Në vend të reagimit/
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca
Në vend të reagimit/
by dgreca
– Thaçi u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s. Selimi takon ambasadorët e Kuintit-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës po vazhdon me përgatitjet teknike dhe lobuese për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën e Kulturën (UNESCO).
Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, është takuar sot me ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Kuintit në Kosovë në vazhdën e konsultimeve gjithëpërfshirëse rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO si dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Në takim u diskutuan sfidat dhe strategjitë e përbashkëta të komunikimit, nevoja që Republika e Kosovës të vazhdojë të respektojë standardet më të larta të ruajtjes së trashëgimisë kulturore si dhe aspekte të tjera teknike të procesit të anëtarësimit.
Ambasadorët e Kuintit konfirmuan mbështetjen e tyre të plotë Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në UNESCO. Javën që shkoi zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dërguar letra 195 homologëve të shteteve anëtare të UNESCO-s për t’i informuar rreth mbarëvajtjes së procesit dhe për të kërkuar votën e tyre në takimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të zhvillojë punimet në tetor si dhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor të këtij viti.
Kohë më parë, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO ndërsa do të përmbyllë aplikimin në disa organizma të tjerë të rëndësishëm multilateralë deri në fund të këtij viti.
Në 17 korrik, MPJ kosovare bënte të ditur se, Kosova sapo kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, agjencionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsim, shkencë dhe kulturë, ndërsa anëtarësimi pritet në nëntor.