-Mblidhet Kryesia e Kuvendit për kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme nesër – në 20 shtator 2018/
-Seanca u kërkua për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 19 Shtator 2018/ Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare në një mbledhje të mbajtur sot rreth mesditës shqyrtoi kërkesën e opozitës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme nesër, 20 shtator 2018 në ora 14:00, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.
Në axhendë ishte votimi i tre projektligjeve: Për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”; për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Duke pas parasysh mosfunksionimin normal të Kuvendit të Kosovës, opozita – grupet parlamentare të LDK-së, LVV-së e PSD-së dhe 2 deputetët e pavaruar të Alternativës në një deklaratë njoftuan se, “duke pasur gjithnjë për qëllim mirëqenien e qytetarëve të vendit të cilët do të përfitojnë nga ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në mes të BE-së dhe Kosovës dhe duke respektuar partneritetin e Kosovës me BE-në, kanë dorëzuar dje kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën kërkohet të ratifikohen këto marrëveshje ndërkombëtare”.“Gjithashtu duke ditur se asistencat e BE-së në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës e posaçërisht asistenca në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, siç janë asistencat që rrjedhin nga ratifikimi i Marrëveshjes së IPA-së që sjell 48 milionë euro për Kosovën, Programi “ Evropa për qytetarët” i cili mundëson Kosovës qasje në mëse 17 programe të BE-së, si dhe asistenca në platformat mbështetëse të IT dhe mbështetja në reformën e politikave për arsim dhe rini që parasheh Programi “ Erasmus +”, deputetët e nënshkruar vlersojnë se ratifikimi i tyre duhet të ndodh sa më parë. Seanca është kërkuar të mbahet me datë 20.09.2018 në ora 14.00”, thekson deklarata.
Në Kuvendin e Kosovës, në fillimin e sesionit vjeshtor, as maxhoranca as opozita nuk i kishin numrat për kuorum në dy seancat e jashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Maxhoranca dhe opozita bojkotonin njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotonin të dyjat.Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.
Gjatë ditës së hënë të 3 shtatorit, seancat e jashtëzakonshme për ditën e martë u ftuan në dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese të javës paraprake nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë që u mbledh pasditen e po të hënës.Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.Por, seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga qeveria vetëm nisi dhe pas disa shtyrjeve nuk përfundoi në mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.
Pas kësaj, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pas shtyrjeve as nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e kërkuar nga opozita.Në seancën e 13 shtatorit me 40 pika në axhendë po që nuk përfundoi përsëri shkaku i mungesave të kuorumit, opozita duke u larguar nga salla plenare ka paralajmëruar se nuk do marrë pjesë në seancat e Kuvendit derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme që e ka kërkuar. Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka theksuar opozita duke paralajmëruar “seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e pasditës së 3 shtatorit ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator: Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar, Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel.Qeveria e Kosovës në komunikatën nga mbledhja për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit, por sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vazhduar dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur para më shumë se 10 viteve, në 17 shkurt 2008.Në Bruksel, kryesuar nga Bashkimi Evropian, bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë, fillimisht kryeministror në 30 ruande nga
19 tetori 2012, pastaj me pjesëmarrje të presidentëve e kryeministrave në dy raunde në 24 janar e 1 shkurt 2017, e më pas në pesë raunde me takime të presidentëve – në 3 korrik e 31 gusht 2017 dhe 23 mars, 24 qershor e 18 korrik 2018, kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011.