JANUSI DYFYTYRËSH NË PORTËN E ULQINIT/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Në Ulqinin antik e modern, dikur seli e mbretëreshës ilire Teuta dhe e dinastisë shqiptare mesjetare të Balshajve, këto zgjedhjet (s)morg të 26 janarit 2014 më përngasin me perëndinë dyfytyrësh Janus (Janari) të mitologjisë ilire, statuja e të cilit rri në muze të Vatikanit.
Ky Janusi “Perëndi e Tranzicionit” e hapte për luftë pushtuese portën e qytetit bregdetar, pavarësisht se aty e kishte edhe tempullin e vet, ushtronte funksione të lundrimit me anije e të shkëmbimeve tregtare, ruante lidhjet me Portanus, çelësmbajtës i portës së qytetit. Thue, sikur është Ulqini!Njejtësisht Janusi dyfytyrësh e kishte të vështirë me e mbyll paqen, me e nënshkrue ndonjë marrëveshje paqësore pas luftësjelljes. A thue njisoj sikur tani në Ulqinin historik në mes partive politike shqiptare pas zgjedhjeve të 26 janarit 2014?!
Përndryshe: ky Janusi (Janari) e kishte zakon me e kthye kryet e me kqyr mbrapa dhe përpara, si nga e djeshmja dhe nga e nesërmja. Kisha me thanë: a thue këta “pulatikajt” kur e kthejnë kryet mbrapa nuk shohin përtej Krajl Nikollës të vjetër, kurse kur kqyrin përpara nuk shohin përtej krajlit të ri malazez, Milo Gjukanoviçit (!)
Përveç kësaj, ky Janusi perëndi e muaj kalendarik, kur kqyr stinët mbrapa e ka dimnin dhe përpara pranverën. Po a e dinë këta “pulatikaj” që edhe me (pa)fajësitë e tyne e nxorën në ankand Ulqinin, po bajnë tender me Tuzin, po e çkyejnë mëdysh Plavë-Gucinë…
Trevat shqiptare nën Mal të Zi veç dimën kanë pasë me Krajl Nikollën e Parë të Çetinës. As pranverë shqiptare nuk do të ketë treshen kundërshqiptare të piramidës malazeze: Me kryeministrin e kryesocialistin Milo Gjukanoviç, krajlin e ri malazez me seli kryeministrore në Podgoricën etnike shqiptare. Me presidentin socialist Vujanoviç e me kryeparlamentarin social-demokrat Ranko Krivokapiç, te dy me seli institucionale në Çetinë. Këta të tre janë rreth dy-tre dekada në pushtet të palëvizshëm dhe e kanë “fut në grusht” Malin e Zi dhe duan t’i shqyejnë me thonj të politikës shovene trevat shqiptare e shqiptarët e tyne etnik.
VARRI I BAJLOZIT TË ZI NË BREGDETIN E ULQINIT
Në shfletime të studimeve etno-historike kam has diku një fjalathanie sikur “bajlozi i zi” që u ndesh me Gjergj Elez Alinë e paska varrin në Ulqin. Nuk e di sa është e vërtetë, pasi nuk kam krye asnjë hulumtim vetjak.
Diçka tjetër po due me thanë: Shumkush e shumçka nga politika shqiptare në Ulqin, Tuz, Plavë-Guci…hiqen si “Gjergj Elez Ali modern” (duket sikur) luftojnë me “bajlozin blueportokalli Gjukanoviç”. Mirëpo, edhe ndonjë nga këta shpesh paraqitet edhe si “shenjt” kombëtar. Dhe, e kundërta, ndonjë kësish, tue e pasë Gjukanoviçin brenda në bark e mbi plisin e bardhë, shpesh ndokush ri-kthehet në “djallë” për shqiptarët etnik.
Kurrkush nuk fjalathotë se Gjergj Elez Alia e ka varrin në Ulqin, sikurse “bajlozi i detit”.
Po bash aty, në breg të detit e thellësi të tokës ilire, gjendet varri i njërit prej “Gjergjelezalive” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetarit të saj, Ymer Prizrenit.
Një tjetër “Gjergjelezali” i Ulqinit, oficeri detar Mujo Ulqinaku, luftoi e u vra ballas më 7 prill 1939 në Durrësin bregdetar që të mos e lejonte dhandrrin e Krajl Nikollës të Çetinës, Viktor Emanuel III i Italisë, që të pushtonte Shqipërinë Mbretnore, që çika e krajlit të zi, Elena, të mos bahej Mbretneshë edhe e Shqipërisë (16 prill 1939-8 shtator 1943).
Selitë zyrtare malazeze në Podgoricë e Çetinë po rrgallen e vorbullojnë për mos me e lanë me ndejt në kambë dhe as me lind ndonjë “Gjergj Elez Ali” i politikës nacionale shqiptare nga Ulqini e Tivari, nga Podgorica e deri në Plavë-Guci e Rrozhajë.
12 NETËT E UJQVE-NJERËZ
Mitologjia ilire rrëfen për “12 netët e ujq-njerëzve”. Thuhet se kremtohet në muajin shkurt. Diku, ka mesi i dimnit, pas “Arbainit” të egër që i “ha pleqtë” e “tuj ra dielli cof dhe ujku”. Kësokohe këta “ujq-njerëz” dalin në rrugë e bestytnitë fjalaflasin se fryma e tyne sjell kobin e vdekjes. Pra, duan me ua ba dimën të zi jetën njerëzve!
Në këto “12 netët e ujq-njerëzve” të shkurtit janë çue “ujq-njerëz” të politikës malazeze në selitë zyrtare në Podgoricë dhe në Çetinë dhe po lobin, hovin e kobin kundër shqiptarëve e trevave të tyne nën Malin e Zi:
a) Kjo ndodhi në marrjen gjukanoviçiane të komunës shqiptare të Ulqinit. Marria politike shqiptare e mafizioteti shoven malazez i janarit dolën përkryet vendit e kohës. Gjatë shkurtit po ka cijatje e negociata gjithfarësh për postet drejtuese të komunës.
b) Kjo po duket në lojën e re politike me allishverishe e aleanca pa fryt për Tuzin (Malësia) si “komunë e kryeqytetit”. Këto ditë shkurti dhe partitë politike shqiptare po (ç)ngrefen, shkoklohen e goglohen ma së keqi përballë Gjukanoviçit që drejton në tre dekada Malin e Zi, përballë tri partive që drejtojnë Tuzin – komunë urbane, etj.
c) Kjo po ngjet edhe në ndamjen padrejtësisht dy copash të komunës etno-historike të Plavë-Gucisë. Tashti po lypet me u mbledh me përnguti Parlamenti i Çetinës në seancë të jashtëzakonshme gjatë shkurtit 2014!
Problematike nuk është vetëm një “Deponi” në Martinaj të Gucisë. “Deponi” të tilla në shpërthim si “Mitrovica e Veriut” janë edhe “Parku Nacional” që u rrëmben prona shqiptarëve në Plavë-Guci, “Të Mirat detare” në Ulqin, cënimi shtetëror i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit, etj. etj.
Po kush janë këta politikanë “ujq-njerëz” të uritunit e të pangopur me urrejtje shovene bio-politike dhe gjakatare e grabitqare kundër shqiptarëve etnik të Ulqinit, Tuzit, Plavë-Gucisë, Rrozhajës, etj?!
Një ndër ta, ma kryesori ndër liderët e sotëm malazez, është kryeministri e kryesocialisti, Milo Gjukanoviçi. Ky “ujk-njeri” kundërshqiptar ka mjaft data evenimente në muajin shkurt. E para, ka lind më 15 shkurt 1962 në Nikshiq afër Kotorrit. E dyta, në këtë trevë nikshiqiane e rrethina ilire të saj për kah perëndimi panonik ka pasë në hershmëni një festë ujqish, e cila thirrej “Luperkalia” e, si për koinçidencë me rastin gjukanoviçian, edhe kjo binte pikërisht më 15 shkurt të çdo viti kalendarik, pikërisht në datëlindjen e Gjukanoviçit. E treta, Gjukanoviçi edhe karierës politike ia ka nisë më 15 shkurt 1991, kohë kur u zgjodh ma së parit kryeministër i Malit të Zi. Ky, pothuaj çdo herë, në një mandat të vetëm si president e në shtatë mandatet e tij si kryeministër është zgjedh në stinën e dimnit e në ma të shumtat raste në muajin shkurt. E katërta, Gjukanoviçi edhe në bizneset e veta e kërkon shkurtin, biles së fundit, më 25 shkurt 2008 e ka themelue biznesin e tij të pestë, firmën “Global, Mali i Zi”.
Ulqini rrënjas shqiptar, i përmendur në histori nga autorët antik si Tit Livi, Plini, Ptolemeu, duket se edhe nga luftërat me “ujqërit-njerëz” që donin ta pushtonin, nënshtronin e aneksonin qyshse në lashtësi këtë qytet portual i mbeti ky emën i prejardhun nga fjala ilire ulk (ujk) – Ulqin. Mitologjia ilire teksa gurron me “12 netët e ujqërve-njerëz’ më duket sikur burimon në Ulqin.
Prapë ulqinakët duhet të luftojnë shqiptarisht që të mos e nënshkruajnë kapitullimin politik përballë Gjukanoviçit.
KA ARDHË DITA “ME I LA MËKATET”
Kur viti me dhjetë muaj ia shtoi vetes, fill pas janarit, edhe shkurtin, e patën thirrë ndër mote: fruer (fror). Ky emën vjen nga latinishtja “februare”, që merr edhe kuptimin “të lashë mëkatet”.
E në koftë se dikush ka me la gjynahe në këtë botë për humbjen në Ulqin janë partitë nacionale shqiptare nën Malin e Zi. Ma së parit partitë politike që e kanë për kryeqënder Ulqinin shqiptar, komunën me popullsinë ma të madhe në Malin e Zi.
Forca e Re Demokratike (Forca), krijuar më 2005 e me degë edhe në Tuz, me kryetar Nazif Cungun, e cila deri më 26 janar 2014 ishte forca e parë politike në Ulqin. Sivjet mbeti e dyta, pas PDS të Gjukanoviçit. Njëherash, e para ndër partitë shqiptare. Mori vetëm 8 këshilltarë, tre ma pak se në zgjedhjet e kaluara. Gjithsej 2.930 vota.
Unioni Demokratik Shqiptar, themeluar më 1993, me qendër në Ulqin, me ish kryetar Ferhat Dinosha, e tashti drejtohet nga Mehmet Zenka, e ka mbajt disa vjet në udhëheqësi të saj komunën e Ulqinit. Në zgjedhjet e fundit në këtë komunë mori tre këshilltarë apo, e thënë ndryshe: 1.057 vota.
Koalicioni “Sëbashku për të ardhmen e Ulqinit” me tri parti nacionale me seli në Ulqin, të cilët morën shtatë mandate, 2.366 vota gjithsej. Lidhja Demokratike, (sipas një burimi zyrtar publik) e para parti politike shqiptare në Malin e Zi, themelue qyshse më 9 shtator 1990, me kryetar Mehmet Bardhin. Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën, krijue së vonit, më 24 dhjetor 2011 dhe “Lëvizja Qytetare Perspektiva” me kryetar Amir Mollaj.
Treshja Cungu, Gjeka e Zenka e dijnë fort mirë se kush është Gjukanoviçi e partia e tij në pushtet, çfarë qëllimesh ka për marrjen e Ulqinit shqiptar nëpermjet votës së popullit. Këta tre burra të Malësisë e politikës së saj, e kanë në dorë, si po thonë shqiptarët e mediat: “me na e zbardh faqen”, pasi humbja e Ulqinit na ka dhimbtë në shpirt, në palcën e kombit, pavarësisht se si shpesh herë Ulqini ynë shqiptar u la i vetëm në fatin e vet elektoral.
Këto pesë parti në Ulqin dhe ato të tjerat parti nacionale shqiptare në Tuz si Alternativa Shqiptare me kryetar Gjergj Camaj, krijue më 2006, Partia Inisiativa Qytetare me kryetar Gjeto Sinishtaj etj., të gjitha forcat politike kombëtare shqiptare sëbashku, kanë “mëkatet” e veta jo vetëm për Ulqinin e Tuzin, por edhe për mos ndalimin e përpjekjeve gjukanoviçiane drejt finalizimit legjislativ të ndarjes së Plavë-Gucisë në dy komuna; për shqiptarët e Podgoricës e të Rrozhajës, të Tivarit, etj.
Ulqinin e kanë “lëshue dore” pjesa ma e madhe shqiptarëve, me ose pa dashje, të cilët nuk votuan për partitë politike kombëtare shqiptare të Cungut, Gjekës, Zenkës; të cilët votuan për partinë (PDS) të Gjukanoviçit apo atë të “Malit të Zi Pozitiv”, etj.
Një e keqe tjetër e madhe po duket në horizont për shqiptarët nën Malin e Zi, në shtetin që ka ma shumë parti se çdo shtet tjetër ballkanik. Politika e Gjukanoviçit e Co po e kapicë krijimin e dy-tre partive të reja politike shqiptare në viset shqiptare në Bregdet, në Ultinën e Podgoricës, në Alpe. Demokracitë e lodhuna, si kjo malazeze, krijojnë kaq shumë parti, saqë me u hjekësue shqiptarët për me pasë rreth 10 parti për mbi 20.000 votues shqiptarë, një pjesë e të cilëve nuk janë në vendbanime e nuk shkojnë në votime. Diktaturës së fortë millosheviçiane i interesojnë kaq shumë parti politike. Kjo politikë merimangore ballgure e partive politike ba me e “hanger” shqiptarët do të ishte kob i zi e qefin i bardhë për vet shqiptarët. Njerëzit e ditun tue e pa merimangën e kanë ba jelekun antiplumb dhe, të tjerët, kur e kanë nënvleftësue merimangën i ka kafshue me helm dëmtues e deri vdekjeprurës.
Ulqini është vendlindja e të madhit Gjon Buzuku, i cili bash 460 vjet ma herët, pikërisht në vitin 1554, ia nisi me e shkruejt veprën madhore kombëtare “Meshari”, që e botoi një vit ma vonë si të parën vepër në gjuhën shqipe dhe në letërsinë shqipe.
Prandaj ka ardhë dita vendimtare që Ulqini, shqiptarët e tij, edhe autorët e aktorët shqiptarë të 26 janarit 2014, me fol Shqiptarisht, me i shtrengue rradhët etnike shqiptare e rrathët e politikës së tyre për ta mbajt prapë të vetmen komunë me shumicë shqiptare në shtetin malazez.
THAÇMET E HASHIM THAÇIT
DHE SELAMET E DITMIR BUSHATIT
Kurrësesi nuk mund ta kuptoj kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ka ba shumë për lirinë e pavarësinë e sotme të shtetit të ri të Kosovës, i cili çohet pikërisht më 26 janar 2014, në ditën e zgjedhjeve në Ulqin, e ban deklarata politike në favor të Gjukanoviçit, kryetarit të PDS që i fitoi zgjedhjet në këtë komunë.
Thaçi deklaroi para botës shqiptare e euro-atlantike se “komuniteti kombëtar malazez do të hyjë në aktin më të lartë të Kosovës, gjë që është edhe kusht nga Podgorica për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike”. Ky lider shqiptar i Kosovës gjunjëzohet para Gjukanoviçit, nuk i shtron asnjë kusht për shqiptarët nën Malin e Zi, ia plotëson të gjitha kushtet kolegut e mikut të tij malazez. Ia shton “Kosovës multietnike” edhe një minoritet malazez. E, për këtë kusht gjukanoviçian, premton se do të ndryshojnë edhe Kushtetuten e re të Kosovës.
A nuk mujte o Hashim Thaçi me e lanë pa lëshue të tilla thaçme pikërisht në ditën e votimeve në Ulqin. A nuk mujte me ndejt për pa folë në heshtjen zgjedhore shqiptare në Ulqin. Çka kie me i thanë historisë shqiptare për të tilla veprime ndikuese që i kryen ndaj Ulqinit shqiptar edhe nga (para)skena të dialogut ashtonian me kryeministrin serb, Ivica Deciç(!) Ndoshta është koha me ta kujtue se i qite prapa krahëve dhe i le rrugës ato çka të kërkuan në Nju Jork në shtator 2013 disa shoqata shqiptare nga trevat shqiptare nën Malin e Zi. Apo premtimet e kohëpaskohshme për hapjen e rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë, etj.
Gjithësesi nuk po duam me u fut në thelluta diplomatike e politike ndërballkanike, po vizita e djalit me të ardhme, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, në Podogoricë e Çetinë më 23-24 janar 2014 ishte veprim tejet i gabuar e në kohën e gabuar. Kjo mund të shmangej kryehere nëse nuk kemi të bajmë me një lojë të zezë kundër Ulqinit e ndihmesë për Gjukanoviçin.
Ministri shqiptar Ditmir Bushati kreu vizitën në përvjetorin e 136-të të pushtimit të Ulqinit nga Mali i Zi, ku paraardhësit e tij të derës së Bushatllinjëve kanë luftue gjithë jetën kundër tyne, biles edhe vra në betejë me malazezët si Kara Mahmut Pasha Bushatlliu i Shkodrës në vitin 1796. Gjithashtu, vizita e tij kryhet një ditë pasi Gjukanoviçi realitetoi një miting elektoral në Ulqin me 800 pjesmarrës, tue pasë devizë elektorale hymnin malazez kundërshqiptar të princit poet Krajl Nikolla, në të cilin ban thirrje për ta pushtuar Shqipërinë në brigjet e detit Adriatik e të lumenjve Moraça, Drini, Limi e dekteri në Prizren, siç e provuan malazezët edhe në vitet e Luftërave Ballkanike 1912-1913. Për fat të keq kjo vizitë e Bushatit pati ndikimin e vet (in)direkt në zgjedhjet e 26 janarit në Ulqin, në humbjen e shqiptarëve.
Nuk e di saktësisht se çfarë strukturash kundërshqiptare në Malin e Zi e jashtë tij e kanë fut ndër shqiptarët e Malësisë nga Ulqini në Rrozhajë dhe në diaspora të tyre në botë idenë e mbrapsht e shpresë kotë, sikur Edi Rama e Hashim Thaçi e kanë mik Milo Gjukanoviçin e, tashti këta të tre ndërveti, kanë me ua zgjidh punërat e heq thundrat sllave shqiptarëve etnik edhe në Ulqin, edhe në Tuz, edhe në Plavë-Guci…
Edi Ramën e Hashim Thaçin i duam si kryeministra shqiptarë, po këta të sillen si të tillë, si shqiptarë kombëtar edhe me shqiptarët etnik në kufi me Shqipërinë e me Kosovën, pasi asnjani prej tyne nuk i ka ngritë kurrnjiherë në mënyrë institucionale problemet e mëdha të shqiptarëve nën Malin e Zi në institucionet shqiptare në Tiranë apo në Prishtinë, në institucionet ndërkombëtare në Bruksel e në Amerikë, në shtete euro-atlantike aleate strategjike.
Nëse fqinjët tanë në të katër anët, si Greqia edhe Maqedonia ndaj Shqipërisë apo Serbia edhe Mali i Zi ndaj Kosovës, ushtrojnë trysni politike për komunitetet e tyne etno-kulturore, biles edhe kushtëzime për “hapje ambasade”, për “votë kundër në BE”, etj. po Tirana e Prishtina zyrtare pse nuk veprojnë njejtësisht në politikën e diplomacinë e tyne (ndër)kombëtare edhe ndaj Malit të Zi, pasi shqiptarët etnik në këtë shtet ballkanik shoven janë ma të diskriminuarit në të gjithë Europën e sotme euro-atlantike. Prapë presim. Ende kemi shpresë. Përndryshe ka me ardhë ajo që u gatue nga të gjithë e pritet nga të gjithë: Malësia nën Malin e Zi nga deti në male ka me u kthye në një “Mitrovicë Perëndimore” ose ka me mbetë një “Çamëri e dytë”(!)