• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serbia të mos i fsheh helmimet e vitit 1990 në Kosovë!

August 2, 2013 by dgreca

Intervistë e posaçme me Dr. Besnik Bardhin, mjek (otorinolaringolog), veprimtar, politikan dhe shkrimtar (publicist) shqiptar./

NEW YORK – GJAKOVE : Lufta për liri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, një nga ngjarjet më historike të kombit shqiptarë, nxorri në pah shqiptarët, që luftuan, punuan dhe ndihmuan në këtë fitore historike. Njëri prej tyre me një kontribut të paçmuar në Gjakovë është edhe Dr. Besnik Bardhi, i cili është mjek (otorinolaringolog), veprimtar, politikan dhe shkrimtar (publicist) shqiptar.

Njëherit, dhe autorë i Librit “Agoni e Shpresa” një libër ky me kontribut të madh në deshmitë për ndriçimin e helmimeve masive në Kosovë. “Aty, mes tjerash, ka shumë  materiale  të  cilat  dëshmojnë me forcën e argumentit  vërtetësinë  e  helmimeve  të  rinisë  shqiptare  në  Kosovë, në pranverën e vitit 1990 të kryer nga sigurimi shtetëror serb!” thotë në këtë intervistë të posaçme me gazetën kombëtare Bota Sot, Dr. Besnik Bardhi

Në këtë libër, thotë në intervistën e tij Dr.Bardhi, me gazetarin tonë në New York, Beqir Sina, se ai ka publikuar artikuj të ndryshëm nëpër gazetat e ndryshme të huaja dhe shqiptare, për të sensabilizuar këtë çështje me qëllim që çështja e shqiptarëve të Kosovës, të internacionalizohej sa më shpejt.

Dr. Besnik Bardhi, është martuar në vitin 1991 me Shqipe Dolin. Çifti gjakovar kanë dy vajza dhe një djalë.  Fëmijët e tyre ata i konsiderojnë si dhuratë nga Zoti, sepse ata lindën pas shumë peripecive dhe dështimeve të njëpasnjëshme gjatë tetë viteve me radhë. Ata krenohen me Medlinën, Betimin dhe Poemën. Bardhi pagëzoj vajzën e parë të tij me emrin e Sekretares së Shtetit Amerikan Medelinë Ollbright, në shenjë mirënjohje, respekti dhe dashurie për ndihmen e pakursyer amerikane për Kosovën dhe popullin e saj në luftën e vitit 1999. Takimi i parë i familjes Bardhi dhe Sekretares Ollbright u realizua me 4 korrik 2005 në Prishtinë.

Ai njihet si një Filantrop, teksa më 12 mars, 2005, Bardhi nga buxheti familjar, ndau publikisht ndihmë në të holla për 33 familje të dëshmorëve, invalidë të luftës dhe skamnorë tjerë të komunës së Gjakovës. Me 10 mars, 2009, Bardhi i dhuroj të gjitha pagat si këshilltar komunal, për shërimin dhe operimin e një fëmije të verbër dy vjeçar.

Dr.Bardhi është njohës i gjuhës angleze, kroate dhe polake. Pasioni i tij është fotografia dhe kamera filmike, njihet si një ndër foto–kino amatorët më të vjetër në Kosovë dhe përdorë internetin që nga viti 1996.

Më 2 shtator 2011, në BKUK në Prishtinë, Dr. Bardhi bëri promovimin e librit të tij të parë “Agoni e Shpresa” libër ky i cili u promovua në Shkodër, në bibliotekën e qytetit Marin Barleti, më 29 tetor 2011.

Për më shumë ndiqni intervistën e plotë me Dr Besnik Bardhin

Dr. Bardhi, Kosova pesë muaj më parë shënoi 5 vjetorin e Pavarësisë së saj, dhe me 12 qershor 14 vjetorin e çlirimit. Si e ndjetë veten Ju që ishit në Gjakovë pjesë  e përpjekjeve të para për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës?

 

Në  këtë përvjetor  të 14  të  çlirimit  të Kosovës, patjetër  kujtesa  fluturon në atë  periudhë  78  ditëshe  kur  ishim të rrethuar  nga  forcat  serbe, ose  më mirë  të themi  nga kasapët serbë, të cilët  bënin  orgji, nga më të ndryshmet, me shqiptarët e paarmatosur në Kosovë.

Tash pas  këtyre viteve në  liri dhe 5 vitesh në shtet të pavarur, emocionet janë të  përziera, them  kështu  nga se  nuk jam i kënaqur  me  të arriturat që  janë bërë për këto  14 vite lirie në Kosovë. Nuk është çdo  gjë e zezë, ka të arritura pozitive në një masë, ndoshta  këto  arritje janë më shumë meritë e  iniciativës  private për realizimin e disa  projekteve!

Mendoj  se  me një organizim më të mirë  dhe  më  punën  që  do ta bënte  inteligjenca e mirëfilltë  shqiptare  në Kosovë, sikur të ishte  e inkuadruar  në përmasa reale në organet e pushtetit,  rezultatet  do të ishin  shumëherë më të mëdha!

Mendoj se gjatë kësaj kohe, shumë shpesh  janë bërë gabime të mëdha nga ana e partive   politike në përzgjedhjen e kuadrove, ata më shumë  kanë  favorizuar dhe prefëruar militantë partiakë  në poste për të cilat ata nuk e kanë përvojën dhe dijen adekuate që të ballafaqohen dhe të zgjidhin çështje delikate dhe me rëndësi të madhe shtetërore!

Potenciali i ulët  intelektual dhe arsimor i një pjese të atyre  që  ndodhen  aktualisht në institucionet e ekzekutivit dhe politikbërjes shtetërore,  patjetër  që  do të reflektojë me rezultate të ulëta, shpesh edhe nën mesatare! Individet e aftë dhe të  ndershëm, të cilët  nuk pranuan imponim dhe servilizëm, në një mënyrë  u harruan qëllimisht, pak nga koha e më  shumë nga  pushtetarët aktualë! Unë mendoj  se  paslufta nuk e gjeti  Kosovën pa resurse intelektuale, përkundrazi kishte intelektualë të rangut të lartë; ata ishin shtylla  të Kosovës  edhe në kohën e okupimit të egër serb. Ata burra të shkolluar me sakrifica të mëdha e trasuan  rrugën për shtetësinë e Kosovës! Ajo  shtresë intelektuale, pas lufte “avulloi”, humbëm njerëz me pervojë shumë të madhe dhe pasojat tash rëndojnë  mbi shoqërinë tonë!  Ky fenomen interesant p.sh. nuk ndodhi me ish republiken jugosllave të Sllovenisë, profesionistët slloven u mobilizuan dhe i dolen në ndihmë atdheut!  Është dallim i madh  të fillosh nga shkalla 100, se sa nga nje 0 e madhe! Resurset njerëzore janë pasuria më e madhe  e një shteti!

Jemi dëshmitarë të  ngritjes  marramendëse në karrierë të disa individëve, plotësisht  injorantë dhe të pashkolluar, të cilët arritën deri në shkallën e doktoranturës  në një interval  kohor rekord. Kjo është situatë  tragjiko-komike!!!  Ky hipërproduksion i intelektualëve të rremë do t’i kushtojë  Kosovës  dhe ardhmerisë  së saj  shumë shtrenjtë! Çka të presim në të ardhmen  nga këto kuadro gjysmë analfabete?! Promovohen doktorë shkencash  që  nuk  njohin  drejtshkrimin e gjuhës  së tyre amtare! Sot po pate të holla, kushëri “të fortë” në pozitë… shumë  shpejt arrinë teë  bëhesh “intelektual” i rangut të lartë, poashtu me punësim të garantuar!

Kosova nuk e  meriton të nëpërkëmbet  në këtë  mënyrë, sepse gjatë historisë sfidoi  dhe luftoi  për  ardhmeri më të mirë!

Kosova në këte situatë të  krijuar  kohëve të fundit, mund  “të rreshqasë” në  binarë  të gabueshëm, bile shumë  të rrezikshëm!  Nuk  guxojmë  asesi  të  shkelim mbi gjakun e atyre  që  gjatë  një shekulli u flijuan  për  këto  troje! Kosova u  shndërrua në shtet jo funksional dhe jo serioz, pikërisht nga njerëz jo profesionistë dhe jo seriozë! Kosova  është atdheu i të gjithëve, nuk është  ende de jure  e ndarë  në principata!!!

Si në  çdo  shoqëri  të  emancipuar  edhe  te ne  duhet  trajtuar  veteranët   që  kontribuan për lirinë e vendit në  mënyrë instutucionale dhe adekuate; ata duhet  të ndihmohen në  kuadër të institucionit të shtetit të Kosovës!

Te  gjithë  nuk e kanë aftësinë e menaxhimit  politik, nuk është e thënë që  domosdo  disa njerëz  që  nuk kanë aftësi  dhe  njohuri menaxhimi  politik  të  futën në poste  të larta  politike! Dikush është i pushkës, dikush i  fjalës dhe i penës, secili duhet ta ketë vendin e vet dhe  meritat e veta në shoqërinë tonë! Në këtë  formë të organizimit të  shtetit,  Kosova ec përpara!  Dhuna nuk ka vend  në shoqëritë  demokratike! Janë interesat madhore kombëtare dhe shtetërore, të cilat  duhet  të jenë mbi interesat personale! Disa njerëz  aq  shumë kanë fituar vetëbesim sa  iu  mungon  vetëm  kurora mbretërore! Ne shqiptarët e kemi si trashigim një ves shumë të dëmshëm, bëjmë dhe shpallim heronjë  individë  të  ndryshëm  para kohe! Ky veprim yni është treguar i dëmshëm!

Ideologë dhe idealistë të kombit shqiptar, me mund, djerse dhe gjak, i trasuan  rrugët e lirisë dhe të demokracisë, e pastaj  në ato rrugë ecen shumëshpesh  hajdutë, brrylaxhinjë, kopukë bile edhe  kolaboracionistë që  arrijnë të infiltrohen edhe në strukturat më të larta shtetërore! Kush e lejoi të ndodhë kjo?! Pse  nuk u bë  kontrollim më i kujdesshem  i të dhënave për këta njerëz! Kali i Trojës  gjithnjë  do të jetë  aktual për  njerëzimin!

Pas 5 vjet pavarësie të Kosovës, të arriturat  nuk janë ato që janë pritur! Ithtarët e partive  që  vijnë e shkojnë në pushtet  deklarohen dhe trumpetojnë për sukseset e tyre imagjinare! Pjesa  neutrale e publikut, nuk i sheh  ato  suksese, bile as në horizont!

Askush nuk e ka mandatin  që  të  vendosë  për  fatin e këtij vendi, sidomos vendimet që janë në dëm të shtetësisë  së Kosovës  dhe popullit të saj!

Enklavat metastazike serbe  të shpërndara, jo vetëm në  veriun e Kosovës,  por  në tërë  territorin e Kosovës janë një problem  tjetër  shumë  serioz  i cili  shtetësinë e Kosovës,  edhe ashtu  të brishtë, e rrezikon tejmase! Këto sajesa nuk u krijuan dhe nuk u lansuan rastësisht  edhe në projektin e Ahtisarit; ato janë masë tumori kanceroz  në trungun e shtetit të ri të Kosovës! Nga e kaluara e okupimit serb, e kujtojmë kohën e Agrarit të famshëm  dhe   kolonët serbë të cilët u injektuan në  çdo  cep të Kosovës! Në vitet e ’90 një grusht serbë, në krye me njëfar Shulloviqin, bllokonin  me ditë të tëra rrugët e Kosovës! Maltretonin pandërpre institucionet legale te  Kosovës!

Mendoj se shpallja e pavarësisë  së  Kosovës  është  vonuar  për qëllime  politike; në fakt  Serbia  tërë  kohën  kishte  aktivizuar  mekanizma  që  vepronin në këtë drejtim, pra  për shtyerjen  sa  më tepër  të datës  së  shpalljes  së  pavarësisë. Kjo ishte  blerje e kohës  për Serbinë dhe njëherit sukses i  diplomacisë  serbe ! Ne kemi  qëndruar  shumë inert dhe komod  kundrejt  realitetit dhe asaj që pala serbe ndërmirrte në rrafshin ndërkomb-ëtar,  për minimin dhe sabotimin e çdo  gjëje që kishte të bënte me shtetin e ri të Kosovës!

Çfarë mendoni se ka ndryshuar në këtë 14 vjetor të çlirimit dhe natyrisht 5 vjetorin e pavarësisë së  Kosovës?

Ka  ndryshuar shumëçka, por  asesi nuk  po  ndryshon mënyra e të menduarit dhe e të të vepruarit në kokat  tona. Unë mendoj se  në këto  14  vite te pas luftes ne shqiptarët  e Kosovës dhe miqtë e tyre ndërkombëtarë,  kanë pritur shumë më tepër  efikasitet nga lidershipi i tyre  në realizimin e çështjeve  shumë të rëndësishme  për  ardhmerinë e Kosovës. Frymën optimiste dhe vizionare në Kosovë  e reflektonte,  padyshim i vetmi me sinqeritet të plotë, tashmë i  ndjeri,  presidenti Rugova. Humbja e tij  ishte  një grusht  i rëndë  për  popullin e Kosovës dhe ardhmerinë e saj! Ai  mbante raporte  shumëdimenzi-onale,  siç shifet tash, sidomos  në korrelacione me  aleatet tanë!

Në këto  vite,  pas  vdekjes  së  Presidentit Rugova,  ndjehet shumë mungesa e  institucionit të  liderit. Ai arriti në momentet me kritike, t’i ribashkojë shqiptarët e Kosovës, bile jo vetëm shqiptarët por edhe  disa  etni tjera të cilat e  nderuan me plot arsye!

Kam përshtypjen se  shqiptarët  e kanë shumë të shkurtër memorien historike, shpejt harrojmë të shkuaren tragjike,  historike, dhe punën shëmbullore  që  bënë edhe aleatet tanë  të perëndimit në krye me NATO-n! Ne kemi ende  shumë për të bërë punë në forcimin e stabilitetit të shtetësisë  së  Kosovës! Shumë energji  harxhojmë duke u marrë me çështje  të dorës  së dytë  apo  tretë! Shteti ynë dhe puna  rreth tij duhet të jetë  priori-tet  yni i vazhdueshëm!

Armiqët tanë  nuk i japin ate luks  vetes, që çështjet madhore t’i anashkalojnë!

Shumë nga  zyrtarët tanë të lartë sillen si  injorantë dhe të pa edukuar në raport me  obligimet që ata kanë  ndaj shtetit dhe popullit që  ua besoi votën! Ata mendojnë  se  populli përjetësisht  do t’i ledhatojë! Çdo gjë  rrjedh, fillon, por dhe përfundon; është ligj i dialektikës!

Çfarë kontributi kanë dhënë deri tani deshmitë Tua – vepra “Agoni e Shpresa”, për ndriçimin e helmimeve masive në Kosovë ?

Libri  im  është  një përmbledhje  e  punimeve  publicistike, të cilat  u  riredaktuan dhe  u  mblodhen në  një  tërësi  të re  në këtë libër. Aty, mes tjerash, ka shumë  materiale  të  cilat  dëshmojnë me forcën e argumentit  vërtetësinë  e  helmimeve  të  rinisë  shqiptare  në  Kosovë, në pranverën e vitit 1990 të kryer nga sigurimi shtetëror serb!

Ne  librin tim “Agoni e Shpresa” publikohen  edhe  shumë  argumente shtesë  të  cilat  për herë të parë  i sheh  opinioni publik shqiptar dhe më gjërë, si p.sh faksimilet  e Shoqatës  se  Mjekëve të Serbisë , të cilët me 30 mars  1990, në një mbledhje  të mbajtur ne Prokupje, kërkojnë  mbylljen e Fakultetit të Mjekësisë  në Prishtinë, në fakt shkatërrimin e shendetësisë së  Kosovës, si uvërtyrë  për  luftën e cila  më vonë pasoi në vitet 1998/99!  Në kohën  kur  ndodhen  helmimet e rinisë  shqiptare në Kosovë, në pranverën e vitit  1990, isha  në  ngritje  profesionale  në  shtetin e Kroacisë, pra  në një klinike te ORL-së dhe Kirurgjisë  së qafës, në Zagreb! Atëherë isha  i afert dhe mik i mirë me shumë   intelektualë kroatë. Me njërin  nga  ata, ministrin e shendetësisë  së  qytetit të Zagrebit, doc. Dr. Slobodan Lang,  u dakorduam që  ta orgnizojmë  bashkarisht  një simpozium shkencor për fenomenin  e  helmimeve në Kosovë! Pas  shumë  kercënimeve qe na u bënë nga sigurimi shtetëror  jugosllav edhe me likudim fizik përmes  thirrjeve telefonike dhe  një kampanje të paparë të shtypit të Beogradit kundër  organizimit dhe mbajtjes  së  këtij simposiumi! Mirëpo përkundër të gjithave, me 9 qershor 1990, simposiumi u  mbajt dhe i perfundoi  me sukses punimet!

Aty  dolen në shesh, të argumentuara shkencërisht, shumë fakte dhe  dëshmi mbi krimin makaber  që e kryen  serbët  mbi  rininë  shqiptare të Kosovës! Në  atë Simposium  shkencor me karakter ndërkombëtar,  të emërtuar “Kosova Sprovë e Ndërgjegjës  Mjekësore”, hyri  në  histori si një tubim shkencor ku u hedh dritë dhe  u arritën  rezultate  të shkëlqyera në demaskimin e politikës  fashiste serbe në Kosovë!

Në këtë  tubim ishte dhe një përfaqësuese  ndërkombëtare  nga  Franca. Ajo ishte z. Lanternje, e cila  tha se ishte deleguar  nga Qeveria Franceze si dhe personalisht nga Kryetari i Francës z. Miteran. Ajo  tha  se nuk kishte  ardhur në Jugosllavi të  hulumtonte   të  drejtat e njeriut, por për nevojën emergjente  që  ka Kosova për medikamente. Në këtë simpozium ishte dhe delegacioni serb në krye me prof. dr. Ljubomir Eriç, koleg i profesionit i prof. dr. Radovanoviç. Ky ishte delegacion i përzgjedhur nga vetë kreu udhëheqës i Serbisë! Padyshim se këta njerëz  kishin ardhur në  Zagreb me direktiva  politike. Në këtë tubim ai e prezantoi punimin e tij lidhur me  INDUKSIONIN PSIKIK KOLEKTIV, kinse të ndodhur me rininë kosovare në mars te vitit 1990. Mes tjerash ai theksoi se këtij induksioni psikik i nënshtrohet vetëm mosha mbi 11 vjeç.

Kryesia e punës në simpoziumin  “Kosova – Sprovë e Ndërgjegjes Mjekësore”, mbajtur më 9 Qershor 1990, në Zagreb. Nga e majta në të djathtë: Prof. dr. Anton Dolenc, dr. Besnik Bardhi, doc. dr. Slobodan Lang dhe prof. dr. Zenel Kelmendi.

Në pyetjen e anëtarit të Kryesisë së punës, prof. dr. Anton Dolenc, nga Fakulteti i Mjekësisë në Lubjanë, që ia drejtoi prof. Eriqit, se cili është komenti i juaj për rastet  e foshnjave të helmuara në institucionet parashkollore në Gjakovë, pra nën moshën 11 vjeçare, prof. Eriç, u mendua për pak sekonda dhe tha: Më duhet të sajoj diçka! Uli kokën dhe asnjëherë  më nuk e mori fjalën.

Pra,  prof. dr. Lubomir  Eriç e demanton pa dashje tezën e histerisë kolektive  të kolegut të tij prof. dr. Radovanoviç. E vërteta shkencore është vetëm një. Në Kosovë, në mars të vitit 1990, nuk  pat induksion psikik kolektiv. 

Argumenti tjetër, që u publikua për herë të parë në Simpoziumin e mbajtur në  Zagreb, është edhe gjetja e agjentit toksik DIMETIL-PHOSPHO-DITIONAT (DM-PP), në 7-të epruvetat e mostrës së urinës nga fëmijët e helmuar në Kosovë. Ky insekticid u zbulua nga prof. dr. Franjo Pllavshiç, ekspert i Biokimisë në Zagreb. Një dëshmitar shumë  autoritativ dhe ish kryetar i Jugosllavisë dhe së fundi  ish kryetar i Kroacisë, z. Stjepan Mesiq, gjatë një vizite në SHBA, e prezantoi raportin e tij “The participation of Yugoslavia in chemical armament” (Pjesëmarrja e ish Jugosllavisë në armatimin kimik). Sipas gazetës “Borba” të datës 26. 09. 1991 ai ka deklaruar: “Gazra të rrezikshme luftarake u përdoren kundër popullatës shqiptare në Kosovë”.  Fakti që Kosova në dokumentacionin e dëshmive në GJND nuk e bashkëngjiti edhe akuzën ndaj Sërbisë për helmimin e popullatës së saj, në mars të vitit 1990, tregon qartë për një lëshim të pafalshëm. Kam shkruar shumë shpesh për helmimet dhe i kam bërë apel lidershipit kosovar që të punojë në këtë drejtim, mirëpo kurrë nuk kam marrë përgjigje pozitive. Një letër të hapur ia kam shkruar edhe vitin e kaluar, kryetarit Sejdiu, kryeministrit Thaçi dhe kryeparlamentarit Krasniqi, ku sugjeroj që kjo temë  të riaktualizohet dhe të ngrisim padi ndaj shtetit serb për krimin e bërë, si dhe të futet në dokumentacionin e Kosovës për GJND në Hagë. Edhe kësaj radhe nuk kam marrë asnjë përgjigje.

Të gjithë dokumentacionin  faktografik (video xhirime, dokumente…) lidhur më këto ngjarje i kam ruajtur me kujdes të madh gjatë djegieve dhe  luftës së përgjakshme të vitit 1999 në Gjakovë.

“Shqiptarët i helmoi  frika”, një  shkrim  cinik  në “Borba”, në maj të  vitit 1990, ku Kuvendi Federativ  i RSFJ-së mohon helmimet në Kosovë !

Nga ajo ditë  shtypi më  nuk i përdori  thonjëzat  kur  shkruhej fjala helmim në Kosovë! Peveç librit tim që  flet  gjerësisht për këtë tëmë, nuk duhet harruar  edhe  librin e mikut tim, suedezit Goran Wassenius, i  cili poashtu me këtë temë  e shkroi  librin “Sëmundja Mistike”, ku me mjaft sukses  i prezantoi faktet për krimin serb të helmimeve në Kosovë!

Dr. Bardhi, keni thënë se librin “Agoni e Shpresa” jua keni kushtuar shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë që punuan dhe u sakrifikuan për më shumë se një shekull për Kosovën e lirë dhe të pavarur.Pse?

Për  një shekull lufte me  okupatorin serb, u flijuan me mijëra shqiptarë! Kjo ishte  luftë  në vazhdimsi dhe  kurrë  nuk u ndal. Eshtë gabim shumë i rëndë nëse  ne  themi që  lufta ishte  vetëm ne vitin 1998/99, në fakt  kjo ishte përmbyllja  e  luftës  njëqindvjeçare me  armikun tradicional serbosllav! Kësaj  rradhe  faktori  dhe aleatet  ndërkombetarë  ishin  në anën tonë, në fakt ishte  forca  kolosale  ushtarake NATO, aleati ynë numër  një. Me këtë forcë,  ushtarët tanë ishin në çdo aspekt  më të  gatshëm ta shporrin definitivisht robërinë dhe krimet  serbe nga këto  troje! Shqiptarët e Kosovës kurrë  nuk guxojnë ta harrojnë  rolin e SHBA-ve, Britanisë  së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë… dhe shumë shteteve tjera,  të  cilat  nuk kursyen asgjë  që  ta shpëtojneë nga shfarosja  popullin  shqiptar  jo  vetm në Kosovë!

Kjo  është arsyeja pse  këtë librin “Agoni e Shpresa”  jua kushtova shqiptarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë, që punuan dhe u sakrifikuan për më shumë se një shekull për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Helimet masive, varret masive, të zhdukurit, besoj që janë pyetjet që brejnë ndërgjegjen e çdo shqiptari, sot mbas 14 vjet çlirim dhe 5 vjet pavarësi. Si duhet të bindim Europën me të vërtetën e këtyre ngjarjeve tragjike?

Te gjitha këto  krime  monstruoze të bëra  ndaj  shqiptarëve të Kosovës kanë  pasur gjatë  gjithe  historisë  njëshekullore të  okupimit serb, ombrellë  institucionale te shtetit serb! Çdo gjë  është bërë  në përpikmeri dhe përputhje të asaj çka ndodhet brenda kornizës së  dokumentit  famkeq  antishqiptar, ”Nacertanje”! Perpiluesit  e parë të saj ishin Garashanin, Pashiq, Andric, Qubrillovic, se fundi akademikët e SANU-s i përgaditën  kasapit Milloshevic platformën për  shfarosjen e qenjës  shqiptare nga Kosova! Europa është  në dijeni për të gjitha këto fakte, por reagimi dhe qëndrimi  antishqiptar i  Nënës Rusi, pastaj Greqisë dhe disa shteteve që  udhëheqin politikë  jo parimore  ndaj Kosovës  dhe  në përgjithësi  ndaj shqiptarëve, ka bërë  që  gjërat  mos të shkojnë  në  drejtimin e duhur!

Merreni me publicistikë përveç profesionit Tuaj të mjekut, dhe me sa kuptoj u “pëleqen” shumë politika, por duket se jeni shumë pak i angazhuara me politikë ë Pse?

Në  ditët më kritike për  atdheun dhe popullin shqiptar kam  qenë i involvuar  në struktura  shumë delikate, ku së bashku  me  disa  atdhetarë, patriotë dhe intelektualë të verifikuarë në fillim të vitit 1991, krijuam një berthamë, të cilën e quanim  si  një  Shtab lufte për qytetin e Gjakovës, prej nga  dizejnohej  dhe realizohej jeta  paralele në qytetin e Gjakovës , kundrejt pushtetit  okupator serb. Pasojat  nga dekonspirimi potencial  i kësaj  bërthame do të  ishin shumë tragjike!

Edhe para luftës  dhe pas  luftës  jam marrë me shkrime të ndryshme  publicistike në trajtë  analizash, kryesisht të natyrës  politike! Të gjitha këto  shkrime  u janë plasuar  mediave të shkruara dhe elektronike, në  trojet shqiptare dhe  më gjërë. Shumë shpesh edhe  në mediat elektronike  kam shpreh  qëndrimet e mia!

Si shtetas shqiptar i Kosovës, asnjëherë nuk kam pushuar  së vepruari, një  kohë  si  ju thash me lartë, në kohën e okupimit serb, më shumë kam vepruar ilegalisht në grup, dhe  pastaj  pas luftës gjithnjë kam qenë transparent, sidomos  në  shenjëstrimin e dukurive negative për  shtetin tonë!

Eshte një  dukuri jo e mirë, e cila  jo   veç   mua,  por  pothuaja  të gjithë bashkëvepri-mtareët  i ka përcjellë  vazhdimisht gjatë  kohes  së okupimit serb! Anatemimet dhe shpifjet  që  bëheshin asokohe, të lansuara  nga  bazat e armiqve tanë, e të  përhapura  nga  individë të caktuar posaqrisht për  këto  punë, shumë shpesh  bënin  dëme  me të mëdha,  se ndoshta veprimi dhe ndërhyrja direkte e  vet sigurimit shtetëror serb! Harxhohej energji pa asnjë nevojë edhe  në  një front tjetër – ky ishte fronti i luftës psikologjike!

Ato theshetheme  shkonin në progresion gjeometrik  duke  u rritur n qarshi dhe  na pengonin  në punën tonë shumë delikate dhe  konspirative!

Edhe  pse  ne vitin 1990 isha  një nder themeluesit  e PSHDK-së  dhe  njëherit Kryetar i parë i kësaj dege  në  Gjakovë, poashtu në vitin 2006/07 themelues dhe kryetar i parë  i deges së AKR-së në Gjakovë, mendoj se kam pasur  fatin e përcaktuar  të jem tërë jetën në opozitë!

 

Unë  do të ndjehem mirë  dhe i relaksuar  vetëm  atëherë   kur Kosova  te shëndrrohet në një  oazë të mirëqenjes,  prosperitetit  dhe lirive  njerzore. Kosova meriton të bëhet  një  shtet  demokratik i nderuar edhe nga fqinjet!

 

 

Paraqitia e juaj për herë të parë, me një libër, a do të thotë se jeni “gati” të shkruani ndonjë libër tjetër !

 

 

 

Ne fakt  unë  librin  e dytë  kam filluar qe  para dy vitesh ta punoj. Është libër  në trajtë romani autobiografik për të gjitha  ndodhitë  dramatike sa isha  në Zagreb,  qe  nga  shtatori  i vitit 1989 deri ne prill 1991, kur së bashku  me shumë veprimtarë  tjerë  shqiptarë dhe kroatë në atë kohë iu kundërvuem makinerisë  propagandistike  serbe, e cila  ishte  shumë  agresive  sepse përgaditej  hapësira  për  fillimin e luftërave  të përgjakshme në  ish republikat Jugosllave!

Shpresoj  një ditë  do ta perfundoj edhe këtë libër! Ajo që niset duhet mbaruar!

 

 

 

Dr. Bardhi, një propozim i Juaj kur ishit  këshilltar i  komunës së Gjakovës, kërkuat që të shpallen qytetarë nderi të Gjakovës Dejvid Cheter dhe Del Vekio. Këtë propozim, ju e mbështet në kontributin që këta dy persona e kanë dhënë më 13 qershor 1999 për të shpëtuar Gjakovën nga forcat e armatosura serbe. Propozimi Juaj është shpallë me 28 Tetor 2008.

 

 

 

Qe  nga  28 tetori, pra tani u bënë me  5 vite që unë  dërgoj të njëjtën kërkesë  në  adresë te Z. Pal Lekaj, Kryetar i Komunës në Gjakovë, Asamblesë Komunale në Gjakovë, Komitetit për Politikë dhe Financa, KK Gjakovë, Bordit të drejtorëve, KK Gjakovë, Kryetarëve të grupeve parlamentare si dhe të gjitha mediave të shkruara dhe elektronike në Kosovë dhe jashtë!

Unë bëj (ri)Kërkesë për shpallje Qytetar Nderi të Gjakovës të: z. David Chater dhe z. Mauro del Vechio, për meritat e tyre të jashtëzakonshme në mbrojtjen e qytetit dhe parandalimin e masakrës serbe ndaj qytetarëve të ngujuar dhe të pambrojtur, me dt. 13. 06. 1999 në Gjakovë.
Kam dhënë  dhe arsyetimin me sa vijon: Më dt. 13. 06. 1999, pas 78 ditë bombardimesh të caqeve serbe nga Aleanca Veriatlantike, si dhe të masakrave të papara të forcave serbe ndaj popullatës së pafajshme të komunës sonë, në qytetin e Gjakovës në orën 15.15 minuta nga drejtimi i Prizrenit, hyri me automjetin e tij, gazetari i SKY NEWS-it, reporter  special i shumë luftërave, David Chater. Edhe pse ishte rrezik i madh, sepse në afërsi kishte forca të mëdha serbe, një grup qytetarësh, ia preu rrugën  automjetit të këtij gazetari, pikërisht te trekëndëshi i Tranzitit, në afërsi të stacionit policor. Në mesin e atyre qytetarëve kam qenë dhe unë personalisht, si pjesëmarrës dhe dëshmitar i gjallë i ngjarjes.
Në ato momente, Gjakova digjej nga të katër anët dhe dëgjoheshin detonime e rafale të pandërprera automatikësh.  Ky grup i qytetarëve, shumë të shqetësuar dhe të dërmuar, i shpjeguan gazetarit anglez se çfarë po ndodhte aktualisht në qytetin e Gjakovës. Ai shfaqi habi nga ajo çfarë pau dhe dëgjoi në ato  momente.

Ai i njoftoi qytetarët për faktin se forcat e KFOR-it Italian, ishin stacionuar në fshatin Rogovë!Ai e pyeti këtë grup njerëzish të frikësuar se çfarë  mund të bënte për ta?!

Kërkesa e këtyre qytetarëve ishte e qartë: Të  intervenohet sa më parë dhe të mos u lejohet edhe një natë  kriminelëve serbë që t’i bëjnë orgjitë e veta piromane dhe vrastare ndaj popullatës së ngujuar dhe të pambrojtur shqiptare në qytetin e Gjakovës.

Në ato momente, David Chater e kthei xhipin në drejtim të Prizrenit dhe premtoi se do të flasë drejtpërdrejt me komandantin e KFOR-it italian, gjeneralin Del Vechio, dhe se do t’ia  përcjellë kërkesat e qytetarëve të Gjakovës.Gazetarit anglez Chater, në rrugë për Rogovë, iu bashkëngjit dhe një vajzë nga ai grup, Kaltrina Cana (16-vjeçare), e cila e fliste mirë gjuhën angleze.
David Chater e kreu me shumë  sukses misionin e tij human. Për veprën e tij madhore, ai hyri në historinë e re të qytetit të Gjakovës, si figurë me shumë vlerë dhe njeri i respektuar.
Programi satelitor i SKY NEWS-it, në orën 15.45 min. transmetoi direkt lajmin ekslusiv të bisedës së David Chater me komandantin e KFOR-it italian, gjeneral Del Vechio, i cili e aprovoi kërkesën e qytetarëve gjakovarë dhe mori vendim  për hyrjen e menjëhershme të forcave të KFOR-it italian në qytetin e Gjakovës.

David Chater dhe  gjeneral Mauro del Vecchio,  padyshim janë dy figura me rëndësi të veçantë  në  historinë  e re  të qytetit të Gjakovës.

Gjenerali Del Vechio, i thei rregullat e NATO-s, për situata të këtilla dhe vendosi të hyjë me forcat e tij në qytetin e Gjakovës, që ta parandalonte masakrën e mundshme dhe të planifikuar të forcave serbe ndaj popullatës së mbetur dhe të pambrojtur shqiptare në brendi të qytetit. Në orën 16.45 min. të dt. 13.06.1999, qindra qytetarë gjakovarë, duke brohoritur NATO, UÇK, USA… patën rastin, pikërisht te trekëndëshi i Tranzitit, të jenë pjesë e historisë së re të këtij qyteti, duke u dëshiruar mirëseardhje të sinqertë  forcave të KFORI-it italian. Pas dy ditësh, gazeta ditore  e Kosovës, “Bota Sot“,  shkruan në faqen e dytë për këtë ngjarje historike me titull: “Gazetarët e shpëtuan qytetin e Gjakovës”.
Në prag të shënimit të 11-të vjetorit të çlirimit të Gjakovës dhe të përfundimit të luftës në Kosovë, i propozoj z. Pal Lekaj, Kryetar i Komunës, Asamblesë Komunale, si dhe strukturave tjera komunale të theksuara më lartë, që ta shqyrtojnë, debatojnë si dhe, mundësisht, ta aprovojnë propozimin  që vijon:

 

Duke u nisur nga faktet  e prezantuara në këtë tekst, për misionin shumë human që kreu, gazetari anglez DAVID CHATER si dhe komandanti i parë  i KFORI-it italian,  z. DEL VECHIO, për shpëtimin e qytetit të Gjakovës dhe të banorëve të saj, më 13. 06. 1999 propozoj që:

1. Gazetari i SKY NEWS, z. David Chater dhe komandanti i parë i  KFOR-it italian z. Del Vechio, të shpallen qytetarë nderi të qytetit të Gjakovës, për merita të jashtëzakonshme në shpëtimin e qytetit të Gjakovës dhe parandalimin e masakrës me përmasa të mëdha ndaj qytetarëve të rrethuar dhe të pambrojtur.

2. Vendtakimi  i parë i qytetarëve gjakovarë me gazetarin anglez Chater si dhe me forcat e KFOR-it, trekëndëshi i Tranzitit, të emërtohet: Sheshi i Chateri-it apo i NATO-s.

3. Tek trekëndëshi i Tranzitit të ndërtohet një obelisk madhështor në shenjë mirënjohjeje të përjetshme  ndaj NATO-s si dhe për aleatët tonë historikë.

Mendoj se realizimi i këtyre propozimeve, së pari tregon falënderimin, dashurinë  dhe respektin e pafund ndaj  aleatëve tonë,  si dhe shkallën e lartë të kulturës dhe të qytetërimit të njerëzve liridashës të qytetit tonë.Me këtë akt aprovimi, ne e lajmë një pjesë të borxhit moral ndaj protagonistëve të kësaj ngjarjeje historike për qytetin tonë  dhe meritat që kanë në parandalimin e Srebrenicës së dytë.

Aprovimi dhe realizimi i kësaj ideje, e nderon shumë qytetin tonë, i reflekton përjetësisht orientimet tona demokratike dhe liridashëse, si dhe  ndjenjat tona miqësore sidomos ndaj aleatëve tanë ndërkombëtarë, që ishin të përfshirë në luftën e vitit 1998-1999 në Kosovë.

 

Edhe  pse  radhazi qe 5  vite  nuk më është  kthyer  asnjëherë  përgjigje, për  apo  kundër  kësaj kërkese, unë  me këmbëngulje  serish  do të kërkoj që  kjo  çështje  të  çohet deri  në fund, mos  nga kryetari aktual z. Pal Lekaj,  atëherë  gjithesesi  nga pasardhësit!

 

Kosova gjithmonë tek Shqipëria e sheh shtetin Amë. A mendoni se Shqipëria zyrtare e ka luajtur siç duhet rolin e saj në këtë drejtim : çlirimin e saj, pavarësinë dhe tash duke lobuar në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën ?

Asnjëherë, aq sa  duhet  nuk  është  punuar  nga shteti  amë për Kosovën; pra në këtë rrafsh gjithnjë ka pasur  mundësi edhe  më të mëdha! Shqiperia  amë, ka traditë  një shekullore në shtetësi dhe disponon kuadro dhe   kanale  diplomatike me anë të të cilave  do  të   mund  të  lansoheshin shumë më me efikasitet  kërkesat e popullit të shtypur  si  në Kosovë (gjatë kohës së okupimit serb)  ashtu  dhe  në trojet tjera  shqiptare,  po ashtu  aktualisht  të  okupuara. Edhe tani, në epokën e demokracisë, sikur  Shqipëria  heziton dhe ka rezerva në    kërkesat e saj legjitime, për të  mbrojtur  të drejtat  e  popullit të vet në  trojet e saja të okupuara. Intensiteti i këtij aktiviteti  ka qenë më i shtuar  viteve të fundit  kur ishte  çështja e lobimit  për  njohjen  e  Kosovës  si shtet i  pavarur!

Me ndërrimin e pushtetit  në Shqipëri, pas  zgjedhjeve të 23  qershorit, jam shumë kurreshtar se si do të reagojë  e majta shqiptare në  rrafshin mbarëkombëtar!

Shqipëria asgjë më tepër  mos  të  bëjë,  veç atë  sa bën “Nëna” Rusi për Serbinë!

Dr. Bardhi, Cili është mesazhi Juaj për qytetarët e Kosovës ?

Populli shqiptar falë  sinqeritetit që  disponon, gjatë  historisë  ka paguar  shumë shpesh  haraqe  dhe ka paguar me gjak  faktin se fqinjët e saj  janë të pangopur instinktivisht për ekspansion ndaj tokave shqiptare!

Janë  zhvilluar luftëra  të parreshtura me fqinjët sllavë, të cilët  kishin  vazhdimisht synimin dhe orekset e pashuara për pushtimin e tokave shqiptare dhe dëbimin e popullatës  autoktone!

Fakti që tokat shqiptare  u  coptuan e së bashku me toka  u dobësua edhe  qenja shqiptare, duhet  të na mobilizojë që të jemi syçelë gjithnjë!

Populli shqiptar në Kosovë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duhet  të  jetë shumë racional se  kujt  do t‘ia falë  besimin  për të  qeverisë  Kosovën  në  4  vitet e ardhëshme! Ata  të cilët  nuk  bënë asgjë  për  prosperitetin e  atdheut tonë  duhet të dënohen  me  mosdhënje të votës! Deputetët kukulla, që  nuk janë as për dekor në parlamentin e Kosovës, asesi nuk guxojnë që serish t’i  zënë  ulëset në zgjedhjet  që  pasojnë!

Vetëm  një  Qeveri e ditur, stabile dhe atdhedashëse mund t’i kundërvihet politikës  hegjemoniste serbe!

Projektet  djallëzore  serbe, janë komplote pansllaviste që kanë për qëllim  asgjësimin dhe dëbimin e  popullit autokton  shqiptar  nga  trojet e lashta stërgjyshore!

Këto projekte monstruoze qubrilloviçiane janë ende gjallë!

Intervistoi: Beqir SINA, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Beqir Sina, Interviste, me dr. Besnik Bardhi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT