Nga Ilir Levonja/
1)Një shqiptar me emrin Miron Çako pranë kishës ortodokse gjysmë shqiptare. Kishës sonë internacionale…, ka bërë një listë të gjatë. Të mirash materiale. Në gazetën Tema të ditës së sotshme, 8 prill 2015. Që na ka bërë miku. Mbi themelet e shtëpisë së rrëzuar ngriti shtëpinë e re. I vuri çatinë, dyer e dritare. E leu me bojë, e mobiloi etj. Dritë na i bëri. Mirëpo tani ky miku me çelësat e shtëpisë na thotë atë që, unë jam i zoti i shtëpisë. Dhe ky shqiptari i mire, që ia di për nder mikut. Na mbush mendjen edhe ne vëllezërve që t’ia lëm shtëpinë mikut. Ta bëjmë mikun zotin tonë. Kush po pyet për të vdekurit tanë, martirët e kishës tonë. Rëndësi ka miku që u bë zot.
Dhe ky i zoti i shtëpisë, mirëbërsi. Mbeti duke u grindur me profesorë e intelektualë. Me burrat e brishtë të shtetit tonë të brishtë. Me artistë që ishin kombëtar dhe u bën eksperimental. Me Jezusin kombëtar Kadri Roshi, që u bë Jezusi eksperimental. Me këngëtarë tallavash apo modern me djallin në brinjë. Mbeti duke nëmur një prift shqiptar. Që mëkon në shqip. Që mbrun baltën me duar e po ndërton kasha, po me baltën tonë. Që na flet shqip, që na qan shqip. Që na pret e na përcjell shqip. Pra, ky i zoti i ri shtëpisë…, mbeti duke u zënë me grigjën e vet të huaj.
Shkurt na e shpifi.
2)O shqiptar i mire Miron. Thua e ringriti. Shumë mire bëri. Të marri edhe të parashtesën (ri) . Ne disponojmë instucione falenderimi. Tituj nderi me shumicë. Jemi kampionë të ceremonive. Mund t’i japim edhe një pashaportë. Edhe pse në Greqi shqiptari është vëllai i mortjes. I duhet vetëm ta ëndërrojë atë libërth që mbahet me gishtin e vogël. Ia servirim me kuti mandoje të kuqe. Pra ta marri (ri)-në dhe të na lëjë ngrehinën. Ndihma është, analogji e dorës që ia japim të dobtit të çapitet. Që ia japim zogut të fluturojë. Eshtë analogji e rrotës, që ia vendosim ngrehinës sonë. Qoftë edhe një qerre . Pra rrotat jo buajt. O shqiptar vëlla, që më dhimbsesh. Me pa dije të pjesshme. Krishti nuk foli në greqisht. Greqishtja nuk është gjuha e të ndriturit Jezusit. Akoma nuk e di se fëmijët tanë flasin nga tri dhe katër gjuhë. O shqiptar i dashur. O vëlla që na gjykon si armiq. Edhe ne duam t’i flasim në shqip hallet tona. T’ia themi babait tone shqiptar. Nuk qahet dhimbja në gjuhën e huaj. Sado tambushësh fytyrën me lot. Na përmend me krenari sinodin, gjysmë shqiptar. Sinodi ynë internacional. Na përmend numrin e veprave. A thua me numër, e sasi veprash bëhet grigja. Apo me besim prej gjakut tend, prej mishit tend? Athua blihet kështu besimi. Apo respekti për fort të ndriturin, të përndriturin, që nuk guxon të përmendi dëshmorët shqiptarë të ortodoksisë sonë. Që trajton genocidin çam si politikan, jo si njëri I perëndisë. Si fortlumturi. Që nuk thotë gjysmë fjale për të drejtat e shqiptarëve në Greqi. Që rrojnë në katet e nëndheshme…, në garsonierë. Pa letra, pa asnjë siguracion. Që diskriminohen. Që nuk kanë të drejtën të prekin flamurin grek. Edhe pse kanë lindur aty. Pse shkollohen.
3)O shqiptar mirë që lexon vetëm fortlumturinë. Para disa ditësh, gazeta Dielli botoi fjalën e gjallë të një peshkopi shqiptar me emrin Fan Noli. Unë po ta sjell ashtu si e tha ai. Që të kuptojmë se me altare të xhamta mund të blesh njerëz, por jo besimin. Që të kuptosh se ka ardhur dita që edhe ti, t’i thuash faleminderit hirësisë. Por ka ardhur koha të na lëri çelsat. Ja çfarë thotë Noli ynë. ”E vërteta është se në të kaluarën Ortodoksët e Shqipërisë kanë qenë nën juridiksionin e Patriarkut të Stambollit, por më 1936, kur ai njohu Kishën Shqiptare si autoqefale, ky juridiksion mori fund. Që nga ai vit Patriakana s’ka asnjë të drejtë kanonike të ndërhyjë në çështjet e Kishës Ortodokse Shqiptare kudo qofshin ata. Për pasojë ai ka kryer një akt jo kanonik kur caktoi Mark Lipen si Kryepeshkop për Ortodoksët Shqiptarë në Amerikë. Edhe përpara këtij akti, qysh më 1950, Patriku shkeli rregullat kanonike qysh kur lejoi Mark Lipen të bëhej në mënyrë të rrufeshme dhjak, prift dhe Kryepeshkop brenda gjashtë muajsh. Kanuni I i Këshillit Ekumenik VII të Nikesë, Kanuni X i Këshillit të Sardës, Kanuni XVI i Këshillit të Parë dhe të Dytë të Konstantinopolit kërkojnë respektimin e rregullit se askush nuk mund të dorëzohet Peshkop pa patur shkollë dhe pa një periudhë të gjatë shërbimi si dhjak e prift. Konsakrimi i Lipes si Kryepeshkop pa përgatitjen e duhur është po aq qesharak sa edhe të prezantosh doktor me gradë shkencore një njeri që ka kryer vetëm gjashtë muaj shkollë mjeksore”. (Dielli, 5 prill 2015)
Ky rast që demaskon Noli, vite më parë, i dashur Miron është një nga ato soj pykat e vazhdueshme. Një pykë që ne e kemi të ngulur në trupin tone. Dhe që i ngjan rastit Janullatos. Edhe për shkakun e këmbimit të dashurisë ndaj zotit me të mira materiale.