• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË AUTOSTRADËN E DY VEPRAVE TË SHKRIMTARIT DHE STUDJUESIT ARIAN KADIU

December 20, 2012 by dgreca

Esse- Nga Lutfi HANKU/

studjues, shkrimtar/

Më tërhoqën vëmendjen veprat e fundit shkencore, enciklopedike  të shkrimtarit dhe studjuesit prof.dr. Arian Kadiut, “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël” dhe “100 vjet Pavarësi, 100 figura dibranësh”. Shkrimtari i talentuar ka lindur në lagjen Dublec të Peshkopisë së Dibrës. Filloi që të shkruajë  që në moshën shkollore i përkushtuar dhe me bindje  optiimiste për t’u bërë shkrimtar.

Mosha e njomë i ngjalli kureshtjen  për të zbuluar të fshehtat e magjishme të botës së tij dhe, duke ndjerë rritjen e ndijimeve poetike. Më vonë në botën krijuese  shpërthejnë si  vjollca aromatike, metafora mes subjekteve që filloi t’i hedhë në letër imazhet e përftuara.

Në fëmijëri botoi në gazetën “Pionieri”. Në shkollën e mesme pedagogjike ka botuar shkrime kritike. Ato vlerësoheshin nga mësuesit e shkollës dhe shokët e shoqet. Në maturë shkroi hartimin më të bukur, që mësuesit e letërsisë e paraqisnin në maturat e mëvonshme si model që duhej ndjekur.

Pas përfundimit të pedagogjikes, punoi mësues në të gjitha hallkat e sistemit arsimor. Detyrën e mësuesit e ushtroi në shkollat 8-vjeçare të Grevës e Melanit, në shkollën e mesme të Kastriotit, dhe mësues i jashtëm në pedagogjiken e qytetit të Peshkopisë. Ai mbaroi Universitetin në degën e gjuhë-letërsisë

Bashkë me Universitetin kreu njëherësh një kurs dy vjeçar gazetarie. Punoi 3 vjet gazetar dhe redaktor në gazetës “Mësuesi”.

Gjyshi i tij ka shërbyer “Kadi” në Peshkopi, një burrë që përmendet ende për urtësi, mençuri natyrale dhe si falësh gjaqesh.

Babai i tij ishte intelektual. Disa vite studjoi në Itali, në Napoli. .Zotëronte italishten letrare. Nëna e tij ishte bijë e fisit Hajdaraga,  me origjinë nga fisi Gropaj, bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Jetonin në Dibër të Madhe.

Bashkëpunoi me gazetën “Studenti” dhe ishte edhe redaktor i saj. Botonte në gazetën “Rinia” dhe tek “Mësuesi” ku mori emër. Shkrimet e tij, kryesisht arsimore e sociale, reportazhe e përshkrime, transmetoheshin nga Radio -Tirana.

Në Tiranë, me grupe të rinjsh intelektualë, lexonin edhe letërsi “dekadente”. Edhe Ariani u etiketua “modernist”, kur u zhvillua Konferenca e talenteve të reja në Korçë. Bashkë me pak të tjerë e kritikuan në raportin e saj dhe e dërguan në Peshkopi, ku punoi në Shtëpinë e Pionierit dhe në Kabinetiin Pedagogjik.

Më 1990 filloi punën  shkencore në Institutin e Studimeve Pedagogjike në Tiranë, si specialist kombëtar i letërsisë. Më 2005 si u largua nga Instituti ka dhënë leksione në Fakultetin e Infermierisë, në UT. Pas gradave “kandidat i shkencave”, “Doktor i shkencave” (1991,1994), më 2004 iu dha grada shkencore “Mjeshtër kërkimesh” (prof.ass), më 2007 iu dha titulli shkencor “Profesor”. Ai është kryeredaktor i revistës “Univers” dhe sekretar kolegjumi i revistës “Mjekësia dhe infermieria bashkëkohore”. Gjithashtu është aktiv për probleme të reformës arsimore dhe letërsisë.

Në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë, Ariani u nderua nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë me titullin “Qytetar Nderi”.

2.

Në gjithë këto vite ai nuk e ka ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë krijuese e atë shkencore dhe është i pranishëm edhe në faqet e shtypit. Deri tani me emrin e profesorit  rezatojnë 32 vepra artistike, shkencore dhe tekste shkollore: 10 botime shkencore, 12 vepra të letërsisë artistike dhe 10 tekste shkollore për arsimin parauniversitar dhe për atë pasuniversitar.

Nga librat studimorë shkencor po veçoj dy të tillë: ‘’Midis alternativave: shkolla private (jo publike)’’, i pari i këtij lloji në vendin tonë dhe  studimi tjetër ‘’Adoleshentët dhe tranzicioni’’, për të cilat është shkruar jo edhe në shtypin pedagogjik dhe kanë gjetur aplikim në shkollat tona, në Shqipëri.

Në librin tjetër ‘’Hape portën e artë të leximit’’ buron mesazhi i bukur e bashkëkohor se të lexuarit është gur themeli për suksesin e fëmijës në shkollë e madje gjatë gjithë jetës së tij. Pa fituar aftësinë për të ditur të lexojë mirë, të njohë teknikat bashkëkohore, etj, mundësinë për realizimin e vetvetes dhe për arritjen e suksesit profesional, pa dyshin që ata e lanë më të pakët.

.         Nga letërsia artistike po veçojmë:

Romani fantastiko – shkencor “Pas takimit me alienët” është një vepër tipike për nxënësit, ku tregohet për aventurat e një shkollari në botën reale fëminore dhe në atë të krijuar nga shkrimtari. Ky roman fanastiko-shkencor është shumë tërheqës, sepse autori e çon heroin e tij  në aventura mjaft interesante që të ngjallin kureshtje me befasirat e këndshme. Ky është edhe mendimi i lexuesve që u adresohet.

Përralla-novelë “Aventurat e pabesueshme të Batos” është një vepër artistike, fantastike, shkencore, e dallueshme nga vepra e tjera të këtij lloji. Përralla-novelë që në fillim na befason me gjetjen e bukur: ajo përshkruan aventurat e një djali me fletë, që quhet Bato. Kështu ai është me fletë nën  sqetulla dhe “trimëritë” e tij janë kaq të mëdha sa edhe zgjuarësia e tij, që shpalosen kapitull pas kapitulli.

Vëllimi ‘’Trishtimi i blertë’’ përmban 4 novela për moshën e rritur shkollore. Tematika e tyre është e njëjtë: atdhedashuria, pra dashuria për Atdheun dhe mbrojten e trojeve amtare. Janë domethënëse edhe titujt e vetë novelave  si: ‘’Zambakët e liqenit’’, ‘’Guri i vashës’’, ‘’Grushti i fundit’’ dhe ‘’Buzëqeshja e Kosovës bleron edhe gurin’’. Dy novelat e para e marrin subjektin nga legjendat e Dibrës, e treta për marrëdhënimet me fqinjët dhe e katërta nga Kosova.

Disa botime të tij (rreth 8) bëjnë pjesë në listën e rekomandimeve të MASH për leximet jashtëklase. Këtu nuk po përmend edhe faktin se disa tregime të tij janë përfshirë në tekstet shkollore.

Nga tekstet shkollore po përmendim:‘’Gjuha 4’’, ‘’Gjuha shqipe 6’’ dhe ‘’Gjuha shqipe 8’’

Është autor e bashkëautor në 3 tekste ahkollore, që MASH i rekomandon të pëdoren në shkolla si tekste alternative. Këto tekste janë ‘’Gjuha shqipe 4’’, ‘’Gjuha shqipe 6’’ dhe ‘’Gjuha shqipe 8’ të cilat aktualisht përdoren në shkollat tona. Tekstet dallohen nga këto veçori:

Nga studimi i tekstit dhe ballafaqimi me programin, del se janë marrë parasysh dhe janë realizuar linjat dhe nënlinjat që përbëlnë fushat e studimit.

Materiali letrar është i larmishëm, i përshtatshëm  për moshën që i adresohet dhe i zgjedhur mirë e me kujdes të veçantë, duke marrë letërsinë më të mirë si nga arritjet artistike, ashtu edhe nga mesazhi që përcjellë.

          Nuk po ndalem në tekstet universitare që janë në përdorim në Fakultete, sikurse janë ‘’Sociologjia’’ për Fakultetin e Infermierisë të UT dhe as në tekstin ‘’Sociologjia e arsimimit’, për kandidatët e studimeve  master në disa universitete

Nga kopshti i tij krijues mbinë 450 shkrime me materiale problemore,  me përshkrime e reportazhe në organe të ndryshme, duke fituar edhe çmime në gazetari.

Si mësues dhe lexues më rrëmbeu magjia e dashurisë për shkrimtarin, për këmbënguljen  që materializon vullnetet e idealet e dibranëve dhe lexuesve u lumturoi vetëdijen e adhurimin e krijuesit fisnik.

Sa mirë! Ariani zgjoi historinë e tejshekujve, e cila ndjehet e shkruar në veprën monografike “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”. Ajo jehon si buçimë sinfonike me nota patriotike në shkronjat e alfabetit tonë kombëtar. Nga një vepër “enciklopedike”, e vlerësuar nga kritika, buron dashuria, malli i shkruar, bota e personazheve historikë, karaktere të veçanta dibre me virtyte, ndiesi, impresione, duke e tjerrur  prozën në vitalitetin e krahinës e qxtetit të Dibrës e etur për liri. Autori ka kërkuar me pasion shkrimtari heronj me potencë, udhëheqës me role historike, që janë skalitur e veshur me tipare të thjeshta popullore dhe me urtësi mençurie, gra e burra të gjendur në kuvende e luftra.

Janë plazmuar në breza emrat e dibranëve: Skënderbeu i 25 betejave në Dibër, Iljaz Pashë Dibra  (kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)., Sheh Mustafa i Zerqanit, Said Najdeni, (hapi shkollën e parë shqipe), Baba Fejzë Bulqiza, Vehbi Agolli (kryetar i Pleqësisë në qeverinë e Vlorës, 1912), Selim Rusi (mbrojti Kuvendin e Dibrës), Tefik Jegeni (pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit), Eqerem Cami, Sherif Langu, Hafëz Raif Kadiu, Xhemal Mullai (Dibra), Xhelal Mullai, Ramiz Daci, Haxhi Ismet Dibra, Abdurrahman Dibra, Faik Shatku, Haki Sharofi, Edip Tërshana, Haki Stërmilli, Abdi Haxhiu dhe një listë e gjatë e njerëzve patriotë e ardhetarë të njohur tej e më tej se krahina e Dibrës.

3.

Brezi i autorit  i ka të lexuara ngjarjet dhe të dëgjuara, ndaj e ka lakuar mirë, sa dhe qyteti i Dibrës të duket personazh i gjallë vigan që mbijeton, lufton, bën kuvende, (madje edhe kongrese), bën dasma, lind fëmijë e tund djepat e vazhdimit të jetës.

Duket mjeshtria e pjekur e Arianit, pasioni, duke e përkëdhelur e  ledhatuar fjalën, për t’i dhënë shije mendimit që të rrëmbejë lexuesin. Kjo e vesh veprën në formë me ëmbëlsinë e të shkruarit dhe me origjinalitetin e krijuesit të Dibrës së Madhe.

Prof.dr. Ariani u ka dhënë përgjigje gjithë pyetjeve për të njohur lexuesit, kryesisht me Dibrën e Madhe. Por idealja nuk ka limit.

Ndonëse burimet antike nuk janë të mjaftuesheme, provohet se diibranët prejardhjen e tyre e kanë nga fisi Ilir i penestëve, në cep të Ilirisë. Pikpamjen që toka e Penestisë duhet kërkuar në trevën e Dibrës, pranohet nga studjuesit. Këtë e pranon edhe shkrimtari bizantin Akropoliti. Pohohet se penestët kanë banuar  në luginën e Drinit të Zi që në vitet 170-169 p.e.r. Mehdi Frashëri në historinë e lashtë të Shqipërisë shkruan: “Penestia-ky fis banonte gjithë Valatin e Sipërm të Matit dhe të Drinit të Zi. Kryeqytetii tyre ka qenë  Uskana, Dibra e Vjetër”.

Lexues i dashur. Lexoni A. Kadiun nga fq. 74-83 “Një vështrim ndryshe nga historiografia tradicionale” që të kuptoni thellësinë e analizës historike të tezës së tij shkencore.

Duke qenë bir i Dibrës së Madhe në origjinë, askush tjetër nuk do ta derdhte djersën  e tij pa pasur hovet e shpirtit të ndezur zjarr nga dashuria  për dibranët. (Sa nder!)

Ndaj vepra e dashuirisë e  kapi autorin me duart e mistikes, edhe dy herë të tjera më parë, deri sa botoi veprën panteon me bagazh të ndriçëm vlerash historike-shkencore, si etnografike, onomastike, etnologjike, etnokulturore e të tjera të popullarizuara.  Rroftë dashuria e shkrimtarit!.

Gazeta “Illyria” në SHBA, ndër të tjera shkruajti: “…sa e sa ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike si për Dibrën, ashtu edhe për Shqipërinë, fillimin e përfundimin e kanë pasur në Dibër dhe si protagonistë kanë qenë dibranët…”

Luheshin fatet e kombit si në vitet e Lidhjes së Prizrenit. Kuvendi i Dibrës u hap në livadhet e Qernanëjcës së blertë. Dibranët mes shamive të kuqe, sikur kishin formuar flamurin kombëtar. Sheherlinjve u lexohej lumturia, kur takonin burrat  delegatë, që vinin edhe nga Shkodra, Tirana, Elbasani, Mati. Kuvendit iu dërguan mesazhe edhe nga Gjakova, Gucia, Prizreni. Përshëndetën shumë personalitete të dëgjuar.

U paraqitën këto kërkesa:

– Bashkimi i gjithë shqiptarëve pa dallim feje.

– Lëvrimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe.

– Hapja e shkollave dhe mësimi të zhvillohet në gjuhën amtare.

Me këto kërkesa Kuvendi provonte ekzistencën e kombit dhe hidheshin bazat e shtetit.

Kësisoj, në fund të shekullit 19-të u organizuan Kuvende në Dibër të Madhe për ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare. U mblodh ajka e Dibrës, kur asaj po i shkëputeshin edhe fushat e Kosovës,  Çermenika e Dibra e Madhe.

Në 9 korrik 1908 dibranët përkrahën kryengritjen e repartit ushtarak të xhenjos që drejtohej nga oficeri shqiptar Ahmet Njazi Beu. Në shkurt 1909 plasi në Dibër kryengritja tjetër kundër  marrjes ushtarë dhe mbledhjes së taksave.

Xhonturqit organizuan Kongresin e Dibrës që të qetësonin gjendjen. Në të vërtetë Kongresi nuk i pati sukseset që priste Stambolli. Në këtë Kongres famëmadh u sanksionuan kërkesat që të çonin në fitoren e autonomisë. Rëndësi iu kushtua edhe çështjes së mësimit të gjuhës shqipe. Është e padiskutueshme se në Kongresin e Manastirit u fol e u diskutua për gjuhën shqipe dhe u përcaktua alfabeti që duhej të përdorej, por në Dibër u kërkua futja e mësimit të gjuhës shqipe edhe në shkollat shtetërore. Këto dy Kongrese kanë vlera kombëtare të njëjta.

Të gjitha zërat e kësaj vepre në unison përbëjnë një vlerë  njerëzore dhe shkencore që ka arritur të dritëzojë  prof.dr. Arian Kadiu.

Në autostradën e shkronjave janë kopsitur shekujt e vuajtjes e mjerimit nën robëri. Autori ka vështruar me kompetencë ndjesitë e ngjarjeve, krejt ndryshe nga një pjesë e historianëve tanë. Ata i paraqesin ndeshjet me pushtuesit apo ngjarjet, por mendimi i tyre vetiak nuk del gjëkundi duke ia lënë ta gjejë lexuesi. Ndërsa prof. A. Kadiu e shpreh, e shtjellon mendimin, i jep jetë  e bindje duke mbajtur pozicion të pranueshëm shkencor, larg subjektivizmit.

Sido, duke qenë shkrimtar e “tradhëton” nga një herë “historianin” dhe mishëron personazhet historikë dhe hyn në botën e virtyteve e vlerave volitive  të karaktereve të heronjve.

4.

Analizën më të plotë e me përgjegjësi profesionale e ka bërë prof. dr. akademiku Gjovalin Shkurtaj, i cili e quan veprën e Arianit “Enciklopedi historike, shoqërore dhe etnokulturore”. Ai trajton vlerat e kësaj vepre me 650 faqe dhe është përshëndetur dhe vlerësuar me dinjitet mjaft pozitivisht nga historiani prof.dr. Muharrem Dezhgiu, juristi Kujtim Osmani, prof.dr. Gazmend Shpuza, studjuesi Nexhat Myftiu, studjuesi dhe poeti Namik Selmani etj.

Shpirti i tij krijues në botën e artit, sapo botoi, në prag të festës  jubilare  librin “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh”, e pritur mjaft mirë e që dëshmoi  dashurinë e shkrimtarit. Edhe këtu buzëqeshja e tij përzgjodhi 100 personazhe që me vetëdijen demokrate të autorit e meritojnë të jenë në një libër, sepse autori nuk dremit me ëndërra apo mbi sirtarët e ndërgjegjies së plagosur nga sistemi monist.

Veprat zgjojnë vlerat e mëdha të kombit, të origjinës së Dibrës, me kryetarin e Pleqësisë së Vlorës 1912 (Haxhi Vehbi Dibra–Agolli), nënkryetarin e saj një tjetër dibran (Dom Nikollë Kaçorri), me Heroin Kombëtar dhe kryegjeneralin  e lirisë shqiptare, Gjergj Kastriotin, me të cilin autori dritëron kombin, – të gjithë nga Dibra, – dhe qindra personalitete idealistë, patriotë, luftëtarë, politikanë, shkrimtarë, profesorë, gazetarë, mjekë, artistë, mësues, mistikë atdhetarë. Kësisoj edhe në këtë vepër shkëlqen vetëdija kombëtare dhe e përjetësisë së personaliteteve historikë me individualitete fisnikësh, që kanë të përbashkët: atdheun. kombin dashurinë, bukën, barutin, fëmijën, lirinë, shkollën.

Këto personalitete dibre, me veti fisnike mblidhen në muzeun e kujtesës, me një Korab vlerash,  vitale dhe historia zbukurohet , Dibra ringjallet dhe lexuesve u rrinë pranë.

Përzgjedhja e autorit dhe simpatia e tij nuk fshihen, sepse duken ndiesitë e pavyshkura që shpërthejnë gjurmëve metaforike të ringjalljes, me karakteret e ndryshimeve, temperamenteve dhe cilësive volitive. Të pastër i gatuan luftëtarët shqiptarë, prandaj për ta u hapën portat e librave! Rrofshin shkrimtarët që mbledhin vlerat e kombit dhe pasurojnë ushtrinë e fisnikërisë me bukurinë shqiptare të karaktereve të larmishme dibrane me të gjitha vizionet intelektuale, duke gjelbëruar për këtë 100 vjetor fjalën e shkruar shqipe!

Krijuesi i botës së artit të shkruar ka ndiesi të veçanta që, kur ndërgjegjësohet, e përjeton realitetin e ngjarjes dhe e hedh në letër me emocione e frymëzim, larg pompozitteti të fjalës dhe me pastërtinë e gjuhës. Kështu Ariani mbledh mençurinë e trimërinë e Dibrës si në një muze magjik, ku personazhet prezantojnë tek lexuesi profilin e lirisë e të dijeve. Marrshimi në botën e studjuesit  dhe krijuesit jehon dhe skanohet nga autori duke u veshur me       mençuri dhe humanizëm. Dibra e meriton një botim të tillë për 100 figura dibrane, prandaj e falenderoj autorin, prof.dr. Arian Kadiun. Mes tyre janë edhe Josif Bagëri, Lulzim Basha,, Shefki Shatku, Ismet Bellova, Eqerem Cami, Iljaz Pasha, Fiqiri Dine, Abdurrahman Dibra, Elez Isufi, Nikollë Kaçorri, Faik Ballanca, Niazi Kosovrasti, Agim Krajka, Sherif Langu, Hoxhë Muglica, Sulejman Pitarka, Haki Stërmilli, Haki Sharofi, Natasha Shehu, Edip Tërshana, Adivije Sharofi etj.

Edhe Dibrës sonë i duken plagët  e brengave të zgalemëve që e munduan dhe e mundojnë me klane e mure gjaku, mure ndarës fataliteti të historisë në trupin tonë dhe më tokën tonë. Kujtdo i troket me dhimbje në kujtesë brenga e shpirtit. E vret akoma ajo, sepse “Shqipëria është ndarë për gjysëm me Drinin” (L.Poradeci). Në këtë fatalitet të rëndë e të hidhur, profesori ynë  ka ditur të çmojë vlerat e personaliteteve, të cilëve nuk u tretet            ashti, as truri dhe gjaku i kombit tonë në shekuj. Prandaj nuk derdhet copa-copa dashuria  për komb e flamur, se Ariani, me dy veprat si dy binjakë i ka sjellë për të dëgjuar himnin epik të demokracisë, si magjinë e
shpirtit atdhetar për t’u miqësuar me figurat e 100 dibranëve, me të cilët do të ndihet zëri poetik i fjalës, si një ideal demokratik, si dy libra motra që këndojnë për komb e flamur.

 

Prof.dr. Arian Kadiu ka botuar e janë në qarkullim këto vepra, libra e tekste shkollore:

 

      LETËRSI ARTISTIKE:

1. “Takimi i parë” (novelë e tregime, Tiranë.1972,  f. 113).

2. “ Pse dridhej harku i violinës” (tregime, 1974, f.100)

3. “Pendimi i arushit pa bisht”  (pjesë për kukulla, 1975. Çmimi i dytë në konkursin Kombetar të 30 vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

4. “ Një ndodhi në det” (tregime, 1977, f.82)

5. “Qyteti prej rëre dhe pallati i vërtetë” (tregime, 1978, f. 75)

6. “Arushi pa bisht” (përralla, 2001, f. 55).

7. “Aventurat e pabesueshme të Batos”  (novelë-përrallë, 2002, f. 60. Çmimi i parë në Konkursin e shpallur nga shoqata e shkrimtarëve për fëmijë)

8. “ Lumturi e tredhur” (novela, 2002,  f.135)

9. “Trishtimi i blertë”  (novela për adoleshentë, 2003, f.68)

10. “Stina e pestë” (poezi, 2003, f.100).

11. “Pas takimit me alienët” (roman, 2004, f. 142).

12. “Kur dremiste Sahati i Tiranës” (roman, 2011, f. 350).

 

BOTIME  SHKENCORE:

13. “Dibra e Madhe dhe një vështrim në Dibrën e Vogël”, (monografi psikosociale, çmimi  i dytë në konkursin e shpallur nga AIITC, Tiranë, 2010. 650 faqe).

14. “Dibra e Madhe” (monografi, 2003, 344 faqe).

15.  “Adoleshentët dhe tranzicioni” (studim, 2000, f. 150)

16. “Teknika e recitimit” (guide, Prishtinë, 2001, f. 86)

17. “Teknika e recitimit” (me dy pjesë, 2001, f.70)

18. “Punët me shkrim, qortimi dhe vlerësimi i tyre”  (studim- guide, 2002, f. 107)

19. “Midis alternativave: shkolla private- jopublike”  (monografi, 2002, f. 192).

20. “Mësuesi i Strugës” (monografi, Strugë, 2009, f. 150)

21. “Hape portën e artë të leximit” (guide, 2004, f. 120)

22. “100 vjet pavarësi, 100 figura dibranësh), 2012, f.316)

.

TEKSTE SHKOLLORE:

23. “Letërsia dhe gjuha shqipe 11” për shkollën e mesme të përgjithshme, (bashkëautor) Tiranë, 2010.

24.  “Sociologjia”, (tekst për Fakultetin e Infermierisë, UT, 2009, f. 194).

25.  “Gjuha shqipe 4” (tekst shkollor, 2007,2008, 2009, f. 240)

26. “Gjuha shqipe 6”  (Tiranë, 2009,  f. 280))

27.  “Leximi letrar 8” (tekst shkollor, Tiranë me 12 vjet ribotime, nga 1993, 2008,, f. 270).

28. “Leximi letrar” (Shtëpia botuese “Erik”, 2006, f. 240)

29. “Leximi letrar 8 “ Prishtinë, (2003, -2006, 2007, f. 272)

30. “Leximi letrar 5” për shkollat e pakicave kombëtare, (1995, f. 259)

31. “Gjuha shqipe 8” (2009, f.256)

32,. “Sociologjia e arsimimit” për master, (Tiranë, 2011,  f.200)

***

Libra të shkrimtarit Lutfi Hanku:

 

–      “Nëpër gjurmët e heroit”, 1974, (monografi)

–      “Nazmi Rushiti”, 1980  (roman)

–      “Kaçaku”, 2000 (monografi)

–      “Drita e shpirtit”, 2002  (novelë historike)

–      “Erdhi Caushi”,  2006  (roman)

–      “Marsi i vrarë”, 2010, (vepër historiko-letrare)

–      “Loti rebel”, 2012,  (roman)

–      Është autori i tre filmave dokumrntarë, me temë për heronjtë e Dibrës.

–      Është autori i rreth 100 tregimeve botuar në tre përmbledhje me tiutllin  “Tregime të ndryshme”

–      Pas vitit 1993 ka shkruar e janë botuar me dhjetra redaktime letrare dhe reçensa, për botime të autorëve nga të gjitha viset e Shqipërisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian kadiu, Lutfi Hanku

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT