DHE PROFECIA: KU NUK SHKON USHTRIA E NJË KOMBI, SHKON KULTURA, ARTI DHE LETËRSIA E TIJ/
Persiatje për Emisionin KultArt të RTK-ës, kushtuar Panairit të Librit në Frankfurt./
Jo Gjermaninë ta çojmë në Amerikë,por Amerikën ta sjellim në Gjermani.-(Gëte)/
Prelud: Nga Ataraksia (tek grekët e lashtë) – Paqja Shpirtërore, deri tek Paqja e Përjetshme e Kantit./
Shkruan: Xhemail Peci/
Tek shpaloseshin në ekran pamjet e një natyre të virgjër e të një gjelbërimi të rrallë, natyrë që dëshmon se Perëndia është treguar aq dorëlirë që me to të pajisej Gjermania (sa Hajnrih Hajne e përfytyronte në përmasat e një sirene e cila i krihte flokët e saj të arta sipër një shkëmbi), përzgjedhja e pejsazheve, e pamjeve të ujit si dhe arkitektura e veçantë në të cilën përzihet klasikja me modernen, lenin përshtypje të veçanta dhe paralajmëronin se kronika do të ishte realizuar me një përkushtim të veçantë, nën të cilin bota e librit u shpalos sërish në kryefestën e vet si një përkujtim tepër i rrallë se në Librin e Shenjtë parajsa përshkruhet si një kopësht me ujë që vërshon.
Është thënë prandaj me të drejtë se Alhambra (një nga dhjetë mrekullitë e botës) ishte një përpjekje arabe për ta ngritur parajsën mbi dhe. Panairi i Librit i cili Frankfuritin e bën kryeqendër të një mrekullie të tillë, është pamja e fletëve të shpalosura të librave të cilat në moshën e tyre biblike kanë të gdhendur si në një kronikë kohësh gjakimin për të ri-krijuar sadopak pamjen e një parajse në të cilën u shfaq qielli si një det me qetësi absolute, e zëri shoqëroi pamjet si shiu i shkëlqimit të yjeve në burimet e vogla të dritës!
Në një prelud të tillë nga më të rrallët, Sibila e Librit Shqip e dëshmoi me modesti se qielli kish fshehur në zërin e saj një pelerinë prej shiu. Prelud që të kujton thënien e Borhesit nga “Ulrika”: “Mrekullia me të drejtë vë kushte! … Një poezi e Uilliam Blejkut flet për vasha të buta si argjendi dhe skofiare si ari, kurse në Ulrikën kishte butësi dhe skofirizëm.”
Drita zbriti e shenjtë nga qielli. U bëftë dritë! Dhe dritë u bë e si një dritë e shenjtë u përhap dhe libri. Skena me të cilën hapej kronika e emisionit KultArt, shëmbëllente aq shumë me të vërtetën e madhe. E më tej e kaltërta e qiellit në sfondin e saj shpaloste dalëngadalë pamjet magjepëse të hapësirës së pafund, gërshetuar më tej me gjelbërimin e Frankfurtit, duke përmendur 3000 lulet, dhe pastaj gradualisht si një pamje në përkujtim të shekujve dhe epokave, zbriste ngadalë dhe me një takt të rrallë e po aq elegant, po i afrohej tokës për të shpalosur fletët e librave në festën e tyre më të madhe në botë. Imazhe ylberore në të cilat fjala shqipe merr shkëlqim prej diamante, fjala si unazë mes tokës dhe qiellit.
Zëri – si një Poemë Lirike e një Shi i Imtë
Prelud në të cilin zëri është gjithmonë një rilindje, sa mendore po aq edhe shpirtërore. Zëri i saj është vetë stili i saj, i butë dhe elegant, gjithë elokuencë dhe modesti. Në një pamje që përpara shfaqte një kthjelltësi qielli e ku e kaltërta gjithmonë shpalos paqen e përjetshme si remenishencë e atarksisë (paqes shpirtërore), në fjalën që gdhend gur, si në mitet e zhveshura ku fjala bartë gjerdanin e yjeve në zërin e zanave që në logun e tyre përkulin majat e lahutave e ujëvarat e bjeshkëve, çdo gjë sikur bie me një sfond magjie. Sfond për të cilin Tomas Mani shkruante se muzika s’flet asgjë, por thotë çdo gjë! Sfond ku takohen mes vete brezi i qiellit dhe imazhi ylberor: Aurora çohet mbi Shqipëri, dhe Shqipëria bie me agimin; e në mes është sërish fjala si një diademë e bardhë, si përkujtim se në fillim ishte fjala; pra gjithmonë fjala si mishërim dhe përgjërim i tokës me qiellin. Sfond në të clin muzika është thellim i qiellit, poezia – muzikë e papërsëritshme, piktura poezi që flet, dhe si në një konstelacion yjesh a si në një paralaksë dashurie, muzika është poezia e Zotit dhe Zoti përkatësisht Paqja Shpirtërore dhe Paqja e Përjetshme – Mëshira Hyjnore, përkatësisht Krijuesi i Universit është: Poeti më i Përsosur.
Në tingëllimat e zërit, në shqiptimin e butë të bashkëtingëlloreve dhe kombinimit elegant të të folurit bukur dhe rrjedhshëm, nën timbrin e zërit që aq bukur u bie pentagrameve të zanoreve të veta krejtësisht të veçanta, fjala është fryma e shpirtit. Fjala është sogjetar amshimi. Zëri është parajsa e tij ku prehen lotët e fluturave, zëri gjithmonë një butësi e rrallë e në sfondin e një mermeri monumental si një kronikë e shiut në gur, një akademi muzikore në vete; si një shi i imtë që bie parreshtur nëpër kalldrëmet e gurta të kujtimeve nëpër të cilat si një flakë e shenjtë e si një pishtar drite në fushat fisnike të dijes dhe të mendjes, rri si dëshmi e gjallë gjuha shqipe: paja më e bukur me të cilën na pajisi Zoti.
Fjala si diadema në ballë, dëshmia më e qartë se rruga e të shkruarit shqip u shtrua me gjak zemrash, me fletë trëndafilash dhe me hije qepallash, përmbledhur nëpër fjalë si ca margaritarë të rrallë kur tha Poeti dhe Profesori Martir Latif Berisha, se ne nuk duam asgjë tjetër, veçse fluturimin e lirë të shqipeve në gjakun tonë!
Në gjithë këtë sfond, pamjet që shfaqeshin si në një imazh ylberor nga brezi i qiellit, në lentat e tyre përveç timbreve të zërit të shfaqur si një shkëlqim kristali, në vete sikur ngërthenin të vërtetën e madhe, shpesh të harruar por që në butësinë e tij, zëri që shtrinte flatrat e tij gjithë shkëlqim, sikur mëtonte të përkujtonte të vërtetën e madhe se përpara librave edhe engjëjt i ulin fletët e tyre!
Engjëjt veshur me petka të mëndafshta, shfaqur nën hije të drunjve e anës së lumenjve…
Në sonetet e Dantes, hija e Virgjilit nuk i ndalte rrezet e diellit, ashtu siç nuk i ndalte as Milosao, tek bënte sheti në Parnasin shqiptar. Gëte shkruante se në një sfond të tillë “shfaqen format më të mrekullueshme të universit të pafund”.
Në një sfond të tillë të një godine gjermane shkruan: Bahu na dha fjalën e Zotit, Mocarti na dha të qeshurën e Zotit, Bethoveni na dha zjarrin e Zotit, Zoti na dha muzikën që të lutemi pa fjalë, e Faik Konica përkujtonte se: “Bahu, Bethoveni, Shuberti dhe Shopeni janë emrat e perëndishëm, të atyre njerëzve të çuditshëm që flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit, një gjuhë e përgjithshme që kuptohet prej të gjithëve, me pak durim dhe dashuri.”
Edhe Zëri – Një diell pa hije
“Memoria” e Gjon Muzakës (1510) në mes tjerash përmbante një kronikë në të cilën shkruhej se dikur ishte: “Një krua i gjallë që rridhte nga dy sylynjarët e që njëri e shuante një pishtar dhe tjetri e ndizte”. Nga rrënjë gati të tilla, Ernest Koliqi kërkonte fillet e gjuhës sonë: O gjuhë e folun tre mijë pranvera! Mjeda shkruante se: Gjuha shqipe është një diell pa hije, e Lasgush Poradeci në një nga perlat e lirikës së tij i thurte një himn nga më të bukurit gjuhës së nënës: O djellë i llahtaruar që ndrinë si pikë lot!
Dodona
Ah, kjo toka Arbërore, / lis Dodone me pesë dega!
(Pano Taçi: Lisi i Dodonës)
Dodona ishte tempulli më i lashtë në Europë, dhe ajo thuhej se gjendej tek Porta e Thesprotisë. Në foltoren e Dodonës, nëpërmjet fluturimit të pëllumbave dhe fërshfërimës së gjetheve të një lisi të moçëm, orakujt parashikonin fatet njerëzore.
Thuhet se klerikët pellazgë të Çamërisë në përmbushjen e detyrave të tyre fetare/rituale, lajmëronin popullin që jetonte rrëzë malit, çdo mëngjes se doli dielli. Së këndejmi nga të rrrahurat ritmike të çangës: Don, don, don… liturgjia mori emrin Dodonë. Më tej, përgjigjet jepeshin sipas interpretimit të fërshfërimës së gjetheve të lisit dhe tingullit të këmbanës, mbi të cilën binte një shufër bronzi. Orakulli (thënia e fatit), u printe atyre që ishin edhe interpretuesit e paralajmërimeve hyjnore (orakujt). Profetët e lidhur me Dodonën, konsideroheshin se ishin të aftë të zbërthenin gjuhën e zogjve, e pëllumbat postierë ishin “zogjtë që flisnin” tek Orakulli…
Gojëdhëna shqiptare thotë se Tomori komunikon nën dhe me Vezufin e Italisë. Pra, thuhet se kur fillon Vezufi të shpërthejë, Tomori zbrazë topa, kurse në kohët homerike, Tempulli ishte në natyrë, në një lis madhështor që quhej i shenjtë. Homeri ka shkruar: “Pëllumbi i ndrojtur pos jell ambrozinë (ushqimin e pavdekshëm) tek baba Zeusi.”
Nga flakët dhe rrënimet e pushtuesve, Dodona nga një tempull u katandis në një lis ku pelegrinët vazhdonin të vinin dhe e kërkonin Orakullin, Tempullin me pemët të cilët ilirët i konsideraonin të shenjta: ulliri, lisi, dafina.
Koha tragjike shpalosi më tej dëshmi të heshtura të hakmarrjes së egër që bëri Perandoria Romake përmbi Epirin dhe popullsinë e tij, duke shkatërruar 70 qytete, e duke dërguar në Itali 150,000 skllevër. Si pasojë e këtyre shkatërrimeve, Orakulli i Dodonës mbeti i braktisur (Edwin E. Jacques: Populli shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1912).
Poeti i Himnit Kombëtar Aleksandër Stavri Drenova – Asdreni, në vjershën Fjala e Dodonës, në dy vargjet e saj ka thënë shumë: “Një tempull dore mjeshtrisht ish latuar, / N’argjend erdh’ar statuja rreth qarkuar.” Tempull ku fluturimin e pëllumbave e zëvendëson butësia e zërit dhe magjia e tij tek përhapet hapësirave të pafundme, dhe fërshfërimin e gjetheve e zëvendëson artikulimi i zanoreve të cilat enden nëpër fjalët si hojet nëpër lulet, e shqiptimi aq elegant i bashkëtingëlloreve ngjet aq shumë me fjalët që si shpirtat qiellor enden nëpër buzët e shekujve të shqipes së folur, madje në ato përmasa ku Naimi lëshonte zemër-klithjen: Lumthi ti zemër hyjnore, lum si ti shpirt i pamort; në ato përmasa ku Andon Zako Çajupi mëtonte të vinte Perënditë Ilire – mbi Majën më të Lartë të Malit të Tomorrit, e ku fjala shqipe si një qëndismë e mëndafshtë vetëtimash, sa me një trëndafil qiellor, po aq ngjan edhe me një nur parajsor derdhur në lenta ylberi, sa herë që Sibila si e Kumes, në ligjërimin e saj të ëmbël dhe lirik, në një simfoni që ngjet aq shumë me ate të shqipeve, përkulë herë dhembshëm, herë thekshëm e herë përmallshëm rrëketë e ujëvarave!
Poeti i Ëmbëlsisë Ndre Zadeja, gjithashtu i thuri një kurorë lavdie Dodonës: “E kje se n’at krahinë n’ato germadhe/ Ku i foli botës nji Dodonë zamadhe/ Tingllat e pyllës hyjnore kanë heshtue; / Po Ora e Shqypnis nuk ka marue!… Ku Didona Europës s’hutueme/ i mbulonte ajo fatin e vet/; ku gjaku s’di m’u ba ujë, / pse a gjak Ilirësh, /e gjaku i asaj Shqipes pellazge,/ e cila dikur:/ Flatrat e veta i rrifte/ kur as Athina e as Roma/ nuk u njifte!”
Ndërsa Ernest Koliqi, e kthente vështrimin tek rrahja e flatrave të një zogu të shenjtë i cili u end rreh e çark përmbi degët e këputura të Dodonës:
E n’qe se belbacuk’t e gjuhës ilire
Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire,
Me rrahje flatrash ik n’naltsi t’kalthera.
Klopshtoku: Gjermania – Republika e të Diturve
Vepra e Klopshtokut Republika e të Diturve ishte njëkohësisht edhe kryevepra e tij. Për Gëten dhe për shumicën e gjermanëve, Klopshtoku ishte “autoriteti më i shenjtëruar i poezisë gjermane, mik dhe njeri i besuar i princave”. Ai ishte një personalitet me qëndrim të madhërishëm prej vigani. Aty ai e përshkroi në mënyrë fare simbolike perandorinë e tij intelektuale dhe libri ishte parapaguar nga lexuesit para se të dilte nga shtypi, duke u shitur mëpasatj në tërë Gjermaninë. Gëte e qujati me të drejtë vepra më e rëndësishme e shekullit sepse aty bëhej përshkrimi simbolik i perandorisë intelektuale (si një parantezë e Hegelit pr Artin si Mbretëri e Lirisë) të vetë poetit, i cili nëpërmjet poezisë ia kishte siguruar vetes lavdinë dhe lavdisë së tij ia kishte siguruar hirësimin më të fundit:”Gjuha e tij ishte më fisnikja, më e lira dhe më e pasura, që ishte parë ndonjëherë.”
Shileri dhe Gëte
Shileri thoshte për Gëten se sa shumë ishte përkëdhelur nga fati gjenia e tij! E Shileri ishte për Gëten: “personaliteti më i jashtëzakonshëm që kishte takuar, humbja më e dhembshme që kishte pësuar”. Për Gëten, “Shileri kishte temperament të mirëfilltë poetik, por shpirti i tij prirej nga gjykimi.”
Shileri ishte poeti që besonte fort se “shkronjat janë kufoma që ngjallen në sytë e dashurisë”, ashtu siç do të shprehej edhe Meterniku: “Bukuria është e vetmja gjuhë e shpirtit. Shpirtat nuk kuptojnë tjetër gjuhë.”
Nga bisedat e tij me Gëten, Ekermani kujtonte: “9 maj 1805. Askush nuk guxonte t’i thoshte se Shileri ishte i sëmurë. Të nesërmen Shileri vdiq. Humbi të vetmin njeri që e pandehte të barabartë me vetveten. Më 1 qershor 1805, Gëte i shkroi Celterit: Kujtoja se do të vdisja vetë, e tani humba një mik dhe me të humbas gjysmën e qenies sime…”
Shileri dhe Gëte ishin dy gjigantë të kohës, dy gjeni të poezisë dhe që ty dy synonin shpëtimin e shpirtave të mbledhur rreth Gjermanisë. Në Francë, të tillë ishin Hygoi dhe Balzaku (poeti dhe prozatori).
Për Gëten dhe Shilerin mund të thuhet pikërisht ajo që është thënë për Konicën dhe Nolin më vonë, se ishin si heronjtë e Homerit: ziheshin e luftonin, por në fund pajtoheshin me njëri-tjetrin.
Frankfurti: Vendlindja e Gëtes
Frankfurti mbi Main, është qyteti ku ka lindur Gëte, më 28 gusht 1749. Aty ai hartoi veprat e tij më të rëndësishme (Vuajtjet e djaloshit Verter, Gëtci i Berlinghenit – të cilën e përfundoi për 6 javë, Klavigon), duke synuar majat më të larta të velrave shpirtërore. Frankfurti shënon kështu fazën e parë të krijimtarisë së tij letrare (1749-1776), kurse Vajmari fazën e dytë (1776-1832).
Panairi i Frankfurtit ka qenë gjithmonë për qytetin një nga ngjarjet më të rëndësishme. Gëte aty është frymëzuar dhe dhënë me aq pasion pas Lili Shëneman të cilës i kishte kushtuar veprën Poezia dhe e vërteta. Duke i dërguar asaj kopjen e Stela, i shkruante:
Ndër luginat e ëmbla, mbi majat me borë,
Gjithnji imazhi yt më është shfaqur pranë,
E kam parë duke kaluar mbi retë e lehta,
Dhe sërishmi e kam gjetur në shpirtin tim.
Fjala vjen, tek Dante: “Ekuinoksi pranveror pasi piu nga valët e lumit të Euneosë, kah Beatriçja u kthye…Ajo: Dritë e Qiejve, Trëndafil i shenjtë. Përpara saj, qielli shkonte duke i fshehur yjet!” Për Danten: “Sytë e Beatriçes vështrojnë si të magjepsur. Forca universale e zemrës së Beatriçes vërtit botën dhe sillet rreth diellit e yjeve.” Në koncpetin poetik të Dantes, vetëm dashuria i mëson njerëzit të shohin tek veprat krijuesin e tyre: Zotin. Dante lëshonte zemër-klithjen: O gjaku im, o hir i Zotit,/ dikue me kaq mbushëllim, / kujt si ty i qe hapur dy here/ porta e qiellit? E Gëte sikur përgjigjej në kapërcyell të shekujve: “Një dashuri e pafajshme nuk e lëndon, por e gëzon perëndinë!”; prandaj për Gëten edhe: imagjinata është një dhuratë hyjnore! Dhuratë që e bënte të lëshonte zemër-klithjen e tij: “Shfaqu o dritë e mrekullueshme e shpirtit të Osianit!” (në Torkuato Tasso).
Vrojtuar nga ky prizëm, Xhovani Bokaçio kishte shkruar se: “Sa më e vogël të jetë shpresa, aq më e madhe është dashuria”, kurse Françesko Petrarka i kishte kënduar Laurës në lartësinë e lareve të lavdisë së tij poetike: “Në fytyrën e Laurës shkëlqen rrezja e bukurisë hyjnore. Zëri dhe shkëlqimi syve të saj nuk ka asgjë të vdekshme.” E Gëte do të ishte ai që do shtronte pyetjen:
Mos vetëm emri i Laurës do të shqiptohet
me ëmbëlsi nga goja e çdonjërit?
Mos vallë veç Petrarka ka të drejtë,
një bukuri t’panjohur të himnizojë?
Ndërkaq në Faustin ai flet për dy shpirtat, pra për dualizmin e shpirtit njerëzor, të qenies njerëzore. Gëte është poeti dhe dramaturgu që qëndroi mes dy Efigjenive: Efigjenia në Aulidë dhe Ifigjenia në Tauridë. Apo siç shprehej vetë: “Ifigjenia mbetet “bija e dhimbjes”, duke kujtuar më tej: “Në buzë të liqenit të Gardës, ndërsa era e rrëmbyer e jugës i shtynë valët që përplasen bregut, njehesha i vetmuar bashkë me heroinën time në brigjet e Tauridës.”
Gjuha e përdorur në këtë vepër është një ndikim direkt nga prozatori i shquar gjerman Moritci, autor i romanit autobiografik “Anton Raizer”, i cili tek Gëte ushtroi ndikim të veçantë me veprën e tij “Vargëzimi gjerman” prandaj: “Duke nxjerrë një teori, një përvojë praktike të fituar nga Klopshtoku, Moritci gjen lidhjet e theksit tonik të fjalëve me vlerën e tyre shpirtërore, zbulon një rregull për matjen e rrokjeve, që i lejon gjuhës gjermane të imitojë prozodinë e hershme.”
Gëte hyri në qiellin e letërsisë së përbotshme, si rrufeja, prandaj të thuash Gëte don të thuash: Gjeniu. Ai është poeti gati-gati mitik të cilit pranvera dhe dielli gjithmonë i jepnin magjepsje të re, por edhe gjallëri frymëzimi. Dhe se ai çuditërisht, në fjalën e tij të fundit në moshën 83 vjeçare, thoshte: Dritë! Më shumë dritë!
Gëte më kujton thënien e njohur të Jorge Amados: “Janë ca çaste kur të gjitha forcat e një populli mblidhen, dhe prej tyre, si një notë më e lartë prej të gjithave, shfaqet qetazi dhe hatashëm, djallëzisht i bukur, i drejtë dhe i vërtetë: Gjeniu!”
Ekermani në kujtimet e tij për Gëten shkruante: “Tiparet e fytyrës fisnike dhe të lartë, tregonin një vendosmëri dhe një paqe të thellë. Balli i fuqishëm, dukej sikur mbyllte brenda akoma mendimet e tij…Mbeta i çuditur nga bukuria hyjnore e gjymtyrëve…Një qenie e përsosur ishte shtrirë para meje me tërë shkëlqimin. Magjepsja që më pushtoi prej kësaj pamjeje për disa çaste më bëri të harroj, se shpirti i pavdekshëm i kishte braktisur këto gjymtyrë. Vura dorën në zemër përreth një heshtjeje të thellë, dhe u ktheva për t’u dhënë shfrim të lirë lotëve që nuk përmbaheshin dot më.”
Ishte pikërisht Frankfurti, qyteti i lindjes së tij dhe sot kryeqyteti botëror i librit, i cili ia ngriti shtatoren Poetit të Kombit. Për Fisnikun e Frankfurtit, mund të thuhet ajo që Gëte vetë i kishte thënë Ekermanit për Karl Augustin: “Shpirtmadhësia e tij ishte një shpirtmadhësi jo e fituar me anë të edukimit, por e lindur.” Dhe se shpirtmadhësia e tij qëndronte në parandjenjën që kishte shprehur: Perëndia nuk m’i dha të gjitha. Megjithatë, as nuk m’i morri të gjitha!
Ai (ashtu siç ka ndodhur shpesh me poetët e mëdhenj të një kombi) sikur e kishte parandier fatin e atdheut dhe të kombit të tij, prandaj në Getcin e Berlinghenit, do të shkruante: “Mbyllni zemrat tuaja më me kujdes se dyert! Po vijnë kohët e gënjeshtrës! Frymë qiellore. Liri. Liri. Burrë shpirtmadh! Burrë shpirtmadh! Mjerë shekulli që të përbuzi (Maria). Mjerë stërnipëria në qoftë se nuk do të çmojnë.” Tek kalorësi gjerman Geci, Gëte krijoi përfaqësuesin e vërtetë të popullit, duke vënë për moto të dramës së tij thënien: “Zemra e popullit është kthyer në baltë dhe nuk është më e zonja për ndjenja fisnike!”
Ai e kishte parathënë fatin e së ardhmes së Gjermanisë duke shkruar më 21 korrik 1771: “Vetëm ai meriton jetën dhe lirinë, i cili duhet t’i sigurojë çdo ditë. Kisha me dashtë të shihja një rrëmet të tillë, e të qëndrojsha me popullin e lirë në truallin e lirë”, ndërsa në vitin 1820 do të shprehte ndjenjën e shqetësimit të tij: “Gjermanisë i mungon ndjenja e vlerës të së tanishmes!” Gjë që ishte artikuluar aq bukur nga Gothold Eprahaim Lesingu: “Shihni! Kjo është Gjermania juaj?! As e gjallë e as e vdekur! Pa ndjenja dhe vetëdije të trupit të vet. Një objekt talljeje për botën!”
Franca – Nëna e Arteve dhe e Lirisë
Balzaku, ishte i vetëdijshëm për misionin e tij sa të veçantë, po aq edhe të vështirë, do të shprehej me të drejtë se “në letërsi duhet të jesh mbret që të mos jesh shegërt, murator”, prandaj kujt tjetër do t’i drejtohej përveç Hygoit: “Viktor, vetëm ti mund të më kuptosh. Vetëm ti!”
Si në një pikëtakim të titajve që në vete mbartin shekujt, ata do ta kuptonin më mirë se askush tjetër, njëri-tjetrin:
Viktor Hygoi: “Ja kush të ka dashur me gjithë shpirt, Honore!.. Zotërinj, në këto çaste bota po humb një njeri të madh…Ai qëndronte mbi rivalitetin dhe armiqësinë. Por tani e tutje ai është më lart se retë që varen mbi kokat tona…E pashë në profil, i ngajnte Perandorit! Puna e Honores është e pavdekshme dhe prandaj i pavdekshëm është vetë ai. Dhe nuk është në dorën tuaj ta shuani zjarrin e ndezur nga mendimet e tij. Ky zjarr do të bëhet fanar ndriçues për ata, të cilët janë gati të vdesin për të vërtetën, që dijnë t’i shërbejnë së vërtetës, pa kursyer jetën e tyre. Pikërisht i tillë ishte Balzaku, e dëshironte ai këtë, apo jo. Dhe ju nuk mund ta thyenit mendimin e tij, ju vetëm gjymtuat zemrën e tij!
O ju, që qëndroni këtu! Ju, që thitni këtë ajër të mrekullueshëm, që shikoni këtë diell të qartë dhe qiell të kaltërt, ju, që zotëroni pasuri dhe mund të dashuroni…Më thoni, ju të gjallë, vallë a nuk e keni zili atë?”
Viktor Hygo, ishte një nga kolosët e mendimit romantik, i cili e deklaronte zëshëm në vitin 1870: “Të smadhosh formatin e skllavërisë do me thënë të rritësh padenjësinë e saj. Popujt derdhin gjak, por nuk e humbin lirinë.” Ai mbeti poeti dhe romancieri i madh, i cili në mënyrë aq lakonike e kishte shprehur lajtmotivin e jetës së tij të vrullshme: “Në art jam për të madhen e kundër të voglës, dhe në politikë jam për të voglën e kundër të madhes!”
Është thënë me të drejtë nga A. Borbau se Ygoi për një shekull sundoi shpirtrave, sepse ai e deshti zhvillimin e njerëzimit nga errësira kah ideali, prej flakës tokësore kah parajsa qiellore, prandaj edhe së këndejmi mund të interpretohet mendimi i H. Michaux (Un Barbare en Asie, 1932) se: Gjithë letërsia europiane, është vuajtje!
Ballë për ballë: Poeti dhe Perandori
Firdusi dhe Mbreti
Histroia e letërsisë botërore njeh shumë raste kur, siç e ka thënë Pashko Vasa: “Poet dhe Mbret janë dy gjëra të papajtueshme.”Në Persinë e lashtë, mbreti kishte urdhëruar Poetin e Kombit – Firdusin që të shkruante epopenë e luftërave të kombit të tij, gjë që ai e kishte bërë në epin Shahnameja (Lufta e Mbretërve): sa vargje aq flori! Megjithatë, kur numri i vargjeve e tejkaloi thesarin e shtetit, prandaj mbreti kishte ndërruar mendjen dhe nga ari urdhëroi që Poeti të paguhej me flori!
Duke u takuar rastësisht poetin, mbreti do ta pyeste: “Firdus, sa vlejë unë?” Dy metelik, hiç më shumë! – qe përgjigjur poeti. “Si ka mundësi, po kaq vlenë vetëm peshkiri që kam unë! – qe shprehur me habi mbreti. “Duke përfshirë edhe peshkirin, Hirësi!” – do ta përmbyllte bisedën Firdusi, të cilit si për ironi të kohës, më në fund kishin vendosur që çdo varg t’ia paguanin me flori (ashtu siç i kishte premtuar mbreti në fillim), por mjerisht ishte tepër vonë: Ari po hynte brenda në shtëpinë e tij, e arkivoli po dilte që andej në të njëjtin moment!
Gëte përballë Napoleonit
Kur trupat e Napoleon Bonapartës pushtuan Gjermaninë, Gëte qe përballur me Perandorin. Ky i fundit i kishte thënë që Gëte të shkruante për lavdinë e tij, por Zeusi i Vajmarit nuk kishte pranuar. Duke qenë edhe vetë njeri i letrave e i penës (gjë që do ta dëshmonte aq bukur në letrat që i kishte shkruar Zhozefinës), Napoleoni do të shprehte habinë e tij: “Të gjithë poetët e lindjes u kanë thurur lavdi perandorëve të tyre. Edhe ju mund ta bëni një gjë të tillë!” Po, por ju nuk mund të më siguroni se ata nuk janë penduar më vonë, Hirësi! – qe përgjigjur Gëte.
Ja që kishte të drejtë Xhorxh Eliot, kur shkruante se: “Është lehtë të flasësh kur ke çka të thuash, por është vështirë të kesh çka të thuash, kur duhet të flasësh!”
Volteri përballë Frederikut
Volteri ishte një nga mendjet më të ndritura të Europës, i cili besonte fort se tiranitë e mëdha rrëzohen me libra të holla! Frederiku i II – të i Prusisë donte ta shtrydhte si limonin, ashtu siç do të bënte Cari i Rusisë me Pushkinin, të cilin do ta dërgonte në det “për të pushuar”… Nuk qe Volteri, por qe Frederiku ai që u thye.
Balzaku ‘përballë’ Napoleonit
Franca është Republikë e Talenteve! Njerëz me talent, njerëz me kulturë. Ja çka i duhet Francës! Kështu besonte Napoleoni, i cili u kishte thënë enciklopedistëve francezë ta fshinin nga Enciklopedia që kishin hartuar, fjalën impossible sepse për francezët asgjë s’është e pamundur.
Sikur të mos kishte qenë lufta, biri im kurrë nuk do të bëhej pernador – thoshte e ëma e Napoleonit. I biri i saj besonte se në prehër të nënave lindin kombet dhe se liria është bija e fitores.
Megjithatë, Bajroni ka shkruar për Napoleon Bonapartën se ai ishte në gjendje që të shtrydhte lot nga statuja e metaltë e syve të Satanës! …
Honore de Balzak, lavdia e Francës (siç e ka cilësuar Shanferi në artikullin për te) Francën e veshte me retë e famës. Zotimi tij ishte: “Ate që e bëri Napoleoni me shpatë, unë do ta bëjë me penë!” Filozofia ime është bija e lodhjes por kurrë e pendesës. Truri im punon me dy veka! Ç’pafatësi të jesh i varfër, e të kesh zemër artisti?!
Napoleoni përkulej përapra famës, duke besuar aq fort se dy pushtete i takojnë botës: ai i shpatës dhe i shpirtit!
Balzaku përkulej përpara Zotit dhe përpara Njerëzimit.
Bonaparti klithte: Zhozefinë Rozë Mari, Zhozefinë Rozë Mari: Mallkuar qoftë fama dhe fati pa ty! Balzaku ndërkaq nuk mallkonte. Ai gjakonte të pushtonte një zemër për 17 vjet rrjesht, një femër salloni të cilës kishte vlerën e një amabasde pernadorake: Evelina Hanskaja.
Artileria e logjikës në vend të artilerisë së topave
Napoleoni shtrëngonte dorëzën e shpatës sa më shumë që mundte, në mënyrë që ajo të binte si rrufeja. Balzaku me dorën e tij delikate prej artisti, shtrëngonte majën e penës. I pari donte të pushtonte botën përmes gjakut dhe luftës. I dyti përmes artit dhe fjalës. Jo përmes betejave të përgjakshme duke pushtuar tokat e huaja, por duke sunduar mendjet dhe zemrat me forcën e ideve dhe me bukurinë e shprehjeve. Në vend të artilerisë së topave, artileria e logjikës: “Atë, që ai nuk e përfundoi me shpatë, unë do ta bëj me penë!”
Luigji i XIV krekosej duke thirrur: Diellli jam unë! Ndërkaq, Gustav Floberi ishte shumë më modest: Madam Bovari, jam unë! …
Në muzgun që varet mbi jetën, fjalët janë si lutjet e një shpirti të përgjëruar. Me zjarrin e pashuar të fjalëve Balzaku shtrëngonte penën. Napoleoni shtrëngonte shpatën. Fama ashtu si nata lëshonte perden e saj mbi tokë e vitet ngjanin me pemët e rënduara nga dëbora. Dallimi i vetëm qëndron në faktin se çfarë kahje ka qëllimi dhe çfarë drite ka shkëlqimi (Balzaku i përgjërohet Evelinës), e Franca – ashtu siç thoshte Hajnrih Hajne, mbetej toka e kuqe e lirisë dhe e intelegjencës. Franca nuk mund të shkatërrohet sepse ka pasur Balzakun. Si e tillë ajo kurdoherë do t’i shpëtojë rrezikut dhe katastrofës – shkruante Xhorxh Mor, ndërsa Barnes shprehte bindjen se “Po të ndodhë ndonjë katastrofë për Francën, dhe po të shpëtojnë veprat e Balzakut, s’ka ndodhur asgjë. Rrezik është po të ndodhë e kundërta.”
Honore de Balzak: Bashkëqytetarë të tokës së panjohur!
Poezia, Muzika dhe Të Besuarit: Tri Hyjnitë e Tyre!
Onore De Balzak i shkruante Z. Evelina Hanskaja, Paris – janar 1833, nga letërkëmbimi i tij prej 17 vitesh me të:
“Jam kënaqur gjithmonë për t’Ju përfshirë gjithmonë të thuash përherë në të mbeturit e pafat të një populli të torturuar, të një populli që rrallë të ketë qenë í qetë në këtë tokë, ndoshta të një populli që e kanë përzënë edhe nga qielli, por se çdo qenie etij e ka edhe të shprehurit e tij dhe të ndjenjurit e tij që nuk shëmbëllen me të ndjenjurit dhe me të shprehurit e njerëzve të tjerë; e këto janë butësia, gjakimi í shpirtit dhe fisnikëria që është e pranishme më shumë se tek krijesat më të përkryera. Ka diçka të shenjtë bile edhe në frymëzimet e tyre, ka qetësi edhe në afshet. Që të gjithë këta të përndjekur dhe të cfilitur kanë në zërin, në të folurit dhe në të menduarit, diçka që nuk e di se ç’është por që i dallon nga të tjerët, që i lidhë mes veti edhe përkundër distancës, vendit dhe gjuhës: Një fjalë, një fjali, ndjeshmëria që u shfaqet qoftë edhe në të soditurit, sikur janë thirrje të cilave u betohen si bashkatdhetarë të tokës së panjohur, por dhuntitë e së cilës ngjallen në kujtimet e tyre; Ata njihen dhe duhen në emër të Atdheut të tillë të cilin e gjakojnë. Poezia, Muzika dhe Të Besuarit janë Tri Hyjnitë e Tyre, Dashuritë e Tyre më të Mëdha, kusre secila prej këtyre ndjenjave zgjon tek ata edhe tek zemrat e tyre: Ndjeshmëri Njëlloj të Fuqishme…”
Pashko Vasa përballë Sulltan Abdyl Hamitit
Sa herë që përballet një Poet dhe një Mbret, dueli i syve është si një mal gjigant që peshon përmbi shpirt. Kështu do të ketë ndodhur edhe kur Sulltani e kishte thirrur Poetin e Pushkëve të Bardha të Obeliskut O Moj Shqypni, në audiencën e tij: “Madhëri! Jam një shërbëtor besnik i Perandorisë, dhe do të përpiqem t’i shërbejë me zell të çiltër. Por jam edhe bir besnik i popullit tim. Ose më duhet t’i shërbejë Perandorisë, ose më duhet ta tradhtojë popullin tim!!”
Kjo përgjigje, e cila në historinë e diplomacisë së Shqipërisë njihet si Përgjigja Solomonike e Vaso Pashë Shkodranit (e poetit i cili si luftëtar i Republikës së Venedikut, nuk kishte pasur se ku të flinte përpos se mbi varreza!), e kishte detyruar Sulltanin që të mos e emëronte ate Vali në Prishtinë por Guvernator në Liban, i bindur se një Pashko Vasë nuk do ta tradhtonte popullit të cilit kishte nderin dhe krenarinë t’i takonte.
Andon Zako Çajupi përballë Ahmet Zogut
Thuhet se pas vdekjes së djalit të Çajupit, Ahmet Zogu dhe Faik Konica, i kishin vajtur për ngushëllime, por edhe me shpresën se do të mund ta përfitonin. Një Poet që i kishte kënduar me aq pasion Lirisë së Shqipërisë, nuk ishte një nga ata që verbohej përpara floririt e as përpara skeptrit mbretëror.
Shqipëria: Një Zvicër e Dytë
Faik Konica do ta titullonte një nga veprat e tij: Shqipëria një kopësht shkëmbor i Europës Juglindore. Një titull që i sfidonte pohimet se ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një shkëndijë frike për Europën dhe një natyrë kryengritëse për Ballkanin!Sami Frashëri, Elena Gjika, Pashko Vasa, Mithat Frashëri – mendjet më të ndritura intelektuale shqiptare, Shqipërinë e parafytyruan si një Zvicër të dytë, e cila do të duhej të bëhej doemos, me hir o me pahir. Prandaj, në gjurmët e shekujve me zëra gjaku, duke parafrazuar poetin e madh francez Lui Aragon: Shqipëria është një emër ku mblidhen shekujt, një zemër ku zgjohen ardhmëritë.
Jeronim De Rada: Një Shpirt i Bardhë i Shqipërisë
Duke kujtuar udhëtimin e fundit të Jeronim De Radës, Zef Skiroi do të shkruante: “Udhëtimi i tij i fundit ndriçonte me një episodë të denjë me legjendat më të bukura të etërve të shenjtë. Sepse me nderet që I bënë njerëzit kufomës së tij, u bashkuan si me vullnet hyjnor, ato të natyrës. Pranë varrezave, në çastin e lamtumirës së fundit të farefisit e të miqve, nga një bajame e lulëzuar aty afër, u ngrit e rrëmbyer nga era një re petalesh të bardha, që ra duke e zbardhur gjithë qivurin e të ndjerit De Radë. Toka bujare e lindjes, duke pritur në gji trupin pa jetë përshëndeste birin e vet të madh me buzëqeshjen e pranverës që po shihte edhe shumë veta në episodin tokësor, të cilët deshtën të shihnin shenjën e përqafimit qiellor të Zotit me shpirtin tepër fetar të Poetit.”
Dhuntia dhe Përkushtimi
Vlerën letrare dhe artistike të një vepre nuk e përcakton sasia, por cilësia. Sidoqoftë, që të dyja ndërlidhen mes veti, ashtu siç ndërlidhen edhe dhuntia krijuese dhe përkushtimi krijues. Poeti nacional persian, Firdusi në Shahnamenë punoi për 30 vjet rrjesht. Poeti kombëtar gjerman, Gëte punoi në Faustin e tij për plot 60 vjet! Poeti kombëtar shqiptar, Gergj Fishta gdhendi në mermerin e epikës shqiptare, për 30 vjet vargjet e kryveprës së tij Lahuta e Malcis, ku me gjithë fuqitë e shpirtit të tij epik u ngriti një përmendore të pavdekshme heroizmave dhe flijimeve epike të shqiptarëve të cilët ranë për të mbrojtur me çdo kusht tërësinë tokësore, lirinë dhe pavarësinë e atdheut (Dëshmor i ati, theror i bir, kështu vdes vetëm iliri), prandaj Fishta duke e parandier fatin e tij (eshtrat e Poetit të Kombit u hodhën në lumin Dri!) dhe fatin tragjik të veprës së tij, lëshonte zemër-thirrjen e tij: “Veçse po moj zanë shqyptare,/ krah për krah tue këndue,/ ndërtue kem nji pomendare,/ rrfe as mot mos me e dërrmue!”
Kosova: Republikë e Dhuntive
Poeti i Vargut të Gjakut
Orakulli i Dodonës, i cili e parandjeu vlimin e gjakut si në pranverën e Motit të Madh (Kosova, gjaku im që nuk falet), foli së fundmi nga Mikrofoni i Gazetares Lumira Kelmendi. Si për ironi të fatit, çuditërisht mungoi ceremonia shtetërore e nderimit! E megjithatë, asnjë mermer nuk do të ishte më monumental, asnjë buqetë me lule nuk do të shpaloste më shumë dhimbje, asnjë fjalim mortor nuk do të vlente më shumë: Lamtumirë Poet! Të qoftë i lehtë dheu dhe paqja e amshuar!…
Portreti i Ideve: struktura e paraqitjes së një panairi
Shijes në të përzgjedhurit e temave, të motiveve dhe të shumëllojshmërive që trajton gazetarja Lumira Kelmendi, asgjë nuk do t’i përgjigjej më bukur se thënia e Rene Shatobrianit, se “shija është rregullator i talentit. Mendja më e shëndoshë e gjenive!”
Duke e konceptuar emisionin e përgatitur nga ajo, gazetarja Lumira Kelmendi e ka përqëndruar vëmendjen e saj në një paraqitje që fillon nga lart, e ku e kaltërta e qiellit shfaqet dhe përshafqet nën shoqërinë e akordeve të një zëri, që gjithashtu vie nga një botë e lartësuar, për të cilën Nikolla Koperniku thoshte me të drejtë se sfera e yjeve dhe sfera e dijeve, janë dy sferat më të larta.
Krahas kësaj, ajo i kushtoi një vend të merituar edhe përfshirjes së historikut nëpër të cilin kishte kaluar trajektorja e historisë dhe e mendësisë së Frankfurtit, pa harruar të përmendte 3000 lulet që me petalet e tyre, simbolikisht sikur do të bënin garë me fletët e librave, mosha e të cilave shtrihej në një lashtësi gati-gati biblike.
Duke qenë një gazetare e cila mëton saktësinë si parim të punës dhe të dëshmisë së saj profesionale, por edhe që njëkohësisht gjakon përsosmërinë me atë pedantërinë e saj gati-gati proverbiale (si pjesë e pandarë e botës ideore por edhe personale), ajo ua dha fjalën në një përpjestim të barabartë folësve në emision. Pra folën përfaqësuesit e librit shqip, nga Shqipëria dhe Kosova. Bujar Hudhri – botuesi i veprave të Ismail Kadaresë, shprehu shqetësimin për mosangazhimin dhe mosinteresimin e shtetit shqiptar në ndihmë të librit shqip në Panairin e Frankfurtit. Ndërkaq, Besian Zeneli nga Kosova, foli me kompetencë të qartë për librin shqip ndaj të cilit nuk ka munguar as kujdesi e as ndihma ministrore.
Më tej gazetarja Kelmendi ia dha fjalën edhe poetes së ndjeshmërisë së hollë lirike Seveme Fetiqit, e më tej syrit të vëmendshëm nuk i shpëtoi as një vogëlushe të cilën e pyeti me afrinë e saj të njohur, se sa e lexonte librin shqip.
Pastaj me një anglishte të dlirë e të rrjedhshme (ashtu si edhe me italishten e saj të ëmbël kur ate ia kërkon biseda), gazetarja Lumira Kelmendi ua dha fjalën edhe të huajve të cilët shprehën mendimet dhe përvojat e tyre për Panairin dhe për librin (në Turqi, Slloveni, Brazil e gjetiu).
Poetja Sevëme Fetiqi: “Perlë Njerëzore e Perlë Shpirtërore”
Sevëme Fetiqi e ka studiuar mjeksinë por e ka gjakuar poezinë, jeton në Gjermani por frymon në Vushtrri, e shkruan lirikën por në diskursin e saj poetik fjalën e hollon aq fort sa poezinë e ka frymëzimin e saj të përjetshëm, kurse latimin e fjalës shqipe e ka pasion të përhershëm. Poezia pra është paralaksa e përkushtimit të saj, letërsia është fusha fisnike e prehjeve poetike, kurse dhembshuria buron nga ndieshmëria e skajshme që ia ka falë dhuntia e natyrës.Vargëzimi i saj është si një shi i butë që këputë mall, e si një melodi e zërave të zogjve. Fjala del nga zemra e duke shthurur psherrëtimat e saj, e shprehë ligjërimin e hollë në lirikën që sërish zemrën e vë në pëllëmbë të dorës, e kohës ia falë shenjtërinë e votrës sa herë që një zjarrr i valë gjakon ta thotë një fjalë e ta lë trashëgim, që në një zbërthim të një miti të atdhedashurisë nuk don të thotë asgjë tjetër, veçse ngado shkon e ngado vete vendlindjen e merr me vete.Duke e latuar vargun, duke e gdhendur fjalën për t’ia dhënë sa kuptimësinë po aq edhe ndieshmërinë, ajo e shpalos botën e saj mendore dhe shpirtërore, botën reale dhe imagjinare, botën e thelpinjve të hollë lirik të ligjërimit poetik, në të cilën mendimi i shprehur e dëshmon për të satën herë se një botë e tillë është: skajshmërisht e ndieshme.Perlë njerëzore e perlë shpirtërore, siç e ka quajtur një lexues dhe admirues i vargjeve të saj poeten Sevëme Fetiqi, ajo është poetja që beson fuqishëm në parajsën e vargut të saj lirik.
Gjuha e shiut dhe librat si gjuhë e shpirtit
Nuk ka dyshim se në intencën që të përfshihen njerëz të moshave të ndryshme dhe të spektreve të ndryshëm, por edhe në një afinitet të tillë ajo e dëshmon zotësinë e saj që emisionin ta bëjë sa më realizuar, që intervistën ta bëjë në mënyrë sa më të përkushtuar (takti i bisedës, eleganca në të folur, qartësia e shprehjes, butësia e fjalës, thellësia e mendimit, gama e informacionit për subjektin, temën apo motivin që ngërthen brenda rubrikave; interesimi i shfaqur në vijimësi për çështjen për të cilën flet – së bashku me vëmendjen e pëqëndruar, ritmi me të cilin e përcjellë bashkëbiseduesin në simetri mes pyetjeve dhe përgjigjeve, distanca në të cilën e mba mikrofonin varësisht në pozicionin: këmbë apo edhe ulur), shoqëruar me koloritin e pamjeve të cilat syri i kamerës i fikson gati si me një mprehtësi shqiponje.
Librat janë kronika të shpalosura të shekujve, gjuhë shpirti që si pika shiu shkruajnë kronikat në gurë tek thërmohen në dhembjen e shekujve. Librat: sa flakë të pashuara shpirtrash ndryejnë në vete, sa pasion dhe përkushtim, sa afsh në të shkruar e sa gjakim për të përjetësuar, sa jetë njerëzish e sa frymëzime arti, sa psherrëtima dhe sa lule, sa lot fluturash e sa flakë qirinjsh.
Lumira Kelmendi shpalosi edhe librat klasik me moshën e shekujve e me të cilat u dëshmua kultura e ruajtjes së librit që kanë kombet e tjera.
Librat janë si fatet e njerëzve! Platoni ka shkruar në Apologjinë e Sokratit se çdonjëri prej nesh shkon drejt një fati më të mirë, të cilin askush prej nesh s’e di veç Perëndisë. Ndërsa poeti amerikan Alan Gizenberg, në një nga esetë e tij në mbrotjte të artiot poetik theksonte se: “Poezia është shënim mbi venerimet individuale në shpirtin e fshehtë të individit…Universi është një lule e re…Krijuesi gazmor vallëzon mbi trupin e vet atje në Amshim!” Bota e librave është si Universi, përherë një lule e re, prandaj Ernest Heminguej medaljen e tij të Nobelit për letërsi, të fituar më 1954, ia dhuroi shenjtores mbrojtëse të Kubës: Shenjtores së Mëshirës! Hemingueji i bënte kështu një nga shërbimet më të veçanta jo vetëm botës së pafund të librit, por edhe njerëzimit vet në përkujtim të zgjimit të ndërgjegjës, të shpresës dhe gjithsesi edhe të mëshirës. Duke besuar në frymëzimin: “Kur të shkruarit të bëhet pasioni kryesor dhe kënaqësia më e madhe, vetëm vdekja mund t’i japë fund, ai besonte edhe në qëllimin e të shkruarit. Ashtu siç besonte edhe Uilliam Faulkneri: “Njeriu ka për të sunduar. Pavdekshmëria e tij nuk buron nga zëri i pashterrshëm, por nga fryma, nga shpirti, e që janë në gjendje të dhembin, të ftohen, të durojnë. Poetit, shkrimtarit i mbetet detyrë të shkruajë për to…Poeti, shkrimtari është buka e përditshme e njeriut, shtylla e ngadhënjimit, e nderimit të njeriut” (Nga Fjala me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi, në Stokholm, 10 dhjetor 1950). Kështu duket të jetë sot dhe mot, përkundër sfidave, përkundër ndeshtrashave, përkundër vështirësive, përkundër tiranisë së mediokriteteve, sfidë e cila është dhënë pak a shumë edhe nga shkrimtari Paolo Coelho: “Kur kam qenë shumë i ri, prindërit më dërguan në spital për të sëmurët mental, sepse mendonin: Ky djalosh dëshiron të bëhet shkrimtar, kurse askush nuk mund të jetojë nga shkrimi!…Sërish më dërguan në spital për të sëmurë. Tri herë kam qenë atje, sepse isha ndryshe, pra nuk isha ashtu siç mendonin se duhej të isha.” Një pohim që rikujton thënien e babait të Volterit për te: “Kam dy djem të marrë. Njërin në prozë e tjetrin në poezi!” Pra, të qenunit ndryshe është sfidë por edhe veçanti. E megjithatë, Gëte kishte shumë të drejtë të besonte se: Përjetësia arrihet përmes artit.
Sfondi i kaltërt i hapësirës qiellore dhe fjala si një qëndismë filigrani
Nuk do mend se gazetarja Lumira Kelmendi e ka menduar thellë paraqitjen aq të veçantë të fillimit të emisionit. Diçka që shëmbëllen aq shumë me Aurorën kur agon, shfaqen tri ngjyra përnjëherësh: e kuqja, e bardha, dhe portokallja. Dhe Aurora është lutja nga më të veçanta, një nga ato për të cilat Viktor Hygoi shprehej se: Lidhja e infinit të lartë (qielli) me të ultin (shpirti), quhet Lutje! Zëri gjithmonë është lartësim i qiellit sepse muzika është thellim i tij. Zëri është shiu dhe shiu është mëshira për dhembjen e gurit! E pikat e shiu nuk janë gjë tjetër veçse litarët e lotëve nëpër të cilët engjëjt ngjiten dhe zbresin Parajsës. Sytë janë pasqyra më besnike e shpirtit e zëri është pasyqra e Narcisit ku prehen muzat në qetësinë e tyre të përjetshme. Zëri në vete mbartë edhe refkëtimat e shpirtit, por edhe butësinë dhe bardhësinë e tij. Nuk është e rastësishme pra pse në këmbanat e kishave e në thirrjet nga minaretë e xhamive, mëtohet të zgjohet mëshira që së bashku me dritën dhe artet përbëjnë një prej bekimeve më të shenjta hyjnore. Zëri në butësinë e tij a në simfoninë e tij të Bethovenit, është Lutje dhe Lutja është një pikëpyetje, përgjigja e të cilës është sërish: Mëshira Hyjnore. Është vetë arti: sa bekim po aq edhe dhunti, e zëri – ashtu si edhe muzika, është thellim i qiellit, është lartësim i tij. Është ajo që e tha Gëte në kryeveprën e tij Dr. Fausti: Gjuha është muzikë, muzika është gjuhë. Është gjuha e tingujve. Është ajo që e ka thenë aq bukur Martin Hajdegeri: Përtej fjalëve është një zë tjetër, është “Muzika e heshtur!”
Tek vie ashtu në tingëllima të papërsëritshme prej poemash, tek vie nëpërmjet një melodie që ngjet aq fort me gurgullimat e ujit e me rrjedhën e kristaltë të krojeve të bjeshkëve, zëri është vetë mëshira, është butësia dhe magjia. Është si Simfonia Hyjnore e Ludvig van Bethovenit. E si për ironi të kohëve, Pitia i Dodonës (siç e ka quajtur poeti e studiuesi Moikom Zeqo, Princin e Gjuhës Shqipe – Faik Konicën), kërkonte që për herë të fundit ta dëgjonte: Muzikën e Rikard Vagnerit!
Një zë nga zërat e zemrave, një zë nga zërat e poemave, një zë nga zërat e kohëve. E sakaq, Shenjtëresha duke Lexuar (e Viktorit – Piktorit të Përjetësisë), si në një zbërthim mitesh dhe legjendash, zbret në studion e emisionit KultArt. Dodona flet nga Tempulli i vet. Në gjurmët e shekujve, gjuha shqipe nga krye-poetët e saj, përcëllon (sikur tek Lasgushi): “zjarrin drithërues të ilirishtes”. Sibila e Kumes del nga thellësitë e shekujve e sfidon pluhurin e harresës. Lodhur prej kalesës së shekujve që ia kthyen shpinën aq egërsisht, vihet me mallëngjim në kërkim të një zëri, nëpërmjet të cilit ka dashur të thotë shumëçka, ndoshta edhe: gjithçka. Ashtu si e bija e Kallogresë, tek poemat e Jeronim De Radës, për të cilat Ernest Koliqi thoshte me të drejtë se e ka çelur siparin e letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në ligjërimin fjollor bie yllësia e fjalës shqipe, bardhësia dhe bukuria e saj, magjia dhe ëmbëlsia e gjuhës. Në të folurit me aq takt dhe me po aq kulturë nga një prej gazetareve më të zonja, gjuha shqipe është vetë gjuha zonjë. E thënë me vargëzimin e Pashko Vasës: Gjuha shqipe, ashtu si edhe Shqipëria, është një ‘zonjë e ranë’. E ritmi i zërit sikur e ndjekë ritmin e shiut. Si një kronikë në gur në kalldrëmet e kujtimeve e në kështjellën e kujtesës në të cilën atdheu kërkon dhe gjen lacromatoriumet (lotoret) e veta.
Elena Gjika: Akademia duhet të jetë Shpirti i Një Kombi
E në shpalim të një biografie, sa me modesti po aq edhe me krenari, Sibila e Librit Shqip (“sepse në sibilat fshihet harmonia qiellore” – Zhorzh Sand) është një nga kuadrot e shumta të Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica”.Akademia duhet të jetë shpirti i një kombi. Kështu i ka shkruar Elena Gjika Jeronim De Radës. Kështu është ngritur nga ky Fakultet edhe brezi që mbi shpatullat e tij mba sot mjetet e informimit në Kosovë.
Faik Konica ka vend nën diell. Ashtu si edhe albanologët gjermanë me kontributin e tyre të shquar për gjuhën dhe për kombin tonë, ashtu siç ka edhe Shtjefën Konstantin Gjeçovi, për të cilin Konica shprehej me aq pietet dhe admirim se ishte një: Lartësi e Përulur. Doktor Nderi i Universitetit të Laipcingut, Shtjefën Gjeçovi ishte: “Një Testament i Qenësisë Shqiptare.”
Një nga përfaqësueset e brezit të ri të një prej Familjeve Emblemë në Gazetarinë Shqiptare sikur përkujton si në një remenishencë e rrallë se rruga e dritës dhe e diturisë, ishte e shtruar me gjak të zemrës dhe se ardhmëria ëndrrohej e shtruar me qerpikët e syve e me fletët e trëndafilave, ku si një konstelacion yjesh në nënqiellin shqiptar suferinë dhe tramundanë, Naim Frashëri lëshonte zemër-thirrjen e tij: Lum kush të rronj, të ta shoh zonjë! Dhe atdheu binte me aurorën e zgjohej me agimin. Sot e mot: Atdheu një emër ku mblidhen shekujt, një zemër ku zgjohen ardhmëritë!
Në sonetet e Dantes, hija e Virgjilit nuk i ndalte rrezet e diellit, ashtu siç nuk i ndalte as tek Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, tek bënte sheti në Parnasin shqiptar.
Gëte shkruante se në një sfond të tillë “shfaqen format më të mrekullueshme të universit të pafund”.
Poezia është pikturë dhe muzika është poezia e Zotit, kurse Zoti vetë si krijuesi i Universit, është Poeti më i Përsosur! Dodona rishfaqet në Tempullin e saj. Ajo flet me zërin e zemrës. Ajo sa flet, po aq edhe këndon. Ajo ligjëron hijshëm, dhe zëri i saj si një nga dhuntitë në të cilat nëna natyrë është treguar aq dorëlirë dhe po aq bujare, si përgjigja më e mirë në pyetjen e shtruar kaherë:
Ç’konservatorium keni mbaruar?!
Sa e sa herë e shtruan një pyetje të tillë? Sa e sa herë pyetën për lahutarët tek përkulnin bjeshkët nën tingujt e majave të lëmuar të lahutave – si tinguj të një shpërthimi të zjarrtë dhe po aq hyjnor? Sa e sa herë pyetën dhe për luftëtarët e për kryekomandantët e kryengritjeve të njëpasnjëshme (Shqipëri e kuqe, Shqipëri e sertë/ Treqind kryengritje në katërqind vjet):
Ç’akademi kishin mbaruar?
Të Vjenës, të Romës, të Parisit, të Berlinit, të Stambollit a të Londrës?…
Cilën?
Nga ç’parzëm keni dalë?
E në kapërcyell të shekujve, si një shpirt i gatuar me mëshirën hyjnore, toka bukare e gjakut e shtroi sofrën e saj nën degët e moçme të Lisit të Dodonës, e si bekim i shenjtë i shekujve, si një mermer monumental i bujarisë dhe i krenarisë së ligjshme, ra shami e bardhë:
Rugova – kreshtabrdha jote Shqipëri!
Rugova – shamibardha jote Shqipëri!
Në rrugëtimin e saj dhe në përkushtimin e saj, në të dy krahët ka të dy frymëzimet e saj. Sfondi është gjithmonë ai i shamisë së bardhë. Në njërin ka Heroin e vet i cili aq shumë e deshti tokën dhe dritën, dhe i cili si në një metaforë prej ku përhapej agimi me gishtërinjtë e tij të trëndafiltë si në poemat e Naimi e në poemat që fillojnë me obeliksun madhështor (O malet e Shqipërisë, O Moj Shqypni!, O Flamur gjak, o flamur shkabë), nëpërmjet emisionit ku gjuha e gurit ka folur përmes shkëlqimit të kallinjve të grurit, sikur e tha profecinë e tij e të misionit të tij për Shkëlqimin e Diellit ndaj Manushaqes.
Orakulli i Dodonës ka folur njëlloj.
E në krahun tjetër, ka Pagëzuesin e Brezave, klasikun e gjallë e rilindasin e kombit të vet, ikonën e gazetarisë në Kosovë (dhe jo vetëm në Kosovë), senatorin e urtë të mendësisë shqiptare që kundruall librit parapëlqente heshtjen e armëve, njeriun me “talentin e tij epik” dhe me “penën e tij të artë”, ligjëruesin e përjetshëm të Fakultetit të Gazetarisë “Faik Konica.”
Orakulli i Dodonës ka shkruar njëlloj.
Dhe tek ka kërkuar një emër me zemër dielli, edhe ka pagëzuar njëlloj.
Përballë ka teleshikuesit e shumtë, dhe pa dyshim se njëra nga ta është më e veçanta, por edhe më e sakta në vlerësimin e saj: ARBA.
ARBA sepse ARBA është jo vetëm një emër kaq i bardhë e nga më të bukurit por sepse si në një zbërthim mitesh dhe legjendash, duke bashkuar shkronjat në një emër si ky, fati nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka çuar deri në fund bekimin e shenjtë të Perëndisë!
E zgjuar në kuptimin më origjinal të fjalës, e përkushtuar në kuptimin më të lartë të fjalës, e pasionuar në profesionin e vet në kuptimin më racional të fjalës, Sibila e Librit Shqip pikturon idetë e saj me virtytet emotive që gjejnë shprehje në butësinë e fjalës si në një penë mëndafshi.
Një Prirje e Lindur, një Dhunti e Falur
Me atë prirjen e saj të lindur, me atë dhuntinë e saj të falur, me atë përvojën e saj të trashëguar nga të dy krahët e trungut familjar e ku më konkretisht mbiemri shpaloset në sfondin e një kulture kombëtare si një emblemë e gazetarisë shqiptare; me atë qasjen e lirshme të bashkëbisedimit që rrjedh aq natyrshëm, me atë shijen e saj të hollë për të bukurën dhe të madhërishmen në art dhe në jetë, me atë taktin e saj të veçantë me të cilin i afrohet bashkëbiseduesit, me atë ritmin aq elegant në të cilin e vazhdon bisedën, me të ecurit e lehtë dhe me të komunikuarit e drejtpërdrejtë në tërësinë e temës a të rubrikës në të cilat e shfaqë gjithë përqëndrimin dhe gjithë angazhimin e saj, e në mënyrë të veçantë me timbrin e zërit të saj të mëndafshtë, me akordet e zërit të saj prej një ligjërimi krejtësisht fjollor, ajo e ka zgjuar kurreshtjen e teleshikuesve, ajo e ka mbajtur gjallë kërshërinë e publikut, ajo e ka fituar admirimin e tyre, ajo e ka bërë për vete audiencën televizive, ajo e ka shtuar numrin e shikueshmërisë së këtij emisioni, ajo e ka shkrirë në një: pasionin dhe punën, zellin dhe talentin, duke korrur kështu frytet e një përkushtimi të veçantë dhe të një prirjeje nga më origjinalet.
Lumira Kelmendi është pra gazetarja që rrezaton dritë, dije, kulturë, përkushtim e profesionalizëm. Ajo është gazetarja që lexon bukur, e që fjalën e folur ashtu si edhe fjalën e lexuar, e kthen në një art të veçantë butësie e bukurie, bardhësie e ëmbëlsie, hijeshie e madhështie, tek mëton kështu përmasat në të cilat fjala shqipe në zjarrin e saj të qëruar shfaqet me një vel magjie, tek gjakon kështu përmasat në të cilat fjala shqipe dhe fuqia e saj, hijeshia dhe yllësia e saj, ri-shfaqet në trajektoren e vet më të natyrshme: “duke përcëlluar zjarrin e ilirishtes drejt shqipes” si në një qëndismë mrekullie!…
Ajo është gazetarja e cila me qasjen e saj origjinale, ma kujton thënien e Martin Hajdegeri: Artisti është origjina e veprës, vepra është origjina e artistit. Asnjë nga këta terma nuk jetojnë pa njëri-tjetrin.
Ajo është gazetarja që me kulturën e saj ma kujton thënien e Viktor Hygoit: Imagjinata i nënshtrohet erudicionit. Apo siç shkruan në Librin e Shenjtë: Frymëzimi është engjëll që rri në anën e djathtë të zemrës dhe sikur e paraljamëron mirësinë e Zotit!
Ajo është gazetarja që me dhuntinë dhe përkushtimin e saj, ma kujton thënien e Jeronim De Radës se pena e atyre që do të dijnë ta përdorin si duhet, do t’i durojë të gjithë shekujt. Prandaj, De Rada në një nga esetë e tij për të bukurën dhe të madhërishmen në fushën e estetikës, kërkonte me ngulm kthimin e poezisë në fronin e saj, ri-kthimin e Dodonës në Tempullin e saj.
Njëlloj është edhe me ata që dinë ta përdorin fjalën si duhet, duke e gdhendur ate, duke e latuar ate, duke e qëndisur ate me një durim prej shenjtori, duke e stolisur ate me një shkëlqim prej filigrani, deri sa të arrijë përmasat në të cilat fjala rrjedh lirshëm si mjalta, pra derisa fjalët të jenë të ëmbla si frutat e një peme e të bukura si lulet.
Lorka: Rrjedha e Ujit dhe Dora e Viganit
Në esenë e tij Rrjedha e Ujit dhe Dora e Viganit, Lorka ka shkruar se: Më tërheqëse është instikti i ujit se instikti i dorës së viganit. E vërteta shpalli imagjinatën e vet mbi fitoren në poezi, pra imagjinata heton varfërinë e vet…Por, poeti gjendet tek dëshira e dhembshme e jo tek mundësia; gjendet pra aty me peizazhin e vet të brendshëm…
Poeti dëgjon se si rrjedhin lumenjtë e mëdhenj. Don të depërtojë deri tek fishkëllima e lëngjeve që qarkullojnë në qetësinë e errët të trungjeve të fuqishëm…
Në fillim ishte: Fjala!
Fjala është një krua kujtimesh. Fjalët janë si qepallat e zeza që hapen në kërkim të gjurmëve që lënë mjellmat e bardha mbi valët e detit. Fjalët janë tingëllima të shpirtit…Fjala është simfonia e gjakut.
Hapësirë e qelibartë që flakëron në zjarrin e kurorave të dritës. Fjalët si perde të përhimta të një drite të tjedukshme rrezatojnë mirësi por edhe krenari për kryelartësinë e pararendësve fisnikë, të cilët në ballin e lartë dhe të mençur – përkundër agonisë së pritjes së përgjigjes që në vete ndrynin shekujt kryeneç, skalitnin pamjen e një të ardhmeje gjithë dritë, shoqëruar me vështrimin e pikëlluar në pyllin e dendur të bajonetave.
Fjalët janë si vezullimi i yjeve në rrugëtimin e hënës drejt përjetësisë, si ca ishuj të vegjël hijesh, si qeprikët e gjatë hijet e të cilëve zgjaten dhe bien mbi mollëzat e faqeve, si kordele që bien me mëndafshin e tyre në fushën e letrave, si ca pika shiu që bien pa pushim në ritmin e klithjeve të zemrës.
Fjala është shpirt-shqiponjë që ngritet lart në shiun e mendimeve. Është përshpëritja e butë që tek kombet e qytetëruara, lavdinë e letrave e ka gdhendur në mermer. Fjala është vetë gurgullima e kulluar e burimit që del nga gjiri i mermerit. Fjala është qemer kujtimesh që shembëllen me një shi të hollë e të imët tek bie pa pra. Fjala është këmisha e mëndafshtë e fluturimi i lejlejkëve, është era e zefirit që perkëdhelë lulet, etja e pashuar e shpirtit njerëzor që nga kohët kur qante vetëm shiu e që kur vetëm era lebitetj në honet e shekujve memec: U bëftë dritë!
Prandaj shkrimtarët ngjajnë me magjistarët të cilët në shkathtësitë e tyre gëlltisin zjarrin. Tek fjala gëlon gjaku i ri i mendimeve, dhe mendimet janë qepallat gjak të kuqe. Mendimet janë si çurgjet e ujit, si përrenj të padukshëm që gurgullojnë në përjetësi për të nxjerrë në sfond identë që gjasojnë me vështrimet e kthjellëta prej qelibari.
Fjala është fusha e betejës së mendimeve, është pasioni i shpirtit, është fuqia e shprehjes, është më në fund përulësia e pakufishme përpara artit dhe mrekullisë së tij, fushë në të cilën rrahja e qerpikëve i fikë qirinjtë e ndezur nëpër shandanët e kështjellave!
Fjala është pija më përvëluese e shpirtit. Ajo është imagjinata flakëruese që depërton atje ku nuk arrinë asgjë tjetër, në qoshet më të skajshme të shpirtit njerëzor. Fjala shtrydhë trutë nëpër mendimet e kristalta e zëri i jep shpirt fjalës. Është shiu pranveror që tek bie në qetësi falë gjallëri. Mendimi është puthja solemne ku fjala derdh shpirtin e vet. Fjalët janë si shandanët ndër të cilët digjen gjer në fund qirinjtë. Përpara fjalëve digjen mendimet si qirinjtë ndër shandanët, madje edhe kur zana e dënon malësorin me memecllëkun e përjetshëm, sepse siç e thotë Ismail Kadare: nuk u përmbajt dot në tundimin për të folur për të, për të shkruar për të, për të treguar për të!
Fjala ngroh me zjarrin e shpirtit që agimin e kupton nga drita, ndërsa natën nga era që fryen. Në gjuhët e flakës së saj që djegë ngadalë e që prekë aq thellë, fjala i gjenë ëndrrat e humbura tek ngjajnë me një ishull në një oqean.
Fjalët janë si qafa e bardhë e mjellmave, dhe flakët e fjalëve si flakët e qirinjve tek lëkunden në hijet e tyre të zgjatura. Zjarri është enigma ashtu siç është edhe një copë floriri. Ashtu siç ka shkruar në një nga perlat e tij lirike, Pablo Neruda: Fjala është ana tjetër e heshtjes. Zjarri është ana tjetër e akullit!
Për hir të Parajsës pra flet heshtja në ngurrimin e saj, e përmbi një violinë përkulet gjuha e zjarrtë në një dhimbje shpirti a pikëllimi, ashtu siç përkulet dhe agimi përpara një ere zefiri. Qoftë malësori që gjakon të këndon në zbërthim të miteve të gërryera nga koha, qoftë Orfeu që perëndive u kërkon dy tela shtesë për ta ringjallur Erudikën e tij, apo qoftë edhe Mocarti, Bethoveni, Shuberti, Vagneri a Vivaldi: Nëpër tingujt e saj si në ca tinguj hyjnorë tek prekë telat me dorë, një vegël muzikore a një simfoni fjalësh si një bardhanjore, kërkon ta ruajë shenjtërinë e vet që ndoshta pa dashje, ia kërkon: Zonja Lavdi!
Një Misionare e Kulturës Shqiptare, Qytetare e Botës
KultArt ka përmasat e një përfaqësie kulturore, e të një parlamenti shpirtëror. E thënë kushtimisht, në qoftë se institucionte shtetërore do të jenë në gjendje që në mënyrë më serioze të hapin dyert për qasjet kulturore, veçmas për misionarët e kulturës që të dalin nga rrethi vicioz i vizitave vetëm në Zvicër, Gjermani a Belgjikë, të dalin pra (sërish) edhe në mesin e Arbëreshëve të Italisë e të Arbëreshëve të Greqisë, në mesin e bashkatdhetarëve në një ishull si ai i Anglisë, e veçmas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Australi a në Zelandën e Re, pra gjithandej ku ka shqiptarë, KultArt patjetër se do të jetë një si ambasadë për Republikën e Letrave Shqipe.
Paqja Shpirtërore dhe Paqja e Përjetshme si dhuratë e Mëshirës Hyjnore. Gjermania – Republika e të Diturve: Klopshtoku, Gëte e Shileri. Franca – Republika e Talenteve: Napoleoni, Balzaku, Hygoi. Shqipëria – Një Emër ku mblidhen shekujt, një zemër ku zgjohen ardhmëritë: De Rada, Naimi e Fishta. Më tej, Princi i Gjuhës Shqipe. Kosova – Republikë e Dhuntive… Panairi i Librit në Frankfurt. Emisioni KultArt në Radio Televizionin e Kosovës dhe Sibila e Librit Shqip.
Nga Kronikë në Gur: Kronikë në Zë
Ritmi i zërit e ndjekë ritmin e shiut si në një simfoni hyjnore. Dhe si gjaku zemrën, si toka shiun, shpirtat e bardhë sikur lartësohen në flatrat e zërit ashtu siç lartësohen veç në flatrat e një zogu të shenjtë, për të cilin ranë fli:
Shqipe në Flamur!
Ashtu siç i ka shkruar Elena Gjika De Radës: Zëri i gjakut gjithmonë flet ngapak.
Ashtu siç thoshte Borhesi (i vetëdijshëm se nuk ka asgjë më të vështirë se zotërimi i pasionit në fushën e fjalëve) për Maria Kadoman: Është një zë që botën e shndërron në bukuri!
Gjuha e shiut dëshmon se dhembja është më e fortë se guri!
Kronikë në gur. Si në kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës. Kronikë me shi. E në sfodnin e kronikave të tilla, ashtu siç shfaqej Matilda Hyjnore tek Dante Aligeri, ashtu siç shfaqej Margarita tek Ksenijat e Buta në Faustin e Gëtes, ashtu do të shfaqej edhe Suzana tek Kronikë në Gur: ‘e huaj, gjer në mrekulli!’…
Një shi i imtë dhe i butë që bie pa pra. Shiu si shpirti i luleve, si shpirti i dritës! Si zëri vetë në gjakimin e lashtë me moshë biblike, me moshën sa plisat e dherit: në penën e Eqrem Çabejt. Gjakimi i brezave dhe i gjeneratave prej zemërbardhësh që s’pushuan kurrë për t’i kthyer shkëlqimin e lavdisë: Tokës Bujare të Gjakut, ashtu siç e tha Pitia i Dodonës e Orakulli Saj, Princi i Gjuhës Shqipe – Faik Konica: Shkëlqimin që kishte dikur në kohët e lavdisë së Ilirisë!
Përpara Krijuesit të Perlave: Falem! Siç shkroi Poeti i lashtë i Persisë në penën e fjalës që përcëllon me zjarrin e saj. E në kërkim të përsosmërisë, Laibinci thirri me gjithë qenien e tij: Ju lutem, më jepni një gjuhë të kulturuar, dhe unë do t’ju dhë një qytetërim të përsosur!
Një gjuhë e kulturuar është gjithsesi një qytetërim i përsosur. Është ripërtëritja e tij. Shenjtëresha duke Lexuar del nga honet e shekujve e nga pluhuri i harresës…
Zëri si një nga poemat më të bukura lirike të Shqipërisë, sepse lidhja e saj me Gjuhën Shqipe, është e dyfishtë!
Dodona në Tempullin e saj, dhe Profecia: Ku nuk shkon ushtria e një kombi, shkon kultura, arti dhe letërsia e tij.
Një zë nga zërat e zemrave.
Një zë nga zërat e shekujve.
Zëri një poemë lirike në vete.
Një zë nga zërat e poemave më të bukura lirike të Shqipërisë! …
Dhe pse të mos e themi:
Një zë të cilin epokat dhe shekujt e falin rrallë!
Një zë që bie si një ligjërim fjollor, që vie si një galdim krojesh, si pjesë e një simfonie të papërsëritshme.
Zëri në të cilin gjuha shqipe e ngjyen mjaltin e shpirtit të vet!
Zëri dhe zemër-klithja: Përpara krijuesit të perlave: Falem!
Zëri është mallëngjimi i flautës dhe zjarri i violinës në tingujt e përflakur. Zëri është si një det tingujsh e fjala është si një zgjua bletësh. Zëri si një margaritar i tejpashëm, një premtim parajse, e në parafrazim të Alfred Vinjit, bota e zërit është “e thellë si përjetësia, e lartë si qielli, e gjërë sa universi.”
Karl Barthi thoshte me të drejtë se: “Kur engjëjt këndojnë për Zotin, ata këndojnë Bahun, por unë jam i sigurtë se kur ata këndojnë për veten e tyre, ata këndojnë Mocartin dhe lotët e Zotit!”
Zëri i saj gjithmonë vjen nga larg: si zog i shkruar, e në qiellin e kaltërt tingujt e tij bien si një shi i imtë tek flet për qiellin në mënyrë të përgjëruar, si në një vegim çasti që kërkon një përjetësi, ashtu siç shkruante Gëte: “një vel i lehtë, gjithnji si të mbështjellë nga retë.”
Ndoshta dëshmia më e qartë se zëri është unaza që me shkëlqimin e dritës përbën lidhjen e infinitive në mes tokës dhe qiellit, një marrëveshje paqeje sipas të cilës natyra dhe arti bëjnë ende garë se cila do ta gjejë tek ajo një zë sa më margaritar!
Në një sfond të tillë të një godine gjermane shkruan: “Bahu na dha fjalën e Zotit, Mocarti na dha të qeshurën e Zotit, Bethoveni na dha zjarrin e Zotit, Zoti na dha muzikën që të lutemi pa fjalë”, e Faik Konica përkujtonte se: “Bahu, Bethoveni, Shuberti dhe Shopeni janë emrat e perëndishëm, të atyre njerëzve të çuditshëm që flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit, një gjuhë e përgjithshme që kuptohet prej të gjithëve, me pak durim dhe dashuri.”
Faik Konica – Princi i Gjuhës Shqipe, çuditërisht kërkonta ta dëgjonte për herë të fundit: Muzikën e Vagnerit! …
Pra, jo tridhjetë lule që për tri javë presin në vazo kujtesën si bekim, e as treqind; por tre mijë lule që në muzikën e tyre si në vallëzim të prillit, “flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit”, sepse ka po kaq vite që Dodona ka hyrë nën urdhërat e bekimit hyjnor!
Lumira Kelmendi ose: Dodona në Tempullin e Saj! …