-Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e Marko Gjuriç, zyrtar i qeverisë së Serbisë/
PRISHTINË, 15 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës deklaroi se e konsideron të papranueshme sjelljen e Marko Gjuriç, udhëheqës i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën i cili hapur ka provokuar sot në veri institucionet e Kosovës dhe autoritetet e sigurisë. “Hyrja ilegale në Kosovë është kundër marrëveshjes për vizitat e ndërsjella të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të aprovohen apo ndalohen nga institucionet e të dyja shteteve të paktën 24 orë më herët. Kjo sjellje është kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”, thekson deklarata.MPJ bën të ditur se i ka nisur tashmë një notë proteste BE-së dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare për këtë sjellje të papranueshme të Gjuriç dhe ka koordinuar hapat e mëtejshëm me institucionet relevantë në Kosovë. “Kjo përpjekje e tij i cili u kontrabandua në Kosovë duke u maskuar në një autoambulancë flet për qasjen dëshpëruese që ka vendosur ta ndjek në karrierën politike”, përfundon deklarata.Shefi i Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u shfaq sot në inaugurimin e një pike ilegale karburantësh në veri të Kosovës, megjithëse kishte urdhër ndalese për të hyrë në Kosovë./b.j/