Vështrim Konceptit të MPMS për Rregullimin e Fushës së Pensioneve /
- Nga Adil FETAHU/
Pensioni është kategori ekonomike, sociale dhe financiare dhe është pronë private-personale e pensionistit (shih:Vendimi i GjEDNj në Strasburg, nr.31925/08: rasti Grudiq kundër Serbisë). Është kategori ekonomike, ngase është siguruar në bazë të kontributit në punë dhe kursimit të punëtorit gjatë kohës sa ka qenë aktiv. Është kategori sociale, ngase siguron të ardhura për moshën kur nuk mund të punojë e të krijojë të ardhura. Është edhe kategori financiare, sepse është pjesë e konsumit dhe financave publike. Në vendet ku ekzistojnë fondet private të pensioneve, mjetet e grumbulluara në ato fonde paraqesin një burim të rëndësishëm të financimit në tregun financiar. Prandaj, sistemi i pensioneve është segment i rëndësishëm i sistemit ekonomik, social dhe financiar të secilit shtet. Sistemet e pensioneve të shumicës së shteteve të botës mbështetën në financimin vijues, dmth. në solidaritetin midis gjeneratave. Gjenerata aktive që punon, paguan kontribute për sigurimet sociale dhe kështu financon pensionet për ata që kanë kryer shekullin e punës dhe kanë dalë në pension. Edhe ky sistem, ndonëse është më i miri, ka mangësitë e veta, veçmas në rastet kur është i pavolitshëm raporti midis numrit të punëtorëve aktivë dhe numrit të pensionistëve, gjë që ndikon në lartësinë e kontributeve që duhet të paguhen. Në të gjitha vendet, shekulli i jetës po zgjatet, prandaj nga aspekti demografik po rritet numri i pensionistëve dhe periudha e shfrytëzimit të pensioneve. Në Kosovë dhe në Shqipëri tendenca e plakjes së popullsisë është më e madhe se në të gjitha vendet, për shkak të rënies së natalitetit dhe emigrimit të të rinjëve. Ky fakt ka imponuar domosdonë e shtyrjes së moshës për pensionim. Në Kosovë, për fat të mirë, aktualisht mosha e popullsisë është e re, prandaj numri i pensionistëve është i vogël, edhe për faktin se mosha e pensionit (65 vjet, si për meshkuj ashtu edhe për femra) është ndër më të lartat në botë (vetëm katër shtete: ShBA =66, Norvegjia, Islanda dhe Izraeli =67) kanë moshën më të lartë të pensionimit. Mirëpo, problemi këtu qëndron në numrin e vogël të punëtorëve të angazhuar në punë, në pagat e vogla, dhe se një përqindje e madhe e atyre që punojnë në sektorin privat, nuk paguajnë kontribute për shkak të informalitetit në punë, por edhe ata që paguajnë këtë e bëjnë në bazën e pagës minimale. Për të qenë i qëndrueshëm sistemi i pensioneve, raporti i punëtorëve aktivë që paguajnë kontribute ndaj numrit të pensionistëve duhet të jetë 4:1. Në Kosovën e pasluftës, për shkak të mungesës së fondit pensional, “pensionet” janë paguar kryesisht nga mjetet e buxhetit të varfër të Kosovës, sepse nuk ka funksionuar sistemi i kontributeve, përveç një pjese të vogël të Trustit, të themeluar në vitin 2002, në kuadër të cilit funksionon vetëm shtylla e parë: pagesa e obligueshme me ligj e kontributit (5+5% nga lartësia e të ardhurave të punëtorit), që nuk siguron kurrëfar baze të mjaftueshme për pension. Sistemi aktual, që as nuk mund të quhet sistem i pensioneve, por i pagesave sociale, është edhe i paqëndrueshëm, edhe i padrejtë, por edhe po keqpërdoret. Është i paqëndrueshëm, sepse pagesa bëhet kryekëput nga mjetet e buxhetit. Është i padrejtë, sepse nuk merr parasysh kontributet individuale të atyre që nga pagat e veta kanë ndarë një përqindje të madhe për sigurimin pensional. Në bazë Ligjit (aktual. 04/1-131) mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, dhe Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional, të gjithë pensionistët që kanë mbi 15 vjet stazh pune të kryer para vitit 1999, kanë “pensionin” e njëjtë (78 euro) për stazhin, pa marrë parasysh a kanë 15, apo 40 vjet stazh! Veç kësaj, nuk merret parasysh se kush sa ka paguar kontribute nga të ardhurat, sepse nuk është njësoj sikur ai që ka pasur pagën (në kundërvlerë) 2000 marka gjermane, si ai që ka pasur 200 marka! Prandaj, kjo nuk është pagesë në bazë të kontributit, dhe këtu qëndron padrejtësia e instaluar me Udhëzimin Administrativ mbi kategorizimin. Kjo padrejtësi kurrsesi nuk mund të ndreqet me shumat që do paguhen pas kategorizimit sipas kualifikimit shkollor, kur mund të bëhet edhe një padrejtësi tjetër.
Është çështje më vete, që Ligji mbi Skemat Pensionale të Fianncuara nga Shteti, as që ka filluar të zbatohet për pensionet e invalidëve të punës dhe për pensionet familjare, dhe nuk dihet kur do të fillojë të zbatohet!
Kur është fjala për të ashtuquajturin “Pensioni bazik” (thuhet 80 euro, por shfrytëzuesve iu paguhen vetëm 75 euro?!) për të gjithë qytetarët që janë banorë të përhershëm në Kosovë, është vërejtur dhe vërtetuar se ka keqpërdorime nga një numër i konsiderueshëm ( rreth 12000-15000 veta), të cilët marrin këtë “pension” edhepse vendbanimin e përhershëm e kanë në shtetet tjera. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale po bënë përpjekje që këto keqpërdorime të ndërpriten, dhe mjetet e kursyera prej keqpërdorimeve, të shfrytëzohen për rritjen e “pensionit bazë” atyre që kanë të drejtë.
Në sistemet e pensioneve po ndikon edhe procesi i globalizimit dhe integrimit. Vendet të cilat aspirojnë të integrohen në BE, po detyrohen të zvogëlojnë shpenzimet për sigurim pensional, që kështu të zvogëlojnë ngarkesat e ekonomisë me taksa, tatime e kontribute, gjë që drejtpërsëdrejti ndikon në zvogëlimin e masës për financimin e pensioneve. Diktati i Bankës Botërore dhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar në lëmin e financave publike, dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e harmonizimi i legjislacionit me standardet e BE-së, imponojnë nevojën e reformës së sistemit të sigurimeve sociale dhe të pensioneve edhe në Kosovë.
Inicim i reformës apo vetëm “makijazh” i ligjit ekzistues?
Nisur nga situata aktuale e gjendjes sociale në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka iniciuar një Koncept-dokument për reformën e sigurimeve sociale, duke përqendruar kryesisht në reformën e sistemit të pensioneve. Pas një analize solide të gjendjes dhe problemeve, Ministria ka ofruar tri opsione për reformën e sistemit të pensioneve:
Opsioni 1: Status-quo (asnjë ndryshim) – Në analizën e Ministrisë është konstatuar se korniza ligjore aktuale është e mangët, ka lënë pa sqaruar disa aspekte dhe ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, keqpërdorime dhe padrejtësi ndaj kategorisë së caktuar të pensionistëve kontributpagues të cilët nuk kanë vendbanimin e përhershëm në Kosovë. Gjendja aktuale nuk është e përshtatshme, prandaj duhet ndryshuar diçka.
Opsioni 2: Ndryshimi i politikës aktuale.- Sipas këtij opsioni, do duhej ndryshuar korniza ligjore ekzistuese dhe të bëhet një reformë në skemat e pensioneve dhe benefiteve tjera të cilat paguhen nga buxheti i shtetit. Për këtë nevojitet hartimi i një ligji (të vetëm) bazik për sistemin e pensioneve, me të cilin do rregulloeshin të gjitha skemat pensionale dhe invalidore, kontributive dhe jokontributive. Ai ligj do duhej të përfshinte edhe përkrahjen financiare, shërbimet dhe përkujdesjen për personat me aftësi të kufizuara, varësisht nga kategoria, sipas standardeve ndërkombëtare. Po të bëhej reforma sipas këtij opsioni, Ministria konsideron se duhet formuar një organ i pavarur (agjension) në kuadër të Qeverisë së Kosovës, i cili do të menaxhonte dhe administronte dhe do t’iu ofronte shërbime shfrytëzuesve të të gjitha skemave pensionale dhe invalidore të përcaktuara me ligjet aktuale, respektivisht me ligjin e ri bazik. Ligji do të përcaktonte elemente të reja, të moniturueshme, sa i përket “pensionit bazik” (social), ashtu që këtë lloj “pensioni” nuk mund ta marrin personat të cilët kanë të hyra (mujore) nga ndonjë burim tjetër,e që janë më të mëdha se sa “pensioni social”. Për pensionet kontributpaguese do qartësoheshin kriteret ekzistuese dhe do caktoheshin edhe kritere të reja.
Edhepse e ka shtruar në Koncept-dokumentin e saj këtë opsion, Ministria shprehimisht ka qëndrim të kundër, refuzues të këtij opsioni, duke arsyetuar se do ishte i pazbatueshëm, për shkak të kostos së lartë financiare, duke marrë si shembull, se në Kosovë ka diku rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara (!), dhe se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë një kosto të tillë.
Opsioni i tretë: Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit (ekzistues).- Duket se synimi kryesor i propozimit të Ministrisë është që të bëhen ndryshime (“kozmetike”) në Ligjin (aktual, nr.03/L-131) mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, i cili në disa segmente as që ka filluar të zbatohet, ndonëse ka hyrë në fuqi qëmoti. Në Koncept-dokumentin e Ministrisë, ky opsion konsiderohet më i zbatueshmi për kushtet aktuale, dhe se do të ndërpret keqpërdorimet e pensioneve bazike të moshës. Me ndryshimet që do bëhen, do iu mundësohet që shtetasit e huaj që janë banorë të përhershëm të Kosovës, të mund të shfrytëzojnë pensionet kontributpaguese dhe/ose ato bazike. Duke ndalë keqpërdorimet, do kursehen mjete të konsiderueshme financiare, dhe do të përcaktohej koha e fillimit të zbatimit të dy skemave tjera: pensionet familjare dhe të invalidëve të punës (që sipas tekstit të Ligjit aktual, është dashur të fillojë zbatimi prej 01.01.2015; neni 30, në lidhje me nenet 11 e 12 të Ligjit!).
Duhet bërë reformë rrënjësore (jo “kozmetikë”) të sistemit të pensioneve
Kosova është bërë një mikrokosmos social, me forma shumëdimensionale të varfërisë së kategorive të ndryshme të shoqërisë: të rinjë të papunë, punëtorë pa paga e pa sigurime shoqërore, pensionistë pa pensione, fëmijë pa shtesa fëminore, invalidët e punës dhe familjet e pensionistëve dhe invalidëve – pa pensione. Të gjitha këto dhe kategori tjera të popullsisë janë pa mbrojtje shëndetësore, pa mbrojtje, kujdes e shërbime shoqërore të mjaftueshme për jetë të dinjitetshme, për zgjidhjen e të cilave kërkohet një strategji e të drejtave sociale gjithëpërfshirëse, në kuadër të së cilës duhet të zhvillohet edhe reforma e sistemit të pensioneve.Politika sociale është një nga fushat sovrane të secilit shteti. prandaj ekzistojnë dallime midis sistemeve dhe mirëqenies sociale edhe brenda shteteve të BE-së, me gjithë përpjekjet për unifikimin e vlerave dhe standardeve.
Në Kosovë, prej pas luftës, sistemi i pensioneve po shtërzen midis diskriminim të pensionistëve (kontribupagues) dhe reformimit të sistemit. Deri më tash nuk u bë ndonjë reformë, përveçse u ndërpre dhe u degradua sistemi i qëndrueshëm dhe shumë human që ka funksionuar para lufte. Formimi i Trustit të pensioneve, me përqindje aq të vogël të kontributeve për pension, në pagat aq të vogla, nuk është kurrëfar garance për ata që do varen prej atij pensioni, edhe sikur të mos ketë kurrëfar humbje të mjeteve të tyre në ndërkohë. Pagesa e pensioneve nga buxheti i varfër i Kosovës ish-punëtorëve, të cilët me decenie kanë ndarë nga të ardhurat e tyre shuma të konsiderueshme për pension, nuk është zgjidhje e qëndrueshme, e aq më pak është e mjaftueshme (78 euro, linearisht; 158-80=78), dhe është një padrejtësi ndaj kësaj kategorie.
Prandaj, reforma duhet të bëhet ashtu që të mbulojë të moshuarit e tashëm dhe ata të ardhshëm, jo vetëm nga radhët e punëtorëve, por edhe bujqit e të vetëpunësuarit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet demografike që do të ndodhin me plakjen e popullsisë; të sigurohet sistem i përshtatshëm, i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm. Reforma e sistemit të pensioneve duhet të
shqyrtohet, debatohet e përkrahet nga grupet e interesit: sindikata e punëtorëve, organizata e pensionistëve, shoqëria civile, dhe për miratimin e zbatimin e saj të arrihet konsensusi në Kuvendin e Kosovës. Edhe për shumë kohë duhet të zbatohet sistemi i solidaritetit midis gjeneratave, të cilin po e zbatojnë edhe shumë vende tjera jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë, dhe është një sistem i provuar që ka funksionuar dhe funksionon. Për reformë të mirëfilltë, duhet të shfrytëzohet eksperienca e sistemeve më të mira, që mund t’i përshtatet kushteve, nevojave dhe mundësive të Kosovës.