Kreu demokrat Lulzim Basha i përcjell me ironi deklaratat e kryeministrit Rama në Prishtinë se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të përkeqësohen nëse Donald Trump zgjidhet pPesident i SHBA-ve.
Sipas Bashës, pasi e ndriti Shqipërinë duke e futur në krizë dhe varfëri, tani ka gati recetën për presidencialet amerikane.
Reagimi i Bashës në Facebook:
“Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Nuk është nga ato pleqërimet me Koçon te lapidari i Vunoit, është një punë që kërkon ta bëjë tani, sa më shpejt.
Pasi e ndriti në Shqipëri, duke vendosur krizën dhe varfërinë më të thellë, duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkurruar edhe Trumpin për pasuri personale, pasi shkel çdo ditë ligj dhe kushtetutë, kokoshi ka gati recetën për presidencialet amerikane.
Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë.