që morën pjesë në darkën gala”, tha zoti Gage. “Bordi i ri kësaj shoqate antishqiptare u krijua me dy “vorioepriotë” veteranë që kanë lindur në « Epir » dhe të anëtarëve të rinj të lindur në Amerikë, por me ndjenja të forta për atdheun dhe traditat e prindërve të tyre.”, thuhet në deklaratë.
“Një forcë e tillë do të na ndihmojë të mbështesin grekët etnikë që jetojnë në të dyja anët e Epirit Verior, njëra nën presion nga autoritetet shqiptare dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Greqi me kufizime të rënda ekonomike, ç’ ka Greqia a përjetuar në vitet e fundit”, ka thënë Gage.
Gage, i cili u zgjodh njëzëri për të shërbyer një mandat tjetër si president i Federatës dhe do të mbështetet nga John Katsimbadis, një biznesmen nga Detroiti. Pika kulmore e konventës ishte darka gala e mbajtur në sallën e komunitetit, të Kishës së Trinisë së Shenjtë në Clearwater, ku Gage, Dhima, kongresisti Bilirakis, dhe Bezhani, folën për nevojën për të fuqizuar të drejtat themelore të grekëve etnikë në Shqipëri. (Nuk dihet çka ka deklaruar ajo, pasi nuk botohet në gazetën në fjalë. Por në vetë websitin e saj të Komitetit të Minoriteteve që ajo drejton, shkruhet « Përfshirja në Kushtetutën e Shqipërisë të nenit 20 lidhur me të drejtat e Minoriteteve, si dhe nënshkrimi i Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, nga ana e qeverisë shqiptare, janë hapa të rëndësishme në këtë drejtim, por Minoriteti shpreh rezervat e veta lidhur me mungesën e një kuadri të plotë ligjor, ku të përcaktohen qartë të drejtat dhe të krijohen institucione për mbrojtjen dhe ushtrimin e këtyre të drejtave”. Është interesant fakti, që të ashtuquajturat të drejta të minoriteteve, që duhet të nënshkruaj Shqipëria, jepen në grup dhe nuk specifikohet asgjë konkrete.
“Përmes lobizmit tonë në Uashington, tha Gage, ndikimi ynë me organizatat ndërkombëtare, diskutimet tona të drejtpërdrejta me udhëheqësit shqiptarë, dhe presioni ynë i qëndrueshëm ndaj autoriteteve shqiptare, ne kemi përmirësuar ndjeshëm jetën e grupeve etnike në Shqipëri. Ne i dhamë fund klimës së frikës që autoritetet krijuan kundër tyre, shtuam mundësitë ekonomike dhe politike për ta dhe zgjeruan të drejtat e tyre për të ruajtur besimin, kulturën dhe traditat e tyre. Më e rëndësishmja, ne kemi vendosur parimin, se politika amerikane ndaj Shqipërisë do të përcaktohet nga trajtimi i shqiptarëve nga grekët etnikë në vend. Ajo që ne themi dhe ajo që ne bëjmë ka rëndësi në Shqipëri dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pasur një ndikim kaq të fortë në vend dhe pse liderët e saj të lartë kanë qenë të gatshëm të negociojnë me ne për të përmirësuar trajtimin e popullit tonë atje”.
Ashtu si duket edhe nga këto ditirambe ala Guxojanis, nuk duhet të harrojmë ndikimin që lobi grek ka ndikim në autoritet amerikane. Megjithatë nuk duhet të harrojmë një fakt interesant, në këtë konventë nuk u përmend rasti i Kostandinos Kacifës, i vrarë më 28 tetor 2018, në një përplasje me armë automatike me policinë e Shtetit shqiptar në Bularat të Gjirokastrës. Shtrojmë pyetjen. Pse? Nga prania e shtetasve shqiptarë në konventë, apo se akti është aq flagrant, sa nuk do të gjente mbështetje nga autoritetet amerikane?
Natyrisht, duhet bërë shumë më tepër për shkak se armiqësia ndaj grekëve etnikë në Shqipëri është e lartë në të gjitha nivelet e jetës publike.
Nuk duhen harruar skërmitjet për Kishën e Përmetit e atë të bunkerit të Dhërmiut nuk mund t’i mungonte kurrsesi zëri i anti-shqiptarit, Nicholas Gage. Pak ditë para mbërritjes në Tiranë, të ish ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lou, është takuar me një përfaqësi të lobit grek në Amerikë. Delegacioni i grekëve kryesohej nga ultra-nacionalisti Nikolas Gejxh dhe ishte zhvilluar më 2 dhjetor 2013 në zyrat e Departamentit të Shtetit, në Uashington. Gejxh ka qenë me cilësinë e kryetarit të shoqatës “Federata Panepiriote e Amerikës” dhe së bashku me të kanë qenë edhe zëvendëskryetari i kësaj shoqate, Menelao Xhelio. Sipas Gejxh qëllimi i këtij takimi ka qenë që të informohej ambasadori Lou për problemet e minoritetit grek në Shqipëri, dhe t’i kërkohej atij që të ushtronte presion ndaj qeverisë së Tiranës për të përmirësuar kushtet e këtij minoriteti. Nicholas Gage, ishte shfaqur aso kohe për të dhënë mendimin e tij rreth prishjes së kishës ai aso kohe u shpreh për nja ndërtesë pa leje shqiptare të kishës së Shën Thanasit. Aso kohe, ta pohonin se Donald Lu, është takuar me kryeministrin Edi Rama për të protestuar rreth shkatërrimit të kishës, si një veprim i pandjeshëm ndaj të drejtave të besimit ortodoks në Shqipëri dhe minoritetit grek dhe për ta nxitur atë që të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Më parë Federata Panepiriote në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kishte bërë thirrje administratës së presidentit Barack Obama që t’i bënte presion Shqipërisë për çështjen e kishës së Përmentit. Në një deklaratë të bërë publike në websitin e tyre, presidenti i shoqatës së grekëve në SHBA, Demetrios Koutoulas, i ka bërë thirrje atëherë administratës së presidentit Obama dhe Kongresit amerikan që të bëjë presion ndaj shqiptarëve për t’ua kthyer kishën e Përmetit besimtarëve
Ndërsa disa muaj më parë në një nga lagjet me prani të dy komuniteteve shqiptare e greke, Bay Ridge në Brooklyn, në organizimin e shoqatës Rrënjët Shqiptare “Albanian Roots”, u mbajt një protestë paqësore kundër nderimit të Kostandinos Kacifas. Protesta ndodhi përballë qendrës kulturore Federata “Laconian” (Spartans), e cila pretendon se përfaqëson flamurin e Vorio Epirit, dhe qarqet ultra nacionaliste greke në Nju Jork dhe do të nderonte Kostandinos Kacifën ku morën pjesë dhjetëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kushte të një të ftohti polar minus 10 gradë celsius. Anëtarë të Partisë Agimi i Artë, me flamurit e kësaj partie dhe disa eksponentë të organizatave që përfaqësojnë minoritetin grek, dhe organizatën Federata Laconian (Spartans), në SHBA kënduan himnin grek dhe hodhën parulla shoviniste kundër Shqipërisë dhe shanin shqiptarët si terroristë. Ndërsa 35-vjeçarin e vrarë në përpjekje me Policinë e shtetit shqiptar e cilësuan hero që sipas tyre ra për atdheun e tij. Përfaqësuesit e komunitetit grek, përfshirë edhe një grup të grave, përdorën sharje dhe hodhën parulla provokuese, ngritën flamurin e Agimit të Artë dhe Vorio Epirit, dhe më zë të lart thërrisnin : “Konstantinos Kacifas, u vra se ka luftuar si shumë prej helenëve të shtypur të pambrojtur për të ruajtur identitetin e tyre grek, jugu i Shqipërisë është Greqi. Në Greqi nuk ka asnjë çam dhe nuk ekziston çështje çame – Harrojeni Çamërinë”.
Përtej Shqipërisë, rezoluta e ultra nacionalistëve grekë u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë gjithçka që është në dorë të tyre për t’i dhënë fund pushtimit të Qipros Veriore nga trupat turke; kërkuan që qeveria turke t’i japë fund ngacmimeve të Patriarkanës së tyre dhe për të rihapur seminarin Halki , si edhe kundër FYROM për të ndaluar përdorimin e emrit Maqedonia, e cila ka qenë synim i Federatës Panepirotike. Gage theksoi argumentin fals, se “duhet bërë shumë më tepër, për shkak se armiqësia ndaj grekëve etnikë në Shqipëri është e lartë në të gjitha nivelet e jetës publike”.
Ne jemi për të drejta sa më të plota për të gjithë minoritetet, dhe pjesëmarrja e minoritarëve shqiptarë në takimet e diasporës greke edhe për të kërkuar të drejta që i kanë konventat evropiane, kjo nuk është tradhti, por gjithnjë në marrë veshjen me Greqinë , duhet kërkuar barazi. Barazi të së drejtave të minoritarëve me të drejtat e minoritarëve çamë. Politika e futjes së Kokës së Strucit në rërë ndaj Çështjes së Çamërisë, duhet të marrë fund. Nuk mund të dënohet një popull dhe sikur të ketë bashkë punuar me fashistët, le që ka ndodhur e kundërta. Mos vallë grekët i dëbuan nga Greqia të gjithë familjarët e kolaboracionistëve grekë