Nga Behlul Jashari/Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në Byronë e USAID-it, për Evropë dhe Euroazi, Thomas Rhodes, deklaroi sot gjatë një takimi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Fadil Ismajli, se “USAID do të vazhdojë mbështetjen e projekteve zhvillimore në Kosovë”. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në takim u vlerësua bashkëpunimi që kjo ministri ka me USAID-in, respektivisht në fushën e zhvillimit ekonomik siç janë projektet e efiçiencës së energjisë dhe termocentraleve. Ministri Ismajli prezantoi arritjet e deritanishme të MZHE-së dhe masat që janë ndërmarrë, që të ecet përpara me projektet energjetike si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa falënderoi USAID-in për mbështetjen që ka ofruar. Në takim u diskutua vazhdimi i bashkëpunimit mes MZHE –së dhe USAID-it duke financuar kështu projekte, të cilat ndikojnë në ekonominë e vendit, përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenien e qytetarëve.