-Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaçek thekson rëndësinë e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës/
PRISHTINË, 11 Nëntor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim nënkryetaren e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në këtë parlament, Ulrike Lunaçek, me të cilën diskutoi rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, dialogun dhe sfidat e Kuvendit në procesin e euro-integrimeve.
Veseli e njohu Lunaçek me axhendën legjislative, vështirësitë aktuale, nënshkrimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, rëndësinë e procesit të dialogut, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Jemi në fazën kur dialogu dhe mirëkuptimi pozitë-opozitë është çelësi i vetëm i ecjes përpara me axhendën tonë në procesin e euro-integrimeve. Kemi ofruar vazhdimisht mundësi që të diskutojmë pa kufizime për çështjet e ngritura nga opozita, sepse jemi në situatë kur imazhi i vendit është luhatur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm”, theksoi kryetari Veseli.
Lunaçek vuri në dukje rëndësinë e proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, respektimin e instancave përgjegjëse lidhur me marrëveshjet, debatin me argumente brenda Kuvendit, por edhe njohjen e opinionit me punën institucionale. Ajo ritheksoi mbështetjen e plotë të saj në këto procese, duke vënë në dukje se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Evropës dhe BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për ta.
Lunaçek theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet qeverisë dhe opozitës, duke e vlerësuar të domosdoshëm edhe dialogun politik ndërmjet partive politike për normalizimin e jetës institucionale./b.j/