15 SHKURT 1909-2019- DIELLI I VATRËS NË SHBA MBUSHI 110 VJEÇ/
Të shtunën me 16 Shkurt, Vatra do të organizojë në Kryekishën e Shën Gjergjit në Boston një veprimtari të përbashkët me Bibliotekën Noliane për 110 Vjetorin e Gazetës”DIELLI”-/
Numri i pare i Gazetes “DIELLI”, 15 Shkurt 1909/
NGA DALIP GRECA-Editor I DIELLIT/
Sot është Ditëlindja e 110-të e Gazetës “Dielli”, e të vetmes Gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi.
Edhe pse ishte gazetë e një shoqate krahinore, programi i Diellit i kalonte kufijët e një shoqate dhe merrte përmasa kombëtare. Botimi i Programit të Dielli në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program publicistik të një përjavshmje mërgimtare, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. Studiuesit që janë marrë me studimin e atij programi janë në ndarë në pikpamjen se kush ishte autori që e kishte shkruar atë program; një pjesë këmbëngulin se autori ishte Fan S. Noli, dhje kjo s’ka pse vihet në diskutim-një pjesë tjetër kanë shprehë mendimin se atë program e ka shkruar Faik Konica, por studiuesit bashkohen në pikë të përbashkët, në vlerësimin dhe rëndësinë, duke e cilësuar si dokument historik që i parapriu Lëvizjes Kombëtare në SHBA. Vetë gazeta Dielli tek e komentonte programin e vet në numrin e 50 vjetorit, e cilësonte programin si program që I priu Pavarësisë së Shqipërisë, pavarësisht se në faqen e parë Dielli kërkonte Autonomi. Tek festonte 50 vjetorin gazeta e quante veten: “Dielli, ShkëmbiI patundur i Rilindjes Kombëtare”. Ndërsa editori më jetëgjatë i Diellit, për më shumë se dy dekada, Qerim Panariti, tek e komentonte në buletinin e 50 vjetorit të gazetës historinë e Diellit, shkruante: ”Programi i Diellit është një dokument hostorik; një trumbetë që ftonte emigrantët shqiptarë analfabetë të armatoseshinn dhe të shpëtonin vendin nga robëri e huaj…Autori i programit nuk i përtyp fjalët, ..S’është njeri memec. S’ka frikë. Nuk iu drodh dora kur e shkroi. Nuk iu tremb syri. Vuri në kartë ato që i ndjente zemra dhe shpirti i tij.”. Sipas Panaritit autor i këtij programi ishte “Fan S. Noli, njeri i lindur jashtë Shqipërisë, por që guxojë të kërkojë një Shqipëri për Shqiptarët”.
Një arsye tjetër se përse autor i programit dhe editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli(edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua derisa gazeta u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Diellit dhe numri i parë prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli.
Në numrin e vet të parë me 15 shkurt 1909, Dielli e shpallte publikisht:Kryefjala jonë është “SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT”. Në programin e vet Dielli kërkonte:Njohjen e kombësisë shqiptare prej qeverisë Turke. Në kombësinë Shqiptare hyjnë të gjithë ata që flasin shqip, pa vënë re çfare besimi, shkruante gazeta. Dielli kërkonte njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Shqipëri, në të gjithë hapsirën ku flitej gjuha shqipe Në gjykatoret dhe sundimoret e vendit të përdorej vetëm gjuha shqipe. As një gjykatës apo sundimtar që nuk e njeh gjuhën shqipe, nuk mund të punonte në këto institucione. E njëjta gjë vlente edhe për drjetuesit e feve.
Dielli kërkonte Arsim Kombëtar Shqiptar, shkolla për djem e për vajza vetëm në gjuhën shqipe. Mësuesit të mos ishin fetar, por të shkolluar në shkolla profesionale. Të merrej si model shkolla amerikane, ku nuk bëhen mësime fetare në shkollat fillore. Po ashtu kërkohej zhvillimi i arsimit profesional , shkolla bujqësore, mjeshtrijeetj. Programi i Diellit kërkonte zhvillim ekonomik Kombëtar,po ashtu kërkohej që të shkoqiteshin kufijtë e Shqipërisë. Në programin e vet me 15 Shkurt 1909, e shihet Shqipërinë autonome, që kishet të përbashkët me Turqinë vetëm ushtrinë, punët e luftës dhe punët e Jashtme. Gjithçka tjetër ishte në dorën e shqiptarëve.
Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan S Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo çkëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, veç ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit muntëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.
Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte ”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme, të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjeçarin.100 vjeçarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e Neë York-ut, në Monroe College. Sot DIELLIT I festojmë Ditëlindjen e 110-të.
Dielli është cilësuar si një “Kandil kombëtar” që u ndez me 15 Shkurt 1909 dhe është mbajtë ndezë deri më sot. 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.
Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Bahri Omari(1916-1919), Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Bilal Xhaferri, Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 10 vitesh Dielli drejtohet nga Editori I sotshëm, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në Online, ndërkohë që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.
Gazeta Dielli u themelua prej Shoqerise Besa-Besen me 15 Shkurt, 1909, si fletore e perjavshme. Me 11 Mars, 1913, pasi Shoqeria Besa-Besen u-tret( lexo: bashkua) ne Vatren dhe Dielli u-be proprietet i Federates, nisi te dale dy here ne jave. Me 18 Nentor,1914 nisi te dale tri here ne jave. Me 9 Nentor, 1915, nisi te dale e perditshme.
Koleksioni I gazetës prej 15 Shkurtit 1909 e deri më sot dëshmon se ai u drejtua nga këta redaktorë : I Per. At Fan Noli qe me 15 Shkurt, 1909, gjer me Tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konitza qe me Tetor 22, 1909, gjer me 18 Mars, 1910. Komisioni i Shoqerise Vatra e drejtoj Diellin pa redaktor qe me 25 Mars gjer me 29 Prill, 1910. Faik Be Konitza qe me 6 Maj, gjer me 1 Korrik, 1910. Dielli pushoj se botuari qe me 1 Korrik gjer me Tetor 1910. I Per. At Fan Noli qe me 7 Tetor, 1910 gjer me 7 Korrik, 1911. Z. Efthim Natsi qe me Korrik 13 gjer me Shtator 14, 1911. Z. Kristo Floqi qe me 21 Shtator, 1911, gjer 18 Korrik, 1912. Z. Faik Be Konitza qe me 1 Gusht, 1912 gjer me 8 Korrik, 1913, po ne Janar te ketij moti Faik Beu shkoj ne Evrope dhe barra e redaksise qe ahere I mbeti me teper Z.-it Efthim Natsi. Z. Kristo Dako qe me 11 Korrik gjer me 26 Gusht, 1913. Z. Paskal Aleksi qe me Gusht 29, 1913 gjer me 13 Shkurt, 1914. Z. Denis Kamburi qe me 17 Shkurt gjer me 14 Kristo Kirika, 1914. Z. Efthim Natsi qe me 10 Korrik, gjer me 6 Nentor, 1914. Z.Koste Çekrezi qe 10 Nentor 1914 gjer me 20 Dhjtor 1915. I Per. At Fan Noli qe me 21 Dhjetor gjer 6 Korrik 1916. Z. Bahri Omari qe me 7 Korrik e gjer me 1919, më pas do të rikthehej sërish Kostë Çekrezi, për t’ia lënë vendin me radhë: Andon Frashërit, Aqile Tasit, Refat R. Gurrazezit, Nelo Drizarit,(parallel tek Dielli I Detroitit Refat Gurrazezi), Peter Tyko, Qerim Panariti,Peter R. Prifti(Co Editor) Bilal Xhaferri(Co Editor), Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu, Arshi Pipa, Anton Çefa(1994—2009), Dalip Greca( nga 2009). Dielli prej një viti ka edhe editor për Gjuhën angleze, gazetaren Rafaela Prifti.
Në jetëgjatësinë e Diellit kanë meritën e tyre edhe menaxherët e gazetës.
I pari manager i Diellit ishte Z. George Konda Gjoleka qe kur u-themelua gazeta gjer me 5 MAj, 1911. Z. Lambi Çikozi qe me 12 Maj, 1911 gjer me 25 Prill, 1912. Z.Kristo Kirka qe me 9 Maj 1912, gjer me 20 Maj, 1913. Z.Lambi Çikozi qe me 23 Maj gjer me 8 Korrik 1913. Z.Kristo Dako qe me 11 gjer me 22 Korrik, 1913. Z.Hamid Lumi qe me 25 Korrik, gjer me 26 Gusht, 1913. Z.Vangjel Gjika qe me 29 Gusht, 1913, gjer me 8 Maj, 1914. Z. Dennis Kamburi qe me 12 MAj, gjer me 3 Korrik, 1914. Z.Loni Kristo qe me 7 Korrik, 1914, gjer me 7 Korrik, 1915. Z.Muke Permeti qe me 9 Korrik, 1915, gjer me 21 Prill, 1917. Z.Akif Permeti qe me 16 Korrik 1917 deri me 1920. Më pas rolin e menaxherëve e kanë luajtur kryetarët e Vatrës.
Gazeta ”Dielli” mbetet regjistri më i vjetër i Shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e pashkolluar të Amerikës dhe mbajti ndezur idealet Kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe Kulturën Kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kombit Shqiptar. Dielli është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin “Common Council For American Unite”, ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50.Editor ishte Qerim Panariti.
Dielli ka merita të mëdha edhe në fushën e Letërsisë dhe Kritikës Letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta”Dielli” mbetet zëdhënsja dhe misionarja më e respektuar dhe më e çmuar e shqiptarizmit në SHBA.
Dielli u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt Atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj Atdheut.Diktatura komuniste u përpoq ta shuante Diellin, por nuk ia arriti, edhe pse i pushkatori apo i burgosi disa nga editoret dhe menaxheret e saj si: Bahri Omari, Kristo Floqi, Kristo Kirka, Aqif Përmeti, Aqile Tasi e të tjerë.
Vatra dhe Gazeat e saj “Dielli” përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja Kombëtare. Kanë thënë shpesh se Dielli dhe Vatra do të shuheshin, por jo, ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekulline dytë.Jetëgjatësia e Vatrës dhe e Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm.Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë.
Nesër, e Shtunë 16 Shkurt 2019, Vatra do të udhëtojë drejt Bostonit për të organizuar një veprimtari të përbashkët me Kryekishën e Shëngjergjit dhe bibliotekën Noliane kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli. Mikpritësit janë i përndershmi Kryekancelar At Arthur Liolin dhe drejtoresha e Bibliotekës Noliane Neka Doko.