Reali i Madridi është shpallur kampion i Europës për të 11-ën herë në histori. Në një finale dramatike, Ronaldo me shokë kanë thyer “kushërinjtë” e Atletikos duke iu falur “lotarisë” së 11-metërshave, pasi 90-të minutëshi dhe koha shtesë përfunduan me rezultatin 1-1. Skuadra e Zidanes ka fituar 5-3 me penallti, ku Huanfran gabon nga pika e bardhë dhe Kristiano Ronaldo shënon golin vendimtar.
Për Realin, realizuan Lukas Vaskez, Marselo, Bejl, Serxhio Ramos dhe në fund Ronaldo, ndërsa për Atletikon, Grizeman, Gabi e Saul u treguan të saktë, me përjashtim të Huanfran. Ka qenë një finale drithëruese, me emocione, gola dhe e paparashikueshme deri në fund të saj. Dy skuadrat nga Madridi kanë dhuruar spektakël, duke dëshmuar rëndësinë e një sfide të tillë si asnjëherë më parë. Ndeshja ka nisur e vrullshme, me Atletikon që ushtronte presion në fushën e Realit dhe me këta të fundit që kontrollonin lojën.
Takimi është zhbllokuar në minutën e 15-të me Serxhio Ramosin, i cili gjatë një goditjeje dënimi, arrin të prekë topin vetëm një metër larg portës, duke e dërguar atë në rrjetë. 1-0 për “merengesët”, të cilët tërhiqen pas golit dhe ia lënë çelësat e ndeshjes kundërshtarit. Pjesa e parë është mbyllur me fitoren e Realit, por fragmenti i dytë ka nisur me emocione. Atletiko ka pasur rastin të barazojë shifrat në minutën e 48′ me anë të Griezmanit nga pika e bardhë, por nuk ia del. Sulmuesi francez nuk arrin të shndërrojë në gol 11-metërshin e fituar nga Torres.
Teksa të gjithë prisnin rezultatin e barazimit, Griezman godet, por topi ndalet në traversë. Një tjetër “shuplakë” për Diego Simeonen, i cili nuk i beson syve. Minutat kalonin dhe Reali arriti disa herë të dalë në sulm, duke rrezikuar në fillim me Benzemanë dhe në minutën e 77-të mund të dyfishonte shifrat dhe të “hipotekonte” trofeun nëse Ronaldo do të ishte treguar i saktë para portës së Oblak. Por dy minuta më pas, bardhekuqtë, përmes një kundërsulmi arrijnë të barazojnë me Karrasko, i cili shërbehet nga e djathta nga Huanfran dhe me vështirësi shënon.
Në dhjetë minutat e mbetura skuadrat mendojnë më shumë të mbrohen dhe ndeshja shkon me shtesë dhe me 11-metërsha, ku Reali triumfon me rezultatin 5-3. Një sukses i rëndësishëm i një skuadre me yje, por që i mungoi kolektiviteti përballë një klase punëtorësh që u sakrifikuan deri në sekondën e fundit.