Nga Rafael Floqi/Kryeredaktor i TV te shqiptarëve të Amerikës/
Gëzuar miq ditëlindjen tonë të përbashkët!/
TV Shqiptarëve të Amerikës, me 20 maj 2014 mbushi 14 vjet në transmetim, duke hyrë kështu në vitin e 15-të. Këto janë vite përpjekjesh, suksesesh, vështirësish, netësh pa gjumë, por edhe mirënjohjeje e vlerësimi për punën që ALBTVUSA ka bërë në shërbim të komunitetit të shqiptarëve në Amerikë në Miçigan e më gjerë.
TV i Shqiptarëve të Amerikës u hap në një kohë kur ekzistonte një hapësirë mediatike për të mbuluar në komunitetin e emigranteve dhe ndihej nevoja për media që të pasqyronin më gjerësisht dhe më nga afër jetën e komunitetit shqiptar. Ne synuam që të bëheshim të tillë guxuam, dhe më duket se ia kemi arritur asaj. Falë këmbënguljes, përkushtimit, talentit, guximit , si të drejtorit Gani Vila, por ashtu edhe te gjithë stafit të gazetarëve, redaktorëve, kameramanëve e teknikëve si: Gjovalin Kacorri, Valentina Vila, Astrit Kallabaqi, Ilir Myftari, Manol Xhafa , etj. dhe të korrespondentëve të shumtë në SHBA, Shqipëri dhe në trojet shqiptare.
I lançuar si TV i Shqiptarëve të Miçiganit, në fillim ai e gjeti rrugën e vet në vite me vështirësi që vinin nga mungesa e një përvoje në fushën e medias dhe te teknologjisë televizive, dhe tok me kapërcimin e vështirësive, u zgjerua dhe përvoja dhe puna në këtë, TV, ku unë punoj prej 10 vjetësh. Pjesë e strategjisë së suksesshme të rritjes sonë është dhe mbajtja e lidhjeve të drejtpërdrejta me publikun, ku telefoni i ynë është I hapur për këdo, për vërejtje dhe sugjerime, dhe ju sigurojmë se ato konstruktivet gjithmonë i kemi marrë parasysh.
Nuk është vetëm krenari por edhe realitet që TV shqiptareve te Amerikës është Televizioni i parë dhe i vetmi me këtë kohë dhe shtrirje transmetimi, jo vetëm ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës por në gjithë boten shqiptare në emigracion. Ne kemi dy orë transmetim në ditë ne Prime time në rrjetin e mirënjohur kabllor, Comcast në të gjithë shtetin e Miçiganit, dhe 24 ore live në mbarë boten me platformat TV over IP në paketat ShqipTV, dhe TV ALB te cilat transmetohen 24 ore rresht edhe si video stream edhe ne websajtin tonë www.ALBTVUSA.com. Gjithashtu ne kemi një kanal mjaft të ndjekur me disa qindra video në Youtube.
Vitet qe kaluam përbënin një hop të zhvillimeve të mëdha teknike televizive dhe ne kemi ecur gjithnjë me teknikën pararojë duke kemi kaluar nga kaseta tek prodhimet ne High Definition, nga montazhi me video tek mixerët moderne, nga filmimet nw natyrw, tek një studio moderne mjaft produktive me pre dhe post produktion dhe live broadcasting.
TV i ynë është në shërbim të të gjithë shqiptarëve, pa dallime politike fetare e krahinore ne gjuhën tone të ëmbël shqipe, prandaj edhe ne e ndjemë të nevojshme që t’ia ndërronim emrin në TV e Shqiptarëve të Amerikës, pasi jemi gjithëpërfshirës, apolitik dhe mbarëkombëtar. Në ndryshim nga mediat në Shqipëri që i shërbejnë partive politike dhe interesave te bizneseve te caktuara, partia e TV të Shqiptarëve të Amerikës është Atdheu, i plotë, natyror, etnik, quheni si te doni, ndaj jo më kot i kemi hequr nga sigla jonë fundore edhe kufijtë që na i imponuan të tjerët. Shqiptaret vetëm në hartë kanë kufij dhe aq më tepër, diaspora që është gjitha e shkrirë në një. Ne ruajmë raporte të ngushta me përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me institucionet e shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
TV i ynë edhe pse tani për tani vetëm 2 ore në rrjetin e shtrenjtë kabllor, Comcast në orar të përzgjedhur dhe më të shtrenjtë (Prime Time 8-10), ka një strukture të plotë programore. Në programin tone gjejnë vend sa interesat e të moshuarve aq dhe të rinjve, sa të gjyshërve aq dhe fëmijëve, sa të studentëve aq edhe të grave, me traget dhe me programe te posaçme për ta me gjithë limitimin e shtrirjes kohore.
Ne jemi te kudondodhur me ju për ju, duke paraqitur çdo veprimtari te komunitetit aq sa jemi bere pjese e pandare e tij sepse komuniteti ynë është sa aktori aq dhe spektatori i programeve tona. Ne ruajmë marrëdhënie shumë të mira dhe te drejtpërdrejta me publikun, ç’ ka e bën këtë një TV të veçantë ne llojin e vet.
Ruajtja e lidhjeve me komunitetin lidhet dhe me marrëdhëniet e sinqerta me institucionet Ne i kemi shërbyer të gjithave komuniteteve fetare falas e pa dallim qe kur jemi krijuar duke filluar nga kisha Ortodokse e Shën Thomait, Xhamia e Qendrës Islamike, Teqeja bektashiane të Baba Rexhepit, Kisha katolike të Zojës Pajtore dhe ajo e Shën Palit. Për këtë dhe për shumë veprimtari ndiejmë se jemi të besueshëm dhe njerëzit na duan, duke na besuar madje, deri bamirësinë e tyre. Rastet e shumta kur jemi bërë zëdhënës dhe dorëzanë të ndihmës ndaj njerëzve në nevojë kemi arritur të mbledhim edhe 50 mijë dollarë për të shpëtuar jetën e një djaloshi të sëmurë me dializë në Shqipëri. Fryma e bamirësisë buron nga vetë identifikimi me modelin e nënës së madhe, Nënës Terezë, një pikturë origjinale të së cilës e kemi në studio.
Ne teorinë e gazetarisë thuhet, se nuk përbën lajm kur një qen kafshon një njeri, por anasjelltas. Për TV tonë sensacioni nuk është kryesorja , por pozitivja e mira arritjet e vetë komunitetit. Mund të duket më pak tërheqëse por i shërben më mirë komunitetit dhe rolit dhe rëndësisë së mediave të komunitetit .
Mund ta shpjegojmë më në hollësi këtë dukuri. Kur kompania Comcast bleu AT & T Broadband në vitin 2002 , ajo mori kontrollin edhe mbi një e tretës të rrjetit kabllor ( më shumë se 21 milion shtëpi ) . Gati dy herë madhësinë e rivales së saj Time Warner Cable. Comcast Corporation është rritur tani nga një sistem të vetëm kabllor në një nga kompanitë më të mëdha në botë të komunikimit dhe sot është e fokusuar në shërbimet kabllore broadband , marketing dhe natyrisht, në përmbajtje . Por çfarë është modeli i ” qasjes publike ” të TV ? Ideja filloi në vitet 70-të , si një lëvizje kombëtare, si kompensim i pjesshëm për komunitetin për përdorimin e mediave në mënyrë të drejtë – e – publike . Ky kompensim është projektuar për të siguruar qasje në media për të gjithë popullsinë , jo vetëm ato të cilat shfrytëzojnë mediat në pronësi të kompanive kabllore .
Në një numër të mërsit të Huffington Post , Tracy Rosenberg shkruante dhe e shpjegonte kështu rëndësinë e mediave komunitetit : ” Qeshë një natë duke ndërruar kanalet me një mikeshë vonë një natë . Kur papritur ajo bërtiti ” kjo është flokëndreqësja ime ” . Doli flokndreqësja e saj ishte një aktiviste kundër pesticideve dhe në kohën e saj të lirë dhe organizonte një program mbi rreziqet e produkteve të zakonshme shtëpiake . Ne nuk ishim në kërkim të informacioneve mbi helmet në kozmetikë . Ne filluam ta shikonim, sepse ne e njihnim këtë person . Dhe ne qëndruam duke shikuar , sepse mësuam diçka : rreth subjektit dhe për dikë që banonte në lagjen tonë . Kjo është rëndësia e mediave komunitetit : afërsia që sjell çështjet dhe njerëzit së bashku që ndoshta kurrë zakonisht mund të përplasen në njëri-tjetrin edhe pse ata jetojnë krah për krah . Sa herë që kjo ndodh, është një mrekulli e vogël. “
Sa e vërtetë është kjo për një komunitet aq më i rëndësishëm është për një bashkësi nacionale. Një koleg i im amerikan, në kompaninë e kompjuterëve. HP ku punoj, (TV është punë part time, si çdo emigrant që kam fat që e kam që më i shërben sa mua si me profesion gazetar të plotësoj nevojën time për të qenë në media), duke bërë zipping më kishte parë mua në kanalin 90-të në Comcast kishte bërtitur” ky është ai burri që punon me mua” dhe e kishte ndjekur gjithë emisionin edhe pse nuk dinte asnjë fjalë shqip, dhe të nesërmen gati sa më kërkoi autograf, ndërsa mua me vinte për të qeshur.
Por a është ekzistenca e një televizion kombëtar në diasporë e rrezikuar nga integrimi, tani gjallon pasi diaspora shqiptare është e re. Rreziku ekziston, një berber im italian i moshuar më thoshte, jo pa dhimbje, kur mësoi që punoja për një TV lokal shqiptar, “dhe ne kishim një emision të tillë dikur, por tani pleqtë po ikin, dhe të rinjtë nuk çajnë kokën për të.” Mos qoftë e thënë… Rruga që një diasporë të mos humbasë në kushtet e integrimit është të jetë aktive në ruajtjen e identitetit duke e konsideruar edhe integrimin dhe konservimin vlerë. Kjo është strategjia fituese edhe për punën, me një televizion të tillë si ky i yni, që me intuitën e tij ka ditur ta kultivojë dhe zhvillojë drejtori i TV tonë Gani Vila.
Sot falë teknologjive të reja ju mund të shihni në shtëpitë tuaja kanalet shqiptare, ato sjellin tek ju vendlindjen, por atë që s’mund ta gjeni në ato TV edhe shumë me te pasura e të mëdha është fytyra e vërtetë e diasporës, Ne krahas ngjarjeve në Shqipëri, Kosovë Maqedoni e në Malësi e me gjerë, por ne ju sjellim atë që se gjeni askund, portretin, jetën dhe vitalitetin e komunitetit.
Sidomos në edicionet e lajmeve me të cilat merrem veçanërisht , përcaktimi i cakut të interesave dhe i mbulimit është i ndryshëm nga çdo edicion informativ kombëtar, pasi zbatohet parimi i rretheve koncentrikë në mbulim nga sa më afër deri sa më larg. Pra komuniteti vjen i pari pastaj lajmet e rëndësishme nga trojet tona , duke mos harruar Malësinë, pasi përqendrimi i shqiptarëve nga Mali i Zi është i konsiderueshëm në Michigan.
Dëshmi e rritjes sonë është jo vetëm cilësia, sasia por edhe larmia e prodhimeve tona, nga intervistat, tek talk show, nga edicionet e lajmeve,(R.Floqi, V.Vila” tek “Argument”(R.Floqi) nga “Thank You” e “Dhimbje lot e shpresë” (G.Vila) nga “Debat” ,tek ”Univers” Gj.Kacorri, nga Kombi Ynë tek “Këndi i emigrantit (R.Floqi), nga Rubrika Speciale (R.Floqi, Gj Kacorri) deri tek Emisionet sportive (A. Kallabaqi)e gjer tek Hitparada, duke krijuar kështu fizionominë tonë të veçantë, për aq sa ta lejon mundësia ekonomike edhe vetë jeta në emigracion. E gjithë kjo punë me një staf të vogël, pasi kaq janë mundësitë. Gjatë një dite pune mua më takon të bëj intervista, të shkruaj një skenar dhe të rregulloj kompjuterët e të përgatis reklamat , Ganiut, dhe pse drejtor, të menaxhojë, të intervistojë, të shkruajë dhe madje te editojë vetë videot, Valentina te editojë dhe të lexojë lajmet, Gjovalini të japë mendime dhe te drejtoje emisione, Iliri te merret sa me editimin, grafikë, sigla, reklama aq me kamera, Manoli të editojë dhe të xhirojë etj, etj ….
“Jo me larg se të dielën në 60 -vjetorin e Teqesë te Baba Rexhepit një bashkatdhetar nga Saranda T. Bazaj më fliste me përkushtim, duke e quajtur jo pa të drejtë punën e televizionit tonë një kontribut patriotik, pasi e kish ndjekur TV tonë në Youtube. Ai e kuptonte ,se çfarë rëndësie kishte informacioni për ruajtjen e fizionomisë së komunitetit, kur bënte krahasime edhe me jetën e emigracionit shqiptar në Greqi.
Kjo frymë përkushtimi na ka bërë të ecim dhe avancojmë në të gjithë punën tonë duke krijuar dokumentarë origjinalë për personalitete të diasporës e deri tek ciklet e plota dokumentare si “ Malësia pëllëmbë e thesar “,që përbën trajtimin me te gjere dhe te plotë të bërë ndonjëherë për atë trevë. Atë që e bëmë me krahinën e Malësisë do të synojmë të bëjmë me zona te tjera shqiptare, brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë.
Por ne për arsyet që përmendëm më sipër më shumë do të ngulmojmë në paraqitjen e jetës së vetë komunitetit. Deri tani kemi arritur që të mbulojmë të gjithë aktivitete e komunitetit brenda Miçiganit dhe me kryesoret ne New York. Do të synojmë edhe duke u bazuar në teknologjitë e reja të komunikimit në masë që të mbulojmë edhe eventet dhe aktivitetet e shqiptarëve në shtete te tjera, kjo nëpërmjet shfrytëzimit të rrjeteve sociale dhe te korrespondentëve vullnetare. Duke përdorur Facebook-un, You tube edhe Skype. Në mirëpresim çdo person që na ofrohet në këtë drejtim.
Duke i shërbyer te gjithë shqiptarëve, ne i shërbejmë komunitetit edhe në një drejtim tjetër. Me reklamat e biznesit shqiptar ALBTVUSA.com ne i japim frymëmarrje atij dhe i zgjerojmë klientelën, ndaj edhe bizneset edhe sot vazhdojnë e reklamojnë, pasi kjo është rruga më e sigurt për te pasur një biznes më të mirë në komunitet. Ne biznes ka rendësi të jesh gjithnjë i pranishëm, televizioni ynë ua ka krijuar 0 këtë mundësi të gjithëve pa dallim. Për rëndësinë e reklamës flet kjo thënie e njohur e Henry Fordit , “si pula dhe rosa bëjnë vezë mjaft të shijshme, por me që pula bën zhurmë e kakaris, vezët e saj parapëlqehen”.
Për të kuptuar se zhvillimi i TV shqiptar te Amerikës me qendër ne Miçigan është dëshmi sa e pasionit dhe punës mjafton ta krahasoni atë me TV simotra te diasporës. Ne iu urojmë sukses të gjithëve dhe i ftojmë nëse kanë dëshirë të krijojmë një network të të gjitha TV shqiptare të diasporës, që do të mbulonte më mirë ngjarjet në të gjithë Amerikën. Ne megjithatë më shumë na bën krenarë si dëshmi me te mire për punën e bere sa kur vetë ju telespektatorë na falënderoni dhe thoni “ Na kënaqët”.
Vitin e kaluar ne patëm edhe një vështirësi qe na erdhi nga moti, pasi një tubacion i ujit që plasi nga të ftohtët dëmtoi studion dhe pajisjet dhe na krijoi vështirësi teknike. Por çdo e keqe ka dhe një të mirë Ajo na hapi edhe mundësi për t’u rinovuar me vështirësi ekonomike por gjithnjë me suportin e bizneseve shqiptare, të cilat gjejnë tek TV ynë, një mundësi për të qenë afër klientëve të tyre që në radhë të parë jeni ju telespektatorët tonë. Kështu falë edhe ndihmës bujare të komunitetit që asnjëherë nuk ka munguar ne patëm mundësi t’i rikuperojmë humbjet e ta rindërtojmë studion dhe të investojmë në drejtim te avancimit teknik. Së shpejti do të transmetojmë drejtpërdrejt në Comcast qe do te beje te kemi emisione të drejtpërdrejta.
TV shqiptar i Amerikës hyn në vitin e 15 -të dhe ne së bashku me ju me gjithë arritjet dhe mangësitë shohim gjithnjë para, pasi vete jete ecën para, vetë komuniteti ecën para dhe ne e ndiejmë se duhet ta paraprijmë atë. TV shqiptar i Amerikës ka vizion dhe platforme te qarte kombëtare dhe ne ruajmë dhe sjellim dashuri mirënjohje, bashkëpunim, mirëkuptim e bashkim vlerash dhe energji dhe pune në dobi të çështjes kombëtare, duke zbatuar porosinë e presidentit J.F Kenedi,”Mos pyetni çka ka bërë atdheu për ju, por ju për Atdheun:
Gëzuar 14 vjetorin miq, gëzuar së bashku, pasi ne e dimë se jeni ju pa jemi dhe ne.