• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

29 Nëntori – festë e përbashkët me atë të ish-Jugosllavisë komuniste

November 29, 2021 by s p

DSC_0009

Luan Dode

Në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore – të nesërmen e Ҫlirimit të Tiranës –, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANҪ) më 18 nëntor 1944 në Berat, është marrë vendimi që “Dita e 28 Nëntorit, ditë e indipendencës, duhet të festohet me sloganin e çlirimit të Shqipërisë”. Të nesërmen, më 19 tetor, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) Enver Hoxha me një udhëzim “konspirativ” urdhëronte Korparmatën I për një pritje madhështore të Qeverisë në kryeqytet, në yjësinë e 28 Nëntorit. 

Në Fjalën që mbajti në Tiranë më 28 Nëntor 1944 E. Hoxha deklaroi: “Dita e flamurit, u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”. Në Urdhrin e Ditës drejtuar UNҪ atë  mëngjes,  Hoxha vinte në dukje se “qyteti i Shkodrës ndodhet ende në duart e okupatorit”. Pra, siç ishte vendosur prej KANҪ në Berat, çlirimi Shkodrës nuk lidhej me atë të Shqipërisë.

Dy gazeta qendrore zyrtare, të vetmet e kohës, i mëshonin kuptimit të dyfishtë të festës, sidomos për tri ditët e para të saj, siç tregohet për shembull në kryeartikullin e Bashkimit të 28 nëntorit apo në kryeartikullin «Shkodra u çlirua» të 1 dhjetorit të gazetës Buletin i Luftës Nacional-Ҫlirimtare. 

Ka dhe fakte të tjera që tregojnë se për ditë fitoreje komunistët nëpërmjet KANҪ, që qëndronte organi më i lartë legjislativ gjer në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, kishin caktuar me bon sens 28 Nëntorin. Për shembull në mëngjesin e ditës që Qeveria Demokratike do të hynte në Tiranë, në të përditshmen Buletin i Luftës NҪ jepej «Programi për festimin e 28 Nëntorit» ku, në pikën nr. 15 shpallej: “Festimi i ditës së madhe të 28 nëntorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koincidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, do të vazhdojë për tri ditë”. 

Mareshali Tito, figura e parë komuniste në Jugosllavi, në urimet që dërgonte me rastin e 28 Nëntorit 1944 fliste për festën në kuptimin e dyfishtë. Urimi i tij është botuar në Bashkimi të 17 dhjetorit 1944.

Gjatë vitit të parë të pushtetit komunist, gjer më 9 nëntor 1945, absolutisht nuk është zënë në gojë 29 Nëntori si festë kombëtare. Kështu, në  maj 1945, në ligjin e miratuar «Shpallja e festave zyrtare»,  u shtuan 16 shtatori, 10 korriku, dhe 24 maji. Në ndryshimet e emrave të rrugëve që u bënë në muajt shtator-tetor 1945, nuk përmendej 29 nëntori.

*     *     *

Në seancën e parë të Mbledhjes së 14-të Kryesia e  KANҪ që përbëhej prej 24 veta, me Ligjin nr. 134  datës 5 nëntor 1945 miratoi për herë të dytë 28 Nëntorin 1944 si  Dita e  Ҫlirimit të Shqipërisë.

Më 9 nëntor 1945,  u mbajt seanca e pestë e  mbledhjes në fjalë, ku të pranishmit ishin po ata të seancës së parë, por gjendja kishte ndryshuar. U paraqit për miratim ligji i riemërtuar «Të kremtet zyrtare». Pas diskutimesh e pas kërkesës për “pesë minuta pushim”, ndërhyri Ramadan Ҫitaku, anëtar i KQ të PKSh i cili, duke ‘i  harruar’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, tha se në projektligj  ishte harruar Dita e Ҫlirimit e cila duhej festuar “brez pas brezi”, dhe vazhdoi: “Me sa di unë, pas mesnatës së 28 nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, domethënë dita e 29 nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj, propozoj që dita 29 nëntor të shtohet në ditët e festave kombëtare”. Përfundimisht, pas mekanizmit ‘pesë minuta pushim’ dhe argumentit “me sa di unë” të Ҫitakut, më 9 nëntor Kryesia e KANҪ pranoi që Dita e Ҫlirimit të Shqipërisë të ishte 29 nëntori i 1944-s. Kjo datë përkonte me festën e Jugosllavisë. Edhe të pranishmit i ‘harruan’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, kurse Enver Hoxha edhe deklaratën e bërë në Tiranë më 28 Nëntor 1944.

Vendimi për datën 29 Nëntor, ditë e cila do të konsiderohej si më madhështorja në Shqipëri, u bë i njohur publikisht pas dy javësh, më 25 nëntor, nëpërmjet një artikulli me titull «29 Nëntori festë kombëtare», artikull që zinte një vend jo të rëndësishëm në faqen e parë të Bashkimit. Ky vendim u botua në Gazetën Zyrtare të 30 nëntorit 1945, një ditë pas kalimit të festës. Po atë qëndrim tregojnë dy ligje të nxjerra prej KANҪ: «Urdhri i Yllit Partizan» dhe «Urdhri i Trimërisë».

Në mitingun e organizuar në Tiranë në pasditen e 27-s Nako Spiru si president i Rinisë Antifashiste, që në fillim të fjalimit deklaroi: “Pasnesër, 29 Nëntor,  është festa e Ҫlirimit të Shqipërisë. Kjo ditë e madhe vjen pas ditës së Indipendencës sonë. Ne do t’i festojmë me entuziazëm e gëzim këto dy ditë”. Në mbrëmje të po asaj dite nëpërmjet Radio Tiranës Enver Hoxha i drejtoi popullit shqiptar një mesazh “me rastin e festës së Indipendencës dhe të Ҫlirimit të Shqipërisë”, ku mbante në gojë vetëm 28 Nëntorin si festë e dyfishtë. Nuk e përmendi 29 Nëntorin edhe pse në një pjesë të madhe të Fjalës foli për Luftën Nacionalçlirimtare. Në një fjalim dhjetë ditë më parë kishte folur për  përvjetorin e parë të çlirimit të Tiranës. Në paraditen e 28 Nëntorit, Hoxha priti në Kryeministri e në mbrëmje në një banket shtruar në Hotel Dajti autoritete të larta të huaja e të vendit, jo me rastin e 28-29 Nëntorit por me rastin e 28 Nëntorit si festa e Pavarësisë dhe e Ҫlirimit.

Bashkimi i datës 28 nëntor kishte për okelio «Rroftë 28 e 29 Nëntori» dhe për titull të madh «28 e 29 Nëntori – dy datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare». Ndërkaq, anëtari i Byrosë Politike të KQ të PKSh, Sejfulla Malëshova, me pseudonimin Lame Kodra, në kryeartikullin shumë të shkurtër «Indipendenca e Shqipërisë – një realitet i madh historik» dhe Ymer Dishnica ministër i Arsimit, në fjalën e mbajtur në sheshin Skënderbe me rastin e 28 Nëntorit, nuk e përmendën 29 Nëntorin. Por 29 Nëntori u kremtua në Kryeqytet me të shtëna artilerie dhe me parakalimin e reparteve të Garnizonit të Tiranës përpara tribunës së ngritur para Hotel Dajtit, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Fjala e rastit u mbajt nga një figurë e planit të tretë: nga komandanti i Garnizonit Gjeneralmajor Dali Ndreu. Të nesërmen Bashkimi  mbante për titull të madh: «Shqipëria festoi me madhështi 28-29 Nëntorin».

Nuk duken të rastësishme qëndrimet e mbajtura nga Moska e sidomos nga Beogradi. Kryeministri i Jugosllavisë Josif Broz Tito dhe ministri i Jashtëm Sovjetik Molotov, dërguan telegrame urimi për 28 Nëntorin. Titoja bënte një hap prapa: Fliste vetëm për “festën kombëtare shqiptare të  28 Nëntorit, ditë e Indipendencës së Shqipërisë”; e anashkalonte kuptimin e dyfishtë të saj të përmendur një vit më parë dhe nuk fliste për 29 Nëntorin.

Historianët Xhelal Gjeçovi e Kristo Frashëri janë të mendimit se caktimi i 29 Nëntorit shqiptar nuk ka të bëjë fare me festën e Jugosllavisë. Këta nisen nga fakti se Asambleja Kushtetuese e Jugosllavisë e ka shpallur 29 Nëntorin festë Kombëtare më 30 dhjetor 1945, për t’u festuar çdo vit duke filluar nga 1946-a. Natyrisht një ligj i kësaj natyre s’mund të kishte fuqi për të kaluarën, por kjo mbetej ana formale e çështjes, sepse qysh më 28 nëntor 1945, Shoqata për Bashkëpunim Kulturor Shqipëri-Jugosllavi, e përkujtoi «Përvjetorin e mbledhjes së Dytë të KANҪ të Jugosllavisë» si “Festa Kombëtare e Jugosllavisë Demokratike Federative”, kurse të nesërmen, më 29 nëntor, Enver Hoxha ishte i pranishëm në festën e organizuar nga Legata Jugosllave në Tiranë me rastin e 29 Nëntorit jugosllav si “data   e Festës së Madhe Kombëtare të Jugosllavisë”, siç shkruante Bashkimi i 30 nëntorit 1945. Hoxha i dërgoi Titos një mesazh “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”.

Nëntor 1946. Në përgjigje të urimeve të marra për 28 nëntorin, E. Hoxha dhe O. Nishani uronin përzemërsisht Mareshalin Tito dhe Ivan Ribarin për 29 Nëntorin “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”. Për herë të parë Hoxha fliste haptas për 29 Nëntorin si “ditë feste e përbashkët”. Me mirënjohje të thellë, me lavdërime sipërore dhe me cilësime të paqena, pra me një servilizëm të pështirë, ndër të tjera i shkruante Mareshalit: “Në këtë ditë të lumtur për popullin tuaj, kur populli shqiptar feston po ashtu ditën e çlirimit të plotë të Shqipërisë, (…) me një dashuri dhe mirënjohje të thellë mendon për popujt vëllezër të Jugosllavisë së re që e ndihmuan aq shumë fitoren  e kësaj lirie, kësaj indipendence dhe sovraniteti që sot po e gëzon (…). Prandaj sot, në këtë ditë feste të përbashkët, populli shqiptar brohorit për popujt e dashur vëllezër të Jugosllavisë së re, brohorit për Ju, z. Mareshal, miku i dashur dhe i shtrenjtë i popullit tonë”.

Në përpjekjet për venitjen e vlerave kombëtare shqiptare bënin pjesë hapat e mëtejshme që 29 Nëntorit  njëherazi si festa e Ҫlirimit dhe e përbashkëta me Jugosllavinë, t’i jepej vendi i parë, mbi 28 Nëntorin. Bashkimi i 1 dhjetorit 1946 jepte lajmin: “me rastin e festës sonë kombëtare (…) Gjeneralkolonel Enver Hoxhës i kanë ardhur telegrame urimi (…)”. Ligje të nxjerra nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për “falje dënimesh” apo për dekorime “për merita të LNҪ” cilësoheshin “me rastin e Përvjetorit të Ҫlirimit të Shqipërisë, 29 Nëntor 1946”.

Nuk kanë munguar reagime. Në Plenumin e KQ të dhjetorit 1946 u tha se “Për 29 nëntorin, që është festa e revolucionit, gazeta e murit (në Spital) ngre 28 Nëntorin si ditë e Ҫlirimit. Kjo është një çështje e rëndë”.

Nëntori i vitit 1947, shënoi apogjeun për 29 Nëntorin shqiptar. Në mesazhin e 29 nëntorit drejtuar popullit Hoxha e deklaronte si “Dita më e shënuar dhe më madhështore në gjithë historinë e popullit tonë”, slogan që mbeti një tabu gjatë regjimit komunist. Po atë ditë gazeta Bashkimi botonte artikullin «29 Nëntori – festë për dy popujt tanë» dhe telegramin që Hoxha i dërgonte Titos me rastin e përvjetorit të shpalljes së RPFJ, ku i shkruante: “Kjo ditë kaq e shënuar për popujt tuaj, koincidon  dhe bashkohet me festën e Ҫlirimit të vendit tonë (…). Një koincidencë dhe një bashkim të tillë populli ynë nuk e quan aspak të rastit (…)”.

Pra del qartë se, në mbledhjen e 9 nëntorit 1945 të KANҪ, dita e çlirimit është korrigjuar, e diktuar, për të qenë e njëjtë me atë të Jugosllavisë e cila, edhe sipas strategjisë rusomadhe, e priste me krahë hapur të shtatën  republikë të ardhshme, Shqipërinë. 

Pas prishjes me Titon, 29 Nëntori mbeti vetëm si datë përkujtimore e Ҫlirimit të Shqipërisë. Më pas u quajt dhe si Dita e fitores së Revolucionit Popullor e më pas edhe si dita  që shënonte fillimin e një epoke të re, të epokës së socializmit, më saktë si datë e fitores së komunizmit në Shqipëri. 

Një trajtim më i zgjeruar i çështjes, me referenca, jepet në librin tonë Histori e Shqipërisë 1945-1948: Nën sundimin jugosllav pa pushtim, me titull në kapak: Sundimi pa pushtim: Shqipëria 1945-1948. Tiranë 2014, ISEJ: 61-67.

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Dode

Krimet mizore të komunistëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941–1944)

October 31, 2021 by s p

Luan Dode/

Për herë të parë në periudhën paskomuniste paraqitet një monografi mbi historinë e ngritjes dhe të veprimtarisë së Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) në periudhën e parë të jetës së saj, që përfshin harkun kohor nga ngritja në nëntor 1941 deri në ardhjen në pushtet në nëntor 1944. Në trajtimin e mëposhtëm, për orientim në kllapa katrore tregohen faqe të librit në fjalë, nga ku mund të gjendet burimi origjinal. Shtabi i komunizmit botëror –  Internacionalja e Tretë Komuniste – (IK), që me akronimin rusisht u quajt shkurt Komintern, i cili në kohën kur lindi më 1919  ishte institucioni më  i pasur në botë [2, 4-5], pasi kishte dështuar në Shqipëri për 20 vjet, në fillim të vitit më 1939 ngarkoi Patinë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) për të ndihmuar në ngritjen e një partie komuniste në Shqipëri [33]. Nga ky vendim dilnin prej Kominternit dhe fondet përkatëse për subvencionimin e partisë së re. Por, për shkak të Paktit të mos-sulmimit Molotov-Ribentrof,  PKJ u zgjua nga gjumi jo kur Vehrmahti gjerman sulmoi dhe shkatërroi Jugosllavinë më 6-18 prill, por më 22 qershor 1941 kur ai sulmoi Bashkimin Sovjetik, burimi ideologjik e financiar për partitë komuniste. [35]

Kështu, në gusht-shtator të atij viti, të dërguar në Tiranë si të deleguar të PKJ e të pranuar edhe si përfaqësues të Kominternit, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha punuan për rreth tri javë për të vënë në hulli krerët e tre prej grupimeve kryesore komuniste – të Grupit Komunist të Korçës (GKK), Grupit Komunist të Shkodrës (GKSh) dhe Grupit Komunist të Të Rinjve (GKR) – për t’u bashkuar në një parti të vetme [40]. Dy instruktorët e PKJ uzurpuan KQ të PKSh [53-54]. 

Terrori kriminal filloi të indoktrinohej te komunistët shqiptarë prej dy emisarëve të PKJ që në ditët e para të punës së tyre. Dushan Mugosha shkruan se në një nga temat që zhvillonte nëpër mbledhje me komunistët shqiptarë përpara formimit të partisë komuniste ishte dhe “terrori individual”. Në një nga ato mbledhje ai kishte hasur kundërshtimin e Isuf Keçit anëtar i GKR, i cili duke shprehur pikëpamjen e grupi të vet, nuk ishte për terrorin individual [222]. 

Veterani komunist, këpucari Pandi Kristo [44, fundshënim nr. 4], ish-anëtar i Byrosë Politike  të Komitetit Qendror (KQ) të PKSh, më pas i dënuar me burg e internim prej shokëve të vet, duke përmendur vrasjet e para brenda radhëve komuniste – vrasjen e Niko Xoxit dhe të Gaqo Plakut – të cilët sipas tij u dënuan me vdekje nga treshja Miladin-Dushan-Enver –, thotë se deri para ardhjes së instruktorëve të PKJ nuk kishte pasur asnjë lloj praktike të tillë [222].

Në zgjedhjet e para lokale të Partisë, në krye të Komitetit Qarkor të Tiranës për periudhën dhjetor 1941 – prill 1942 u zgjodh Halit Petrela anëtar i ish-GKR i cili si i tillë në prill 1942 u përjashtua nga Partia.  Pas prillit 1942  ‘Partia’ e dënoi me vdekje H. Petrelën si «i pakënaqur», “motivacion ky në modë në atë kohë”, shkuan militanti komunist ish-anëtar i KQ të Partisë së Punës (PPSh) – siç u quajt PKSh pas vitit 1948 –, Todi Lubonja, i cili shumë vite më pas i jetoi vetë burgjet e tmerrshme të pushtetit për të cilin luftoi. [Përkatësisht: 65, fundshënim nr. 5./ T. Lubonja, Nën peshën e dhunës: kujtime. Tiranë, Mësonjëtorja, 1998: 259.]

Në fillim të shtatorit 1943 veterani komunist marangozi Kristo Themelko, anëtar i KQ të PKSh, komisar politik i çetës së Pezës, (që po ashtu ka qenë burgosur e internuar nga Partia e vet), i shkruante Gogo Nushit (Sekretar politik i Komitetit të Partisë të rrethin të Tiranës): “Keq me ballistët, gjithkund duhet të luftohen me rreptësi që t’i zhdukim fare” [211, fundshënim nr. 2]. Më 25 tetor Themelko i shkruante  Nushit  se i kishin sjellë në Pezë dy të rinj ballistë “ish studentë”, të arrestuar si “të rrezikshëm”. Ai mendonte “me i pastrue këta derra në rast se janë të rrezikshëm”. Pasi pyeste çfarë duhej bërë me ta, me humor makabër shtonte: “ne jemi ushtarakë dhe do t’i zhdukim; sa për kështu jemi të fortë ne të Pezës”. Del se Myslim Peza, komandant i çetës dhe zëvendëskomisari Masar Shehu nuk ishin për vrasjen e dy të rinjve. Dy të rinjtë Besnik Ҫano 22 vjeç (Ҫano, në prill 1943 ndërpreu studimet në Itali dhe u kthye në atdhe për të luftuar kundër pushtuesit. U bashkua me Ballin Kombëtar.) dhe Qeramudin Sulo, 21 vjeç, pasi u mbajtën të arrestuar pak ditë në Pezë, u masakruan barbarisht dhe u vranë më 29 tetor 1943 diku midis Pezës e Kavajës nga Papa Hasani prej Manastiri dhe Leon Katarivasi nga Shkupi, të sjellë në Pezë prej Mugoshës [225]. 

Le të përmendim se në kongresin e VII të Kominternit u freskua çështja e luftës  civile të ngritur në Kongresin II. Aty u tha: “Detyra kryesore e partive të Internacionales Komuniste është (…) kthimi i luftës imperialiste në luftë civile” [208]. Në raportin e përgatitur për Kominternin (të padërguar) Koço Tashko shkruante: “nuk harrojmë që edhe pas fitores në Frontin Sovjetik, do të kemi edhe një tjetër periudhë lufte civile brenda këtu në Shqipëri” [208, fundshënim nr. 4.]

Si hap paraprak drejt luftës civile mund të konsiderohen mynxyrat e kryera nga Brigada e Parë e UNҪ që u ngrit më 15 gusht 1943, me 556 partizanë të zgjedhur [197]. Ngritja e saj që përkoi me ardhjen e oficerëve të parë britanikë pranë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, u shoqërua pra me instruktimin e pajisjen e partizanëve. Komandant i Brigadës u caktua krimineli i njohur që në atë kohë, Mehmet Shehu ndërsa komisar politik marangozi Tuk Jakova anëtar i Politbyrosë së PKSh. Pas pesë ditësh Shtabi i Përgjishëm (ShP) emëroi zëvendëskomisar Dushan Mugoshën. Jakova ankohet se në Brigadë ishte një “askush” para Dushanit [197-8]. Tashti, duke qenë pranë shtabit komunist dhe komandant i Brigadës I, Mehmet Shehu e kuptonte pse nuk kishin qenë me vend kritikat që ai bashkë me të tjerë kishin bërë në adresë të çetave të rajonit të Korçës për mungesën e veprimtarisë luftarake kundër armikut [139] ; ata nuk e kishin kuptuar kush ishte armiku i vërtetë për komunistët. Herët Misioni Britanik do të arrinte në përfundimin se detyra kryesore që iu caktua Brigadës I nuk ishte lufta kundër pushtuesve por “për të luftuar kundërshtarët politikë” [197, 199]. Në studimin Partia Komuniste Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore,  jepen dokumente të cilat tregojnë qartë kërkesën e KQ të PKSh – mund të themi të dyshes Popoviç-Hoxha – ndaj bazës komuniste, për luftë civile [209-211, 212-214 , 216-218.]. Komunistët erdhën në fuqi tamam nëpërmjet të asaj lufte që u shoqërua me terror e me krime mizore.

Nga Brigada I, deri në tetor1943 në katundet Surrel, Priskë dhe Pravesh të rrethit të Tiranës janë torturuar e pastaj pushkatuar mbi 60 vetë. Me 9 tetor në katundin Priskë e Madhe të rrethit të Tiranës, Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha urdhëruan vrasjen pa gjyq të 13 nacionalistëve, mes tyre dhe 6 gjindarmëve të Postës së Gjindarmërisë së Priskës, të dorëzuar në besë. Ata u torturuan të gjithë. Me propozim të Shehut dhe me miratim të Ramadan  Ҫitakut, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, rreh 16 tetorit Brigada I me komandant Shehun dhe komisar Jakovën pushkatoi në Malin me Gropa afër Labinotit (Elbasan) 140 karabinierë italianë të dorëzuar së bashku me disa oficerë, dy nënkolonelë dhe komandantin e karabinierisë në Shqipëri kolonelin Gamuçi, për t’iu marrë teshat. Kur ishte në Dumre, Mehmet Shehu, njëherazi kryetar i gjykatës së Brigadës I, urdhëroi pushkatimin e 60 ballistëve të dorëzuar në fshatin Matjan të Myzeqesë. Shehu dhe Jakova raportojnë se ndërkohë kishin bërë tre aksione kundër gjermanëve por nuk flasin për ndonjë ushtar gjerman të plagosur [223-4]. Problem ishin bërë dhe vrasjet brenda Brigadës I, që bënte çifti Shehu-Mugosha [199, në fundshënim nr.1; 222.]. Dejvid Smajli (David Smaili) shkruan për Shehun: “Lavdërohej se ai vetë kishte therur 70 karabinierë italianë të zënë robër” [197, në fundshënim nr.7.]. Më 18 tetor teqepunuesi Koçi Xox, anëtar i Politbyrosë së KQ të PKSh, i shkruante E. Hoxhës se “pas vrasjes së gjithë shtabit të Ballit në Devoll, 6 veta në një ditë prej çetave tona”, pritej të shpallej sot a nesër gjendja e luftës me Ballin [225]. Më 22 nëntor Enver Hoxha i shkruante Kristo Themelkos: “Përsa i përket atyre që kanë dezertuar (nga luftimet) e sidomos shokët si Stav(ri), mos i (përjashto nga  Partia), po i thirr  në Pezë, i (kalo) në gjyq dhe i pushkato” [226]. Nako Spiru i shkruante Popoviçit: “Më 7 mars 1944, Brigada I vrau Haki Blloshmin , zuri 200 robër (dhe) vrau disa nga krerët ballistë: Xhevdet Blloshmi, Bame Trebinja, Sadik Betrebi, Xheladin Ago Selca, Adem Ago Velçani, Adem Kapri dhe të birin e Hasan Bej Velçanit. (…). Në zonën Librazhd-Martanesh vrau 28 krerë të Ballit (sipas Ҫelo Hoxhës viktimat ishin banorë të thjeshtë të fshatit Peshk të Martaneshit” [226]. Me një letër të 21 marsit Hoxha dhe Spiro Moisiu (komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) urdhërojnë goditjen dhe marrjen e Pogradecit dhe të Starovës. Për Starovën porositej “kapja e bejlerëve” dhe “djegia e shtëpive të tyre”; për Pogradecin shpresohej që, “veç suksesit politik”, “mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës I” [226]. Në një letër të 22 prillit që Stefan Dh. Grabocka i dërgonte ShP te UNҪ shkruan se thuhet se në Grabockë nuk kanë mbetur më shumë se 7-8 shtëpi. Sipas tij “prej Korçe ishin kënaqur mjaft duke parë flakët e shtëpive të fshatit Dërsnik të ndritnin natën në errësirë” [227]. 

M. Popoviçi dhe bashkangjitur E. Hoxha me shokë, në vend të dënonin veprimet për rekrutime me forcë [Shih: Ҫelo Hoxha, Krimet e komunistëve …, p.sh.: 207, 217, 218, 219, et..] të cilat sillnin dezertime, jepnin udhëzime e urdhra për të dënuar dezertorët. 

Një tufë aktesh kriminaliteti janë porositë e dhëna nga Enver Hoxha apo hapa të marra personalisht prej tij për zhdukje kushërinjsh e miqsh, shokësh komunistë apo personash të tjerë, me porosi  dërguara N. Spirut, G. Nushit e të tjerëve për ‘dekorim’ (që kishte kuptimin  “ekzekutim me plumb ballit”), si për shembull për Sotir Kondin, Zef Malajn ish-krytari i GKSh [306], për Anastas Plasarin  një autoritet i Grupit Komunist Zjarri (GKZ) [308], Mustafa Gjinishin  figurë sfiduese për E. Hoxhën, apo për Llazar Fundon. Për Fundon, që kishte qenë një veprimtar i shquar i Kominternit [Lazitch, B. and  Drashkovitch, Biographicall…, California, 1986: 131.], por që kishte dënuar krimet e kryera nga Stalini [34, fundshënim nr. 4], Hoxha duke menduar se tregonte bindje ndaj Titos që kishte qenë nga kolonelët e Kominternit, jepte një porosi të llahtarshme: “Fundon, ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni” [133, fundshënim nr. 2]. Më 16 gusht 1944, në fshatin Ndëran të Zagorisë  urdhëroi pushkatimin e përfaqësisë së Gjirokastrës të përbërë nga Xhemal Babameto, Neki Xheneti dhe Vehip Hasani, duke qenë vetë në Odriçan, disa kilometra nga Ndërani [Musta–Kokalari, 45].  Në shtator të vitit 1943, tashmë formalisht në krye të PKSh, Enver Hoxha ka shkuar personalisht në Fier për të organizuar vrasjen e shokut dhe kushëririt të vet Abas Omarit, djali i vajzës së “babait” të Enverit  – të baba Ҫenit  – i cili e kishte strehuar Enverin në Paris edhe pas prerjes së bursës universitare. Aksioni dështoi por  pas  ‘çlirimit’, më 1945  Abaz Omari u dënua me vdekje dhe u pushkatua, e jo siç pretendon E. Hoxha se qenka kapur nga partizanët të cilët e paskan pushkatuar. [Përkatësisht Hoxha, Vite të rinisë: 185./ Musta–Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha, Tiranë 1966: 24-25.  

Në ditët e zeza të ‘çlirimit’ të Tiranës komunistët vranë pa gjyq mbi njëqind vetë para portave të shtëpive, nëpër rrugë apo nëpër bodrume [299-300]. Përgjigjet që u ka dhënë E. Hoxha   bashkëshorteve të Vesim Kokalarit dhe të Surja Kokalarit të vrarë në bimsat e një hoteli, janë   çnjerëzore [Musta–Kokalari: 46, 50]. N. Spiru ka thënë: “Vrasjet në Tiranë janë një mur edhe më i madh” [308].

Rastet konkrete janë të shumta. Për ato që janë të dokumentuara nëpër arkiva rekomandojmë librin e Ҫelo Hoxhës me titull Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945 (dokumente), Tiranë 2014,  ku tregohen krimet e bëra nga PKSh  dhe Ushtria Nacionalçlirimtare. Në fund të librit jepet një listë me  265 emra (të radhëve partizane) të cilësuar «Përgjegjës për krime lufte».   

Për përgjithësime po paraqesim diskutime të  bëra  në Plenumin e 2-të KQ të PKSh të zhvilluar në Berat pak ditë para çlirimit, më 23-27 nëntor 1944, ku është shqyrtuar dhe lufta civile e terrorizmi si metodë pune në PKSh [305-309]. Enver Hoxha, duke dashur të tregohet se i rëndon shumë gjendja e krijuar, rrëfehet: “Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i Partisë ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit (…) Shokët tanë e kanë humbur këtë gjë, e në radhë të parë, udhëheqësit, e përmbi ta anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne (…) të zhdukin anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”. “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani dhe tek Aliu (Popoviçi) me Lirinë (Gegën) (…) Në këtë pikë unë isha pasqyra e Aliut”. Tuk Jakova, që hiqet sikur s’ka qenë i pranishëm në veprime terroriste masive, kritikon: “Qysh në fillim me lindjen e ushtrisë (…) zhvillohet tendenca terroriste. Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq dhe pa faj. Këtë frymë e ka futur Dushani. (…) Kështu ushtria sot duket sikur ka dalë të mbysë popullin”. Sipas H. Kapos: “Gjëja më e keqe ka qenë fryma terroriste si në organizatat (e Partisë) ashtu dhe në ushtri. (…) Shpirti terrorist ekziston edhe sot, edhe te përgjegjësit. (…) Këtë shpirt e ka futur Dushani që na fliste me simpati për një punë të tillë. (…) Te Shulja (K Themelko) unë shoh fytyrën e Dushanit e të Miladinit”. Manush Myftiu thotë: “Edhe në Vlorë ne kemi menduar se ata që s’ishin me ne, duhej të zhdukeshin. Kishim një listë prej 42 vetash që i kishim dënuar me vdekje dhe një pjesë e tyre s’kishte faj. (…) Me Mehmet Shehun kemi biseduar, meqë Shqipëria do të çlirohej shpejt dhe popullit do t’i jepej mundësia e zgjedhjeve, reaksionarët duheshin zhdukur që më parë”. Sejfulla Malëshova kritikon:  “Mënjanë e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si hero përpara popullit dhe Partisë. (…) Me terror po i zgjidhim të gjitha punët. (…) I masim shokët nga brutaliteti dhe kriminaliteti”. Përfaqësuesi jugosllav që komandonte Plenumin, koloneli Velimir Stojniç, tha: “Në Partinë tuaj ka shumë shembuj që tregojnë se kanë rënë koka të pafajshme të anëtarëve të Partisë. (…) Unë jam dakord me Sejfullaun (Malëshovën) që thotë se Partia ka marrë rrugën e degjenerimit në një bandë kriminelësh”.

Raste karakteristike: N. Spiru ka thënë: “Kur ne shkojmë në Veri me forca kaq të gjera dhe vihemi në kontakt me popullin, në vend që të bashkohemi më shumë me popullin, ne i kallim atij tmerrin” [221].

Në një letër që Liri Gega, si përfaqësuese e KQ të PKSh pranë forcave partizane që kishin shkuar në Veri, i dërgon shokut të vet të ngushtë, Miladinit, shkruan: “Duke luftuar kundër reaksionarëve shqiptarë, nuk po i vjen radha të luftojmë gjermanët. Kam frikë se (…) do të harrojnë partizanët luftën me gjermanët” [222]. 

Në Plenumin e mësipërm Enver Hoxha dhe shokët e tij pohuan qartësisht se gjatë gjithë kohës së Luftës nuk kishin qenë veç nxënës së dy instruktorëve të PKJ – të Miladinit dhe të Dushanit –, dhe se praktikisht Komiteti  Qendror i PKSh identifikohej me Miladin Popoviçin. (302-305)

Shtojmë se në botimin e librit Partia Komuniste Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore mungojnë  treguesit e emrave të njerëzve dhe termave gjeografike. Këto të dhëna gjenden dhe mund të kërkohen me postë elektronike pranë autorit (luandode@hotmail.com).

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Dode

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT