-Sot u mblodh qeveria, nesër seanca e Kuvendit të Kosovës. Në pritje të riprocedimit të Gjykatës Speciale/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 29 Korrik 2015/- Qeveria e Kosovës është mblidhur sot, por nuk kishte ndonjë zhvillim të ri, pas paralajmërimeve për riprocedim të amendamentit kushtetues për Gjykatën Speciale, e cila nuk renditet ende as në axhendë të Kuvendit, i cili ka nesër sencë plenare.
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e 40-të, miratoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për bashkëpunim financiar me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.
Poashtu, u miratuan edhe tre nismat për lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunim kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë, Zvicrës si dhe Malit të Zi.
Qeverita kosovare miratoi edhe vendimin për aprovimin e projektit të dorëzuar nga Këshilli Britanik për ndarjen e mjeteve financiare për sigurimin e këshillave ligjore dhe shërbimeve të ndërlidhura të diplomacisë publike, për përgatitjen e dokumentacionit dhe proceduarave tjera përcjellëse për aplikim dhe anëtarësim si dhe mbarëvajtje të procesit të Stabilizim-Asociimit me BE-në, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në agjencitë tjera ndërkombëtare e njohjen nga shtetet tjera.
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, në bazë të aprovimit të Kuvendit, për finalizimin e punimeve në ndërtimin e tre shkollave të mesme në Prizren, Ferizaj dhe Podujevë.
Qeveria ka miratuar edhe koncept dokumentin për Profesionet e Rregulluara, ku përcaktohen kriteret për ushtrimin e disa profesioneve të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e interesit publik, të sigurisë publike dhe të shëndetit, duke respektuar parimin e shqyrtimit të pavarur dhe autonominë e profesionistëve, mbrojtjen dhe garantimin e standardeve për disa profesione të rëndësishme, në mënyrë që ushtrimi i tyre të bëhet prej personave të kualifikuar që plotësojnë kushtet dhe kriteret e parashikuara me legjislacionin në fuqi.
Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
E votuar në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, Qeveria e Kosovës për vitin 2015 ka paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
PROJEKTLIGJ PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA DHE ZYRËN E PROKURORIT TË SPECIALIZUAR
Një nga Projektligjet është ai për Gjykatën Speciale, gjegjësisht për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mledhjen ne Qeverisë së Kosovës në 19 qershor, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka bërë të ditur se Projektligji “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se, “përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”.
Ai ka vlerësuar se, një kontribut i madh i grupit kosovar të ekspertëve ka qenë heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtë në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.
“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Drejt riprocedimit të amendamentit për Gjykatën Speciale, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nëse janë siguruar dy të tretat e votave për miratim, pasi 5 nga numri i nevojshëm 80 mungonin në 26 qershor, kur opozita nuk mori pjesë e nga pozita 7 ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin kur u votua.
Për miratim ndryshimesh kushtetuese në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh duhet përfshirja edhe e dy të tretave të votave të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëroi riprocedim dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi pritet edhe ndonjë takim tjetër i tre partive opozitare kosovare.
Por, nga liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, PDK e LDK, është kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushimet e verës para riprocedimit nga qeveria dhe vendimit të Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale.
Në Kuvendin e Kosovës, u takua sot grupi parlamentar i PDK-së, e nesër pritet takimi i grupit parlamentar të LDK-së, partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, e më pas pritet që qeveria të riprocedojë amendamentin kushtetues drejt themelimit të Gjykatës Speciale.
Kryetari i PDK-së, njëherësh zv/kryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi deklaroi se takimi i sotëm i grupit parlamentar ka qenë i frytshëm dhe ka pajtueshmëri. “Sa i përket amendamenteve për Gjykatën Speciale, ishte rekomandim që gjatë javës së ardhshme të procedohet dhe të votohet. Kjo është në interesin e politikës së Kosovës dhe në interesin e Kuvendit dhe gjithë shoqërisë kosovare, dhe interesit të perspektivës euroatlantike dhe në vazhdimësisë së ndërtimit të partneritetit më BE-në dhe SHBA-në. Them se është në të interesin e të gjithëve që Gjykata Speciale të aprovohet”, theksoi Thaçi për median.
Ndërkohë, shtypi i sotëm kosovar shkruan se, “Bashkimi Evropian nuk i justifikon aspak vonesat e qeverisë dhe të Kuvendit sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale”.
“Qe një kohë të gjatë, çdo gjë ka qenë e gatshme për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit”, citohet një përgjigje e Zyrës së BE-së në Kosovë, ku shtohet se, “vonesat e mëtejshme nuk mund të justifikohen”.