Nga Rafael Floqi/ Dielli/
Korçula është një nga ishujt më të mëdhenj të Dalmacisë jugore. Është një vend i bukur dhe i gjelbëruar, i dalluar si një qytet mesjetar i mrekullueshëm, ku ndjehet atmosfera dhe historia e tij e gjatë e veprimtarisë njerëzore aty, e cila shkon prapa dhjetëra mijëra vjet, siç tregohet nga gërmimet e rëndësishme në shpellën Vela Spila në perëndim të ishullit. Ju mund ta eksploroni qytetin e Korçulës të ndodhur në bregun kroat të Dalmacisë: nga Spliti deri në Dubrovnik dhe anasjelltas dhe me anë të disa itinerareve të tjerë të lundrimit në Kroaci Gjithashtu, duket se Korçula ka luajtur një rol në kolonizimin e lashtë grek të ishujve të Adriatikut. Emri i saj grek, është Korkyra Melaina, dhe është mjaft i vërtetuar në literaturën antike. Kjo do të thotë “Korkyra e Zezë “, Korkyra është emri i lashtë i Korfuzit të sotëm, ishulli më verior grek në Adriatik. Në mënyrë intriguese, gjeografë të ndryshëm antikë grekë, të tillë si Straboni, i referohen Korçulas si Korkyra Melaina i themeluar nga qytet-shteti i Knidos – i ndodhur shumë larg në Egjeun lindor. Periudha kur Knidos ishte në pozitë ekspansioni për të gjetur koloni, i takon shekullit të VI-të para Krishtit. Kjo do ta bënte Korkyra Melaina apo Korçulan e sotme koloninë më të hershme greke në Dalmaci dy shekuj para të tjerave. Historikisht e mundshme? Asnjë mister ende ?…
Misteri 1. Po ku është vendbanimi grek i njohur si Korkyra Melaina?
Më intriguese, e bën zbulimi në shekullin e 19-të, të një fragmenti të rëndësishëm të zbuluar si fragment, në Lumbarda, ( vini re ngjashmërinë me shqipen Lum Bardha.RF ) në një zonë pjellore pranë qytetit të Korçulës. Ky objekt është një Psephisma, pra një dokument që regjistron ndarjen e parcelave të tokës për kolonët grekë që nguliteshin në një koloni të re dhe është e qartë, që i përket shekullit të 3-të apo i 2-të para Krishtit. Emrat e individëve, me emrat e familjeve greke (më së shumti me origjinw nga Issa / mbarojnë me Vis, ndryshe nga ato. që rridhnin nga grekët sicilianë), si njerëz që kanë tokë dhe të drejtën për të jetuar në një qytet të rrethuar me mure, një strukturë tipike për një koloni të re. Në rastin ideal, kjo do të thoshte se në ishull kishte dy vendbanime të veçanta greke, njëra nga shekulli i gjashtë p.K, dhe një shekull më vonë.
Por cilat janë dëshmitë arkeologjike për praninë e mëparshme dhe të mëvonshme greke në ishull? Ato janë zero, asgjë, none, nada, rien, nichts, e në kroatisht: ništa.
Ky është misteri ynë!
Ne kemi dëshmi të mira për kolonizimin e ishullit Issa (Visi modern, ishulli tjetër në perëndim) në fillim të shekullit IV para Krishtit, të përvetësuar nga kolonët nga Sirakuza në Sicili dhe ata nga Pharos (Hvar, ishulli tjetër më në veri) të cilët janë në të njëjtin brez, apo më vonë por në të njëjtin kontekst, kemi edhe disa koloni të mëvonshme të tjera në bregun dalmat. Kështu ishujt Vis dhe Hvar, janë vendbanime greke që janë vërtetuar arkeologjikisht, rrethuar me mure, varre, themele shtëpish dhe monumenteve të tjera, duke përfshirë edhe një teatër në Vis, ndërsa në Hvar gjendet edhe një sistem mahnitës sistemimi të fushës së Starigradit, ku fermerët modernë ende përdorin po atë një ndarje toke, të përcaktuar 2400 vite më parë.
Misteri i 2-të. A është Korçula një vendbanim liburn ?
Ndërsa në Korçula, arkeologët nuk kanë zbuluar ndonjë koloni greke. Por ata kanë gjetur aty vendbanime dhe vendvarrime të fiseve lokale dalmato-ilire, të shoqëruar ndonjëherë edhe me ndonjë qeramikë greke, që me sa duket, përdoreshin si objekte të një statusit ekzotik, por nuk ka gjurmë të ndonjë vendbanimi grek, të shekullit të 6-të ose të 5-të, apo më të vonë të 4-të apo të 3-të p.K. Madje edhe në Lumbarda, ku është gjetur mbishkrimi i famshëm, elementët e parë jo-lokalë që arkeologjia zbuloi, janë disa elemente romakë, të shekujve të më vonshëm.
Ky është problemi. A ka pasur vazhdimësi arkeologjike dhe historike aty? A janë referencat arkeologjike të shekullit të 6-të thjesht trillim, propagandë apo keqkuptim? Apo a ka ndodhur një përpjekje e hershme kolonizimi? A arrinin kolonët të vendoseshin gjithnjë, apo ka pasur raste që disi dështonin? A u refuzuan ata nga banorët vendas? A ekzistojnë prova historike për konflikte midis kolonëve grekë dhe vendasve ilirë në vende të tjera të zonës? Të njëjtat pyetje lindin edhe për dokumentin e shekullit të 3-të / 2-të. Si ka ndodhur: cilët janë njerëzit që kanë ndarë parcelat e tokës, dhe pse nuk mund të gjejmë ndonjë gjurmë nga prania e tyre?
Që ishujt Vis dhe Hvar, janë vendbanime të dukshme greke shihet edhe përmes mbetjeve arkeologjike, por çfarë ka, dhe çfarë ka ndodhur në Korçula? A ka qenë ajo koloni greke?
Arkeologët lokalë nuk pajtohen me këtë konkluzion ata thonë ose ka pasur ndonjë ngulim të pazbuluar grek (ose dy?) diku në ishull, ose të gjitha përpjekjet për kolonizimin e ilirëve, dështuan dhe historia dhe mbishkrimet shprehin se ka vetëm një enigmë, për t’u zgjidhur në Korçula. Pra a kemi një mister të hapur, apo kemi një histori të thjeshtë, dhe veç fjalë që nuk përputhen me faktet? Ta shohim…
Misteri i 3-të. Historia Ilire duhet të rishkruhet
Në foto keni një kopje të mbishkrimit të Lumbardës në shekullin e 3-të apo të 2-të që ndodhet në muzeun lokal. Por le të përballemi me atë. Ne ende nuk e dimë se çfarë të bëjmë dhe për emrin Korkyra Melaina. Por ka arkeologë që punojnë në ishull, e ndërsa po flasim: le të shohim se çfarë kanë zbuluar …
Kanë kaluar disa muaj nga lajmi i jashtëzakonshëm i zbulimit të arkeologëve kroatë, që kanë arritur në konkluzionin se historia Ilire duhet të rishkruhet dhe me të edhe historia e Ballkanit dhe Evropës.
Më së miri këtë zbulim për ilirët e ka vlerësuar gazeta “New York Times”, kur duke iu referuar zbulimit të arkeologëve kroatë, shkruante: “Paraardhësit tanë të lashtë, i njohim për gjuajtjen e mamutëve, por zbulimet e fundit në ishullin e Korçulës na dëshmojnë se njerëzit kanë ditur ta përpunojnë qeramikën që nga koha e akullit”.
Dhe këta njerëz që kanë ditur të bëjnë shumë më shumë se sa gjuetia, kanë pasur kulturë, dhe zhvillim teknik, dhe kanë ditur shumë më shumë, sesa ndoshta po hamendësojmë ne tani. Dhe arkeologët kroatë e ata amerikanë, dhe se librat që kemi lexuar, mund të jenë të shkretë, me mësime të gabuara, të historisë dhe arkeologjisë së deritanishme. Arkeologët kroatë kur e bënë publik zbulimin e tyre, thanë se këto gjetje do të ndryshojnë kuptimin e historisë së përgjithshme botërore. Si, qysh?…
Misteri i 4-t. E gjithë historia e species njerëzore në një vend
Zbulimet në ishullin e Korçulës, në lokalitetin Kopile kanë zbuluar një nekropol ilir, në të cilin janë gjetur copëza qeramike, të cilat datojnë ndërmjet viteve 17.500 deri 15.000 para Krishtit, raportonin mediat kroate në vjeshtën e shkuar, kur prezantuan punën kulmore të hulumtimeve katërvjeçare të ekipit të udhëhequr nga arkeologu kroat, Dinko Radiç, i cili tha se ata kanë zbuluar varre dhe thesare të tjera, që do të ndryshojnë historinë e botës.
“Varret si këto nuk janë gjetur ndonjëherë deri tani përgjatë brigjeve të Adriatikut. Organizimi, dimensioni dhe bashkëngjitjet e tyre shënojnë fillimin e një kapitulli të ri në historinë e fiseve lokale ilire “, tha arkeologu Dinko Radiç, para se të shtonte se: “Hulumtimi i tejkaloi të gjitha pritjet, sepse zbulimi ndodhi në varret monumentale me një skeme rrethore, me blloqe të mëdha guri të rregulluar. Pjesa qendrore e këtij rrethi gurësh, është e përbërë nga varre të mëdhenj, ku rreth dhjetë të vdekur mund të varroseshin së bashku me qindra vazo, armë hekuri dhe bronzi, argjendi, xhami dhe xhevahire prej qelibari “.
Dhe profesori i Kembrixhit, Preston Miracle, i cili ka qenë pjesë e hulumtimit në Vela Spila dhe në Vela Luka në ishullin e Korçula për disa vjet, erdhi në Kroaci për të dëshmuar edhe ai për zbulimin. Të gjitha këto gjetje, do të paraqiten përmes një ekspozite në Zagreb, në Klovićevi dvori. Kujdestarja e ekspozitës Jasmina Bavoljak tha se “Korçula është një nga ishujt më të mirëeksploruar mesdhetarë dhe se përpjekjet e ardhshme të shkencëtarëve evropianë do të thellojnë njohuritë e sotme edhe më tepër”.
Kurse ekipi i Radiçit thotë: “Ne kemi mundësi të zbulojmë të gjithë historinë e species njerëzore në vetëm një vend.” Vela Spila mban dëshmi të jetës nga Epoka e Gurit deri në Epokën e Bronzit, shkruante gazeta kroate Jutarnji list “Paradoksalisht me bindjet dhe librat historikë dhe arkeologjikë, ky zbulim e përafron kohën dhe kulturën ilire dhe atë njerëzore, me moshën e piramidave të Bosnjës, që arkeologu Samiragiç, pretendon se e ka zbuluar, dhe që janë rreth 20 mijë vjet më të vjetra, shkruan siti syri.net. Pa hyrë këtu në spekulimet e qytetërimeve të ardhura nga alienët, alla History Channel.
Pra, shkencërisht kufiri i kulturës ilire dhe asaj ballkanike dhe evropiane, është zhvendosur për më shumë se 12 mijë vjet para qytetërimit botëror, dhe më shumë se 17 mijë vjet para asaj që njihet si qytetërimi helenik, dhe që Evropa e quan, themel të qytetërimit të saj dhe atij botëror. Ajo që është për t’u habitur është se në këto varreza, u gjetën përveç qeramikës, edhe armë prej hekuri, stoli prej bronzi, argjendi, qelqi dhe qelibari, e të gjitha këto, tregojnë pavarësi dhe zhvillim më të hershëm nga qytetërimi helenistik.
Varrezat e këtij lloji nuk kanë qenë të njohura, kurse sa i përket organizimit, dimensioneve dhe përmbajtjes paraqesin një gjetje të re në studimet historike të banorëve ilirë për kohën para Krishtit, thuhet në vlerësimet e arkeologëve kroate. Arkeologu, Dinko Radiç, kryesues i ekspeditës arkeologjike, pat deklaruar se ata ndjehen të privilegjuar, që në një vend të vetëm mund të shfaqet e tërë historia e panjohur njerëzore.
Misteri i 5-të. Lashtësia s17.500 vjeçare e qeramikës Ilire
. Nga ana tjetër Nju Jork Times duke shkruar për këtë zbulim shton se “ata (paraardhësit tanë) njiheshin vetëm për gjuetinë e mamutëve, por zbulimet e fundit në Kroaci, sugjerojnë se njerëzit në fillim të kohëve kishin arritur të përpunonin shumë më shpesh qeramikë se sa nga sa besonim ne”. Kjo mund të provojë më tepër edhe për mundësinë e një bashkëjetese të mëvonshme apo simbioze midis kolonëve grekë dhe ilirëve vendas, dhe jo për një dominimin të gjerë kulturor të grekëve. “Tridhjetë e gjashtë fragmente të argjilës së pjekur të gërmuara në shpellën Vela Spila në Kaçula, përbëjnë koleksionin e dytë më të madh të gjetur deri më tani me eksperimentet më të hershme që ka bërë njeriu me artin qeramik. Ato janë 15,000 deri në 17,500 vjeçare – qw është dëshmia e parë evropiane e artit qeramik në periudhën, pasi akullnajat ndalën përhapjen”, shkruan New York Times.
Koleksioni më i vjetër dhe më i madh i qeramikës, është bërë rreth 30.000 vjet më parë dhe është gjetur në Republikën Çeke, dhe përfshin një figurinë të zhveshur të njohur si Venusi i Dolni Vestonices. Përveç kësaj, arti qeramik i pjekur është para kohës përpara shpërthimit të prodhimit të poçeve qeramike 10.000 vjet më parë, pasi akullnajat u tërhoqën dhe njerëzit e hershëm u vendosën në toka duke u marrë me bujqësi.
Misteri i 6-të. Ilirët nuk ishin popull margjinal
Në ishullin Korçula janë zbuluar dëshmi të jetës njerëzore, që nga epoka e gurit deri në epokën e bronztë. “Mendohet se zbulimet në Kopilë, do ta ndryshojnë mënyrën se si ne e shohim historinë në këto hapësira. Ilirët, shpesh i perceptojmë si margjinalë, veçanërisht në raport me kolonët grekë. Megjithatë, kërkimet tona kanë treguar se roli i ilirëve në këto hapësira ka qenë më i madh sesa është menduar dhe paraqitur deri tani”, thotë Radiç.
Kjo mund të shërbejë si teza edhe në gërmimet arkeologjike në Shqipëri, se në ç’ masë kultura e Komanit apo e Maliqit është protoilire apo e banorëve të tjerë më të hershëm indigjenë?
Sot kanë dalë madje dhe arkeologë grekë që pohojnë një simbiozë në mes të grekëve antikë dhe ilirëve, madje kanë hedhur edhe tezën se ilirët nuk krijuan alfabet dhe përdorën atë grek, pasi gjuha e tyre ngjasonte.
Misteri i 7-të. Pyetje pa përgjigje…
Sipas Dinko Radiçit dhe Igor Borziç në konkluzionet e punimit të tyre “The Island of Korčula: Illyrians and Greeks shkruhet se “Nekropoli e kodrës Kopila’ u formua nga fundi i shekullit të 4 p.K, dhe ajo zgjati deri në fund të shekullit të 1 p.K. Përsa i përket sasisë së gjetjeve dhe sasisë së tyre, cilësisë së zejtarisë, mallrat e varreve dhe gjetjet e tjera dëshmojnë për fuqinë e konsiderueshme ekonomike të popullsisë lokale, por edhe për përfshirjen e tyre në rrjedhat tregtare të kohës. Por përveç këtyre elementeve, në shikim të parë, dukshëm tregohet begatia e ekonomisë së kësaj popullsie edhe komuniteteve të tjera indigjene. Është e qartë se kërkimi në bazën dhe përdorimin ekonomik të burimeve lokale ende nuk ka filluar mirë. Dhe deri më tani është i kufizuar vetëm për një seri pyetjesh, p.sh.: A kultivonin komunitetet indigjene të Korçulas rrushin dhe ullinjtë, çfarë kokrrash mbillnin ata dhe në çfarë mase, cilat kafshët të zbutura mbizotëronin, në çfarë shkalle ishin peshqit të pranishëm në dietën e tyre, nëse ata në mënyrë aktive merrnin pjesë në tregtinë detare a krijuan ata produkte prej hekuri, cilat ishin kushtet klimatike të kohës, sa ka ndryshuar jeta lokale e bimëve nga ajo e sotmja? Këto janë pyetje që kanë të bëjnë me vetë thelbin e përpjekjeve të jetesës së popullatës lokale që ende nuk kanë përgjigje.
Në këtë pikë, praktikisht asgjë nuk dihet, për strukturën dhe organizimin e shoqërive indigjene, por ka spekulime të justifikueshme, që nga fundi i shekullit të 4 para erës sonë, në disa mënyra u krijuan disa aleanca ushtarako-politike në mes të komuniteteve, sigurisht të nxitura nga qendra e Shtetit ilir, i cili duket se ishte i mirë shtrirë edhe në zonën periferike. Megjithatë, fillimet e kësaj renditjeje ngjarjesh në të dyja vendbanimet e lartpërmendura u ngritën gjatë epokës së vonë të hekurit dhe, sigurisht, u zhvilluan edhe më shumë. Gjatë kohës dhe hulumtimit jashtëzakonisht të dobët bronzi i vonë dhe pothuajse i panjohur në hekurin e hershëm. Korçula qëndronte në periferi të botës ilire, e cila kishte qendrën e saj të thellë në brendësi të Adriatikut, e krijuar nga proto ilirët pas migrimeve panoneze-ballkanike. Ndikimet kulturore që dolën në drejtim të ishullit tregon se popullsia lokale rridhte nga Liburnët, por edhe nga zona Glasinac, dhe materialet e gjetura ishin kryesisht të natyrës, tregtare dhe mjaft të dukshme, para së gjithash në format e bizhuterive.
Misteri i 8-të. Proto-ilirët dhe pellazgët
Pas këtij zbulimi ne shqiptarët dhe arkeologjia gjuhësia, historia, antropologjia edhe gjenetika, duhet të tregojnë gjithnjë e më shumë se jemi pasardhës të ilirëve, por dhe të pellazgëve, dhe të dyja tezat nuk përjashtojnë njëra tjetrën, ndaj historia jonë kur flet për proto ilirët, duhet ndryshojnë pikëpamjet për zhvillimin dhe civilizimin ilir, lidhjet pellago- ilire por dhe në ndikimin e zhvillimit të civilizimit botëror.
Një varg aluzionesh të vjetra historike e poetike për pellazgët përkojnë fare mirë me përfundimet e arkeologëve e gjuhëtarëve të sotëm. Edhe pa u përpjekur të bëjmë një vlerësim apo harmonizim te dorëshkrimeve te vjetra, në to vërehet një rregullsi e përgjithshme. Pellazget parahistorike bënin pjesë në familjen indoevropiane të kombeve. Në të kaluarën e largët këta popuj banonin në kufirin midis Evropës dhe Indisë. Ata të gjithë flisnin një gjuhë të njëjtë. Bënin një jetesë primitive si nomadë në tenda, merreshin me rritjen e dhive, mbledhjen e frutave, peshkim e gjueti kafshësh te egra për ushqime e veshje. Me sa duket, aty rreth viteve 3000 p.K. ndodhi një shpërbërje e madhe, qe i shpërndau këto familje fisnore në mënyrë centrifugale në të gjitha drejtimet. Nga burimi arian u bë një shpërngulje ne jug për në Indi; kurse të tjerët u shpërngulën nga ky djep indoevropian i njerëzimit drejt perëndimit.
Lajmet e para mbi fiset Ilire dhe vendin e tyre i gjejmë që në monumentet më të hershme të letërsisë helene, që në poemat e Homerit e të Hesiodit. Në poemat e Homerit gjejmë edhe disa që kanë për subjekt historinë e Ilirisë, p.sh. poema mbi pjesëmarrjen e panionëve në luftën e Trojës , për lokalizimin e vendbanimeve të tyre, për pjellorin e tokës së thesprotëve (Epirit), etj. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve panionë në luftën e Trojës kundër akejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Panonia pjellore” me prijësit e akejve dhe të trojanëve.
Misteri i 9-të – Djepi i origjinës së proto-ilirëve
Ka shumë të ngjarë që djepi i origjinës së proto-ilirëve të jetë brendësia e viseve ballkanike, mjaft më në lindje ose në verilindje në krahasim me brigjet adriatike. Ajo përzierje mes aborigjenëve neolitikë, bartës të kulturës së « Evropës së vjetër » dhe të ardhurve rishtas gjithmonë neolitikë – të cilët që nga mijëvjeçari i V ose i IV p.e.s. duket se depërtuan në Ballkan – domosdoshmërisht ka prodhuar një përplasje kulturash, skemat e të cilës janë përshkruar në të gjitha veprat serioze, që flasin mbi indoevropianët e parë. Elementi kryesor që sugjeron idenë është ajo lidhje gjinore e natyrës gjuhësore me proto-trakët, gjë e cila sugjeron edhe rajonin gjeografik ku ka ndodhur fillimisht përzierja, e ndjekur nga përplasja.
Ky fenomen nuk është as i izoluar as edhe i përveçëm për proto-ilirët pasi, e njëjta logjikë mund të përdoret edhe për proto-helenët ose edhe proto-maqedonët, të ngjizur sikundër të parët nga përzierja e aborigjenëve neolitikë ballkanikë dhe neolitikëve proto-indo-evropianë. Shkrirja e « proto-ilirëve » me grupimet autoktone të tipit evropian ose ballkanik « të vjetër » që jetonin ndërkohë në viset Adriatike dhe joniane, ndodhi diku në mijëvjeçarin e III- të p.e.s. Por në dritën e këtij zbulimi ajo mund të jetë edhe më e hershme. Këta të fundit ndërkohë njohin metalurgjinë e bakrit dhe fillimet e metalurgjisë së bronzit.
Në këtë stad, historia jonë përputhet me atë të historianëve shqiptarë, të cilët ngulmojnë – me të drejtë – për atë vazhdimësi të shquar të kulturës materiale lokale që vendoset që prej kohëve të errëta të bronzit të mesëm. Për më tepër, kjo vërejtje shkon në drejtimin e hipotezës së mësipërme, pasi tretja e krijuar rishtas, nuk ka asgjë të përbashkët me përplasjen : jo vetëm që « proto-ilirët » kanë mundur të fitojnë nivelin kulturor « mesatar » ballkanik si edhe teknikat industriale të indigjenëve përgjatë asaj kohe që ata kanë jetuar në brendësi të gadishullit por edhe « autoktonët » që mund të kenë pasur ndërkohë kontakte të shumta të parakohshme me popullsitë e stepave.
Në fund të fundit, të ardhurit rishtas sjellin dhe imponojnë praktika të reja varrosjeje siç është rasti i tumave, procese të reja poçerie « me shirita » si edhe elementë të reja gjuhe, duke tërhequr në këtë mënyrë pas vetes masën e popullsisë lokale që ata gjetën në vend, në atë proces të gjatë të « ilirizimit » që zgjati disa shekuj, duke filluar nga epoka e bronzit.
Misteri i 10-të-Etnogjenza e Ilirëve në plan evropian
“Pikëpamja e zhvilluar nga arkeologët shqiptarë në gjysmën e shekullit të XX ka krijuar teorinë e formimit të ilirëve dhe të kulturës ilire në vend pa ndërprerje, pra, kjo është teoria e autoktonisë. Në këtë kuptim teza që i lidh ilirët me bartësit e kulturës së fushave me urna bije, ose zbehet. Gjithashtu, të dhënat arkeologjike flasin se dyndja Panono-ballkanike nuk e ka përfshirë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, pra edhe territoret e Shqipërisë. Etnogjeneza ilire nuk duhet parë vetëm në lidhjen me dyndjen Panano-ballkanike, pavarësisht nga disa ndikime të saj. Kjo dyndje e cilësuar indoeuropiane në fundin e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë ndikoi në kultura neolitike të Ballkanit, por nuk është totalitare për territorin shqiptar të sotëm. Kaçula e tregon këtë. ” Etnosi ilir i krijuar në epokën e bronzit është edhe një unitet, që ka brenda diversitet dhe, përgjithësisht, sot nënvizohen dy grupe të mëdha kulturore ilire: ai jugor dhe ai verior, thotë me të drejtë studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo.
Pas këtij zbulimi, është e nevojshme të braktisen për një çast misteret e ilirologjisë dhe koncepti i autoktonisë, që shpesh kthehet në obsesion, për të shtruar çështjen e gjenezës së ilirëve në një kuadër më të gjerë, në atë ballkanik dhe evropian. Rasti i Kaculës është hapi i parë në këtë drejtim.
Literatura
Eterović Borzić 2017a A. Eterović Borzić, Jantarni nalazi, in: Grad mrtvih nad poljem života. Nekropola gradinskog naselja Kopila na otoku Korčuli, I. Fadić, A. Eterović Borzić (eds.), Zadar 2017, 117-124.
Dinko Radić, Igor Borzić , Otok Korčula: “Iliri i Grci”, The island of Korčula: Illyrians and Greeks.
Zaninović 2015 M. Zaninović, Ilirski ratovi, Zagreb 2015.
https://hrcak.srce.hr/index.php?show=clanak&id_clanak_jezik=284913
Vela Spila – Korčula (photo credit: Marija Radovanovic) Archaelogical blato discovery kopila
https://www.croatiaweek.com/archaeological-sensation-on-the-island-of-Korçula/
https://www.petersommer.com/blog/archaeology-history/mystery-croatia-Korçula
Alanna Mitchell, Ceramic Fragments Point to Artistry in the Ice Age, , https://www.nytimes.com/2012/09/11/science/ceramic-fragments-point-to-ice-age-artistry.html
Moikom Zeqo, Etnogjeneza iliro-shqiptare në vështrimin e Gimperas , Ballkan web,
19 Shtator, 2016 , https://balkanweb.com/etnogjeneza-iliro-shqiptare-ne-veshtrimin-e-gimperas/