Nga Ilir Levonja/Kemi një shtet 105 vjeçar. Edhe pse pretendojmë që jemi kombi më i vjetër në Ballkan. Po në këto 105 vite, vetëm në diktaturë kanë funksionuar si duhet emergjencat civile dhe
shtratifikimi i lumenjëve. E para me të drejtën legjitime pasi shteti mbahej me punë
vullnetare. E dyta shtratifikimi dhe urtësimi i lumenjëve, përpos propogandës, i shërbente
bujqësisë. Dhe tek ne kjo e fundit, pra bujqësia ishte çështje e gjithë popullit. Megjithatë
përmbytjet dhe katastrofat natyrore nuk ekzistonin kështu stinore. Ndofta sepse natyrës
nuk i jepej mundësia të eglendisej me ne. Kurse me ardhjen e demokracisë, përmbytjet dhe
të tjera katastrofa natyrore janë bërë të stinës. Dhe çfarë është më tragjikja, një mendësi e
fort civile që gjithçka, nga qytetari më i thjesht, deri tek biznesi a biznesmeni, e duan nga
shteti. Madje po lexoja diku, një statut se e kemi të sanksionuar në kushtetë që shteti të
dëmshpërblej deri më një, çdo dëm, çdo qytetar etj. Të mos fërkojnë duart komunistët. Po
kështu edhe socialistët a rilindasit me Edi Ramën në krye. Janë aty filmimet se si fliste Edi
Rama në opozitë dhe si si flet sot si qeveri. Po kështu edhe berishistët, a Berisha vet me
rubrikën dixhitale…, i cili në fund të fundit nuk është asgjë tjetër, një saurrel relike nga
mjetet e rënda të ndërtimit të socializmit. Ajo çfarë dua të them është se nuk i kërkohet
shtetit llogari. Nuk i kërkohet shtetit gjithçka. Ndryshe kjo ka domëthënien që kemi
mbetur akoma tek ura, në atë shtetin vullnetar të socializmit, por që sot ekziston ndryshe,
me ca shtabe emergjencash plot me shushunja që nuk lanë kokërr orizi pa vjedhur. Sikur
ky shtet të kishte gojë do të na linte ne pa gojë. Aq shumë ja kemi tharë gjakun sa sot nuk
është asgjë tjetër veç një kavie e gjakpirasve. Në këto tre dekada demokraci a kapitalizëm
nuk u pa një projekt, nuk u fol një herë të vetme për shtratifikimi e lumenjëve. Eshtë bërë
Osumi, përshembull, përpara Beratit, fushë futbolli me zaje të bardhë. Apo nuk kishte
krijuar dhe një ishull shkurresh sa, kur bisedoja vjet me një qytetar beratas, rreth këtij
fenomenit të mbirjes së ishujve, çfarë bëhej me atë zallishte hektarësh etj., më tha të mos
mërzitesha se i ka dalë pronari me kohë si ishullit ashtu dhe zallishtes. Nuk kanë ku të
rrjedhin lumenjtë e shkretë. E kuptoni? Duan udhë. Ne në kaq e aq vite dëmdemokraci ua
kemi prerë. Kaq … Duan udhë ata. Se kështu është kur lyen fasada pallatesh qeveria.
Pallatet t’i lyejnë ata që banojnë, jo qeveria. Kur rimodelon çdo katër vite sheshet publike.
Apo sheshin e legenave që ne i themi sheshi i Skënderbeut. Kapitalizmi është llogari, nuk
është punë vullnetare a prerje shiritash. Por ne ngulu e shkulu me të njëjtit qypa. Nuk
ndërtojmë sistemin, por glorifikojmë njerëzit. Dhe tu rrojnë. Ju vetë përmbytuni kurse ata
janë si kokrra e mollës, pa ujë tek dera. Ju pa energji, kurse ata plot…, në vilat e tyre të
çajnë dritat e pemëve të krishtlindjes a vitit të ri. Ju me çizme të shqyera nga e
përditshmja, kurse ata i kanë fringo, i veshin për mode e vinë tek ju duke u treguar me
gisht shtetit. Jo shtetarin, kostomunin e të cilit mbajnë veshur, Bota sot ndërton shtetin
kurse ne shtetarët.
Kësisoj kërkojini llogari shtetarëve, jo shtetit. Nuk dua të them se nuk jam me ju. Unë jam
popull si ju. Jam këmbë e kokë me ju. Por kjo dreq edukate që shteti të më paguaj dëmet
po e mban atë vend peng të bolshevizmës dhe mbetjeve të diktaturës së proletariatit. Shteti
sigurisht që kontribuon. Unë jetoj në një vend ku katastrofat natyrore janë dhuratë e Zotit.
Janë gjymtyrë e jetës. Sidomos kur vjen muaji gusht. Aq sa i nxehti. Avujt që thithin
rrezet, krijon deri zbatica oqeani. E zbyth tutje oqeanin e për pasojë krijon ciklone reshjesh
që ta shkulin me qejf shtëpinë. Sapo e kaluam një të tillë me emrin Irma. Akoma Porto
Riko, pak kilometra larg nesh vuan edhe sot pasojat, nuk ka energji, nuk funksionojnë si
duhet spitalet dhe të tjera institucione. Bizneset nuk funksionojnë plotësisht dhe në bazë të
ligjeve paguajnë punëtorët. Kurse aty dëgjova një biznesmen që i kërkon llogari shtetit për
dëmet. Dhe me siguri që ky nuk paguan asgjë, asnjë taksë, jo më punëtorët.
Shteti suporton, duke hequr pemët e shqyera nga rruga, pastruar kanalet, mund të të japi
edhe ndonjë çadër ushtrie nëse mbetesh pa çati. Po shteti nuk të jep para, nuk të
dëmshpërblen pronën etj. Ato janë llogari e jotja dhe siguracioneve që ti bën. Kaq…
Eshtë fatkeqësi të gënjehesh nga këto fushata emergjente mbas pilafit. Nga këta
çizmarakër që tjetër thonë e tjëtër bëjnë.
A doni dëmshpërblim, hiqini qafe. Mos i duartrokisni kur vine e presin shirita sheshesh. Të
ndërtosh një rrugë është detyrim ligjor, tjeshtë detyrë. Jo arritje elektorale. Jeta nuk është
ajo xhiro që bëni në mbrëmje tek sheshi. Përkundrazi, është rënia juaj. Pra sa kohë t’i
kërkoni sisë shtetit, dhe jo llogari shtetarëve, majë çative keni për të mbetur.