Nga Prof. Dr. Eshref YMERI/
Sipas një lajmi të transmetuar në prag të Vitit të Ri, presidenti rus paska firmosur një dekret absurd, sipas të cilit Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), pasardhësi i KGB-së famëkeqe, lejohet të qëllojë kundër turmave, qofshin këto edhe me gra dhe fëmijë. Madje, sipas këtij dekreti ogurzi, Shërbimi Federal i Sigurisë, kundër turmave mund të përdorë jo vetën armët, por edhe mjete të posaçme për ndalimin e trazirave masive. Ky lajm bëhet i ditur në faqen e internetit të Radiostacionit “Jehona e Moskës” (Eho Moskvëj) – “echo.msk.ru”- të datës 31 dhjetor 2015.
Një qytetar rus, në rubrikën “Komente” për këtë marrëzi të Putinit, shkruante:
“Sipas të gjitha gjasave, fronit po i tunden themelet dhe carit i kanë filluar të vjellat”.
Me sa duket, fushata marroqe e Putinit në Siri, ia ka nxitur më shumë instinktet e çmendurisë së tij dhe duhet t’i ketë krijuar bindjen se, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike që ka pllakosur mbarë vendin, shpërthimi i trazirave masive do të jetë i pashmangshëm në një perspektivë jo fort të largët në mbarë Rusinë. Prandaj edhe ai, në rolin e një të ndërkryeri në majat e pushtetit neocarist, ka firmosur një dekret me përmbajtje kriminale, me qëllim që t’i kallë datën popullit rus, pikërisht me pamje të tmerrshme, të cilat mbarë botës i kujtojnë skenat e përgjakshme që cari Nikollaj II krijoi në Peterburg më 09 janar të vitit 1905.
Për ta kuptuar situatën që është krijuar në Rusi dhe sidomos arsyen kryesore që e nxiti Putinin për të ndërmarrë aventurën siriane, i ftoj lexuesit e nderuar të njihen me analizën e mëposhtme, mjaft të argumentuar, të publicistit Evgjeni Prokopishin.
Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
04 janar 2016
Evgjeni Prokopishin
Gjendja e pashpresë e Putinit në Siri:
largimi nuk lejohet, fitorja nuk sigurohet
Ajo që në shikim të parë mund të duket si “luftë rrufe” e Rusisë, në të vërtetë, ka një emërtim krejt tjetër: aventurë. Pse kështu? Le ta nisim përgjigjen nga fillimi.
Pas disfatës në Ukrainë, Moskës i mbeteshin dy mënyra për të dalë nga situata:
Së pari, të tërhiqej, të pranonte disfatën dhe, si përfundim, të humbiste pushtetin.
Së dyti, të hynte në një konflikt të ri.
Krerët, është e natyrshme, nuk mund të hiqnin dorë nga pushteti aq kollaj, ashtu si edhe nuk mund ta pranonin që kishin pësuar disfatë. Prandaj varianti me një konflikt të ri ishte optimal.
Po pse pikërisht Siria?
Përgjigjja ështe tepër banale: se s’kishte me kë të luftohej më. Me Gjeorgjinë u zhvilluan luftime, në Çeçeni pësuan disfatë, në Ukrainë e humbën davanë, kurse lufta me Bjellorusinë ose me Kazakistanin do të sillte si pasojë shpërbërjen e Bashkimit Doganor dhe humbjen e aleatëve të fundit. Varianti i luftës me NATO-n madje as që është në rend të ditës: do të ishte një disfatë e garantuar me pasoja të vajtueshme. Mbetej vetëm një variant: ndërhyrja në konfliktin sirian.
Për këtë ndërhyrje atje ekzistonin të gjitha kushtet. Është presidenti sirian Bashar Al-Asad që Moska i ka dalë në krah. Atje është edhe një bazë ushtarake, e cila nuk ka një vit që funsionon. Janë edhe interesat shtetërore në sferën e tregtimit përmes sistemeve energjetike, dhe pikërisht me tregtimin e naftës dhe të gazit.
Të gjithë e mbajmë mend se cila ishte arsyeja që në Siri plasi luftë këtu e katër vjet të shkuara: për faktin që Katari dhe Arabia Saudite lidhën një marrëveshje me Evropën për të shtrirë një tubacion drejt saj nga Azia, i cili do të kalonte përmes territorit sirian.
Moska filloi t’i dilte në krah Asadit, kurse ai, në shenjë mirënjohjeje, nuk pranoi që ky tubacion të kalonte nëpër vendin e tij, gjë që do ta rrënonte ekonominë e Federatës Ruse. Prandaj edhe u gjet rrugëdalja përmes ndërhyrjes së Rusisë në Siri.
Kurse tani le t’i japim përgjigje pyetjes kryesore:
Pse lufta në Siri për Rusinë është më e rrezikshme sesa ndërhyrja në Afganistan dhe cili do të jetë fundi i kësaj aventure?
Para se të nis nga arsyetimet, në fillim dëshiroj të përmend disa shifra. Në Shtetete e Bashkuara të Amerikës, pas rrjedhjes së një informacioni sekret, Pentagoni qe detyruar t’ua hiqte petkun e sekretit disa të dhënave për luftën në Vjetnam, dhe pikërisht informacionit për shpenzimet e asaj lufte.
Siç u bë e njohur përmes atij dokumenti, për një banor të vrarë në Vjetnam, shpenzoheshin mesatarisht 8 mijë dollarë. Si përfundim, ajo luftë u shkaktoi Shteteve të Bashkuara humbje të mëdha, çka u bë e domosdoshme që të largoheshin prej andej.
Pse e përmenda një fakt të tillë?
Për arsye se, tani, sipas përllogaritjeve të përafërta të ekspertëve, Rusia në Siri shpenzon mesatarisht 1,5 milionë dollarë për një të vrarë, çka do të thotë 187 herë më shumë sesa shpenzonin Shtetet e Bashkuara në Vjetnam. Mendoj se gjithsekush e ka të qartë se ç’pasoja do të ketë kjo luftë për Rusinë.
Të gjitha ato rrëfenja të mjeteve të informimit masiv për faktin se aviacioni rus po e shfaros armikun në një mënyrë masive dhe se armiku po tërhiqet në panik e sipër, nuk janë gjë tjetër, përveçse përralla për të nanurisur të rriturit. Rrëfenjat e Kremlinit për faktin që shpenzimet për këtë luftë na qenkan jo të mëdhaja, nuk janë më shumë se një gënjeshtër e pastër. Unë po sjell vetëm një shembull.
Rusia dha goditje në Siri me raketa të telekomanduara, të lëshuara nga Deti Kaspik. U lëshuan 26 raketa. Vlera minimale e një rakete të tillë është e barabartë me 1,5 milionë dollarë . Me fjalë të tjera, të 26 raketat i kushtuan Rusisë 39 milionë dollarë ose 2,5 miliardë rubla. Janë shumë apo pak? Një pyetje retorike kjo.
Kurse tani përfytyroni sa vijon (po marr vetëm të dhënat e ministrisë së mbrojtjes të Federatës Ruse):
Gjatë një lufte dyjavore në Siri, forcat ushtarakoajrore të Federatës Ruse kanë kryer më shumë se 500 fluturime. Ne nuk e dimë se sa predha janë përdorur konkretisht me këtë rast, por mund të themi me saktësinë më të madhe se janë përdorur jo më pak pak se 5 mijë të tilla. Gjatë atyre fluturimeve duhen marrë parasysh jo vetëm vlera e vetë këtyre predhave, por edhe shpenzimet e lëndës djegëse për aeroplanë. Tashmë ka fakte të përdorimit të artilerisë reaktive nga ana e forcave tokësore të Federatës Ruse. Le të shtojmë këtu vlerën e vetë predhave dhe shpenzimet për lëndë djegëse. Ka rëndësi të merret parasysh edhe fakti që ushtarakët në pikat e nxehta marrin një pagë shumëfish më të lartë, sesa shokët e tyre të armëve që ndodhen në territore “paqësore”.
Më në fund, le të marrim parasysh në këtë mes edhe një tjetër mënyrë shpenzimesh: transportimin e efektivit dhe të armatimit nga Rusia për në Siri me rrugë detare dhe me linja ajrore Nënkuptohet që duhen përllogaritur edhe shpenzimet për propagandën informative që lidhet me konfliktin në fjalë.
Të gjitha këto shpenzime, të marra së bashku, sipas përllogaritjeve të përafërta, arrijnë në rreth 500 milione dollar vetëm për dy javë.
Pak kohë më parë, në Rusi u njoftua se po fillon ndërtimi i një baze tokësore në Siri për trupa tokësore. Këtë unë e pata parashikuar që këtu e dy javë të shkuara, ndërkohë që të tjerët më thoshnin:
– Jo, operacion tokësor në Siri nuk do të ketë nga ana e Rusisë.
Do të ketë, dhe përgatitja po ecën tashmë me ritme të shpejta.
Pikërisht dje, mjetet siriane të informimit masiv deklaruan, gjë që e vërtetuan edhe koleget e tyre perëndimore, se Rusia filloi të pësonte humbjet e para. Sipas të dhënave të ndryshme, nga 5 deri 20 ushtarë të ushtrisë ruse qenë vrarë dhe qenë përcjellë për në atdhe si “ngarkesa 200” (emërtim i koduar që përdoret si zhargon ushtarak në forcat e armatosura të Federatës Ruse gjatë transportimit ajror të ushtarakut të vrarë për në vendin e varrimit – E.Y.).
Për ata që marrin vesh sadopak nga strategjia ushtarake, është e qartë se forcat ushtarake të Federatës Ruse e kryen zbulimin e parë me luftim. Ato verifikuan se çfarë është në gjendje të bëjë armiku dhe se çfarë forcash dhe armatimesh duhen dërguar atje. Kjo ndodhi pikërisht në momentet e ndërtimit të bazës për trupat tokësore. Rastësi? Nuk më duket rastësi.
Duke përfunduar me temën ekonomike, dëshiroj të nënvizoj edhe një herë: lufta kërkon gjithmonë shpenzime të mëdha nëse merr pjesë në të drejtpërsëdrejti. Dhe fakti që Rusia, si një vend me një ekonomi të dobët, e gjendur nën presionin e sanksioneve, me rënie të çmimeve të rezervave natyrore, shkoi e u pleks në një luftë me shpenzime të tilla, dëshmon më së miri se vendimi përkatës është marrë në nxitim e sipër.
Putini qe i detyruar ta ndërmerrte një hap të tillë pas disfatës në Ukrainë, pa i menduar mirë gjërat deri në fund. Ndërhyrja në Siri po përsërit një më një aventurën e Krimesë, kur rusët pushtuan në fillim gadishullin, kurse mandej, pasi iu kaloi dalldia e festës, u ulën dhe filluan të bënin hesapet se sa do t’u kushtonte ai pushtim. Dhe, pasi nxorën përfundimet, të gjithë në Kremlin vunë duart në kokë. Pikërisht e njëjta gjë po ndodh edhe tani me Sirinë.
Pas shyrtimit më lartë të aventurës ekonomike të Putinit në Siri, është pikërisht momenti për t’i hedhur një sy komponentit ushtarak. Dhe në këtë aspekt, mua personalisht, Moska me asgjë nuk më ka befasuar. Kur Putini deklaroi për herë të parë se nuk do të ketë operacion tokësor në Siri, e para gjë që më erdhi ndër mend, ishte: përderisa tha se nuk do të ketë operacion tokësor, kjo linte të kuptohej se një i tillë do të ndërmerrej me siguri. Nuk kaluan as dy javë, kur, megjithëse jo me një tekst të drejtpërdrejtë, u deklarua se, gjithsesi, operacioni tokësor do të ndërmerrej, por vetëm për mbulimin e aviacionit.
Për çdokënd që ia ka haberin artit ushtarak, e ka shumë të qartë se një operacion tokësor në Siri është i pashmangshëm. Është thjesht e pamundur që luftën ta fitosh vetëm me bomdardime nga ajri. Se nëse nuk ke qejf të fitosh, atëherë për çfarë ke hyrë në luftë? Kur mbi ato hapësira sillen vetëm aeroplanë, ka shumë mundësi që këta, herët ose vonë, do të fillojnë t’i rrëzojnë. Për ta shmangur një gjë të tillë, duhet mbulimi i trupave tokësore. Është i domosdoshëm zbulimi, pa të cilin çdo operacion përfundon në një aventurë të pastër. Për të siguruar suksesin e operacioneve, do s’do, duhet të përdorësh artilerinë dhe këmbësorinë. Ushtria e Asadit tashmë e ka treguar me fakte që është e keqorganizuar dhe e paaftë për të kryer sulme të suksesshme. Përveç kësaj, faktet dëshmojnë për zhvendosjen drejt Sirisë të artilerisë reaktive të forcave ushtarake të Federatës Ruse, si edhe të sistemeve të hapjes së zjarrit dhe të teknikës së blinduar. Është e natyrshme se të gjithë këtë teknologji ushtarake do ta vënë në përdorim ushtarakët rusë. Se nuk ka kurrfarë kuptimi që ky armatim të dërgohet për ushtrinë siriane dhe mandej ta stërvitësh atë gjashtë muaj se si ta vërë në përdorim. Por kjo do të thotë se për mbulimin e këtyre sistemeve reaktive, duhen trupa, gjithashtu.
Më kujtohet kur ministri i mbrojtjes i Federatës Ruse Graçov rrëfente për luftën në Çeçeni dhe se si trupat e tij përdornin sistemet “Shullëri” dhe “Breshri”. Me dy fjalë:
Vazhdonin lëvizjen sistemet “Shullëri” dhe “Breshri”, ndërkohë që i mbulonin dy tankse secilin. Hapnin zjarr me të shpejt dhe largoheshin nga pozicionet nën mbulimin e tanksit. Asokohe ato sisteme i patën kritikuar vetë gjeneralët e ushtrisë ruse. Në Siri do të ndodhë e njëjta gjë dhe ato kanë për t’i shfarosur me armë antitanke. Por kjo do të thotë se edhe teknika tjetër e blinduar do të zhvendoset për atje detyrimisht, domosdo me ekuipazhet përkatëse.
Vetëm me disa përllogaritje të thjeshta, del se Rusisë do t’i duhet të zhvendosë drejt Sirisë 100 komlekse artilerie, 300 të teknikës së rëndë të blinduar, 100 të aviacionit luftarak dhe 10 mijë ushtarakë. Një luftë me përmasa të tilla do t’i kushtojë buxhetit të Federatës Ruse rreth 2 miliardë dollarë në muaj. Në sfondin e ekonomisë në rënie, e shpenzimeve për Krimenë e okupuar dhe të një pjese të Donbasit (në tërësi rreth 30 miliardë dollarë në vit), e çmimit në rënie të naftës, e cila në vitin 2016, sipas parashikimeve të të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë, do të bjerë edhe me 10 dollarë, si edhe në sfondin e politikës së verbër brenda vendit, kjo aventurë siriane vlerësohet si një dëmtim i qëllimshëm i Federatës Ruse, me pikësynim shpërbërjen e vendit.
Në argumentim të këtij këndvështrimi, dëshiroj të sjell edhe një tjetër shembull: faktorin Elvira Nabiulina, që është kreu i bankës qëndrore të Federatës Ruse. Para pak kohësh, ajo mori medaljen, si kreu më i mirë i bankës qëndrore. Mjaft politologë dhe ekonomistë rusë e kanë vlerësuar një medalje të tillë si gozhdën e fundit në kapakun e arkëmortit të Federatës Ruse. Pse:
Ja ca dëshmi historike:
Në vitin 1990, Gorbaçovi mori Çmimin Nobel, kurse në vitin 1991 ai firmosi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1997, Çubajsi mori çmimin si ministri më i mirë i financave, kurse në vitin 1998 Federata Ruse shpalli falimentimin për shlyerjen e detyrimeve.
Në sfondin e këtyre fakteve, dekorimi i Nabiulinës nuk është shenjë e mirë.
Ndërkohë, pas marrjes së dekoratës, së shpejti ajo, ndoshta, nga gëzimi, do të vendos faktikisht sanksione po për bankat e veta brenda Rusisë, duke ua mbyllur shtegun për bilancet e llogarive të tyre.
Tani po nxjerr përfundimin e gjithçkaje që u shtjellua më lart, përfundim që nuk dallon shumë nga ato gjëra që pata parashtruar në artikujt e mi të mëparshëm:
Putini e katandisi veten në një gjendje pa rrugëdalje. Të këtij mendimi janë edhe shumë ekspertë, përfshirë këtu edhe ata që i mbajnë ison Kremlinit. Çdo hap që hedh Putini, çon drejt përkeqësimit të situatës. Siria këtë po e dëshmon më së miri. Siria po krijon një tension shtesë në marrdhëniet e Rusisë me NATO-n.
Incidentet në Turqi janë dëshmia më e qartë e këtij tensioni. NATO-ja për herë të parë që nga viti 2001, po zhvillon stërvitje me përmasa kaq të mëdhaja, duke i dëshmuar Rusisë se janë gati t’i përgjigjen çdolloj kërcënimi nga ana e saj. Po vazhdon zhvendosja e trupave të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt vendeve të Priballtikut. Janë intensifikuar stërvitjet e forcave të armatosura të Ukrainës dhe shkëmbimi i përvojës për zhvillimin e luftës kundër Rusisë.
Unë mund të bëj vetëm një parashikim afatgjatë. Sepse askush nuk është në gjendje të thotë se çfarë do të ndodhë në dy-tre muajt në vazhdim. Kurse një parashim mund të bëhet për zhvillimin e ngjarjeve që do të ndodhin gjatë një viti.
Unë mendoj kështu:
Përkeqësimi i situatës ekonomike në Rusi në fundin e vitit 2015, shtimi i humbjeve në armatim dhe në radhët e efektivave në Siri, vazhdimi i sanksioneve kundër Rusisë për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve për Ukrainën, provokacionet tepër të mundshme nga ana e Rusisë kundër vendeve të NATO-s, paketa e sanksioneve për këto provokacione, njëfarë përmirësimi i situatës ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2016 dhe mandej rënia e menjëhershme e sistemit bankar, paaftësitë teknike të shlyerjes së detyrimeve nga ana e rajoneve të Federatës Ruse gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2016, futja në Siri e një grupimi ushtarak prej 50-70 mijë trupash, rënia rekord e të ardhurave të qytetarëve, disfata përfundimtare në Donbas ku Ukraina do ta shfrytëzojë në favor të vet situatën e krijuar atje dhe do të zhvillojë një luftë rrufe, rënia e prodhimit deri në nivelin e vitëve ’90, rebelimet e para sociale me afrimin e fundit të vitit 2016 për shkak të situatës ekonomike në vend dhe të zgjedhjeve të falsifikuara, falimentimi i shumë kompanive të mëdha në fundin e vitit për shkak të pamundësisë për shlyerjen e borxheve të jashtme – të gjitha këto, të marra së bashku, do të shënojnë fillimin e shembjes së Federatës Ruse si shtet, çka do të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2017.
Largimi i Putinit nga posti i presidentit dhe zëvendësimi i krejt sistemit të qeverisjes shtetërore, mund ta shpëtojnë vendin, por ky variant është skajshmërisht pak i mundshëm. (Citohet sipas faqes së internetit “9tv.co.il/news”. 31 tetor 2015).