• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, 4 vjet nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve

April 19, 2017 by dgreca

-Çka thuhet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 e të 25 gushtit 2015 dhe çka thuhet për marrëveshjen për Asociacionin… në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015?/
-Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”/
– Në Bruksel – 30 takime kryeministrore, 2 me pjesëmarrje edhe të presidentëve/
PRISHTINË, 19 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Para katër vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në raundin e 30-të kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016,  ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb  Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Ky ishte raundi i shtatë i takimeve në Bruksel i kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016, i fundit në nivel kryeministrash.
Kosova dhe Serbia, në Bruksel, kanë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
 Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët në shtatë raundet tjera ishin pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme.
Ndërkohë, Thaçi është prej mëse një viti president i Kosovës dhe edhe Vuçiç është tashmë i zgjedhur president i Serbisë këtë vit, në 2 prill, të cilët pritet ta vazhdojnë dialogun në nivel presidencial.
Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar në në Bruksel edhe dy takimi në nivelin më të lartë-me pjesëmarrjen edhe të presidentëve Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, madje Brenda një jave  në 24 janar dhe 1 shkurt 2017, me fokus në realizimin e marrëveshjeve.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Katër vjet pas Marrëveshjes së parë, ende nuk dihet  kur do formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po, në Kosovën e pavarur edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para nëntë viteve e zhvilluar më tej.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 – vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, të njohur deri tash nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
 
 PËRMBAJTJA E TEKSTIT TË MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI, TË PARAFUAR NË 19 PRILL 2013:

1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.

2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.

9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.

13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: 4 vjet, Behlul Jashari, marreveshja e pare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT