• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I dënuar 3 herë me vdekje

February 17, 2017 by dgreca

Dossier/

Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli/1 zoti Hasan Reci

Në Foto:Hasan Reci/

Ja si u asgjesuan pionierët e të majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri/

Nga Shefqet Kërcelli/

Intelektuali Hasan Reci, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afrësi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arësye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e lartë ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si armik i popullit dhe i shtetit. Mbasi prokurori Nevzat Haznedari kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Ceta e pyeti të pandehurin sipas procedurës,  për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Cfarë jam unë atëherë?!… Kryetari Niko Ceta, nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje, përvec frazës bajate : ti je një armik i popullit! Por, këtë herë, sic u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu,  Hasan Reci u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 70 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi historik do përpiqemi ti japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga rregjimi komunist?

Hasan Selim Reci ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë dicka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kycur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij kemi mësuar se, Hasani mbasi kreu shkollën  në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe. Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën teknike amerikane të Harry Fulltz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjecare, bashkë me Reshat Këllicin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës teknike të Fulltz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore.  Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”.  Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arësimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar Robert Kollexh në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pamvarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse  zoti Reci do të drejtonte përmbajtjen e saj. Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si dicka e re për kohën preh e kësaj murtaje rranë dhe intelektualë, të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e cdo personi duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reci, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Mucon, asokohe anëtarë të Komitetit të Clirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës. Gjithashtu Hasan Reci kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ishnxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nënpunës, Mustafa Kacaci, nënpunës, Uan Filipi, infermjer, Isuf  Kambo, dezinjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqsues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë  Komuniste Shqiptare. Mos me u zgjat në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas u caktua Hasan Reci, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni. Por, Hasan Reci nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin ishte aspirata e njëjtë për të cliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfëra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa A.Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ishBashkimin Sovjetik, Hasan Reci, përkundrazi e konceptonte socializmin si një rregjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Cështja e dytë themelore që e ndante Alinë me Hasanë, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist. Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike që duhej zbatuar në shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “clirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koco Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, PKSH që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e partisë bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të revolucionit të tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në BS. Kjo taktikë nisej nga teza se, në Shqipëri  ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që revolucionin socialist ta drejtonte PKSH, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa Platformën e dytë, atë  “clirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Clirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj. Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët  “clirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte cliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e rregjimit totalitarist zogist, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit  nacional të trojeve etnike. E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?!  E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940.  I dashur lexues! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë mori goditje të vazhdueshme për një tre cerek shekulli, deri në eleminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve. Madje nqs flasim për fillesat e socialdemokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “clirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj, për mendimin tim shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “clirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike  përparimtare për të përmbysur bashkarisht regjimin zogist dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit PK të ushtronte ndikimin e saj. Sipas “clirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri i mëshon fort dhe Prof.Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Recit, botuar në vitin 2005.  Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni  bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arësyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Recin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nënpunës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes. Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pamvarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reci, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të v.1934, në qytetin e Korcës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korcës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Recin. Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirjen e një kongresi kushtetues të PK. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reci njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste , e cila kishte për qëllim të përmbysej monarkia dhe të zvëndësohej me një republikë demokratike, propozim që u kudërshtua nga pjesmarrësit e tjerë.

{Dënimi i parë më vdekje}

Pamvarësisht kësaj kundërshtie, Hasan Reci forcoi lidhjet me grupin e Korcës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Cekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Recin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesmarrësve në kryengritjen e Fierit. Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e v.1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duces. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të v.1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën sic ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarëve ishte dhe Hasan Reci me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, H.Reci u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxorri asnjë njoftim për pjesmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kacaci, Jaja Bace. Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reci, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kollumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Recit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e tiranës vërshuan në pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anullimi i dënimit me vdekje për H.Recin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Clirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesta nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Biles një nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimtarit të njohur francez Hanri Barbys, {Henri Barbusse}. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve. Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e organizatës së fshehtë, shndrimin e dënimit me vdekje me burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan  Reci u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg  për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa  Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar.

{Fund i pjesës së parë, pjesa e dytë vijon në numurat e ardhshëm të “Diell-it”}

Filed Under: Politike Tagged With: 3 herë, Hasan reci, I dënuar, me vdekje, Shefqet Kercelli

I DËNUAR TRI HERË ME VDEKJE…

October 1, 2014 by dgreca

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PËRBALLË TRADHËTARËVE/
Ne foto: At Mati PRENNUSHI O.F.M.(2 Tetor 1882 – 11 Mars 1948)/
Nga Fritz RADOVANI/
Me daten 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit tha:
“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.
Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Nga E. Merlika, Revista “Buzuku”, nr. 18, me 22 tetor 2005, Ulqin.)
***
At Matia ka lé në Shkodër më 2 tetor 1882, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 350 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, që ka vdekë në vitin 1904 e asht varrosë në Rrëmaji, ku janë vorret e kësaj familje.
Don Matia ishte i njohtun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e Tij, mbasi pikërisht atë vit kur Ai vdiq, ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe iu kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohtun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë paraprëgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve Shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm se ishte forcë e madhe, por edhe ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904.
E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata Shqiptarë që edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma.
Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht.
Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe mbas një viti shkon në Katund të Kastratit, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.
Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurr, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas Tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër. Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria…”
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, Ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa! Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej, sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti.
Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin. Një veper sa Fetare aq Atdhetare e papersëritëshme.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!..”
E, mbas Tij, fluturuen edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DEDË GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË…
Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruan edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin.
Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni “nuk kishte”…që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”….dhe, At Matia me buzë në gaz i përgjegjët: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Fishta për té, Ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën por edhe e liroi dhe ja dha me vete. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija. Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe.
Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kryesisht ai Françeskan kundër regjimit të Zogut. Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen!
Aty bashkëpunon me At Pjeter Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm, ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po, prej tyne Ai konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës.
Në Tiranë ai u njoh me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njohun ruen respekt për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian e liberal shumë i kulturuem.
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e Kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame të ruejtuna në Arkivin e Shtetit Tiranë. (shif librin “Françeskanët”)
Në vitin 1943 vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e Tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Anton Harapin për aprovimin e Tij në Regjencë vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje: Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.
Po filloj me citue At Konrrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje porsa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi.”. Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial.
Në fq. 65, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore.
Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia deklaron: “… U bisedue në se mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”.(po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe tradhëtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vete. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurtë e vitit kobzi 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944. Proçesët e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne antiatdhetare.
●Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhëtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?
●Në fillim të Janarit 1945, At Matia asht i pari klerik katolik që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit!
●At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte atë vëllau i kuvendit. Per këte flasin dokumentat e Dosjes 1302.
●Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia ishte elokuent, të bante për vete, se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e Tij mirëpritej si prej Atit.
●Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi zemër u vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.
●PADËR MATI PRENNUSHI, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”
(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Melbourne, Tetor 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: At Mati Prenushi, Fritz radovani, I DËNUEM, me vdekje, TRI HERË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT