• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2 prilli, masakra e parashikuar dhe roli i kriminelëve të sigurimit

April 2, 2015 by dgreca

Nga Alfons Grishaj*/
Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi
2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.

Pllakati i kësaj ngjarjeje
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin
Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit
Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.
E hëngra nga Sigurimsi për herë të dytë dhe të fundit. I thashë Frrokut të ndryshonte emrin. Shikoni se si shokët e Gjekës nuk luftonin vetëm me pushkë, por dhe me dezinformim. Siç doli dhe më vonë në Parlamentin shqiptar, shkrimi im dhe i Rudolf Markut nuk ishin të saktë… Makina propagandistike e Sigurimit nuk ngurroi që, mbas këtyre vrasjeve të shkruante në muret e Shkodrës se, Arben Brocin e vrau Arbnori. Gënjeshtrat, sajimet, manipulimet, dezinformimet ishin shpeshherë një armë e fuqishme propagandistike në duart e mjeshtrave të Sigurimit. Por, kjo lojë e pabesë nuk eci tek shkodranët demokratë.

Martirët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
*Autori eshte kryetar I Deges se VATRES ne Michigan

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Masakra e 2 prillit, Sigurimi i Shtetit

2 PRILL 1991 – 2014…

April 1, 2014 by dgreca

Fotomontazh: Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç dhe Besnik Ceka, 21 vjeç/

KËSHTU  THA…  RAMIZ  ALIA: “VETËM N’ FUTA E DEGERMIA…   ZBUKUROHET SHQIPËRIA !”/

Nga  Fritz RADOVANI/Plot 23 vjet…Si sot kujtoj shkrehjet e armëve gjakatare të terroristëve komunistë, që para se me ngordhë, dita e ditës, po vajiseshin me gjak Rinije Shqiptare të pafajshme… Ishte një kujtesë për të gjithë “ata” që kishin “harrue” shprazjet e automatikëve në mëngjez heret në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…Ai mëngjez i bukur prilli, me atë diell aq të kandshëm, që porsa kishte fillue me ndriçue godinat e vjetra të Shkodrës, për pak minuta u terratis tue mbulue kokat e pesë Nanave Shkodrane përjetsisht me shejin e zisë, “degermijat” e mnershme, që për mbi 47 vjet mbulonin edhe muret e Rozafës…Një turmë e madhe qytetarësh shkodranë piskatnin në Fushën e Çelës të zemruem  n’ atë mbasdreke të 1 Prillit 1991: “Komunistët hajdutë na kanë vjedhë votat!”… E pa u errë ende, u nisën nga qendra e gjaksorëve, ku kurdiseshin arrestimet, vrasjet, torturat, e ku nuk pushonin një minut thurjet e tragjedive, që kishin mbizotnue psikologjinë e çdo njeriu që mund të harronte për një çast fjalën  marksist – leniniste të diktatorëve tanë: “Frikë”, të shkrueme që nga data 29 nandor 1944 ndër majat e maleve, ndër fushat e kooperativat bujqësore, ndër fermat e t’ interrnuemëve, ndër hymjet e fabrikave e deri tek dyert e të gjitha maternitetëve tona, ku çdo fëmijë, edhe para se të lindte, duhej të dridhej në barkun e nanës kur të ndigjonte fjalën “komunist”! Komiteti i PPSh ishte çerdhja e tyne!…

Në orët e vona aty shkoi edhe Kryetari i BSPSh së Shkodres Ferdinand Temali, e mbas pak kohe demostruesit u shpërndanë tue i urue njenitjetrit “natën e mirë!”…

Kur kemi shkue bashkë me Arben Borshin nga ora 21.30 nuk kemi gjetë njeri. Aty dukej sikur ka ra “heshtje”…, po e nesërmja në mëngjes tregoi se aty ishin sajue edhe vrasje të shëmtueme, që do të brengosnin Nanat Shqiptare… Në mbramje kishte ardhë nga Tirana edhe zv. Ministri i punëve të mbrendshme…dhe, bashkë me kryetarin e degës së mbrendshme të Shkodres Çapajev Taçin, shefin e policisë Dilaver Paparen dhe policin vrasës Gjekë Celin, kishin projektue mënyren e “sigurimit të komitetit PPSh”, me vendosje të forcave të rendit, snajpërve ndër godinat përrreth, sambistëve të droguem në të gjitha ato godina ku mendohej me krijue trazime dhe ku punohej për me realizue vrasje dhe terror.

Pikërisht në apartamentin mbas poliklinikës ishte edhe gjuejtësi i djaloshit të zgjedhun për “kurban”, studenti Arben Broci, që vetë Presidenti gjakatarë Ramiz Alia në takimin e organizuem me studentë në Pallatin e Brigadave i kishte vue shenjën e vrasjes.

Kur studentët e shkollës së mesme “Jordan Misja” ishin të ulun karrshi komitetit, në barin e lulishtës, dhe posa Arbeni, ka arrijtë aty nga rruga e qendres së qytetit… pa u afrue mirë tek studentët, asht ndigjue krizma e snajperit që e ka goditë mu në krahun e majtë, mbi kerdhokël, tue i shkaktue vdekjen në çast… ramja e tij në asfalt ka dhanë sinjalin, mbas të cilit u vranë Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç dhe u plagosen mbi 89 vetë, listen e të cilëve e kishte Ferdinand Temali. Dij se shpejtë ka vdekë edhe Artur Gila. Gjuejtja me snajper u ba nga godinat perreth sheshit…Dij se Arben Broci asht vra nga dritaria e apartamentit, pranë derës së Frano Preçit, që me ka tregue Ai vetë.

Frano, sa ka dëgjue të shtimet e para, ka dalë tek dera dhe ka gjetë 2 sampistë që gjuenin…

Kur urdhni i Presidentit ishte zbatue përpiknisht, dhe mbasi dhuna ishte prezent në çdo qoshe të qytetit, hipokriti i Shkodres, “bilbili i partisë”, kishte mendue me vue edhe maskën e tij si zakonisht veprojnë vrasësit, tue “nxi surratin në ikje mos me u njohë kush asht gjaksi” i dha flaken komitetit të partisë, tue u mundue me krijue idenë se “vrasjet erdhën pasojë e djegëjes së selisë së PPSh”…një trillim pa rezultat që u shue pa lindë… “tymi dhe bloza e arshivave të partisë komuniste nuk e mbuluen faqen e zezë të tij…derisa ngordhi!”.

Edhe pse u banë sa mbledhje në komitetin ekzekutiv të Shkodres, filluen greva, u ndalue puna e u mbyllen fabrika, erdhën nga Tirana hetuesë e prokurorë, jurist’ e spijunë, dhe u mendue me ua lanë “preshin” në dorë disa thasëve pa markë…Asnjëherë nuk asht arrijtë me u mendue “pafajsia” e organizatorëve të masakres së 2 Prillit 1991 në Shkodër!

Ajo ishte një veper tipike terroriste komuniste me të gjitha shfaqjet e mësheftësitë e veta që nga organizimi, realizimi dhe zvarrisja me zbulue të vërtetën, gja e cila nuk ka asnjë rasë që asht dënue në atë sistem përbindsh e tiran siç ishte komunizmi në Shqipni.

Të gjitha “misteret” janë vepra të diktaturës komuniste, të cilat mbulohen për aq kohë sa ai sistem barbar të sundojë mbi popullin e pambrojtun, ashtu si asht Populli Shqiptar, përderisa vrasësit, torturuesit, kriminelët dhe tiranët, jo vetem nuk dënohen për krimet që kanë krye dhe vazhdojnë me ba çdo ditë, por edhe qiten e priten ndër shtete që krenohen për “demokracinë dhe arritjet e saja” në vendet e tyne. Përderisa të mos vihen në bankën e të akuzuemve, por të lihen të lirë vrasësit e kriminelët e diktaturës komuniste shqiptare, që asht një nga ma tipiket e atij sistemi në botë, të gjitha idetë e lirisë dhe të demokracisë, nëse nuk janë përmbysë ende, s’ asht e largët koha e ringjalljes së diktaturës së pashpirtë! Koha po tregon se “ringjallja” po nxitet dhe po afrohet me “ringjalljen e diktatorëve” të pashpirtë.

2 Prilli 1991 në Shkoder asht vazhdë e krimeve që komunistët kanë krye ditën për diell e natën për hanë për 47 vjet pa ndërpremje. Që nga viti 1944 krimet e tyne janë legale, të njohuna dhe të jashtaligjëshme ashtu si ishte vetë organi i sigurimit të shtetit që zbatonte jashta të gjitha normave njerzore e juridike vendimet e partisë komuniste. Kriminelet e diktaturës 47 vjeçare vazhdojnë me kenë “heronjë”…Kuvendi Popullor asht dakord!

Shteti Shqiptar nëse vazhdon mos me dënue kriminelët apo “meritat” e njohuna zyrtarisht nga organet e paligjshme të diktaturës, tue fillue nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije k…siç asht thirrë nga turma në vorrimin e 17 vjeçarit Pllumb Pllumbaj, i vramë në kufi në korrikun e vitit 1990, domethanë se jo vetëm që Shteti sot pajtohet me ato krime të shëmtueme të komunizmit gjakatar, por edhe asht pasues i vepres së tyne.

Populli Shqiptar nuk duhet të heshtin dhe as të mendojnë se “armët e diktaturës” ndryshken vetvetiu, përderisa, ai të jenë pre e atyne armëve që për 70 vjet vazhdojnë me vra Bijtë e Atij Populli, që asnjëherë nuk ka pushue luftën e vet për Liri e Demokraci!

Demokracia asnjëherë nuk mund të ndërtohet mbi rrenojat e krimit e barbarizmit!

Melbourne, Prill 2014.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Masakra e 2 prillit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT