Nga Fadil LUSHI/Të nderuar miq të mi. Sa herë që më mungon ideja për të shkarravitur ndonjë opinion a vështrim gazete, po thuaj edhe përrallë për fëmijë, aq herë më ikën fiqiri te Sulo çavo, nga mëhalla ime, i cili në çdo “karasabah”(herët në mëngjes ), mbledh a nxjerr skrapin nga koshat, aq herë më shkon mendja te duart dhe te “biçaku” i tij i mprehtë të cilin e shfrytëzon si mbrojtje që çavot e tjerë të mos ia vjedhin skrapin nga oborri i tij…, aq herë më ikën fiqiri a mendja te vithet a tulet e prapme të Maros, e cila me bukurinë e saj i la beqarë sot e mot çunat e mëhallës së saj…, sa herë më “mungon një dërrasë”, arsyeja, durimi po edhe vullneti për të shkruar, aq herë më zapton ajo dembelia anadollake që ashtu pamëshirshëm të kap për fyti e nuk të lejon të shkruash për ndonjë mesele, qoftë ajo të jetë e vjetër, e koklavitur, e sajuar apo edhe për ndonjë lajm që e ka marrë “havaja”…, sa herë mundohem që ta “sikteris” dembelinë time prej anadollaku…, aq herë më kaplon paragjykimi. Sa herë që më mungon durimi “për të tjerrë lesh të bardhë a lesh prej arapi”, aq herë më ik rradakja te njerëzit që nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e botës…, sa herë që dëshpërohem, aq herë më ik mendja te njerëzit me “koqe” si të miut, te njerëzit të cilëve po nuk ua ktheve “selamin”,” e shndërrojnë surratin” e tyre në “çehre prej hajduti”…, sa herë që më ikën rradakja te nocioni i moralit tonë kolektiv, aq herë më mërgon mendja a fiqiri te hajduti me damkë, i cili dikur moti, zaptoi shtëpinë e jetimit…, një shtëpi në rrënim e sipër…, sa herë që kam “telashe” me vetveten, aq herë më vete mendja te Faiku nga Konica, i cili në një shkrim të tij, pos të tjerash, kishte thënë: “I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është çervish…”
Të nderuar lexues, nëse nuk ju “bezdisa” me këto përrallisje në paragrafin e parë të këtij shkrimi gazete, besoj se do të më lejohet të vazhdoj të them…, sa herë që nuk pajtohem me unin tim, aq herë më mbetet mendja te një vaki nga koha e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogollit…, tek ai pasaniku të cilit ia kishin vjedhur në vijimësi shtëpinë hajdutët. I ndodhur në siklet, pasaniku kishte angazhuar “rojtarë me pagesë të majme” për t’u kujdesur për pasurinë e tij. Megjithëkëtë, hajdutët prapëseprapë ia kishin “bastisur” shtëpinë dhe çekmexhenë ku kishin gjetur lekët e vjedhur nga arka e shtetit. Pasaniku, i zhgënjyer nga “rojtarët”, kishte kërkuar ndihmë nga oborri mbretëror…, por as kjo nuk ia zgjidhi problemin. Një “kumarxhi” nga një mëhallë e hajdutëve e kishte dëgjuar këtë “haber”, i ishte drejtuar pasanikut me fjalët: “…, ti, miku im i nderuar që ke prapanicë të dhjamosur, për ta ruajtur shtëpinë tënde, duhet të angazhosh një hajdut…”. Vërtet ky sugjerim i kumarxhiut zuri vend!
Sa herë që nuk merrem vesh me moshën mentale timen, aq herë më ikën rradakja te Mitro Çeloja, i cili në një shkrim satirik të tij, dikur moti me plot gojën kishte “përfolur” gënjeshtrat e kumarxhinjve tirons…. Para ruletit qëndrojnë dy mesoburra. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: “Sa herë në javë bën seks me gruan”? “Katër herë”, “Unë një herë më pak”. Pasi i mblodhën numrat, vendosën 7-tën. “Zari qëndroi te zeroja”. “Do të kishim fituar, po të mos kishim gënjyer”! Vërtet kishin gënjyer njëri-tjetrin, po jo ama edhe ruletin dhe shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë…, pavarësisht se rrenat e tyre ishin simpatike dhe gjithsesi të këndshme.
Sa herë që mundohem të ndërroj mendje dhe bajrak, aq herë më shkon fiqiri te njerëzit që pa të drejtë parapëlqejnë a mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë me vlerë…, më shkon mendja te njerëzit të cilët hë për hë, me a pa sebep, bënë “hyxhym” për ta paragjykuar Fatimenë, atë gocën thatanike nga Negotina e Gostivarit, e cila me retorikën, sintaksën dhe morfologjinë e saj, lëre që i sfidoi hapur intelektualët dhe akademikët e mirëfilltë maqedonas, por edhe i habiti…, i la gojëmbyllur. Sa herë që më shkon mendja te “didaktika shqipe”, aq herë ngatërroj mendjet e intelektualëve me ato të folkpatriotëve respektivisht të ca provincialistëve shqiptarë të cilët ashtu jerm, mëtuan të paragjykojnë përgatitjen profesionale të ish-nxënësve dhe studentëve tanë të cilët kohë më parë u zgjodhën për ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Të anashkalosh këta të rinj, do të thotë të paragjykosh arsimimin e tyre fillor, atë të mesëm dhe së fundi universitetin, tok me pedagogët e tyre. Hajde mendje, hajde!
Tek nuk di si ta “harxhoj” kohën e lirë, më shkon mendja te sejmenët dhe sekserët e politikës ditore, të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të sillen vërdallë kazinove të Shkupit, të Prishtinës dhe të Tiranës për të gjetur ndonjë politikan diletant a “axhami” për të luajtur bixhoz me mallin e shqiptarëve.., politikanë të cilëve toptan u mungon komunikimi i mirëfilltë, të cilëve u mungon ajo filozofia e politikëbërjes së moderuar, të cilëve u mungon leksiku profesional, leksiku politik .., ca të tjerëve u mungon shtylla kurrizore e të menduarit ndryshe, ca të tjerë të duken si ai plaku i katundit me dy lek tru… Dhëntë Zoti që ky komunikim zero (politik) ngatërrestar dhe i kërrusur shqiptar, të mplaket para kohe dhe përfundimisht sa më shpejtë të shporret prej aty ku mundohet të mbijetojë me paragjykime të vjetra, me hile dhe me naze!
Një ditë, një lajmëtar solli haberin e “ligë”. Haberi i tij kishte të bëjë me ikjen e politikës grabitqare nga dynjaja e saj dhe jona. Iku nga ne pa e shkëmbyer “buzëqeshjen e saj të fundit premtues, human dhe emancipues”, iku kokulur, iku me bishtin ndër shalë, pa përmbushur premtimet e bujshme. Ata që kishin qëndruar pranë saj, thanë se “çehrja” e saj fillimisht kishte marrë bojë jeshile dhe në fund atë të verdhën. “Kryepeshkopi” që i qëndronte mbi kokë, nuk donte ta vriste heshtjen prej varri, sepse po ta bënte atë, atëherë do të vriste shpresën e fundit të saj për të mbijetuar…, për t’i shpëtuar lemerisë trishtuese. Dhe politika, mbylli sytë dhe iku pa kthim. “Inshallah “ asnjëherë nuk kthehet më! Unë nuk do të iki, sepse kam ca punë që s’i lë dot pa i bërë me huamarrës të vjetër!